Zbor IV

(bashkëpunim me Bostonian)

- Mos u largoni! Rrini pranë armëve! - Dushani, një djalë thatanik nga fshatrat e Vlorës nuk donte të largohej as në pushim. Askush s’e dëgjoi. Studentët u larguan në grupe të vogla, ose edhe të vetëm. Fusha ishte e njëtrajtshme, ngado t’ia mbaje. Ata thjesht iknin sa më larg armëve dhe sidomos kundragazeve. Armët e mbështetura grykë më grykë ngjanin si çadra indiane që po i braktisnin të gjithë. Një student roje detyrohej të rrinte aty me pamje gjynahqare në fytyrë. Era e vajit të armëve përzihej me gjithçka. Java e parë e zborit, që po shpështillej si pece, kishte qenë e mjaftë ta depërtonte atë erë kudo. Pajisjet luftarake ishin shtresore si lakra. Zbori si sallatë me vaj pushke.
- O Ernest, po eja, ç’pret!
Turi po priste për cigaren e pushimit. U ulën buzë një kanali që s’merrej vesh pse qe hapur aty, ç’ujë priste, ç’ujë përcillte. Në të pyettë ç’ujë mori, nja dy-tri pagure zbori. Grupi i lebërve me iso dhe me rima pjesoresh.
Një nga mrekullitë e shkollës së lartë ishte se të lejonin të pije duhan. Faqe të gjithëve. Në fakt, ajo ishte mrekullia e vetme deri atë çast. Edhe ajo e hidhët. Dhe karcinogjene.
- E di ç’mora vesh sot? – tha Turi.
- Çfarë?
- Kush del mirë me nota, do e shpien për studime jashtë, në Itali. Në Bolonjë.
- Jo, se tallesh.
- Llaf i sigurtë.
- Po pse s’thua që do bëhen peshkopër të gjithë? Unë për të dalë jashtë shtetit jam gati t’i ha librat me gjithë kapak e autorë.
- Hmm…
- Po nga e more vesh? Ti gjithnjë merr vesh gjëra që unë s’i di. Ne dhe bashkë rrimë gjithë kohën. Më çudit.
- Nuk është e sigurtë ende. Mbase e bëjnë që të mësojnë mileti. Merret vesh?
- Bolonja the?
- E.
- Hmm... Kjo Tirana një herë, s’na doli gjë deri tani. Na u bë syri uniformë, a i q....
- Shumë përpjekur e ke marrë edhe ti.
- Jo, pse...
- Shiko, se po bëre kshu si i ndërkryer, s’të them më asgjë.
- Pse ç’do më thuash më?
- S’ta them jo.
- Hë pra, nxirre.
- Pashë Mirën. Dje.
Cigarja u thith fort në heshtjen që pasoi. Dihej. Helmi u fut nëpër mushkri. Kërkoi skutat më të thella. U përgjak. Doli jashtë në vend të psherëtimës.
- Si e pe?
- Lere më mirë.
- Jo jo.
- E njeh Lashin, atë tiransin?
- Atë trupmbushurin e togës së Latifit?
- Po. Me atë e pashë.
Psherëtymi doli prapë si re e çliruar nga kafazi.
- Po?
- Lere më mirë.
- Jo, jo… çoje deri në fund.
- E kishte mbështjellë pas një peme. Si një trup dukeshin. Dëgjova Mirën të thoshte “hiqe, hiqe”.
Tani nuk ishte më tym. Ishte avulli i fundit nga flegra dinosaurësh të mbramë që jepnin shpirt.
- Eh, s’thonë kot, - vazhdoi Turi, - në Tiranë ecin meshkujt me tri këmbë.
- Po e dija unë.
Nga larg u dëgjua “toga, mblidhu”!
Bishtat e cigareve “Gent” ranë mbi kanalin e thatë si të vrara. Dy djemtë u nisën drejt armëve me hapa uloku.

