Unë, Genti, "hajdutët e biçikletave" dhe Gjenerali i vogël.

Unë, Genti, "hajdutët e biçikletave" dhe Gjenerali i vogël.


Meditim mbi metrazhin e shkurtër të Gentian Rexhep Koçit

Andi Kananaj

Do të tregoj historinë e Mbretit Lir, ish ushtarak, në lirim që prej ardhjes së demokracisë. Sigurisht që duke qenë histori e dhimbshme dhe pa asnjë lidhje me mua apo njerëz që kanë juridiksion tek unë, do ta tregoj për vrasje ndërgjegjje personale, (kohët e fundit kjo po funksionon si model për PR) ose të paktën me perceptim superficial simptomatik, keshtu po më duket... Do tentoj të skandalizoj (tronditje cerebrale) për pak sekonda trurin tuaj, (deri në sistemin simpatik, ose parasimpatik, sistemin autonom të ndjesive tuaja njerëzore nëse do mundem) , mbushur cik me cik, e ndarë plot rregullsi në sektore dyqanesh dhe rafte plot e përplot me dhurata për Vit te Ri (hahaha e them sikur kjo të ishte sharje). Në botën ku jetoj, pjesën më të madhe të ditës do kish' tërmete besimi nëse do vononte pjatanca e domateve të vogla (të famshmet pomodorini) sesa nga tregimi (qoftë dhe në formë perralle), ku vdesin 26 njerëz në një depo armatimi në rrugën që të sjell për Tiranë(makar të mos ish e vërtetë). E nisa keq më duket... paksa me nerva, doni pak verë... nga ajo më e mira... një kushëriri im më solli plot 12 shishe. Nga Argjentina... Desaparecidos. Makina më bën një zhurmë të çuditshme... Desaparecidos.

---

Gjenerali është plak. Si të gjithë pleqtë lëviz ngadalë. Si shumica e tyre mban erë të rëndë. Është i kërrusur dhe i vogël. Këpucët e tij janë kaq të mëdha, sa duket se plaku nuk i lëviz dot, e ndaj "Gati Tu" nderon shtyllen e elektrikut. Duket sikur ka lindur aty, me të gjithë rrudhat dhe ngathtësinë e tij. Unë e njoha se tentoja të parkoja pranë tij dhe këpucëve te medha Chaplin. Në çdo tentative për të parkuar më nervozonte se nuk tundej. Beson tek zoti Gjenerali? Sigurisht që jo, është komunist. Ai e di, dhe nuk lutet asnjë çast. Ai po ti lutej diçkaje, ajo do ish ndonjë paragraf nga Materializmi dialektik. Ai beson... tek Edisoni. Plaku nuk beson tek zoti mesa duket, po as zoti nuk beson tek Gjenerali gjersa e ka lënë pa asnjë ushtar vërdallë.

Para plakut si suvenir te diçkaje qe s'dukej, qëndronin disa qese, për të cilat unë, të paktën në katër parkimet e para, nuk u interesova as minimalisht. Skena do kish' vazhduar për një kohë të gjatë, sikur një darke mos të dilja për të blerë koka kolë (ilaçin kundër komunizmit). Skena që pashë më befasoi. Burri i vogël po tentonte të flinte tek stolat e lokalit të Bimit (Bimi nga ana e vet është një emigrant që u kthye kur qeveria lajmeroi se për emigrantët që investonin nuk do kishte tatime. Bimi u kthye dhe perveçse paguan tatime, kërcënohet dhe nga policët e tatimeve për bakshish. Po sidoqoftë historia e Bimit, do mbarojë këtu... se për shtetin që gënjen si Sude kemi folur gjithmonë).

