Adresuar të gjallëve mbi vdekjen që i qeveris dhe mbi mundësinë për ta zhbërë këtë vdekje

Adresuar të gjallëve, mbi vdekjen, që i qeveris dhe mbi mundësinë për ta zhbërë këtë vdekje
Nga Raul Vaneigem

Kapitulli 1
« Këtu, tani dhe gjithmonë »

Në një novelë të Hofmanit, rrëfyesi pyet veten sesi një njeri i ulur në një tavolinë fill i vetëm u zhyt në mendime tek admironte një hapje muzikore të Glukut të luajtur tmerrësisht keq nga orkestrantët e një kafeneje. Entuziasmin e këtij personazhi, që s’ish kush tjetër veç vetë kompozitorit, mund ta shpjegojmë kështu: sado mediokër mund të ketë qenë përjetimi që ndjeu ndaj veprës së tij, ai nuk ringjalli brenda tij excellence’n e partiturës, por harmonitë emotive, që pararendën krijimin e saj. Shkrimi i partiturës, që erdhi më pas, paraqet (paraqiste) vetëm një skicë përmbledhëse.
Ajo që është e vërtetë për Gjeniun në Art vlen edhe më tepër për prezencën e ndjeshme të njeriut. Ç’mund të jetë më qesharake sesa një letër dashurie?
Përballë dhunës dhe kthjelltësisë pasionale, trupi ul çdo mburojë dhe zbulohet plotësisht ; pas kësaj, cila fjalë, cila frazë nuk do të bëhej shënjestër e arrogancës dhe mëndjemadhësisë? Kjo letër dashurie do të dukej kaq qesharake, nëse nuk do të mbërrinte kurrë tek marrësi i saj, po do të binte në duart e një rojeje ndërtese! Mbërrijnë apo jo deri tek personi që duam, këto fjalë që urdhërohen nga hovi i zemrës shënjojnë një shteg që më parë hapej në thellësi. Fjalët ushtojnë nga një harmoni, që priste veçse të përhapeshin prej thjeshtësisë së disa akordeve të mbërthyer djallëzisht mbi një instrument të rastit.
Kështu më lindi ambicia për të lidhur sëbashku remineshencat e një jete të dëshiruar, për të përmendur shkurtimisht disa masa të simfonisë njerëzore, për të zbuluar shenjat e një tjetër realiteti që arsyeja dominante maskon pas leximeve dhe rileximeve pa pushim të një botë të formatuar prej mërzisë së agonisë së saj.
Ndonëse pa dëshirën time, dobësia e kësaj iniciative varet më tepër nga ndikimi e së shkuarës, sesa nga belbëzimat e keqadresimet, nëpërmjet të cilave realiteti i ri tenton të shprehet.
Nuk është e lehtë të ulesh e të krijosh çdo ditë të jetës, kur në të njëjtën kohë dita përballet me lodhjen, plakjen dhe vdekjen. Madje dhe inteligjenca pranohet fare pak në një epokë ku më së shumti ajo përfytyrohet brenda kuadrit të shkencës së perfeksionimit të absurdit të saj dhe shpirtngushtësisë në rritje të njerëzve.
Do të jetoja plotësisht sipas dëshirave të mia - këto të fundit të papërziera me kënaqësinë e të shkruarit - për të më qartësuar mbi kënaqësinë e të përjetuarit më mirë. Kjo m’është e vetmja arsye pse shkruaj e që më dhuron kenaqësi - të frikave dhe dyshimeve të mbjella nga disa pohime, që më duken kaq të huaja e jo vetëm aq, por që më bëjnë të ndihem i huaj me vetveten.
Nga ana tjetër, nuk ka asgjë që të më entuziasmojë më shumë se sa qartësia e zgjedhjes që më duhet të bëj në mes të labirintit të imponimeve, ajo qartësi për të cilën do të vija bast gjithçka në emër të kërkimit të pandalshëm së dashurisë, krijimit dhe lumturisë së vetvetes. Jashtë kësaj logjike nuk do të pranoja asnjë fat që do t’ia vlente.
Ju mund ta imagjinoni tashmë se çfarë pakënaqësie do të më shkaktonte fitimi i parave nëse do të firmosja për një markë të famshme, për një label gazetaresk a një televizion apo nëse do të vishja një rol të caktuar, qoftë ky prestigjoz apo qesharak, ç’rëndësi ka ? apo nëse do të bëhesha pjesë e një klasifikimi mediatik mbi gjëndjen kulturore të kësaj Shoqërie tregtare (société marchande).
Sot ajo që ka rëndësi është të zbulosh vetveten në autenticitetin e vetë ekzistencës edhe pse, kur kjo ekzistencë jetohet keq, edhe iluzioni më i vogël të bëhet shpesh më i preferuari. Në vërtetësinë e saj brutale, dëshira e pamposhtur për një jetë tjetër është tashmë vetë kjo jetë.
Në fakt, unë s’jam i huaj në këtë botë, por gjithçka m’është e huaj në këtë botë të vënë në shitje, kur ndërkohë ajo fare mirë mund të dhurohej – përfshirë këtu edhe refleksin ekonomik të cilit shpeshherë gjestet e mia i përulen. Prandaj unë kam folur për ata që merren me ekonomi me të njëjtën ndjenjë që Marksi dhe Engelsi zbuluan, në zhulin dhe mizerjen londineze, një shoqëri jashtëtokësorësh me Parlamentin «e tyre», Uestministerin «e tyre», Bakingam Palasin «e tyre», Njugejtin «e tyre».