Katër orë taktikë! Zot, kur bëre vdekje’ xhenàzet, ç’pate që sajove kundragazet! Komandanti ishte një student i vitit të katërt. Serioz. Me fletore plan konspekti. Çantë. Me situatë luftarake. Italianët pas kodrës së majtë. Përforcuar nga aviacion i NATO-s; NATO, me emër të zi si nata, siç kishte edhe zemrën e zezë, edhe qëllimet gllabëruese. Traktati i Varshavës në të djathtë. Me mllefin e padalë ende të denoncimit nga ne. Për 20 minuta të vinte avioni nga Bullgaria. Grekët po bëheshin gati, siç njoftonin zbuluesit tanë që kishin infiltruar në prapavijë të armikut. Përgatiteshin të hidhnin lëndë helmuese luftarake. Prandaj…. (mooossss… fytyrat e të gjithëve u murrëtyen)… dihej pra, dihej, kundragazi në zvarritje, me grupe treshe… ah të rëntë qimja, një LHL të rëntë e të helmoftë vërtet…
Ajo bokërrimë nuk mund të sillte veçse armiq. Shkurret e rralla ishin ushtarë rusë të ngrirë qysh nga koha e miqësisë së prishur. Tri miqësira prishur, tre përrenj të thatë. Të pabesë që në kohë të keqe ja behnin me uturimë. Me befasi, si njëri nga katër elementët në favor të armikut. Jo, gabim, pjesë e terrenit, njohja e të cilit ishte në favorin tonë, si njëri nga gjashtë elementët që na bënin fitimtarë, në çdo situatë. Të përkrahur nga proletariati botëror. Tradhëtuar nga Mira. Mos e ngri kokën, bërtiste komandanti herë pas here. Kur je i dhjerë, mos e ngri kokën. As në zvarritje.
Frymëmarrja vishte me avull xhamet e syve të maskës. Llastiku i kësaj ngjitej mirë me fytyrën. Si llastiku i tenxhereve me presion. Në shqip shqipëruar si kusi me trysni. Me zborishte filologjiku. Me vrimën çliruese 7.62 mm. Toga rrëshqanore zvarritej me mundim mbi truallin e ashpër si të zgjedhur enkas. Ta bëjmë stërvitjen të thellë në mendime, të lehtë në të kuptuar, të thjeshtë në të zbatuar. Po ç’thjeshtë-zeza! Apo ishte të shpejtë në të zbatuar. Një gabim i tillë, thjeshtë-shpejt, të ulte një notë në provimin e ushtarakes. Lëndë kyçe, pothuaj po aq sa marksizmi. Dhe Bolonja i kërkonte të dyja maksimale. Si edhe atë të punës prodhuese. Sulmo natën e në kohë të keqe. Inshallah bie shi nesër, kishte thënë Panajot Pano dikur. Ashtu goditja e topit ishte e rrezikshme... me rrëshqitje, si ajo teorija e nëmur. Treshja e majtë, shumë e ngadaltë! Zëri i komandantit vinte i qartë deri në kufijtë e krimit. Treshja e majtë, sallaksja...Shyq Ballgjini me këmbë të lënduar. Një shoqes së gjimnazit, me kofshë të plota, si të lojtarit dinamovit, i thoshin nga ky shkak “Shyqyrije”. Jo vetëm zëri, por edhe pastërtia e komandantit ishte rrënuese për çdo mendim. Ndërsa qaforja e tij, mizorisht e bardhë. Në kufijtë e paralizës. Ku e gjejnë aftësinë ca njerëz, që...
Frymëmarrja nën kundragaz sa vinte e i ngjasonte më shumë asaj të Darth Veder-it. Ja, edhe pak, po ngjitej maja e kodrës. Mos e hiq kundragazin! Ka lëndë helmuese perjashta thamë! Maja e bokërrimës erdhi dikur. Armiqtë ndodheshin poshtë. NATO dhe Traktati i Varshavës e kishin lënë mënjanë (përkohësisht) çdo konkurrencë. Armiqësia ndaj nesh i përbashkonte në një front të vetëm. Pa dallim feje, ideje, shteti, blloku politik. Artileria e tyre nuk na bënte dot gjë, pasi ata nuk na kishin diktuar dot. Përparësi e zvarritjes sonë. Helmet e tyre luftarake u hutuan të zhbëra me kundragaz. Degazimi që do vijonte, kishte diçka nga fjala e vjetër gazep. Vetëm kimi që s’të kujtonte. Zbuluesit e armikut qenë kapur rob dhe kishin dhënë informata mbi vendndodhjet që do sulmoheshin në përmbyllje të orës së përgatitjes taktike. Desantët ajrorë të armikut kishin ngecur në majat e shtizave të hekurta shtyllave të vreshtave. Mu si laskuriqë nate! Sulmi ynë do përfundonte orën taktike me ngadhënjim. Gjithçkaje i gjendej ana, çdo gjë rregullohej, e gjithë bota mposhtej, vetëm Mirës nuk i bëhej dot më dermani. Pikërisht kur shpresat ishin aq të mëdha, larg të jatit të saj të frikshëm, larg vëllezërve kërcënues. Vjen tjetri dhe... nuk le Larua të hajë Balua, do thoshte Turi, me përpjekjen pasuese për përkthim në anglishte, si gjuhë me të ardhme. Laro doesn’t allow Balo to eat... Eh, jo, anglishtja shumë e butë, s’qe menduar për pezm mashkullor me sa duket. Kjo donte një shqipe të mirë, të mbushur, si e Zalo mekanikut të SMT-së, që gjithnjë thosh që gruas dhe bythës së çilimiut nuk u besohet kurrë. Pse? Se ta dhjesin atëhere kur s’e mendon hiç.
Urrrraaaa! Treshet u ngritën në sulm, në luftimin përmbyllës imagjinar trup me trup.