Dua të saktësoj se burri i vogël nuk u gradua aspak Gjeneral për ta bërë më romantike ngjarjen. Ai s'do fitonte asgjë dhe po ta thërrisnin Presidenti i Botës. Dihet me saktësi se është një ushtarak pa pension, që tenton të jetojë me kartat që shet para një telefoni fiks, të privatizuar nga një firmë turke. I kërrusur... çdo ditë është "nën revistën" e të gjithë lagjes. I rruar si ushtar i orëve të para, burri i vogël qëndron para një lokali duke tentuar të shese kredite nga karta e tij. Levizjet e tij janë të pakta dhe të menduara gjatë të gjithë orëve pa fund në pritje të asgjesë. Ai tani është dënuar me pleqëri të përjetshme, derisa ora e ekzekutimit të trokasë. Nuk ka asgjë më për të arritur, por i duhet të jetojë, se nuk di të bëjë ndryshe. Është burrë i fortë, dhe ajo që të bën të vëzhgosh është se kuptohet me të parën që akoma nuk është i zhgënjyer. Nuk e di si quhet, di vetëm se ai nuk i lutet askujt, për asgjë. Dhe kur e ftojnë në kafe ai është sundues me qëndrimin e tij konstant prej fituesi. Më trondit sa herë e shoh. Plaku nuk beson dot tek zoti, se dhe zoti nuk e ndau nga krijesat e tjera Gjeneralin. Dhe Gjenerali është krenar, është ushtarak... është komunist.

---

Para disa ditesh ishte minus 5 gradë. Dhe plaku i vogël fjeti përjashta, si ndoshta e ka bërë kur ish' i ri (e me ëndrra). Kërkova më kot nëpër lagje t'i kaloja çelësin e makinës që të paktën të lehtësohesha, me ndërgjegjjen që s'e kam kuptuar kurrë se nga më vjen. Një herë më thanë se e bëj nga mungesa e besimit tek vetja, ndaj vë shpesh veten në rolin e humbësve. Di që nuk e kërkova për t'i bërë mirë atij. E bëra për veten time, kjo është e sigurt. Doja të flija me idene që unë jam një njeri i mirë, që e ka kuptuar thelbin e altruzmit. Mu desh të kërkoja ca nëpër lagje, po burri i vogël kish humbur së bashku me qeset e tij (ku realisht fshihet ushqimi mungesa e të cilit shihet si turp në botën e supermarketeve). Plaku i vogël kish gjetur me siguri një kthinë për të kaluar kët' natë në dimrin më të ftohtë të jetës së tij. Kërkoja me forcë, që të ndihesha keq, se po mos ta beja do ndihesha më keq. Kisha ftohtë... dhe nuk kisha argumenta të mira për ta ndihmuar atë burrë. Ndoshta, nuk paskësh qenë kaq i mirë në jetën e mëparshme. Ka fëmijë... a ka patur ndonjëherë? Pse s'e duan, siç duhet një prind? Pse s'ka asnjeri afër tij, pa numëruar ca burra të veshur shik me fytyra sadistësh... që nga ana e tyre dukshëm përqeshin plakun dhe profecitë e tij të dikurshme... larje hesapesh me siguri për kohën kur e thërrisnin solemnisht "komandant" pastruam çdo gjë vërdallë... Koha kalon, dhe për plakun e vjetër që s'lëviz.

---

Pasi kaluan tre ditë plot thashetheme kurioze në lagjen time, tani të gjithë janë qetësuar. Askush s'pati argument të mirë për ta ndihmuar plakun e kerrusur, që aq shumë dukej si personazh negativ përrallash nga shteti turk. Tani të gjithë pak nga pak po e përbuzin plakun për të cilin askush nuk di asgjë. Po dhe kjo do të zgjasë pak, se më pas do ta harrojnë.

- Mos e fut në makinë, se do të bredhesh prokurorisë nja 7 muaj, po qe se të vdes brenda saj. E di që s'është kështu... po më pëlqeu alibia me veten. Plaku e ka vetë fajin që mund të vdesë nga çasti në çast. Kanë filluar fishekzjarret. Po vjen Viti i Ri... iku Viti i Ri....

---

Shqipëria po jeton maksimalisht epokën e vet të konsumizmit. Ankthi për të qenë 90 – 60 – 90 ka zënë pjesën më të madhe të ndërgjegjjes popullore. Palestrat po kanë të njëjtin sukses që kishin dikur gjimnazet e Spartës. Njerëzit duan të jenë të gatshëm që po të fotografohen fibrat muskulore të trondisin lexuesit. Lexuesi duhet ta kuptojë që jam i lumtur, dhe kjo shkon në proporcion të drejtë me ngjyrën e makinës dhe kohen e zierjes së perimeve. Jam gati të vrapoj si mi laboratori me orë mbi tapetin që rrotullohet nën kembet e mia dhe të mos ushqehem deri në bulimi. Ankthi për të qenë i bukur shtyn që të krijohen grupe ne fejsbuk, për t'i treguar mbarë botës që nuk jemi për tu injoruar. Sikur bota të ish qorre, dhe të mos tronditej vetë nga llustra jonë ballkanike. Në erën e re, për pleqtë nuk ka vend. Ata janë të lodhur, të ndryshkur, të konsumuar. Lëkura e tyre, sado të lahen, nuk ka për t'i shpëtuar aromës së vjetër. Janë të pakëndshëm. Imagjino një plak në akte erotike. Kujto sa herë je neveritur nga ideja. Sa herë ke pyetur a ndihet i vjetër një plak? Në fakt s'ke si ta gjesh përgjgjjen derisa ke jetuar veç një herë. Eine Mal ist Keine Mal!

