Zbor VI

(bashkëpunim me Bostonian)

- Tresh!
- Me katër po të pres.
- Ja dopjo u bëftë!
- Ku i ke sytë? Ç’ia lirove katrën? Ai atë po priste dy sahat!...
- Boll bëtë me shenja, se ju mori vesh edhe bufi.
- E kam në tjetër vend. Më del dot atje?
- .....
- A del?
- Me krahmarrje, e?
- Me rikonjicion terreni. Hë si thua, t’a lëshoj atë “të ustait” unë?
- Sa ke ti?
- Një gur e gjysëm.
- Pak si shumë...
- Ajo e madhja, bomba atomike, nuk ka dalë akoma...
- Kush e ka?
- Dihet se kush? Pse pyet?
- Hmmm… atomiken e kanë shumë.
- Po qeni qepën të hajë.
- Hë pra, një herë vdes burri.
- Për revolucionin.
- Futu në vendstrehim pra...
Në vend të “domino!” një bubullimë e zgjatur bishtajore gjëmoi papritur. Si gjithnjë Temja. Teme proletari, që në domino ishte ortak me Dushan Shqipërinë. Dushan Shqipëria po e shihte si i çmeritur ndërsa Temja rrezatonte krenari rreth e rrotull. Shikuesit e dominosë zboriste po shpërndaheshin vërtetë ushtarakisht duke zënë hundët me duar. Helm i ke këto të shkreta, a i vrarë. Sikur ha nardèn. Turi që ishte NATO dhe Nesti Traktati i Varshavës u larguan gjithashtu. Mos u hëngërt fasule zbori në dynja! Fjalët “pordhë katunari” nuk donin të binin përtokë. Ajri mori një verdhësi militare. Nga aty mund të dilnin gjithfarë samurajsh e ninxhash në koalicione të padëgjuara. Dushan Shqipëria vazhdonte të rrinte tek sheshi i dominosë vulosur me zhgënjim. Iu duk se atë dorë do fitonte. Krenaria e lumtur e Temes ishte vrastare. Një lumturi që kutërbonte.

