Iluzioni hapësinor dhe Realja tokësore

Zgjohesh . Drita të vret sytë. Nis ritualet e përditshme, të përorëshmet përsëritje mekanike të paragjykuara, të gjykuara, të pasgjykuara. Tjetri qëndron mbi kokë porsi një kërcënim i vazhdueshëm. Bën c’duhet të bësh, por « c’duhet » nuk të përket.  Ndjen se ke hyrë në një rruge qorrazi, por ecën, nuk ndalesh. Nëse ngec diku, ti mund të shohësh lart. Lart gjithmonë sheh shpëtim, në hapësirën e pafund, ka një dalje nga ky dimension tokësor.

Hapësira është një iluzion i pakapshëm. Njerëzimi I beson, justifikim mekanik “dhe sikur të mos ekzistonte, do ta shpiknim”, rroten, Zotin, Hapesiren, por të bën të ndihesh mirë që ka një shpëtim, iluzioni vlen për këtë gjë, ai është lepuri i bardhe që del nga kapelja e magjistarit, ti do ti besosh pa ditur sekretin,  iluzioni është një tabelë qarkullimi rrugor që të tregon nga të shkosh. Ndërkohë që Realja është përplasja, është konflikt I vazhdueshëm, perpetuum mobile, është dita që dhemb e që përpiqesh të shmangësh.

Por, iluzioni, kjo shimér sot po ngordh. Një bombë tjetër shpërtheu në një cep të botës, qindra të tjerë u mbytën nga një uragan, vizualja po miopizohet, të tjerë janë tashmë të verbër. Realja përjetohet me sy-mbyllur, por janë hapur veshët. Me shpresën se perspektiva iluzioniste do të zhduket, dëgjojmë gjithçka dhe ndihemi mirë.  E gjitha kjo është e mjaftueshme përkohsisht derisa të mos përfundojmë së pikturuari autoportrete tonat me veshë të prerë. Këtë kishte diagnostikuar Van Gog tek “Burri me veshë të prerë”. Veshi i prerë që të mos dëgjojë më në shenjë refuzimi për tu dorëzuar përballe Reales apo prerja u shkaktua për ti hapur zgavrat auditive më mirë dhe për të qenë më pranë saj? Van Gogh një frikacak apo një kurajoz? Do të besonim më tepër këtë të dytën. Si do që të jetë, që prej Van Gogut, fashot vazhdojnë të lidhen, plaga vazhdon të gjakoj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).