Zanati i mediokrit

Zanati i mediokrit


Arbër Zaimi

Ka një tregim Azis Nesini, ky shkrimtar që referohet ndër shqiptarë si “tepër gallatë”. Eshtë një histori që zhvillohet në një kontekst social tepër interesant për të kuptuar disa fenomene që ngjasin gjithnjë e më shumë në botën e sotme, e sidomos në Shqipërinë e Re Demokratike, që e mpirë siç është para fushatës televizive elektorale të vazhdueshme që prej 19 vjetësh (e keni vënë re, ka 19 vjet që s’pushon fushata elektorale, me mitingjet, përurimet, mashtrimet, skandalet, spektaklin?), ka ulur deri në fund të këmbëve çdo barrierë kulturore që do të mundësonte ruajtjen e ca vlerave pozitive. Terapia e shock-ut, shkatërrimi i institucioneve kulturore dhe edukative, inflacionimi i fjalës në media, si dhe injektimi i një doze akademike (ose spontane) nihilizmi postmodern e kanë lënë Shqipërinë të zhveshur mes erërave të acarta të kulturës së konsumit.

Po më mirë të kthehem te Azis Nesini se sa të flas për mendimin mediokër, për postmodernizmin, për hiçin që niset nga hiçi. Në tregimin të cilit i referohem, ngjarja me pak fjalë është kjo:

Një baba biznesmen, pronar i një firme që merrej me kultivimin dhe shitjen e foragjereve, një pasdite kur kthehet në shtëpi, menjëherë përballet me kërkesën e gruas për para, se duheshin bërë ca blerje urgjentisht. Ndër to dhe këpucë për fëmijët e tyre. Kryefamiljari i kujton i habitur të shoqes se në të ri të tij këpucë blinte vetëm një herë në tre vjet, si paska mundësi që këta fëmijët e sotëm i ndryshojnë këpucët çdo dy muaj? Gruaja i kthehet duke i treguar këpucët e grisura të fëmijëve, dhe të dy dalin në përfundimin që nuk shitkërkan më nga ato këpucët e atëhershme, që zgjasnin aq shumë e ta mbanin këmbën rehat... Bën ç’bën burri niset të psonisë, dhe rrugës kalon tek dyqani i këpucëve. Blen këpucë për fëmijët dhe ndërkohë i kërkon llogari dyqanxhiut: “Or po si ka mundësi që grisen kaq shpejt? Edhe kushtojnë gjithnjë e më shtrenjt...”. Dyqanxhiu i thotë: “Nuk je i pari që më ankohesh, nuk di ç’të them, po unë këto i blej në fabrikë, dhe ata i rrisin çmimet e ndërkohë cilësinë e kanë ulur... nuk bëjnë më këpucë nga të qëmotit. Pastaj dhe unë duhet të fitoj diçka, se jeta është shtrenjtuar...”. Me të mbyllur dyqanin, dyqanxhiu shkon drejt e në fabrikën ku merrte këpucët, dhe i thotë përgjegjësit: “Shiko i dashur, e keni bërë bozë. S’di sa klientë më vijnë e ankohen për këpucët tuaja, nuk rrojnë hiç. E cmimet i keni të kripura. Nëse vazhdon kështu, do të shkatërroni biznesin tuaj, e biznesin tim!”. Përgjigjet shefi i fabrikës: “Të kuptoj o dyqanxhi, ta di hallin. Po dhe ti përpiqu të më kuptosh, shihi lëkurët që na vijnë, janë gjithnjë e më të holla, gjithnjë e më pak cilësore, këta që na i shesin janë duke na i hedhur. Nuk prodhojmë dot më mall cilësor. Po ndërkohë që duhet të paguajmë punëtorët, na rritet dhe çmimi. S’punojnë më për 1000 lira si dikur...”. Dyqanxhiu shkon në punë të tij pa marrë përgjigjje, ndërkohë që shefi i fabrikës ngre telefonin dhe merr furnitorin e lëkurëve: “Alo, i nderuar, kemi ankesa për lëndën e parë që na sillni. Duhet të zgjidhet ky problem, ato lëkurë nuk bëjnë për të prodhuar këpucë, çojini tjetërkund...”. I kthehet lëkurtari: “Dëgjo i dashur, nëse do kërko për tjetër furnitor, po unë po të them që tregu ka vetëm këtë lloj lëkure. Gjedhët që theren nuk janë më të qëmotit, rriten në stalla, kanë një lloj lëkure depresive, nuk i mbajnë mirë, janë delenxhinj këta blegtorët... Pale po dhe çmimet i kanë çuar në qiell...”. Me të mbaruar kjo bisedë aspak e këndshme mes dy biznesmenëve, lëkurtari fle, e të nesërmen që pa gdhirë çohet e i shkon drejt e te stalla njërit prej blegtorëve që i shiste lëkurët e i thotë: “Dëgjo o blegtor, pse më shet lëkurë të këqija? Kam ankesa për to, klientët e mi duan cilësinë e dikurshme. Si është kjo punë?”. Blegtori përgjigjjen e kish në majë të gjuhës: “Lëkurtar, unë nuk të bëj hile, po të rrisësh gjedhë sot kushton... Nuk ia dal po të blej foragjerin më të mirë, është i shtrenjtë ushqimi, përkujdesja... Prandaj ka rënë cilësia, se i kam rënë lapsit. Se dhe unë do fitoj diçka nga ky biznes, nuk do punoj për lopët”. Pasi i dhanë të dy të drejtë me keqardhje njëri tjetrit, blegtori ngrihet e shkon te dyqani i foragjereve, e i revoltuar i thotë pronarit: “Dëgjo or zotëri i thotë, brenda një kohe shumë të shkurtër ke trefishuar çmimin e foragjerit, nuk po ia dal dot, do më bësh ta mbyll stallën, e do mbetesh pa klientë...”. Qetë-qetë i zoti i dyqanit i përgjigjet: “Miku im i mirë, ti e di që unë i respektoj klientët. Këtë biznes e kam trashëguar nga im atë, siç ke ti stallën nga babai yt ndjesë pastë. Edhe ata punonin me njëri-tjetrin si ne. Nuk i kam rritur unë çmimet, po jeta është bërë shumë e shtrenjtë. Imagjino, edhe këpucët që dikur zgjasnin tre vjet, sot rrojnë vetëm dy muaj. Dje sapo i bleva fëmijëve këpucë të reja, a e kupton se çfarë çmendurie? Këpucë të reja çdo dy muaj, Allahu na ruajttë...”. Mirëkuptohen dy burrat, e secili kthehet me meditim e me shqetësim të platitur në hallin e vet.

