Vera e ëmbël e mjaltit e ilirëve, mrekullia e antikitetit

Nga Agron Luka

Më dt. 28 dhjetor 2008, me nja dy shokë, ishim duke pirë nga një gotë verë, kur televizioni transmetoi një emision të titulluar; "Historia e njerëzimit në një shishe vere".
Emisioni ishte i bukur por, pati edhe tre të meta të rëndësishme:
a) harroi verën e ëmbël prej mjalti, të lashtë, me famë mesdhetare e botërore të Ilirisë.
b) procesin e vjetërsimit dhe fermentimit ndër vozat e drurit, e kanë zbuluar ilirët antikë.
c) e mbylli me një fjali se, në vendin tonë, nuk njihet aq tradita e verës.
Historia e ilirëve fillon pikërisht me një lloj vere unike në të gjithë antikitetin, pa le pastaj edhe Mesjeta dhe sidomos zona jonë e Shkodrës.
Aristoteli (384-322 p.e.r.), "De Mirabilibus Auscultationibus" (Mbi mrekullitë e dëgjuara) shkruan:
"Thonë se tek ilirët e quajtur taulantë, bëjnë verë nga mjalti; pasi i shtrydhin hojet e mjaltit, u hedhin ujë dhe e ziejnë në kazan, gjersa të mbetet gjysma. Këtë e hedhin ndër enë prej balte dhe e lënë derisa të mbetet gjysma, pastaj lëngun e hedhin ndër enë prej druri.
Këtu, ndër enët e drurit, thonë se e lënë të fermentohet për një kohë të gjatë dhe bëhet si verë dhe bile një verë e ëmbël dhe e fortë. Kurse tani, thonë se kjo verë bëhet edhe në disa vende të Helladës dhe e tillë që nuk ndryshon aspak prej verës së vjetër, aq sa ishte e pamundur për kërkuesit që ta dallonin..."
(IX, 3, 832 a,22)

... në tregjet ilire, tregtarët sjellin verëra nga tokat e Detit të Zi e nga ishujt Lesbos. Në ishujt Ko dhe Taso, sillet verë prej atyre të Adriatikut, me amfora të Korkyrës. (IX, 3, 839 b, 104)

Komentet e mëtejshme për të dy vërejtjet dhe të metat, e para, besoj se janë të tepërta. Ilirët kanë qenë apikultorë (bletërritës) të famshëm. Detarët e famshëm fenikas e egjiptianë, detarët argonautë, ishin ngjitur, jo vetëm deri në Epidamn, por edhe deri lart, "në mjegull të veriut".
Dihet se në Egjipt, mjalti dhe dylli përdoreshin gjerësisht për mumifikimin. Duhet të kujtojmë se kjo traditë e lashtë e mjaltit na del edhe në mitologjinë pellazgo-ilire, ku Melisa (gr. bleta; shqip amëlisa), e bija e Epidamnit, ishte një nimfë, që ngelet shtatzënë nga Poseidoni dhe lind Dyrrahionin (hyun e dy rraheve-porteve).
Ilirët taulantë, për nderimin e kësaj stërgjysheje të bletëve, ia kishin ngjitur emrin edhe një kepi detar, Kepi Melisa (Melisonios), Caput Meliarum-Kepi Melie, në jug të Durrësit. (Shih, K. Porfirogjeneti, "Bur. Treg. Bizantine", bot. 1975, f 20; "Bur. të Zgj. Për Hist. Shqip.", bot 1962, f 180-181 K. Topia ka aty një fortifikatë dhe skelë detare; Kjo del edhe në hartat e Ankonës, etj.)
Siç shihet, grekët gllabërues, për këtë verë mjalti nuk mund të vendosin monopolin, sepse ata ua kishin kopjuar ilirëve atë sekretin e prodhimit. Sa për verërat e tjera të zakonshme ilire dhe varietet e rrushit, besoj se ato i ka përshkruar shkëlqyeshëm N. Ceka në librin "Ilirët".

Do të kishte qenë në nderin dhe interesin e eksperimentuesve shqiptarë me kohë (prapë nuk është vonë) që ta ripërtërijnë atë ish-verë të lashtë. Sa t'ia ngjisnim emrin Malaga, ma mirë t'ia ngjisnim Taulantia ose Melisa! Kam parë një emision se si në Gjermani, në krahinën e Mozelës, kishin ripërtërirë komplet edhe një ish-punishte të kohës romake dhe verën që prodhohej atje.
Ka shumë kohë që unë e kam çuar nëpër mend Aristotelin. Më 1986, kur shkoja si vullnetar në gërmimet arkeologjike që bënte Bërthama Arkeologjike e Muzeut Shkodër, arkeologët B. Lahi dhe G. Hoxha, aty te bregu i Drinasës, në një thellësi ku buronte edhe uji, zbuluan një sasi amforash të mëdha konike, që vendoseshin në një bazament.
Ishte shumë e qartë, aty kishte qenë një ish-skelë lumore dhe një magazinë amforash transporti detar. Këto tipe amforash transportonin vaj ulliri, mjaltë dhe dyll. Më vinte nëpër mend se vera më e lashtë homerike, ajo që hollohej me ujë, nëpër fërliqet e flijimet homerike, mbase kishte qenë vera ilire e lashtë e ëmbël. Dhe ky mendim ka vegjetuar kaq gjatë në trurin tim.
Së fundi, sivjet ia shpreha këtë hipotezë mikut tim të vjetër, specialistit të amforave, arkeologut Bashkim Lahi, të cilit i erdhi shumë i ëmbël si mendim. Epo ku i dihet, një hipotezë është, siç e thoshte edhe Aristoteli, vera e vjetër prej rrushi e gadishullit dhe vêna/vera e lashtë unike dhe excluzivitet ilire prej mjalti nuk dalloheshin!
Kjo e mjaltit ka më shumë arsye të hollohej, sepse ishte një esencë. Dhe hyjnitë e lashta të formacionit Olimpik, jo më kot pinin verëra speciale, të mbiquajtura si "nektar e ambrozinë"! "Vaj me det" se, në Shkodër gërmimet arkeologjike, prej 18 vjetësh kanë heshtur...

marre nga Shekulli

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).