Vinvm Illyricvm

Normal 0 false false false MicrosoftInternetExplorer4 /* Style Definitions */ table.MsoNormalTable {mso-style-name:"Table Normal"; mso-tstyle-rowband-size:0; mso-tstyle-colband-size:0; mso-style-noshow:yes; mso-style-parent:""; mso-padding-alt:0in 5.4pt 0in 5.4pt; mso-para-margin:0in; mso-para-margin-bottom:.0001pt; mso-pagination:widow-orphan; font-size:10.0pt; font-family:"Times New Roman"; mso-ansi-language:#0400; mso-fareast-language:#0400; mso-bidi-language:#0400;}

Vinvm Illyricvm

Andi Kananaj

Kohët e fundit më akuzojnë për mungesë morali. Thonë që pi. Dhe kjo nuk është e gjitha. Sigurisht, akuza pasuese është që shkoj me shumë femra (sepse na qenka gabim?!) dhe, që në të njëjtën kohë shkoj dhe me meshkuj. E çuditshme, se nuk duhet të akuzohem për të dyja njëkohësisht… Gjithsesi nuk u përgjigjem, se e di shumë mirë që të merresh me ta është e kollajtë, si të sulmosh një kështjellë pa mure, si të joshësh një virgjëreshë të "ngopur" me pritjen e saj. Ankoheni që paskam pallat të lartë… EDHEEE??? … mos duhet t'ju kujtoj (me ndonjë konferencë për shtyp ndoshta) që nuk do të vrisja kurrë, e nuk do kaloja asnjëherë mbi veten vetëm që ta kisha këtë pallat. Kam dëgjuar qe po shpalleni dhe patriotë, truk i ri me siguri, që të keni pastaj arsye të më fyeni dhe të më akuzoni për neglizhencën time ndaj këtij fiksimit tuaj. Nuk ma ka zënë veshi kurrë kët' fjalë, se servilat nuk kane atdhe. Prandaj ne jemi shteti më i rrudhur mbi dhéun e mysët…vetëm nëse atdhe quhet pallati im, se ju veç pasurinë gjuani o tru-shterpë. E di mire se ata që shpifin, bredhin lart e poshtë duke treguar që e dashkërkan kët' vend më shumë se veten e tyre. Qe dhe njëri që bëri be e rrufe, që femrën e vet e kish bërë fli për këto muret e pallatit tim… pa ia kërkuar askush... i paskësh rënë me short, më tha. Naivë, aq sa të besonit që une do të jetoja në mes të një varreze të tillë? Me gjak të pafaj brenda mureve? E vërteta në fakt është se po t'ia kisha kërkuar unë këtë sakrificë ai shpifësi burracak do ta kish sjellë menjëherë të shoqen. Do ta bënte patjeter, se nga njëra anë unë do t'i mbetesha borxh (mendonte ai), dhe se nga ana tjetër do të kish një arsye të mirë, për t'u vërdallisur mëhallës duke tundur dokumentin që do të provonte se ai e donte kët' rryp toke.

E di, "Ju" të gjithë do ta kishit shitur shpirtin dhe kurrë nuk jeni treguar të butë, as me gratë tuaja,… se jeni skllevër të Arit, që kurrë s’do ta keni. Ditët e fundit më folën për një profesor gjimnazi që kish zbuluar një sëmundje kockash, tek kyçet, të njëjtë me popujt gjermanikë… e afërmendsh kjo e bëka me prejardhje të fisme gjakun tonë pellazgjik. Unë qesha, ju e morët seriozisht… sigurisht që u akuzova sërish, në heshtje.

Ajo që mendoj për të gjithë ju është që s'keni asnjë qëllim të mirë. Jua them gjithmonë. Dashuria juaj s’ka vlerë. Ju jeni të pafytyrë, zvarritës, lëpirës… do të jetoni gjatë duke sharë njerëz të cilët do ti keni brohoritur. Më quani arrogant dhe prisni të vdes tamam, që të hakmerreni. Do të paguheni të dyja herët për zellin tuaj… gjatë të gjithë historisë.

Me siguri do të ndërtoni një shesh në qendër të vendit, ku do të vrisni zotin, e do të puthni këmbë diktatorësh me emra të çuditshëm për 2000 vjet pa u lodhur, më pas do të ngjallni zotin, do i puthni këmbët pa e besuar për asnjë çast, pa i ditur as emrin… e do të flijoni vajzat tuaja që të jeni në rregull me injorancën tuaj. Nga ana tjetër është e vetmja forcë që ka pushtet, e që ju ka marrosur plotesisht. Po kjo do të jetë punë për ju, se sigurisht nuk e kam ne plan të jetoj aq gjatë. Unë jam ndryshe nga ju, dhe këtë ju e dini mirë se ua mësojnë që të vegjël.