Kjo ishte me pak fjalë, e zhveshur prej bukurisë e mjeshtërisë së rrëfimtarit, situata në tregimin e Azis Nesinit, një situatë që zhvillohej në një qytet të vogël turk, dikur rreth viteve ’70. Bëhet fjalë për një histori njerëzish që punojnë, prodhojnë, konsumojnë, fitojnë gjithnjë më shumë se më parë, e në të njëjtën kohë varfërohen... hmm paradoksale? Pse ndodh kjo? Në të gjithë ciklin e vogël të tregimit, që në fund fare mbyllet, shfaqen një sërë njerëzish që bëjnë punët e tyre pa asnjë pasion, që gjenden fare rastësisht në një pozicion apo në një profesion, dhe punojnë me të vetmin qëllim fitimin, fitimin dhe vetëm fitimin. Një sërë njerëzish që nuk e duan punën që bëjnë, që nuk e dashurojnë aktivitetin e tyre të përditshëm, madje e urrejnë atë. Pikërisht kjo i bën mediokër ata dhe produktin e tyre (që në thelb është pjesë e qenies së tyre). Kjo ua bën kaq mjerane këtë jetë që humbet sensin, e kthehet në vegjetim të mërzitshëm, hedonizëm të pakulmuar. Kjo më kujton situatën e shumë shqiptarëve që janë për shembull ekonomistë, po nuk e duan ekonominë, nuk lexojnë nuk mendojnë për alternativa zhvillimi. Shumë të tjerë janë marangozë, po nuk e duan këtë punë, përdorin materiale jocilësore, përpiqen të mbarojnë sa më shpejt, dhe shpeshherë raftet e bibliotekës duhet t’i riparosh nëse do që librat të mos të të zënë poshtë. Shumë janë bukëpjekës që ditë pas dite ulin gramaturat, apo shtojnë diçka në miell. Shumë janë pedagogë që nuk kanë haber nga praktika, e nga teoria njohin vetëm atë që u kanë treguar shkolluesit e tyre respektivë. Shumë janë policë që mbyllin një sy, ose dhe të dy, në shkëmbim të një pesëmijëlekëshi. Shumë janë IT që bashkë me programin të instalojnë dhe virusin, që t’u blesh antivirusin. Shumë janë gra të martuara me burra të pasur, të shëndetshëm, por aspak tërheqës, gra që dhe seksin e kryejnë në mënyrë automatike duke pritur të mbarojë sa më shpejt (jo më kot burrat sot flasin vetëm për kurvat, këto të fundit janë thuajse të vetmet që vijojnë me konsistencë ta duan zanatin që kanë zgjedhur). Shumë janë juristë që nuk besojnë te drejtësia, shumë janë shkrimtarë që shkruajnë për të shitur, shumë janë gazetarë që para se të kërkojnë të vërtetën kërkojnë komisionimin dhe parapagimin, shumë janë bujq që do të donin të ishin biznesmenë, shumë i thonë vetes politikanë duke qenë përbrenda satrapë, shumë janë drejtorë të institucioneve që nuk i respektojnë, shumë janë militantë të politikës tek e cila s'besojnë, shumë janë futbollistë dhe pse preferojnë pingpongun, shumë janë politikanë që flasin nëpër ekrane në emër të një zhvillimi e të një vizioni me të cilin në jetën private tallen, shumë janë studentë analfabetë ... etj. etj. etj.

