Varfëria na vjen prej vendimeve të tilla

Varfëria na vjen prej vendimeve të tilla

Visar Ymeri

Të flasësh për ekonominë, pa çarë kokën fare për shoqërinë, mirëqenien dhe zhvillimin shoqëror, është kriminale. Për shkak se zhvillimi ekonomik i papërkthyer në përmirësim të pozitës së  shoqërisë dhe secilit pjesëtar të shoqërisë, pra pa dimensionin e përfitimeve shoqërore nga ekonomia, është uzurpim i potencialit zhvillimor dhe pasurisë së përbashkët, për përfitime personale të një pakice. E ky është krim.

Pikërisht kjo po ndodh në Kosovë. Dhe pikërisht kështu flasin Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës, dhe Ahmet Shala, ministër i MInistrisë së Ekonomisë dhe Financave (mos t’i harrojmë asnjëherë mësuesit e tyre nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, ICO, ambasadat e huaja, këshilltarët e Barrents Group, ata që i kanë punësuar vetë ministri e kryeministri…). Kjo shihet në secilin vendim madhor politik që ata marrin. P.sh.: ndryshimet në normat tatimore të vitit të kaluar, kur i zbritën tatimet për të pasurit (tatimin në korporata) dhe ngritën koston e konsumit (TVSH) për të gjithë (pra ua shtrejtuan edhe më shumë jetën atyre që janë të varfër); pastaj lejimin e vazhdueshëm të hyrjes së mallrave nga Serbia, të cilat i shkatërruan prodhuesit vendorë; tentimin për monopolizim të tregut të produkteve të mishit, duke i përjashtuar tërësisht prodhuesit vendorë; zbatimin fanatik të privatizimit, i cili ia rrezikon seriozisht Rrafshit të Kosovës qasjen në rezervat e ujit (përveç Ujmanit i cili kontrollohet nga strukturat paralele të Zubin Potokut, edhe Liqeni i Badovcit do t’i jipet në menaxhim Graçanicës me t’u formuar kjo komunë e re sipas decentralizimit).
Por qasja e tyre moskokëçarëse për mirëqenien e përgjithshme shihet më së  miri në privatizim. Pas PTK-së, tash e kanë ngutur privatizimin e Korporatës  Energjetike të Kosovës (KEK). Mirëpo, së pari po e shthurin atë. KEK-u është ndarë në disa ndërmarrje më të vogla të cilat kryejnë shërbime të veçanta përbrenda KEK-ut, shërbime këto të cilat bashkërisht e mundësojnë furnizimin me energji elektrike. Shthurja nënkupton dekorporatizimin e KEK-ut, pasi që nga korporata po formohen kompani të veçanta të cilat do të shiten ndarazi. Kjo i ngjan pak a shumë çmontimit të veturës së vjedhur, e cila nuk mund të shitet në treg si e tërë, por i shiten vetëm pjesët. Mirëpo kjo shkon në kundërshtim me trendin global ekonomik, trend ky që është duke ecur drejt korporatizimit (inkorporatizimit të kompanive më të vogla në të tilla më të mëdha). Në perëndim korporatat nuk shihen me sy të mirë, për shkak të ndikimit shkatërrues që ato kanë pasur në të mirën e përgjithshme (ndikimin e pamohueshëm të tyre në koncentrimin e pasurisë), pastaj rritjen e eksploatimit të vendeve të treta, injorimin e tyre ndaj nevojave ekologjike të planetit etj. Korporatat e kanë arritur këtë  me fuqinë e madhe ekonomike, fuqi kjo e cila ua kalon shumë shteteve të botës. Duke përdorur këtë fuqi dhe ndikimin politik që ajo u ka sjellur, korporatat ia kanë përshtatur mjedisin dhe shoqërinë interesave të tyre ekonomike. Tash, marrë parasysh këto informata, dekorporatizimi i KEK-ut qenka një gjë shumë e mirë, madje progresive. Por a është vërtet kështu?