~o~o~o~o~o~o~

Kurrë nuk u mor vesh nëse pesë studentët që morën 30 pikët e mundshme në qitje kishin bërë hile apo jo. Faktet flisnin kundër tyre: ishin nga një krahinë, kjo e bënte komplotin tribal, pra thuajse të mirëqenë. Për më tepër, tre nga ata kishin qenë raportues gjatë qitjes. Raportuesit futeshin në një hendek ndanë tabelave dhe pas sinjalit të përfundimit të treshes së rradhës, dy rënie të zgjatura borie, dilnin nga vendstrehimi, kontrollonin tabelat, raportonin rezultatin me flamur (i bardhi, kapitulluesi, tregonte që tabela nuk ishte goditur) dhe po të kish goditje, e rrethonin vrimën e plumbit me laps të kuq, për të mos u ngatërruar me goditjet e mëpasme. Ndërsa dy të tjerët kishin marrë në dorëzim tabelat nga Xhafë magazinieri. Çdo gjë përputhej me skemat përbetuese, veç të ishe i verbër të mos e shikoje. Nga këtu fantazitë shpërhapeshin dhe rridhnin në lloj lloj drejtimesh si gurgullima në deltën e thashethemit. Nuk ishte vështirë t’i përfytyroje dy marrësit në dorëzim me gozhdë e çekiç në duar tek hapnin vrima në qendër të rrathëve të tabelave, aty ku ishte dhjeta, ose syri i buallit me anglishten e Turit. Pesë komplotues, nga tre dhjeta secili, bënin pesëmbëdhjetë vrima. Nga pesë në çdo tabelë. Skenar i qartë e i qëruar: pjesëmarrësit në përbetim qëllonin për laraska, dhe tre raportuesit e rezultatit do ngrinin flamujt me sinjalin e dhjetës dhe do bënin sikur rrethonin vrimat e plumbave me lapsin e kuq, gjë që e kishin bërë ndërkaq më parë.
Ata që e kundërshtonin hamendjen e përbetimit pyesnin se si ka mundësi që komplotuesit të dinin ekzaktësisht tabelat përkatëse ku i kishin shpuar me parë dhjetat. Po sikur të gjithë ata të rastisnin në të njëjtën tabelë? Por pala tjetër ngulmonte se ata që ishin në gjendje të falsifikonin goditjet, nuk e kishin problem aq gjë, pra shpërndarjen e qitësve në tabelat e duhura. Kjo tingëllonte shumë bindëse, më tepër nga toni me të cilën thuhej, një vetësiguri skajore gjithëditëse, ndërsa folësi hiqte këpucët e rënda, dhe i flakte tutje me një mllef që dukej sikur shkaktohej nga kambalet. Dikush bënte si i zgjuar shumë, i jepte debatit sofistikim kriminalistik. Thoshte se vrimat e plumbit dhe të gozhdës në kompensatë janë të ndryshme, për shkak të shpejtësive të depërtimit, kështu që ishte fare e lehtë të vërtetohej falsifikimi. Këtë e dërrmonin keqaz. Po shyqyr që të kemi ekspert ty, Sher-o (për Sherlok), kështu për punë vrimash e depërtimesh një herë... të than piten ti. Por është e vërtetë, përpëlitej i sofistikuari, që mpakej nga shpotitja, është fakt, me fizikë, me mekanikë, por sa më me logjikë argumentat, aq më i pafuqishëm dukej ai, lere ç’na sqarove, ajnshtajn or ajnshtajn të kemi, si do bënim pa ty.
S’ka pasur gozhdë, as çekiçë, pse flisni marrëzira? Thjesht kanë përdorur dhjeta të të tjerëve. Kjo hamendje e re ra e rëndë në terrin dyshimeve, si një gur pusi. Edhe zëri që e tha ishte i rëndë, që s’pranonte kundërshtim. Zor i madh është që dhjetën e tjetërkujt t’a raportosh si goditje jashtë tabele? A? E kur i vjen rradha shokut, ia quan atij dhjetën? A? Hiqja Lenës, veja Prenës. Këtu shikohej dëgjuesi me triumfin dhe epërsinë që t’a jep mprehtësia e madhe, e lindur, natyrale. Kjo hipotezë i zëvendësoi gjithë të tjerat. Të gjithëve u dukej vetja si të mashtruar, viktima zbori, çdokush kishte një bindje të brendshme që e kish goditur ai dhjetën. Tri herë. Rrafshimi thep shqekëz kishte qenë perfekt, shënjestra ishte graduar 150 metra për të llogaritur harkun rënës të flurudhës, fryma ishte mbajtur gjatë të shtimes, pra 30 pikëshi ishte jo vetëm i mundur, por i pashmangshëm! Me dhjetat e tyre do shkonin në Bolonja të tjerë. Na rroftë përqendrimi, stërvitja, orët pafund pas stanokave. U dalshin për hundësh dhjetat tona!

