Viva il Pango, Viva il Re!

Teksa në orët e mbrëmjes u mësua se kryeministri Berisha shkarkoi me telefon ministrin Ylli Pango nuk kishte sesi të mos përshkoheshe nga një ndjenjë komike keqardhjeje për viktimën e këtij blitzkrieg-u puritan. Kjo jo vetëm për efektin dramatizues që krijojnë ca terma me tinguj revolucioni si: “shkarkim në vend”, “pa një pa dy”, “automatikisht” etj etj.
Gjithashtu, keqardhja nuk buronte as nga fati i keq i ministrit Ylli Pango, të cilit s’iu la as luksi fiktiv i të qenurit “ylli i mbrëmjes” të paktën për një natë, derisa të nesërmen të mblidhej ndonjë ekip qeveritar që do t’i organizonte ndonjë shkarkim për të qenë. Yllin e Pangos e shoi vetëm një njeri që s’i pëlqeu videoja në televizor, dhe për ta zhveshur atë nga spaletat nuk u ndoq ndonjë procedurë formale ashtu siç shkarkohen zyrtarët në një vend normal, ku kryeministri nuk është mbreti absolut që u pret kokat oborrtarëve në varësi të humorit ose të problemeve me urthin. Pangos së gjorë s’ia lejuan as këtë kënaqësi të vogël dhe vëmendja e opinionit publik u zhvendos nga debati për videon e sikletshme dhe fenomenin trishtues që ajo demaskon, tek skrupulli i pakompromis dhe pastërtia e panjollë e moralit të qeverisë në përgjithësi dhe kryeministrit në veçanti si rojtar vigjilent i një liste imagjinare principesh mbi të cilat është themeluar gjithë konstrukti i kombit.
Por teksa kjo lloj keqardhjeje me nota – ta pranojmë – melodramatike, mbetet një përjetim kryesisht personal, në një vështrim më të tërësishëm të pikturës s’ka sesi të mos dallohen disa defekte të paanashkalueshme që marrin kuptim me rastin e shkarkimit të një ministri për çështje nderi.
Kryeministrit Berisha, të sulmuar rëndë pikërisht në territorin ku ai s’duron dot sulme, pra në nder, kjo “proçka” e Pangos mund t’i ketë ardhur si një dhuratë për ditëlindje. Një mundësi e artë, që në pragun e një fushate që parashikohet e ashpër, ai t’i shtojë portretit të vet të çngjyrosur disa penelata shpëtimtare për rekuperimin e imazhit të kampionit të ndershmërisë. Dhe jo të ndonjë tip ndershmërie nga ato që mezi shpjegohen për shqiptarin e thjeshtë dhe që kanë nevojë për statistika, si për shembull ndershmëria në administrimin e fondeve publike apo në kalkulimin e raporteve politike. Jo. Kjo është ndershmëria e thjeshtë si buka, ajo e drejtpërdrejta. Ndershmëria e moralit, e virtytit dhe e vlerave të familjes. Kjo është një gjuhë që e flet mirë shqiptari i zakonshëm dhe kryeministri diti me sukses sesi të dërgojë një mesazh të përshtatshëm për këto lloj veshësh. Një mjerim i vërtetë ky, nëse do të kemi parasysh se i njëjti kryeministër në raport me të njëjtin ministër, ka miratuar pa asnjë hezitim një vargmal “proçkash” edhe më me zarar se kjo e fundit që kishte fundja fundit një sfond tërësisht njerëzoro-seksual. Në këto vite qeverisjeje demokrate, ministri Pango ishte në fokus të kritikave të opinionit për një seri vendimesh. Nuk e shkarkoi njeri Pangon për asnjë nga shqetësimet që ai direkt apo indirekt i krijoi qeverisë dhe kryeministrit në këto vite. Menyja ishte shumë e pasur. Që nga mësymja mbi Federatën e Futbollit e deri tek shpërndarja revoltuese e trojeve turistike për ngritje mullinjsh me erë, nga kufizimi i gjithë politikave nxitëse të turizmit kulturor në një projekt 40 hanesh e në shndërrimin e vetë ministrisë në hanin e 41-të të këtij projekti e për të arritur deri tek bëma më e fundit, ajo e paaftësisë për të zgjidhur në mënyrë burrërore, civile e të argumentuar debatin etik nëse iniciativat private me karakter kulturor duhen lejuar ta shkelin pakëz ligjin apo jo. Ndjekës më sistematikë të ecurisë së dikasterit të kulturës nën udhëheqjen e tij sigurisht mund të kenë lista më të gjata. Ajo që i mbetet një vëzhguesi të paangazhuar, është artikulimi i një shijeje të keqe që të mbetet në gojë nga lajmi i heqjes për arsye sa banale aq edhe qiellore të një zyrtari të lakuar për plot zullume fare konkrete e tokësore. Si dhe selektiviteti spektakolar dhe tërësisht televiziv i shkarkimit të tij dhe vetëm të tij midis një repertori të larmishëm ministrash e zyrtarësh nga më të lartët në orkestrën qeveritare, të cilët, sikur ta kishte vërtet namuzin kaq të ndjeshëm zoti kryeministër, do të duhej të ishin tashmë duke i hapur një vend Pangos në një qeli burgu me krevat marinari.

*Gazeta Shekulli, 5 Mars 2009

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).