Shthurja e KEK-ut dhe shitja e pjesëve të tij shkon në drejtim të një  koncentrimi të pasurisë në duar të tjetërkujt. Pasuria kalon nga KEK-u në një korporatë tjetër e jashtme dhe pa kurrfarë lidhje me Kosovën. Kjo korporatë, meqenëse është e tillë, do ta ketë ndikimin e njëjtë në Kosovë siç e kanë pasur në vendet tjera. Ajo synim kryesor, natyrisht, do ta ketë profitin dhe maksimalizimin e tij. Komponenta e parë e KEK-ut të cilën po planifikojnë ta privatizojnë është ndërmarrja që merret me shpërndarjen e rrymës (ndërmjetësi nga prodhuesi te konsumatori). Me privatizimin e kësaj ndërmarrje shpërndarja e rrymës do të kalojë në pronësi private. Kjo kompani private obligohet që ta furnizojë konsumatorin me rrymë elektrike. Dhe këtë e bën duke blerë rrymë nga kushdo që ka për të shitur rrymë. Dhe atë kush ka rrymë për të shitur me çmim më të lirë. Sa më lirë që e blen e sa më shtrenjtë që e shet, përfitimi është më i madh për komapninë. Kjo është logjikë e thjeshtë e tregut kapitalist. Ndërkohë që kompania e cila e blen distribucionin e KEK-ut do ta ketë tregun e garantuar duke qenë i vetmi furnizues i energjisë elektrike që do të mund të luajë me çmimet e rrymës elektrike sido që ia ka ënda. Për të, pozita socio-ekonomike e popullit të Kosovës nuk është fare brengosëse. Ata që do të kenë para do të kenë rrymë. Të tjerët jo.
Hashim Thaçi e Ahmet Shala deklaruan se shitja e distribucionit do t’i sjellë përfitime të mëdha Kosovës. Këto përfitime ata i bazonin në pretendimin se buxheti i Kosovës do të lirohet nga obligimi që e ka bartur deri tash - pagesën e granteve në KEK për importimin e rrymës elektrike. Kështu, ata presin që qytetarët e Kosovës t’i shikojnë Thaçin e Shalën sikur shpëtimtarët e xhepit të qytetarëve të Kosovës, duke i kursyer buxhetit të vendit një shumë të madhe parash (deri në 80 milionë euro në vit). Ndoshta qytetarët individualë edhe do të mendojnë kështu, deri sa ta marrin faturën e parë të lëshuar nga kompania private e distribucionit. E kjo faturë do t’ua përkujtojë se sa gabim e paskan pasur kur kanë menduar ashtu. Për shkak se rrymën të cilën do të na e sjellë komapnia private e distribucionit, gjithsesi do të jetë rrymë që duhet paguar, për shkak se është blerë diku për t’u shitur te ne. Dhe këtë do ta paguajmë ne.

Shqipëria e ka privatizuar sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike tash dy vite. Këtë e kishte blerë kompania çeke CEZ (konkurrente kryesore për ndërtimin e Termocentralit Kosova C, dhe njëkohësisht kompani 60% e së cilës është në pronësi të Ministrisë së Financave të Republikës së Çekisë). CEZ tash së voni ia ka kërkuar qeverisë së Shqipërisë një shumë prej 7.8 miliardë lekësh (afërsisht 63 milionë euro) për t’i mbuluar humbjet që ata i kanë llogaritur të jenë pasojë e mosngritjes së çmimit të rrymës elekrtike. Ndërkohë që kanë paralajmëruar se do ta ngrisin çmimin e energjisë elektrike për 44% gjatë dy viteve të ardhme (23% gjatë vitit 2010 dhe 21% gjatë vitit 2011). E njëjta gjë i ka ndodhur edhe Maqedonisë pas privatizimit të distribucionit, ku me çështjen janë duke u marrë gjykatat, për shkak të mospërputhjes mes politikave qeveritare për tarifat e energjisë me ato të kompanisë private. Një gjë e tillë e rritjes enorme të çmimit të energjisë elektrike, sigurisht se do t’i ndodh edhe Kosovës. Konfindustria e Shqipërisë ka paralajmëruar se rritja çmimit të energjisë elektrike prej 44% do t’i falimentojë bizneset në Shqipëri. Ndërkohë që një rritje e tillë e çmimit në Kosovë, përveç bizneseve, do t’i falimentojë edhe amvisëritë, e veçanërisht ata që nxehen me rrymë. Pra, për çfarë përfitimesh po flasin Thaçi e Shala?

Ta lirosh buxhetin e shtetit nga obligimet duke ua ngarkuar këto qytetarëve, nuk është  kurrfarë zgjidhje. Kjo është ikje e shtetit nga përgjegjësia. Përderisa sot rryma elektrike e importuar financohet nga paratë e buxhetit të Kosovës, para këto të cilat janë të qytetarëve, nesër ky import do të financohet drejtpërdrejt nga buxheti vetanak i familjeve të Kosovës. Mirëpo, në tërë këtë transformim të pronës dhe formës së financiamit të energjisë, diçka e madhe përvidhet: përderisa kur ndërmarrja publike merret me furnizim të ekonomisë me energji elektrike, elementi i profitit nuk duhet të jetë primar, kur ky furnizim bëhet nga kompania private, profit është i vetmi element i rëndësishëm. Pra kur shteti e blen rrymën, ai duhet ta shes këtë me çmimin e blerjes. Kur kompania private e blen rrymën, ai do ta shes këtë me çmimin më të lartë të mundshëm. Kështu, në formën e dytë të furnizimit me energji elektrike – atë të bazuar në kompani private – humbim më shumë para. Shembulli i Shqipërisë na tregon më së miri: CEZ-i atje e ka vënë qeverinë para dy alternativave: ose më lejo ta shtrejtoj rrymën (që ta realizoj profitin nga qytetarët), ose ma kompenso mosshtrejtimin (që ta realizoj profitin nga paratë e qytetarëve të paguara në formë tatimesh). Në secilin rast qytetarët e shtetit varfërohen e kompania pasurohet. E si mund të jetë varfërimi i shoqërisë dhe shtetit vendim i qëlluar ekonomik? Varfërimi i qëllimshëm është krim.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).