Jo, mes jush nuk ka dilema, injoranca nuk ju bën të dini…vetëm të dyshoni. S’dini akoma të ndani gërmat nga njëra-tjetra. Doni dhe të flisni për filozofi e politikë. Qesharakë… të gjithë në një mendje. Ajo që quani "Moral", është thjesht moralizëm, që fsheh mediokritetin tuaj. Keni frikë se mos zbulohet që jeni shumë të dobët, ndaj do ta mbështillni me fjalë besimi. Mërzitem, sigurisht, se dita ime fillon dhe mbaron duke tentuar të fshihem, t'ju shmangem... Duhet të gjej një zgjidhje që të largohem nga servilizmi juaj që ka si helm vetem leximin. Po unë nuk jua shkruaj dot gjërat që do t'ju tronditnin dhjamin në kokën tuaj. Jam në labirinitin që më keni qëndisur ju, si merimangat. U futa vetë, se për një çast besova që mund t'ju mbroja…por u vetëdënova me izolim. Nuk do them asgjë që s'ka ndodhur. Unë do t'ju çoj të vriteni në luftë, dhe ju do të mbani radhë, se do të besoni që plaçkitja do t’ju shpëtojë nga skamja. Por në rast se unë do të humb, ju menjëherë do të bëheni ushtarë të bindur të atij që do të më mundë. Nuk do ta vini për asnjë çast në dyshim. Do burgosni njerëz në emër të lirisë, do të vrisni në emër të jetës. Do ta bëni jo se besoni, por se më i forti jua ka kerkuar pa finte, dhe ju, dini të bindeni. Sa mirë që shumë e shpejt do t'ju zhdukem para syve, si me magji, pa ju lënë asnjë mundësi qe t’më gjeni. Në fakt, e di që s’do të më kërkoni. Mendova eutanazinë, nëpërmjet alkolit, por zgjidhjen e gjeta, sa isha akoma në kët' anë të dynjasë. Lufta me më të fortin, do të ma heqë dhe brengën, se po ju lë në mëshirë të fatit. Unë e di se ju do jeni vrasës besnikë, dhe se do të jetoni më mirë pa asnjë bindje. Hmm, jo se tani i keni, po mua më pëlqen të harroj ndonjëherë.

Unë atje larg, i marrë peng nga plani im do të shpik pije me siguri, pije që i kam në mendje që tani. Do të bëj përzirësin e alkoleve pas ndonjë banaku. Do të jem ekzotik, se vij nga larg. Do të lexoj poetët postmodernë, do të kem teserën në bibliotekë… dhe do t'ju harroj… ohh sa shpejt do të harroj. Do jem skllavi që mëson të bëhet i lirë. Do t'u flas pritësve të mi për bimët shëronjëse, se andej teknologjia do t’ju ketë marrë mendjen. Do tu mësoj verën… si ta bëjnë më të ëmbël. Do të jem larg nga ju që thërrisni emrin e më të fortit vetëm se keni frikë (dikur timin). Vetëm të kaloj detin, se do të martohem me vajzën e parë që do të gjej andej. Do t'i flas në gjuhen e saj, dhe le të qeshë po të dojë me theksin tim. Atje unë nuk do të jem "Zoti juaj", punë me orar aq të zgjatur sa më ka marrë çdo dëshirë për jetën. Do t’i flas mirë për ju, se do t’ju kem fshirë nga mendja me siguri. Vetëm duke e menduar ikjen, lumturohem si fëmijë…

E beson, zoti komandant? S'pamë ushtarë, as përtej mureve të kështjellës - tha centurioni - gjetëm vetëm Mbretin Gent… ish i pirë… nuk kish asnjë roje vërdallë.

6 Komente

in vino veritas, in vino satanas.

"njëherë mendjoja edhe une se isha qendra e botes. pastaj mesova te dashuroj..." - anonim.

Fund i bukur Andi... Nje subjekt me vete qe mund te shndrohet ne nje mesazh te persosur. Afroju dhe pak Ricard Zemerluanit me shprehjen (pasi u sherua !!! dhe ti e kupton qe eshte mire te mos ikesh por vetem te plagosesh smiley
-Tradhetare te dashur ,qe kam kenaqesine t'ju kem nen komande

Kriza e moskuptimit per idealistet e pandreqshem. Meditim interesant lidhur me metamorfozen e turmave pragmatiste dhe te vetemashtruara: sapo sundimtari radhes ka rene poshte, turma eegzaltuar brohoret sundimtarin eri pa kuptuar s epo shkon drejt nje skllaverie te maskuar me lule dhe dafina  triumfuesish.