As mbrëmje, as muzg. Domino. Fjetore. Zhurmë gavetash. Pështjellim, pasi Këno Haskoçela si gjithnjë me shakara idiote, prapë ka përhapur lajm të rremë. Sikur ushtarët e mencës i pastronin gotat e aluminta të çajit me brekë të palara. I poshtër Kënua. Edhe ata që s’e besonin shakanë, e urrenin. Hë, a pihej ai çaj tani, pash zotin! Ndihmësit studentë të kuzhinës kishin hedhur poshtë si të pabazë llafin e Kënos, siç kishin bërë ndërkaq me gjithë bestytninë pagane që ujit të çajit i hidhnin klor. Veç në bëfshin ushtarët e kuzhinës ndonjë gjë fshehur, se ne s’dimë gjë. Pastaj, ç’ne ky merak... keni ndjerë gjë ndryshe ju? Joooo, mër, sa për ashtu, he he he... të ngrejmë zgupthi… rri aman se kudo të na pickosh…na del… E mjà’, mjà’, se na e çpifët…
Dikujt i kishin humbur veglat e pastrimit të pushkës. Që mbaheshin brenda qytës. Kujdes, ruani veglat tuaja, pasi parimi i zëvendësimit në zbor është themelor. Nëqoftëse nuk e kam unë, do marr tënden, afërmendsh, dhe ti bëj hall për vete më tej. S’është ide e keqe sikur veglat e pastrimit ti çoni hë për hë nëpër shtëpira, ku janë më të sigurta. Se ka efekt domino kjo puna e humbjes së pajisjeve luftarake. Le që është me zarar një herë. Me shumë zarar! Ore, me që përmende efektin domino, e bëjmë një dorë ne? O Turi! O Nesti! A jeni për domino?
- Erdhëm, erdhëm.
- Kush e ka dopjo gjashtën, ta hapi.
- …..
- Hë pra, se njëri e ka, mos lini koqezën e namit tani.
- Ahaaa... s’paska gjashta miku.
- Me tresh po të pres, nxirre baldosën...
- A ju të Labërisë, të zgjuar shumë, s’e sheh? Sa lindni, i vidhni unazën mamisë nga dora.
Kërcitjet e gurëve kishin diçka nervoze.
Në fjetore u duk figura e mbushur e Lash tiransit. Qejfi për domino ra menjëherë.
- O Nesti, rradha jote derman. Ç’u hutove? Apo e ke mendjen edhe ti te Bolonja!
- Ore e keni dëgjuar edhe ju këtë meselenë e Italisë?
- Po si jo! Po ne ai gëzim na mban. Hi hi hi.
- Eh, kushedi si do jetë andej.
- Po ti TV-në e shikon o, ja ashtu është.
- Andej ta ngjeshin me biftek surratit.
- E, TV-ja gënjen, dihet, ç’bëhesh i marrë?
- Nuk e di, atje o vëlla, duket sikur lëvon p... sheshit.
- Çuna, mbajeni mendjen te dominoja tani, se kam dorë të mirë!
- Për çfarë po flisnit? – Selimi nga Llakatundi u afrua gjithë interes. – Çfarë lëvonte?
Ia thanë.
- Eee, lere ç’bëhet andej, andej derdhet g... nga tenxherja....
Hi hi hi... a ha ha ha...
Mijëra tenxhere u shaplosën përdhunshëm, duke zjerë lluk-lluk, pavarësisht shprehjes angleze të Turit që një tenxhere që shikohet, nuk zjen kurrë.

8 Komente

Emo, po si i mban mend kaq mire mer? Me kenaqe sidomos dialogjet mes studenteve eshte yll fare. Ja nje dopio pesece si per domino smiley

 dihej atehere kush ishte Darth Vader?

Cimo, shume e bukur. Them se deri tani kjo eshte gjeja me e bukur qe po shkruan. Ka nje thjeshtesi qe me kujton ato skecet e Estrades e Fierit.

"Na shkoi lufta varur"...(Luftar Pajo)

Kot ke bere be " Vdes e s'ftenj " Ja qe e fteve dhe ti... smiley

Bashkohem komentit te pare.

Duket sikur i ke te rregjistruara, kujtese elefanti ke çimi.

 

Shkurret e rralla ishin ushtarë rusë të ngrirë qysh nga koha e miqësisë së prishur. Tri miqësira prishur, tre përrenj të thatë. Të pabesë që në kohë të keqe ja behnin me uturimë. Me befasi, si njëri nga katër elementët në favor të armikut. Jo, gabim, pjesë e terrenit, njohja e të cilit ishte në favorin tonë, si njëri nga gjashtë elementët që na bënin fitimtarë, në çdo situatë. Të përkrahur nga proletariati botëror. Tradhëtuar nga Mira. Mos e ngri kokën, bërtiste komandanti herë pas here. Kur je i dhjerë, mos e ngri kokën. As në zvarritje.

He - he, i forte je, kaq di me thone une.

Shume e bukur pjesa nje realitet qe na ben te kthejme koken mbrapa. Ky njeri sikur e ka kaluar gjithe jeten e vete neper ushtri moj aman, se perndryshe nuk eshte e mundur. Sa keq qe skam bere nje dite zbor!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).