- Dushan, është e vërtetë ajo që thuhet?
- Çfarë?
- Hilet në qitje.
- Jo, a i vrarë!
- Po si shpjegohet?
- Çfarë?
- Që ju të pestë…
- E pse jo?
- Po që të pestë???
- E pse jo?
- E mirë, po të duash trego. S’të vuri njeri pushkën.
- Ne na piku dielli atje në transhe gjithë ditën, ti llafos.
- Pse, nuk kishte hije?
- E ç’hije a derëzi!
- ...
- Unë kontrolloja Brezhnjevin.
- A?
- Tabelën me fytyrën e Brezhnjevit.
- Aha!
- Fahrudini kishte Reaganin.
- Ëhë.
- Na ra dielli në kokë. U dogjëm për ujë. Ato tabelat dukeshin sikur talleshin me ne.
- Shiko shiko.
- Po. Shkonim t'i shihnim në i kishin qëlluar dhe sytë e Brezhnjevit dukej sikur talleshin.
- Po kur e qëllonin?
- Shumë rrallë e zinte plumbi. Më së shumti plumbat shkonin bosh; ne e ndjenim kur predhat nuk godisnin. Aty ca nga dielli, ca nga lodhja të bëhej sikur Brezhnjevi thoshte “ma rruajtët edhe këtë rradhë”.
- Shih! Po Reagani thoshte gjë?
- Ai si më me sqimë, por nuk e di, Fahrudini kontrollonte Reaganin.
Trojka e të fuqishmëve të planetit ngulur në ledhet e shkarë të poligonit jepte një ndjesi moskuptimi total, vaj që shpërndahej nëpër fletët lakra të plankonspekteve, ku fitorja mbi armikun kishte diçka tenistike. Një lloj martirizimi i shefave të planetit, të cilët ngatërroheshin, një Zot e di pse, herë me Këshilltarët e Hekalit dhe herë me Bilbilenjtë, në ato ckërka gjysëm të thata, ku i priste një skuadër pushkatimi studentësh që ëndërronin të shkonin në Bolonja. Reagani përftonte dialekt lab dhe thoshte filmik, qëllo more në je burrë, një herë vdes njeriu, ndërsa Brezhnjevi kërkonte vazhdimisht një krehër.
- Si the ti, shumë rrallë i zinin plumbat?
- E.
- Domethënë ato dhjetat nuk kanë qenë të vërteta fare, po i keni sajuar? Të fortë jeni.
- Jo a të qivja udhët.
- E mirë, o mirë.
- Mua më kanë vjedhur veglat e pastrimit të pushkës. Aty a më ndihmon dot.
- Të paska dalë haku i qitjes.
- Haku i këtij timit. A më ndihmon dot?
- Mbështetu në forcat e veta. Parim bazë. Kur të humb një gjë në zbor, kurrë mos trego, por shiko si t'a zëvendësosh. Zgërlepe. Ktheje humbjen në forcë. Sulmo natën dhe në kohë të keqe.

8 Komente

Kot për kuriozitet, sepse ngaqë s'më ka qëlluar që të shikoj tabela të tjera përveç atyre sagomave jeshile me rrathët e bardhë në mes, vërtet kanë egzistuar ato tabelat me Hurshov e Brezhnjev, apo janë legjendë metropolitane?

Epo prandaj nuk merrja asnjëherë më shumë se 27 unë smiley

Emo, per gozhde nuk ke pasur nevoje, sepse me laps , shpohej letra ne birat e vjetra.

Dallohej vetem ne ato raste kur "heroi" e shponte lehte me laps, bira ne leter rrinte gjysem e mbyllur, kur behej me shpejtesi e force ngjante me shume me nje qitje te vertet.

Kush kishte 10-jete markzismin, ishte qitesi me i mire.

Ne keto kujtime mungon era e vojit , e zakoni te mbajturit fije barit ne goje, e magazinjerja qe se pranonte armen se nuk eshte e vajisur mire, edhe dy ore te tjera ne diell, me peca vojit. 

Emo. Eshte nje kompani japoneze qe shkon ne pol me akullthyese,
lokalizon akullnaja te vogla 2-30000 vjecare me uje te pishem dhe
pasi I terheq ne det te hapur, I thyenn I fut ne frigorifer gjigande
I shkrin per uje te pishem me ndotje 0 dhe me aroma te ruajtura per mijra vjetm
Ja cfare me kujton ti nganjeherem

Shume i bukur tregime mesiper. Nga eshte marre emo? Apo made in emigranti? 

kështu për punë vrimash e depërtimesh një herë... të than piten ti... smiley Sa per te hequr kuriozitetin prej Sherloku po ta kujtoj THJESHT smiley  Vrima e hapur me PLUMB le ngjyren e plumbit anash letres ne forme hije te murme .....  Vrimat  e hapura me kalem , me gozhde ose cfaredo NUK e lene NJe Hije rrethore te TILLE . Ndersa ai varianti i te qenit nga nje krahine e ben te besueshme sepse edhe nga Skrapari qellonin qorrat jo me ata me sy apo Studente qe mburreshin ne fshat se Ne qitje dola i PARI smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).