«Ata» më shqetësojnë në caqet e lirive të mia më të përulta me paratë e tyre, punën e tyre, autoritetin e tyre, detyrën e tyre, fajësinë e tyre, intelektualizmin e tyre, rolet e tyre, funksionet e tyre, botëkuptimin e tyre ndaj pushtetit, ligjet e tyre të shkëmbimeve, komunitetin e tyre tufëzues ku ndodhem dhe ku nuk dua të bëj pjesë.
Falë vetë ardhmërisë së tyre, krijohet një distancë mes meje dhe “atyre”. Skllevër të një ekonomie që i ekonomizon në ekstrem, ata vetëdënohen me zhdukje duke risjellë me vdekjen e tyre të programuar pjellorinë e tokës, speciet natyrore dhe kënaqësinë e pasioneve. Dorëzimi vjen atëherë kur energjitë e fundit të njeriut konvertohen në rentabilitet. E në këtë pikë, unë s’kam asnjë dëshirë t’i ndjek.
Megjithatë, fjala ime nuk pretendon vetërealizimin në një shoqëri që s’i kushton rëndësi këtij fakti, por ajo pretendon të prekë tërësinë e fakteve duke i trajtuar sipas transformimeve rrënjësore që paraqiten. Nuk e mohoj që ka një këmbëngulje fëminore në dëshirën për të ndryshuar botën, sepse kjo botë nuk më pëlqen e nuk ka për të më pëlqyer nëse nuk do të mund të jetojë sipas vullnetit të dëshirave të mia. Por ndërkohë, a nuk është kjo kokëfortësi, vetë substanca e vullnetit për të jetuar? Pa këtë, mprehtësia e pashtershme e të gjallit mbi botën dhe vetveten s’do të ishte gjë tjetër veçse verbëri, ndërsa kjo substancë do të ishte një kaos që do nxiste më tepër shkatërrim sesa ripërtëritje.
Fundi i erës ekonomike përket me lindjen e një civilizimi të dëshirës. Transformimet po ndodhin ngadalë nga një simbiozë e re që po i kthen primacinë bashkësisë së qënieve dhe gjërave të gjalla, ndërkohë që së fundmi të dhuruarit falas të mëson – përtej energjive pozitive – që të kapim atë që natyra fal sa herë që ajo përkushtohet (asaj i përkushtohemi) më shumë.
Nëse sot po shfaqen më shumë ide të reja se kurrë më parë gjatë shekujve të arsyes fetare, filozofike, ideologjike – bën përjashtim vepra e Fourier – përgjatë dy dekadash u manifestuan shumë e më shumë realitete autentike njerëzore sesa gjatë dhjetëmijëvjeçarëve të drejtuar nga shkenca e pushtetit dhe përfitimit.
Opinioni, sipas të cilit idea e lumturisë është kudo, por realiteti i saj askund, tregon mjaftueshëm se ka probleme më të rëndësishme sesa identifikimi i dëshirave tona dhe akordimi i fatit të secilit me ushtrimin konstant të vullnetit tonë për të jetuar. Vepra kërkon durim dhe vazhdimësi alkimike, duke e pastruar jetën nga çka e mohon dhe duke e zhveshur vetveten nga negativiteti, derisa të mos mbetet, me forcën e dëshirës, veçse prania e të gjallit.
Në një kohë që fuqia e jetës asfiksohet në emër të aftësisë për punë dhe kur ne s’kemi mësuar tjetër përveç virtytit të sakrificës dhe dorëzimit, a do të na habiste fakti se kërkimi i lumturisë kërkon kujdes dhe përpjekje në çdo çast? E gjithë dituria e botës na ka çuar drejt ndarjes me çdo gjë të vdekur dhe na ka detyruar të vdesim brenda tyre ‘pse ato ndaheshin nga ne.
Ju mund të thoni pas kësaj se jeta di të mbrohet shume mirë edhe vetë, por të paktën theksojeni se pikë së pari bëhet fjalë për ta njohur atë brenda nesh, për të mirëpritur çfarë ajo na ofron, për t’i dhënë liri asaj prej pengesave të përditshme, për t’i kthyer një gjendje pafajësie ku ajo do të ndihej vetvetja.
Në orën kur dështimi i ekonomisë si sistem mbijetese e shndërron në qesharake çdo përpjekje të investuar në etjen për të fituar sa më shumë, për të qenë më i miri, për të zotëruar sa më shumë, ndoshta mund të parashikojmë një ndryshim në sjelljet: mos vallë shpirtngurtësia e krijuar prej punës po kalbet dhe kjo do të sjellë rizbulimin e krijimit të qënieve, të gjërave, të ambientit si kënaqësi e të ekzistuarit ?
Vdekja vjen vetëm nga vdekja e toleruar gjatë gjithë kohës. Fraktura e epokës sonë po ndodh, sepse po fillohet të mohohet mohimi i jetës, sepse dëshira, duke dalë në pah para gjithçkaje tjetër, zbulon një botë që pret veç të krijohet. Revolucioni i të gjallit është para syve tanë dhe ai është i vetmi që ia vlen e nëse obsesioni i vdekjes insiston për ta zhdukur, ne e dimë tashmë se ka një pasion në rritje të së dëshiruarit pafund, për ta risjellë në mendjet tona dhe kudo përreth nesh.

1989

(perktheu Arber Shtembari)
pssmileyjeset e tjera do te vijne ne vazhdim...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).