Zgjedhjet virtuale


Janë komentuar shumë këto zgjedhje dhe sërish mes komentimeve nuk u mor vesh se çfarë ndodhi. Kaluam disa faza tejet te çuditshme dhe kaotike. Përkatësisht: fushata elektorale, fushata zgjedhore, pse jo dhe fushata e rezultateve si dhe fushata e komentimit te rezultateve ku si përfundim lexojmë një përzierje te çuditshme që nuk ka as shije e as formë që duket sikur nuk është as blu e as roze e që mbi të gjitha po bën që votuesit shqiptare të mos kuptojne ç’po ndodh.
Fushata elektorale u bë në mënyrën më të pakuptueshme pasi nuk pamë programe që të konkuronin njera tjetren, më saktë nuk pamë asgjë perveç sharjeve reciproke mes aktorëve kryesor dhe nje hije te LSi-stave të cilët sikur ndryshonin me dy gjigantët. Vetë kryefjala e fjalorit elektoral që do kujtojmë është fjala rrugë. Këto programe të paprogramuara dëshmuan qartazi se asnjëri nga këta aktore politikë nuk do te fliste për pensionet që do te rriteshin pikërisht sepse numri i te pensionistëve do te ulej sic është ulur për hir të informalitetit të tejskajshëm që ekziston në tregun e punës. këto programe të paprogramuara sërish nuk e vunë pabarazinë gjinore në programet e tyre megjithë makijazhin artificial të 30% qe rezultoi më pak se 15% dhe kjo për hir të kerkesave të BE-së, e aspak sepse kishte nje vullnet të tillë. Keto programe të pa-programuara nuk u morën vesh se ç’ përmbajnë pikërisht sepse nuk flasin për fëmijët e rrugëve sepse nuk flasin për minoritetet sociale (me nje perjashtim segmentar e të padukshëm te G99), këto programe të paprogramuara harruan totalisht jo vetem ekologjine por vete ndotjen direkte si pasojë e mungesës së politikave efikase për administratat lokale dhe mbi të gjitha për mea-kulpa(n) reciproke që mbajne në kurriz këto dy kampe njëri me anë të betonizimeve, dhe tjetri me anë të guroreve.. Së fundi këto programe të paprogramuara u shoqëruan me artificialitetin e vete formës së fushatave elektorale të cilat u zhvilluan ne formën e koncerteve të këngëtarëve VIPa, larg komunikimit real të liderave të tyre me masat pikërisht sepse mungonte programi me fjalën strukturë, me fjalën përmirësim te politikave te ndjekura nga tjetri, me fjalën alternative e mbi të gjitha me premtime jo stratosferike ashtu sikurse u bëmë dëshmitarë të produkteve tërësisht mediatike të politikës te cilët ndërkohe që flasin për varfërine vishen me Giorgio Armani.

Fushata zgjedhore megjithëse në dukje e qetë të paktën nga vete shqiptarët që votuan u shoqërua sërish me votime familjare aspekt ky që të kujtonte dhe njëhere se në fakt përtej analfabetizmit të moshës se tretë ekziston imponimi i kryefamiljarit ndaj bashkshortes.
Ndërkohe si për te plotësuar kulmin e një sage tashmë te njohur që mban emrin zgjedhje alla shqiptarce procesi i numërimit të votave tregoi se në fakt masat janë shumë më të qytetëruara se vete klasa politike. Pamë karrike që fluturonin, vërejtëm shifra që nuk lexoheshin, pamë komisionerë që nuk dinë ç’ është një skaner, siç pamë nga ata që dorëhiqeshin nga lodhja, pamë një KQZ që kishte vënë objektiva ireale përsa i përket 24 orëshit. Dhe verejtem sërish tone agresive nga këta politikanë ku nuk mungoi dhe shprehja" Do ti mbrojmë këto vota me gjak" . Kjo fushate zgjedhore tregoi se administrata publike nuk është publike se ajo është tërësisht politike ku zyrtarisht, e ku funksionalisht. Kështu u vërejt qartë se në fakt përpara se të kalohej në zgjedhje vetë shqiptarët nuk e kishin kuptuar këtë sistem të ri zgjedhor dhe kjo jo për faj të tyre por për faj të vetë legalizimit në pronë private të të dy kampeve të cilët panë se vetë militantët e tyre nuk e kishin kuptuar atë, duke festuar para kohe apo duke festuar pas kohe kjo sepse PS kishte marrë nr më të madh të votave në rang kombëtar. Mbi të gjitha partitë e vogla te koalicioneve të mëdha treguan më së miri se dhe ato vete nuk e kishin kuptuar këtë sistem të ri zgjedhor dhe kjo u tregua qartë me akuzat që PBDNJ beri ndaj PS ashtu si akuzat që PR bëri ndaj PD.

Por çudia më e madhe e zgjedhjeve alla shqiptarce është shpikja e fushatës së komentimit të rezultateve, në të njëjtën formë siç interpretojne politikisht raportet e ndërkombëtarëve. Fitorja pa fitore, dhe humbja pa humbje, është detaji më i spikatur. Beteja vijon ndërkohe që ne një media vizive lexojmë se fitoi PS dhe në tjetrën lexojmë se fitoi PD. Në fakt më duket më e besueshme të themi se këto zgjedhje i fitoi LSI mbase sepse asnjë kanal nuk e thote. Sigurisht jam e sigurt se vete PS është penduar për këtë sistem të ri zgjedhor ashtu sikurse PD eështë e lumtur që ishte PS që e propozoi. Ndërkohe presim akoma që KQZ të shpalle fituesin të pakten ndërkombëtarët po e kërkojnë këtë tëfundit zyrtarisht. Por ajo që është e sigurt është se sido që të lëvizin shifrat rezultati do të jetë po ai: pa formë e pa ngjyrë ashtu sikurse u anonçua nga vetë këta aktorë politikë në hapjet e fushatave përkatëse. Kjo pasi ata ngjasojnë aq shume sa një rezultat ndryshe nga ky që perceptohet, të paktën nuk ishte i mundur.
A.Karakushi
Tirana Observer 24/07/2009

3 Komente

ja te ngjis njecike ne maje une tani kete shkrimin 5 smiley

jo jo nuk eshte me hater smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).