Videoshoqëri


Sikur të mos kishte ndodhur ky filmim ish ministri Pango do të ishte edhe sonte në zyrën e tij komode duke zgjidhur kushedi ç'problem ekspozeje turizmi. Politikisht ai është një barrë që mazhoranca nuk ka ndërmend ta mbajë. Berisha ia zbërtheu rrufeshëm mbërtheçkat e kostumit të ministrit. Të gjithë u ngutën në një spektakël hipokrizie duke kërkuar të distancohen, t'ia heqin edhe mandatin - sikur nuk e njihnin se sa burrë i mirë ishte, duke u sjellë sikur nuk e kishin përkrahur Pangon deri mbrëmë. I përkushtuar siç ishte (punonte edhe në shtëpia) Ylli pango përfaqësonte njërin nga kuajt e garës së 28 qershorit. Kalë beteje i rracës së KOP-it, Pango tashmë i gjymtuar u dërgua në thertore menjëherë, ashtu siç u ndodh kuajve të garave kur thyejnë këmbët.

Shakaja më e hidhur në të gjithë këtë histori është ajo kur thuhet "Ylli Pango ra hero i seksit të gruas (versioni zhargon" i kësaj). Fatëkeqësisht kjo shaka është edhe më e vërteta. E çuditshme është sa shumë kolegët e tij çuditen nga kjo që ndodhi. Reagimet komike që vijuan nga politika, tipike; vetëm sa e përforcojnë idenë se këta njerëz nuk kanë ndonjë problem të vërtetë më atë që bente Pango. Shumica e atyre që folën nga podiumi i Kuvendit e dinin shumë mirë sjelljen (krimin?) e tij, por nuk guxuan asnjëherë të mbajnë një qëndrim për këtë. Vetëm sot ngrihen gjoja të indinjuar. Edhe kjo më duket po aq imorale sa ato që bënte Pango, kurse ai është imoral vetëm pse është në kasetë. S'di si ta them këtë por më duket i turpshëm ky turpërimi i politikës shqiptare namuzmadhe.

Ministrinë ia mori Turku, kolegët e arsimit e baktisën, të rinjtë e LRI-së ishin aq të zemëruar sa u shprehën, "po na përdhunojnë". Media është në gjëndje histerie nga ethet e skandalit. Gazeta Albania "heq sutjenat" e para kur përdor për kryetitull të datës 5 mars 2009:"Ylli Pango shkerdhen qeverinë". Të tjerat e ndjekin si të ndërkryera. Frenetikë e plotë mediatike rreth t; astuquajtur;s "Pango gate" (haha), debatet e së enjtes mbrëma i dedikohen të gjitha atij, skandalozit. Kurse Skandali varet si re e zezë mbi Tiranë. Emri i Pangos flitet në çdo tavolinë, rrufitet me çdo kafe.

Kur një gjahtar seksual si Pango bie në duart e ligjit, kjo është një arsye për tu gëzuar. Por më hidhëron fakti që kaq vjet pasi Pangos i kishte dalë nami si i tillë askush nuk pati marrë guximin ta akuzonte publikisht. As kolegët e tij në Universitet, as ata në Parlament dhe në Qeveri që sot largohen prej tij si prej lebrës nuk u treguan kurrë një fije moral e integritet atëherë kur do të kishte vlerë, por kanë paturpësinë ta akuzojnë sot. Dhe nga podiumi nisin kërcënimet. Palët politike nuk janë aq qibare sa të mos pranojnë ta përdorin varrin politik të Pangos për të lëshuar sulme drejt krahut tjetër.

Asnjë fjalë për dukurinë e përdorimit të femrës si objekt seksual, dukuri e cila pranohet në heshtje sikur të ishte normale. Po sa të tjerë ka si ky, kudo çdo ditë?? Reagimi i shoqërisë kutërbon si frikë e grumbulluar. Mante aromën e dështimit tënë kolektiv për të mbajtur një qëndrim. Pango nuk do të bënte famë si manjak në rast se do të kishte qënë realisht kaq i papranueshëm për moralin tonë shoqëror. Si është e mundur që individë si ky, edhe pse njihen për lëtyrat që janë arrijnë majat e pushteti. A mos duhet të mendojml se Pango ishte një përfaqësues i denjë i Kulturës sonë. Këtë nuk pranoj ta pranoj. Por atëherë? Vallë ç'mekanizëm pervers bën të mundur që të tillët të marrin në duar drejtimin e vendit? Po sa të tjerë ka si ky? Sa Fiksa do të duheshin ta shpëtonin këtë videoshoqëri? E tillë që nuk reagon, pranon gjithfarë shkeljesh, përveçse kur u vihet në pikiëpyetje thelbi i moralit... mundësisht me kamera të fshehtë.

Sonte, ndryshimi i vetëm midis një ministri dhe një kurvari është fakti që njëri prej tyre është filmuar. Dhe kjo nuk thotë asgjë të mirë për ndërgjegjen tonë të përbashkët. Këtu këtë lloj sjelljeje e tolerojmë dhe do të vazhdojmë ta tolerojmë njësoj. Ky ishte ministri që meritonim, dhe të mos ishte për "Fiksin" do ta kishim ende. Do ishte me interes të mendonim mbi fuqinë e medias për një çast. Nëse këtë ndodhi do na e kishin përcjellë në tavolinë, do ta tresnim kollaj. Harronim... Ndërsa një event mediatik si ky na kaplon plotësisht, e detyron Kryeministrin të veprojë në katër minuta, si Madonna feat. Timbaland... E trishtë që u desh një ndërhyrje televizive (me të gjitha pikëpyetjet etike që ngre kjo) që të shpëtonim nga arroganca ad nauseam e këtij njeriu.

"Një aksident", "Një çështje e mbyllur" - e komentoi ngjarjen Zoti Patozi, dhe e tmerrshmja është që mund të ketë të drejtë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).