Verë e vonë në dhè të vjetër

U ktheva me frikën e qenve të harresës,
Me frikën e qenies fatlum,
Me trishtimin që t’a japin veç përvojat
Dhe koha e humbur ndër plasa largësie.
Gjeta luginat e trupit tënd ku rrugët ngatërroja,
Ja shpellë e vjetër, ca pjergulla kokrrat tejpekur,
Saharozë kujtimesh që ngjisnin në gishta
Karamelin e murrmë të humbjes.

Pik’ pik’ qumësht’ i zbulesës,
Erë e harruar kafeje. Një mëngjes i vonë
U nder mbi brinjët e tua.
Çizme të panjohurish kishin lënë gjurmë
Që dukshëm qenë fshirë mbi një borë të shkuar.
Tani ish verë e vonë mbi ty
Dhe unë shtërg i hutuar.

Tek vija hasa ca zogj braktisës,
Të cilët gabimisht i quajnë shtegtarë,
Me sytë e arratisë prej vendit të krimit,
Flokët e mi - çafkë kundër erës;
Po kthehesha në vendin e krimit
Q’e braktisa me të njëjtët sy arratie
Një panvere të hershme,
Një stacioni autobuzi,
Që e zbrazën nga pritjet sytë e tu të përlotur.

Është verë e vonë, mundësi mushti.
Astar pranvere i kthyer mbrapsht,
Është livadh i mbetur në tentativë;
Mençuria m’jep vapë si zhgun i bezdisur,
Përvoja m’bezdis me grricje shajaku,
Zhveshur shtrirë ndanë teje
Dua të gjej një strofull të vjetër,
Dua të lag këmbët në dënesa të vjetra, edhe pse
Nuk mund të rifutesh në të njëjtin lumë,
Një grek me nofull mermeri këmbëngul nga oxhaku.

1 Komente

Me pelqen shume, shume, shume kjo poezi. Po te jap 5* se e meriton. Ate qe ke gjete uroj qe Zoti mos te te ndaje kurre. Keto vargje jane brilante:

 

Pik’ pik’ qumësht’ i zbulesës,
Erë e harruar kafeje. Një mëngjes i vonë
U nder mbi brinjët e tua.
Çizme të panjohurish kishin lënë gjurmë
Që dukshëm qenë fshirë mbi një borë të shkuar.
Tani ish verë e vonë mbi ty
Dhe unë shtërg i hutuar.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).