YES, WE CAN'T

Yes, we can’t

Arbër Shtëmbari

Si shumë shqiptarë të tjerë larg atdheut, ndoqa me interes zgjedhjet e fundit parlamentare. Pritshmëria e shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut për standarte europiane të këtyre zgjedhjeve ishte e madhe, po aq, besoj kjo pritshmëri ishte dhe për ndërkombëtarët që nuk munguan të vëzhgojnë këto zgjedhje. Kishte pritshmëri, sepse, më në fund, filluam të besojmë se vërtet ne mundemi të bëjmë zgjedhje korrekte, standart ky që nëse do të arrihej, ndoshta do të na hapte një dritare shprese për të parë nga Europa. Në fakt besuam vërtet që ne mundeshim, kjo duke parë dhe gjithë dispozitivin që u përdor për të evituar manipulimet, vjedhjet, dhunën, kaosin që ishte prodhuar rëndomë në zgjedhjet e mëparshme. Por, ja kaluan kaq ditë dhe në fakt, si shumë të tjerë, pyes veten : Kush fitoi ?

Pa dal ende rezultatet, politikanët tanë nuk ngurruan të shpallnin fitoren, si një fitore morale e përbashkët në rradhë ta parë, « fituan shqiptarët , sepse u realizuan standartet ». Teksa shihja deklaratat më të shtira të politikanëve tanë mbi « fitoren e shqiptarëve » nuk e di pse më vinin në mendje një sërë e sëre « skenash lufte » nga zgjedhjet e mëparshme ku të njëjtët personazhe nuk hezitonin të flisnin më një gjuhë dhune për kundërshtarin « që meritonte plumbin ballit », e po këta të rrethuar nga njerëz të armatosur deri në grykë premtonin Europën, lirinë, prosperitetin. A do të mundeshim në vallë të realizonim zgjedhje të lira dhe demokratike nën drejtimin e këtyre dhunuesve të pandreqshëm të votës së lirë ?

U përdor një formulë e re kësaj rradhe dhe mbi të gjitha u përdor një teknologji e avancuar për të numëruar votën : kamerat! Në fakt prej kohësh kamerat afrojnë pranë shqiptarëve zotët që shfaqjen në tv dhe premtojnë parajsa të humbura. Kjo fe që besohet vetëm nëse transmetohet përmes kamerave, u propagandua kaq shumë në fazën parazgjedhore sa dhe Enver Hoxha do ta kishte lakmuar në kohën e tij. Në fakt teknologjia e përdorur tregoi asgjë më tepër përvecse mosbesimit total ndaj kundështarit politik. Kështu të gjitha palët treguan që kishin mbetur potencialisht po ata hajdutë ordiner votash që e mbajnë vendin peng prej vitesh. Sepse nuk është çështje formulash, as teknologjish, tek ne është çështje emancipimi politik ; është ky ai që mungon, dhe pikërisht ky handikap është ai që vret zgjedhjet dhe votën e lirë të shqiptarëve. Jo, ne nuk mundemi, ne nuk jemi gati dhe është për të qarë e shumë më pak për të qeshur që politikanët tanë dalin dhe shpallin se u arritën standartet, ata vetë duke qenë të ndërgjegjshëm mbi pavërtetësinë e kësaj shpalljeje.

Bastardizimi i këtyre zgjedhjeve filloi që në fazën parazgjedhore me pazare kafenesh, me fjalime në mitingje premtimesh terrorizues e deri tek debatet mes histerikësh në studio televizive. Si mund të pretendohen standarte kur fillon e ndërton zgjedhje mbi një strukturë të kalbur nga populizma? Paralelisht më këtë bastardim, u banalizua një farë fashizmi politiko - mediatik që nënshtroi mendimtarët shqiptarë. A ka ende mendimtarë shqiptarë që nuk janë kurvëruar nga ky sistem fashist që blen cdo arsye ? Këtu nuk bëhet më fjalë mbi zërin e lirë të një gazetari, të një analisti, të një shkrimtari, të një universitari, këtu shtrohet pyetja « sa kushton ? » zëri i tij, fjala e tij, mendimi i tij.

As euforia obamiane që preku të gjithë politikën shqiptare nuk solli asnjë ndryshim rrënjësor, asnjë emancipim politik ! solli vetëm një rimodelim imazhi, prodhoi disa këngë dhe asgjë tjetër. Shumë kanë filluar të projektojnë shpresën në katërvjecarin e ardhshëm. Ndoshta atëherë do të mundemi. Për momentin gjithcka mund të themi është se për sa kohë do të vazhdojnë këto struktura politike që prodhojnë vecse bastardizim dhe banalizim, motoja që do të na shoqërojë do të jetë YES, WE CAN’T !

5 Komente

merci (shkrim i denje per tek rubrika "acarim nervash&quotsmiley

smiley

"....ku të njëjtët personazhe nuk hezitonin të flisnin më një gjuhë dhune për kundërshtarin « që meritonte plumbin ballit », e po këta të rrethuar nga njerëz të armatosur deri në grykë premtonin Europën, lirinë, prosperitetin..." 

 

"....Në fakt teknologjia e përdorur tregoi asgjë më tepër përvecse mosbesimit total ndaj kundështarit politik. Kështu të gjitha palët treguan që kishin mbetur potencialisht po ata hajdutë ordiner votash që e mbajnë vendin peng prej vitesh. Sepse nuk është çështje formulash, as teknologjish, tek ne është çështje emancipimi politik ; është ky ai që mungon, dhe pikërisht ky handikap është ai që vret zgjedhjet dhe votën e lirë të shqiptarëve..." 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).