Vlerat e miting-politikës

Vlerat e miting-politikës

Arbër Zaimi

Shqipëria nuk qenka e thënë të shpëtojë prej mitingjeve që vijojnë të kërcënojnë çdo ekuilibër të brishtë shoqëror a individual jo vetëm në periudhë zgjedhjesh. E megjithatë nuk ka vlerë të marrësh qëndrim moralizues mbi këto grumbullime masive, pasi janë një mjet politik i njohur e i pranuar, që merr legjitimitet në përpjesëtim të drejtë me sasinë e njerëzve që përfshihen në to. Nuk ka vlerë të gjykosh forcat politike e politikanët që organizojnë këto mitingje mbi baza të së mirës e të së keqes, të së drejtës apo të së gabuarës. Dimensioni i këtij fenomeni që do të qe mirë të analizohej, është dobishmëria politike, ekonomike, sociale e ajo kulturore. Ky artikull synon të përqasë dobishmërinë politike të mitingjeve dhe disa fenomeneve të lidhura ngushtësisht me to.

Analizat e Pierre Bourdieu mbi karizmën në mënyre implicite i japin një përgjigjje pyetjes se cila është dobishmëria politike e fokusimit tek praktika e mitingjeve masive dhe se për çfarë i shërbejnë politikës këto mitingje. Bourdieu teksa analizon liderin karizmatik shprehet se ky duhet të jetë i pranuar nga masat si i tillë (si i ndryshëm, si më i mirë, më i fortë, “njëfarësoj mbinjeriu”). Dhe ky pranim, po sipas sociologut e filozofit francez, momentin nistor e gjen më së miri në ndonjë fjalim të mbajtur para turmave, gjatë ndonjë ngjarje domethënëse. Pra mitingjet, në këtë sens, janë të dobishme për të farkëtuar imazhin e liderit dhe udhëheqësit karizmatik në mendjet në vetëdijet e pasuesve të tyre, duke ofruar ngjarjen (që shpeshherë është artificiale, dhe gjithmonë teatrale), duke përvijuar qartë identitetin e armikut (dhe në këtë mënyrë dhe identitetin e grupit), si dhe duke ngritur kultin e personit që udhëheq.

Kjo analizë mund të aplikohet edhe për dy mitingjet e fundit në Tiranë. Kështu tek mitingu disaditor i socialistëve Edi Rama pati mundësi të mbante një fjalim të gjatë, të ashpër, teatral e denoncues nëpërmjet të cilit evidentoi Sali Berishën dhe “klikën e tij” si të përbindshme, të rrezikshme për mirëqenien dhe për jetën e shqiptarëve, fyerëse të stabilitetit ligjor dhe të papërputhshme me demokracinë. Natyrisht që ky fjalim la të kuptohet se zgjidhja qëndron tek zëvendësimi i “klikës së Berishës” me “Ramën e bashkëpunëtorët e tij”, që zotëronin pikërisht cilësitë e kundërta me Berishën. Për të sanksionuar rëndësinë e kultit, duhej prodhuar edhe motivi i ngjarjes. Motivi qe kërkesa për transparencë ndaj proçesit zgjedhor, një kërkesë e cila në vend që të debatohej në forume ligjore e ligjvënëse u zhvendos në media e në kulturën popullore, pikërisht që të nxiste emocionet që mbrujtën protestën masive socialiste.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mitingun e demokratëve në 8 dhjetor. Fjalimi i Sali Berishës mbajti në ajër zemrat e brohoritësve pikërisht nëpërmjet teatralitetit denoncues ndaj “kundërshtarëve të demokracisë”, “bijve të regjimit të vjetër” që kërkokan të kthejnë mbrapsh rrotën e historisë, të rinisin luftën e klasave, të lënë Shqipërinë jashtë Europe etj. etj. Kuptohet që këta armiq të paprinciptë s’janë askush tjetër përveçse “Rama e të tijtë”, ndërsa Berisha la të kuptonte se ata që e ndiqnin kishin një të ardhme të sigurt e plot dritë. Motivi i ngjarjes për Berishën nuk qe fort i vështirë për t’u gjetur, ndërkohë që prej vjetësh ishte ngjeshur një legjendë rreth datës 8 dhjetor, si datë kur na paskërka rënë komunizmi.