Shumë prodhojnë, shumë konsumojnë, por akoma më shumë varfërohen nga gjithë ky treg produktesh mediokre, jo-cilësore, që rrezatojnë hipokrizi dhe që mbartin në thelb një lloj boshllëku depresiv. Mungesa e lidhjes organike të njeriut me punën (lidhje që duhej të qe e natyrshme), është një fenomen i kohës, që prek gjithë “perëndimin”, por në Shqipëri pandemia ka lënë shumë pak pa prekur (kjo dhe për shkak të atyre barrierave kulturore të ulura, që kujtuam në fillim). Të jetë ky mediokritet social, kjo hipokrizi vokacionale shkak i këtij depresioni që përjetojmë? Unë mendoj se po. Natyrisht që situata do të qe më mirë nëse të gjithë do të bënin me pasion atë që duan të bëjnë, produkti do të qe më cilësor, sistemi do të qe më dinamik, dhe zhvillimi më i shpejtë. Shpresa do të kthehej. Pjesa më e madhe lexuesve, ata që nuk duan të lexojnë (kushërinj të parë me shkronjësit që nuk urrejnë të shkruarit), ndoshta do ta akuzojnë këtë arsyetim për naiv. Por kam bindjen që një pjesë e vogël, njerëzit e dedikuar ndaj vetes së tyre, ndaj punës së tyre, ndaj komunitetit, do ta kuptojnë mesazhin tim. Janë ata që meritojnë respektin më të madh sot, janë mësuesit që me një rrogë minimale vijojnë t’i përkushtohen vocave, janë ata pak policët që me kokë në trastë shkojnë e arrestojnë kriminelët, janë ata pak mjekë të rinj që nuk marrin ryshfet për të bërë punën e tyre fisnike, janë ata artizanë pleq që e dashurojnë zanatin e tyre që nuk sjell aq shumë pare, po sjell kënaqësi e krenari... Janë ata të rinj që lexojnë, ata të rinj që ëndërrojnë, ata që pavarësisht përvojës së tyre profesionale, akademike apo jetësore përpiqen të zhvillojnë një vizion (o zot sa e pamundur duket), për vendin e për popullin e tyre. Janë shumë pak, por për mua janë mjaftueshëm që të mbajnë gjallë shpresën. Dhe në fakt shpresa është, e mbjellë vetëm aty, tek njerëzit me integritet, tek ata me cipë në faqe!

7 Komente

Shumë prodhojnë, shumë konsumojnë, por akoma më shumë varfërohen nga gjithë ky treg produktesh mediokre, jo-cilësore, që rrezatojnë hipokrizi dhe që mbartin në thelb një lloj boshllëku depresiv.