Por ne pergjithsi,  perse idete interesante sakrifikohen ne emer te nje hermetizmi kaq ne mode?

Spiritus, se shpeshhere me del perballe neper diskutime ky muhabeti i hermetizmes. Ke nxjerre nje detaj shume interesant.

Te shprehurit nepermjet gjuhes se thate, dhe format psikotike te kapercimit logjik nga predikati ne predikat ne pergjithesi jane karakteristike e shume shkruesve te sotem. Po ashtu komunikimi i mbyllur ose gjysem i mbyllur, perdorimi i imazhizmit dhe i abstragimit.

Nuk eshte thjesht synim i modernes, per mendimin tim eshte karakteristike e frymes se ketij brezi. Hermetizmi eshte pasoje e formimit shpirteror e social. Nuk i shpetojme dot. Jetojme ne nje bote ku te gjithe bredhim drejt privacise, dhe evitojme kontaktet fizike ne favor te teknologjise. Eshte disi e pamundur te jesh po aq i drejtperdrejte e i ckycur si me pare..

Sol, vetem sa kam konstatuar kete stil te shkruari dhe nuk jam kompetent per te arritur ne perfundime me te plota.Nuk jam i sigurt se cfar eshte.Nje simptome e deshires  per te terhequr vemendjen ne kaosin dhe krizen e moskuptimit  apo eshte, ashtu sic thua ti, tregues i nje fryme te re, i nje trendi  te ri, i diktuar nga teknologjia e komunikimit dhe kriza e  mendimit linear.

Mbase ne kete kohe te shoqerise se hapur, kur barierat e komunikimit kane rene  dhe flukset  e informacionit  na bombardojne parreshtur, kur gjithcka e re vjeterohet ne sekonde, paradoksalisht tentojme te jemi me hermetike, me racionale dhe te prirur drejt nje kodi te ri komunikimi qe luan me imazhet, abstragimin dhe simbolet.

Pra le te themi se eshte nje tipologji e te menduarit dhe nje matrice e re komunikimi e brezit te ri te rritur ne eren e teknologjise digitale. Por kam frike se  eshte edhe shenje e deshperimit , e krizes se komunikimit, e mbylljes brenda kulles se UNIT i cili ka iluzionin e te qenurit  qendra e botes.

Shkrimi Vinum Illyricum nga kjo pikpamje vejn si nje kolazh simbolesh,  persiatjesh, meditime etj. ka ne kete kolazh ide interesante por dyshoj ne se mesazhi dhe domethenia percillet qartesisht.

Po sakrifikohem pak duke vene ne dyshim inteleigjencen time: Mund te jete faji im qe, edhe pse jam bashkeudhetar i kesaj kohe, per shkak te strukturave me tradicionale te te menduarit,  nuk arrij te perceptoj domethenien totale te shkrimit por mrekullohem vetem nga copeza/fragmente te nje mozaiku.Dhe kjo na kthen ne pikenisjen e arsyetimit tend: argumenti se mendimi me abstragues , me i sintetizuar imponohet nga nevoja e ekonomizimit te kohes (se leximit)  dhe mendimit, ne nje kohe kur gjithcka rrjedh me shpejtesi, kthehet ne te kunderten e vet: duke qene kaq hermetik ky shkrim(psh) ose nuk marr mesazhin ose do te harxhoj dyfishin e kohes per te hyre ne brendesi te guackave hermetike.Natyrisht do ja vlente kjo e dyta nese brenda guackes do kishte perlasmiley

 Bukuria qendron te thjeshtesia dhe qartesia.Por thjeshtesia e bukur nuk vjen prej thjeshtezimit.perkundrazi kerkon mjeshteri te madhe. Po e konkretizoj sado pak me kete krahasim te huazuar nga Kadare:

Per te dhene imazhin e nje femre te bukur ,nje zanatci mund te shkruaj duke qene me i ckycur:

Syri yt si ulli;

goja jote si qershi

trupi yt si selvi

gjokset, oh si ballkon,

lum e lum kush te ...shikonsmiley

Ndresa mjeshtri ,  pa qene nevoja te jete i kycur dhe hermetik thote:

Shero kur shkoje ne varre,

te vdekurit sec i ngjalle

te gjallet i vdiqe fare;

Dhe pa perdorur asnje fjale tye tipit oh sa super e bukur je, mesazhi per nje bukuri tronditese ka kaluar.

Nejse. Mbase ka ndonje kopetent qe lexon kto qe shkruajta dhe na ftillon me mire mbi hermetizmin si kulture komunikimi apo krize komunikimi.

Salut Sol.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).