Mitingjet ishin shumë të ngjashme. Kështu nëse lexon fjalimet e Ramës e të Berishës menjëherë vë re se përdoren fjalë të thjeshta dhe fjali të shkurtra. Fjalitë me njëra tjetrën rrallë kanë lidhje, dhe nuk ka ndërtim fraze logjike. Studiuesit e gjuhës e dinë që një i tillë kod gjuhësor përdoret ose kur mungon koha e mjaftueshme për të përcjellë të gjithë mesazhin, dhe kjo shkakton ngut, ose kur mesazhi përpiqet t’i transmetohet një bashkëbiseduesi me aftësi të kufizuara në gjuhë a në logjikë. Duke qenë se koha nuk i mungonte as Ramës as Berishës, ajo që vihet re është paragjykimi se “populli i thjeshtë” nuk i kuptokërka “sofistikimet intelektuale”. Dhe kështu populli në të dyja rastet u trajtua si fëmijë, a si person me aftësi të kufizuara.

Dimension tjetër i ngjashëm i fjalimeve në miting është shtjellimi i tyre emocional. Të dy liderët e nisën fjalimin duke përmendur rreziqe që kanosen nga ata që e mendojnë ndryshe, dhe nëpërmjet frikës prej Tjetrit kërkuan shtrëngimin e radhëve. Ndërsa përfundimet e fjalimeve ishin shpresëdhënëse, duke përmendur një të ardhme të ndritshme, për të cilën ia vlen të mbështesësh këtë lider, sepse vetëm ky ta garanton. Kjo rrjedhë emocionale e fjalimeve supozon ekzistencën e vetëm një rruge të drejtë (nga njëra anë vetëm “rruga e bojkotit deri në rrëzim të pushtetit” dhe nga ana tjetër vetëm “rruga e dekomunistifikimit dhe e shtypjes së mafiozo-punistëve”).

Në mitingje nuk mungonte muzika, elementë të kulturës popullore, spektakli, mediat, si dhe një numër teknikësh, mjeshtra të filmimit që me kamerat e tyre kujdeseshin të krijonin imazhin e një turme disa herë më të madhe se sa ajo e vërteta. Po ashtu tek të dyja mitingjet opozita përkatëse dërgoi fotografët e vet “guerrilas” që nga zgëqe e të ndryshme morën “dëshmi” që turma ishte shumë më e vogël se sa ajo e vërteta. Gazetat i përshkruan mitingjet sipas interesave të llogores që i ushqente, dhe të nesërmen nëpër kafene çdo shqiptar i komentoi mitingjet sipas asaj ç’kishte lexuar në gazeta ose ç’kishte parë në televizor. Në këtë sens mitingjet e kryen misionin e tyre primar, atë të stabilizimit të Njëshit të grupit, përcaktimin e liderit dhe të armikut, ngritjen e kultit dhe shtrëngimin e radhëve.

Por cila është dobia politike. Që t’i japim përgjigje kësaj pyetje duhet të ndajmë në grupe popullsinë që preket nga eventet politike, në bazë të asaj çka presin prej politikës. Këto grupe, në vija të trasha janë ata që prej politikës presin një të ardhme më të mirë, dhe ata që prej politikës presin një të tashme më të mirë. Natyrisht ekzistojnë dhe indiferentët, por ata nuk analizohen, pasi nuk kanë ndonjë raport të qartë me ngjarjet politike.

Sa i përket atyre që prej politikës presin një të ardhme më të mirë, pavarësisht vizionit që mund të kenë për të ardhmen, fokusimi i politikës tek mitingu si mjet shprehje e si mjet debatimi nuk është aspak i dobishëm. Duke qenë se të ardhmen politika e diskuton nëpërmjet tezave të shprehura e të përballura me kritikë, ky grup nuk ka se si të jetë i kënaqur, pasi në mitingje teza e kundërshtarit nuk kritikohet, ajo vritet, po ashtu si teza e liderit përkatës që glorifikohet në vend që të përballet me kritikat. Ndërtimi i një diskursi politik mbi alternativa, opsione, teza e përballje të tyre në forume publike jo vetëm që nuk ndodh në rastin e mitingjeve, por edhe kur është ekzistent në forma latente, shkatërrohet. Gjithashtu mitingjet i bëjnë një dëm të madh kulturës së pluralizmit, duke qenë se këto festa masive ndërtohen mbi celebrimin e vetvetes dhe mbi idenë e zhdukjes së kundërshtarit. Mitingjet nuk janë veçse trashëgimi e monizmit autoritar, që promovon vetëm një ligj, atë të kreut, i cili është fuqiplotë.