Or taj tregu i Shqiperise te varferon pikerisht se nuk prodhon gje! Madje edhe ai prodhim qe nxirret ne shitje e nxjerrin pa ia pas haberin se cili duhet te jete cmimi i duhur. Aq keq eshte situata ne Shqiperi sa USAID do 'harxhoje' 9 milione USD (qe shumica do i shkoje nje kompanie konsulence ne Washington DC) per 4 vjet qe t'u mesoje biznesmeneve te vegjel dhe te mesem ne Shqiperi: Si i vihet cmimi produktit.

P.S: po nuk e kishe patur me Shqiperine por me tregun global ne vecanti me thuaj se nuk doli qarte. Sidoqofte, inflacioni ekonomik vjen nga truni e jo nga tregu.

 

me prodhim e kam fjalen per rezultatin e punes se njeriut, qofte ky edhe berber, apo gazetar

Ahere, nuk e paske kuptu drejt tregimin e Azisit se ai me duket se flet per rrymat e tregut global dhe ligjit te entropise ne pergjithesi.

Sa per pasionet e njeriut: me pasion une duhet te isha Pape...po te me besosh se do e beja boten lemshsmiley

filloje qe nga dhjaku, beje mire punen tende, pastaj edhe po s'u bere pape, ne e dac zanatin, do behesh prift i mire smiley

azisi pershkruan nje sistem qe ne perralle mbetet i mbyllur, pra e thjeshtezon situaten... ne kete sistem te mbyllur krijohet artificialisht shtrenjtimi, humbja e kohes (frenezia) dhe renia e cilesise. nese e ke lexuar, ne fund e thote qarte dhe ai, qe gjithe kjo ndodh se askush nuk eshte i ndershem ne ate c'ka ben, sepse askush nuk e do me te vertete punen aq sa t'i perkushtoje kohen dhe energjite e duhura

Shume shkrim i bukur dhe ashtu sic pohohet ne brendesi te tij, fenomeni i mungeses se pasionit eshte aktual jo vetem ne Shqiperi.

Mendoj se duke qene se vendi yne eshte me primitiv, fenomeni eshte me i lexueshem.

Ndermarrjet qe dalin jashte llogjikes se mediokritetit ne boten perendimore, jane kryesisht ato qe prodhojne sende luksi (te pakten ne Itali), klientet e te cileve jane ironikisht, pikerisht prodhuesit e mediokritetit.

Pertej shqetesimeve qe ngrihen ne artikull, mua personalisht me shqeteson konsumimi i tepruar i burimeve natyrore dhe impakti mbi Token qe vjen si rrjedhoje e kesaj menyre te prodhuari dhe te punuari.

shkrim i mire,

mendoj se eshte ashtu si thote soli, ky eshte nje tregim shume i thjeshtuar sepse sistemi eshte i mbyllur. Ne nje sistem te tille, inflacioni do krijonte nje rreth fiskal dhe ndonje ekonomist do keshillonte "gold system". megjithate kemi zhvillimet ne technologji qe mund t'i rrisin cilesine lekures dhe keshtu me rradhe deri tek kepuca. Kjo do mjaftonte qe cdo njeri ne ate perralle te ishte i lumtur. Dhe per kete nuk eshte e domosdoshme qe cdo personazh ta doje punen, biles nuk ka nevoje qe asnje nga ata ta doje punen. Do mjaftonte nje sektor tjeter qe merrej me rritjen e technologjise dhe ata e deshin punen, ishin te afte dhe prodhonin ate qe nevojitej per t'i bere te lumtur gjithe te tjeret.

po, do te qe bukur nese me nje te shkelur te butonit gjithcka do te shkonte vaj, e s do te kishte nevoje per asgje tjeter...

problemi eshte se puna eshte organike per qenien njerezore, e domosdoshme. shmangia e punes, ajo qe quhet kohe e lire, nese behet mbizoteruese, dhe kalon masen, atehere e kthen njeriun ne qenie dekadente, depresive, e zmbraps shoqerisht...

edhe sikur te mos kete nevoje ekonomike, njeriu duhet te prodhoje, duhet te jete kreativ, duhet te jete pjese e nje sistemi dinamik qe ia ben jeten te bukur. Ha-Pi-Fli-Q* s'eshte ndonje gje per t'u mburrur

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).