---

Ne, populli shqiptar, krenar për çdo akt force që nga koha e Dhimitër Farit, Skënderbeut, Mujit, Gjergj Elez Alisë dhe forcave në Irak, nuk kemi patur asnjëherë dilemen nëse do të duhej të kalonim një periudhë humanizmi. Njeriu me gëzimin, dobësite, ankthin, forcën mërzitjen e tij në qendër të vëmendjes. Jo natyra, as legjendat, thjesht lakuriq. Difekt i gjithë Ballkanit në fakt, që kohën e romanticizmit e kaloi nën pushtimin Turk, dhe asnjëherë nuk u përkujdes që të ndërtonte një njeri tjetër përveç burrave me shpatë. Heroi ynë, nuk plaket dhe vdes në këmbë. S'ka asnjë çast dyshimi, s'i duhet uturak, aparat tensioni, apo kokrra luminali për gjume pas stresi, aulinë pas alkooli. S'ka rënkime për cifla thoi të thyer, modele flokësh që nuk rrinë siç duhet, asnjëherë s'vrapon nëpër kodra me të dashura imagjinare, dhe askush s'e di se si riprodhohet. Ndoshta prandaj e presim të zbresë nga lart, se nuk ka biologji që shpjegon metabolizmin e Trimit të Maleve.

Kurrë në jetën e tij shqiptari nuk foli për altruizëm. Shokë qe të tradhëtojnë në emër të një ideali që s'e pati asnjeri... aaa sa të duash. Heronjtë ndoshta lindën nga shpata për t'i tradhëtuar heronj më të dobët (që nuk u gatuan nga i njëjti metal) sa herë na jepej një arsye.

---

Genti ka qenë koleg i imi, në kohën kur ne urdhrat i merrnim nga pronarët e një televizioni, që ashtu si rolet tek filmi me metrazh të shkurtër ndërtojnë pallate. Genti nuk është hero, siç janë pallatet mbi kokat tona. Genti, thjesht më kërkoi të isha i vëmendshëm tek detajet në filmin e tij. Ishte vetëm 20 minuta, por m'u desh një javë për ta parë. Filmi tregonte për një gjeneral tjetër që u vetëvarros nga dhimbja e harresës. Sa shume qenkan rreth nesh. Nuk ka satistika as për t'u trajtuar me cinizmin e numrave. Ashtu si fantazmat duken vetëm kur duan vetë... ngjitur shtyllave ku parkojnë shtresa e pa interesuar e nëpunësve të ndershëm. Gjenerali i Gentit gjithashtu vuante nga sindroma e humbjes së ushtrisë. Si gjenerali im, dhe gjenerali i Gentit nuk beson tek zoti. Zoti nuk diti t'i trajtojë ndryshe nga krijesat e tjera që gjallojnë natën, përjashta... në hyrje ndërtesash për njerëz (pa përcaktuar që i meritojnë vetëm të pasurit). Genti futi në kutinë e fundit (në arkivol) alibinë time për altruizëm... Më dha në dorë një film të shkurtër të jashtëzakonshëm, ku ushtaraket e plakur varrosen pa meshirë. Duhet të më jepte një shishe verë, dhe do të isha akoma duke lexuar sms me ftesa për festa darkash me njerez si NE. Kush janë NE? Genti kameran e tij e bëri mjet që unë plakun e kërrusur ta shoh nga më afër. Ndoshta po mallkoj po mendja më shkon te neorealizmi italian i viteve 50-60 të shekullit që kaloi. Sot është minus 1 gradë celsius, nëse kjo javë janari ju kujton diçka...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).