Sa i përket grupit të dytë, atij që problemin politik e sheh si ndikues të të tashmes, mitingjet edhe mund të jenë të dobishëm. Ky grup karakterizohet nga një gjendje e mjerë ekonomike e shpirtërore, dhe në përgjithësi është në zgrip të mbijetesës, herë në punë e herë pa punë. Gjendja aktuale e Shqipërisë bën që ky grup të ketë përmasa masive. Kështu pa frikë mund të themi se shumica e atyre njerëzve që mbushën sheshet në mitingje ishin njerëz që i përkisnin këtij grupi. Heterogjeniteti i këtij grupi ka të bëjë me situatën aktuale politike. Protestuesit socialistë dëshirojnë rrëzimin e Berishës dhe ardhjen në pushtet të Ramës sepse vetëm kështu besojnë se do të futen në punë, ose do të kenë një punë më dinjitoze, ndërsa protestuesit demokratë kërkojnë shtypjen e përpjekjeve të Ramës dhe konservimin e pushtetit të Berishës, sepse vetëm kështu mendojnë se do të vazhdojnë të jenë të punësuar, e do të ruajnë privilegjet e tyre minimale ekonomike. Duhet theksuar që këta njerëz janë lehtësisht të manipulueshëm, pasi brishtësia ekonomiko-sociale e ekzistencës së tyre i detyron të kërkojnë mbrojtje e identitet në grupe të mëdha militante.

Pra këtij grupi të dytë njerëzish politika e mitingjeve iu rezulton e dobishme në rastin kur e tashmja e tyre përputhet me atë çka presin. Aktualisht socialistëve politika e mitingjeve nuk iu ka rezultuar ende e dobishme, pasi Berisha është në pushtet e ata janë pa punë, ndërsa demokratëve në të kundërt. Berisha, i konfirmuar prej nëntëmbëdhjetë vjetësh si politikan mitingjesh, shumicën e këtyre vjetëve e ka kaluar në pushtet.

Nëse Berishës dhe mbështetësve të tij u ka dhënë rezultat politika e mitingjeve, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Ramën. Strategjia socialiste pas 2005 synoi konkurimin e PD-së me armët e saj. Kështu, një lideri karizmatik iu vu përballë një tjetër lider karizmatik, një strukture politike militante iu vu përballë një tjetër strukturë militante. Por nëse PD ishte konsoliduar tashmë në përdorimin e këtyre teknikave, PS vinte nga dinamika krejt të tjera sociale e politike, pa harruar këtu edhe imazhin personal të Ramës e të Berishës, ku i pari nëpërmjet imazhit të vet metroseksual e kozmopolit e ka më të vështirë të bëjë për vete shumicën e shqiptarëve tradicionalistë.

Nëse politika e mitingjeve rezulton dobiprurëse vetëm për ata që varin të tashmen e tyre tek qëndrimi i PD-së në pushtet, atëherë PS-ja do të duhej urgjentisht të ndërronte strategji, që të ofronte konkurencë në tregun politik. Ajo do të duhej të ndërronte formatin e liderit, pra të kalonte prej Liderit Karizmatik tek udhëheqja e liderëve (më shumë se një) racionalë. Dhe do të duhet të tërhiqej prej spektaklit të mitingjeve, e ta çonte organizimin në nivele më përfaqësuese të takimit të strukturave partiake me grupet e interesit. Gjithashtu do të duhet të ndërronte motiv për lëvizjet e saj politike, e të kalonte prej çështjeve madhore (dhe të zbrazëta) siç është “Hapja e Kutive” tek çështje specifike, ndoshta më të vogla e më të shumta, që vërtet nuk prodhojnë spektakël, por janë pikërisht ato që do të mbushnin me kuptim çështjet e mëdha. Megjithatë kjo do të qe një temë tjetër.

2 Komente

Good job Arber! Kjo fjalia me pelqeu vecanerisht:

Ky artikull synon të përqasë dobishmërinë politike të mitingjeve dhe disa fenomeneve të lidhura ngushtësisht me to.

Kushedi sa habitet lexuesi shqiptar i pamesuar me autore qe guxojne te sqarojne qellimin e shkrimit dhe te linjes se mendimit qe ne fillim. Populli eshte mesuar me autore qe zgjedhin enkas te jene evaziv e jo-koherent per te lene hapur nje dere a nje dritare per ndryshime eventuale ne qasjet e mevonshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).