UDHEHEQESI DHE TREGU I GJUHES SE FORCES

UDHEHEQESI DHE TREGU I GJUHES SE FORCES
Nga Arbër Shtëmbari

Para disa ditësh të gjithë pamë e dëgjuam fjalimin e zotit Berisha në parlament ku ai me tone të ashpra sulmoi liderin e opozitës zotin Rama. Të kuptohemi, nuk u sulmua zoti Rama në lidhje me funksiononin apo statusin e tij politik, por u sulmua individi, personi i tij dhe rrethi i tij familjar. Në një kohë kur një krizë e përgjithshme, politike, ekonomike, sociale, ka përfshirë vendin, zoti Kryeministër shpërdoron kohën dhe hapësirën e çmuar të Kuvendit, për t’u marrë me telenovela, që nuk i interesojnë askujt. Ishte një diskurs formalisht jokorrekt, por dhe nga ana semantike tërësisht bosh. Të shihje zotin Berisha teksa luante atë shfaqje të shëmtuar ishte si të pësoje një inkuizicion viziv dhe auditiv.

Nuk është hera e parë që zoti Berisha “shpërthen” siç e quajtën disa media fjalimin e tij. Por, ta pranojmë, tek ky shpërthimi i fundit, tensioni homoerotik preku caqe të paeksploruara më parë. Është e kotë të pyesnim veten “po a ka këshilltarë ky kryeministër?” që do të mund sadopak ta ndriçonin despotin edhe në orët e tij më të errëta. Ne Berishën e njohim tashmë dhe teksa kujtojmë dëshmitë e kolegëve të tij të shkollës, që e përshkruanin si një njeri dikur kaq të respektuar, kaq inteligjent, kaq punëtor, tepër të sjellshëm, sot e shohim të shpërfytyuar në këtë farë feje. Kjo metamorfozë është një dramë në jetën e dikujt.

Por drama e tij personale teksa kalon rradhën pa u analizuar në mediat shqiptare rrezikon të shndërrohet në dramën tonë. Të transmetosh bruto këtë lloj diskursi në televizion pa artikuluar një analizë të thellë mbi të, do të thotë jo vetëm ta mbartësh, por edhe të mbarsesh me të, pra të bëhesh palë e dhunës verbale, do të thotë të nxitësh jo debatin, por pasimin e dhunës tek interlokutori tjetër dhe, ç’është më e keqja, duke ia përplasur spektatorit në formë abstrakte, thjesht imazh dhe tingull, e dhunon në hapësirën e tij personale. Është si të transmetosh një film horror apo “X” në mes të ditës.

Këto lloj diskursesh të dhunshme nuk sjellin absolutisht asgjë të mirë, përveçse ushqejnë frakturën sociale dhe shkaktojnë hemoragji kombëtare. Është e vërtet që mes shkëmbimeve gjuhësore krijohen raporte force simbolike midis palëve, gjë pozitive kjo, por ajo që presim nga këto përplasje politike është çlirimi i vlerave, jo i plehrave. Mungesa e një kulture komunikimi, nuk po dëmton cilësinë e jetës, por po dëmton gjallërinë e saj, burimin energjetik të saj, vetë shqiptarët.

Nga ana tjetër, vumë re që po ndodh diçka tejet negative: po shpronësohet nga aktiviteti i të menduarit, forma më elementare e të arsyetuarit, dyshimi! Dyshimi është forcë, është kusht që hap perspektiva drejt njohjes së të Vërtetës. Teksa dëgjonim fjalën e zotit Berisha në parlament, nuk pamë askënd nga deputetët në sallë të reagonte. Këta përfaqësues të popullit shqiptar janë pajtuar me këtë mëndësi, I besojnë Berishës si dishepujt, Mesisë. Kur Krishti eci mbi det, i tha Pjerit: “O njeri besimpak, pse dyshove?” E tillë është dhe frika e këtyre dishepujve shqiptarë. Kanë frikë mos dispozitat e tyre në fushën politike cënohen. Ka anomali sinaptike. Neuronet kanë mbetur peng të grykësisë për pushtet dhe para.

Fakulteti i të menduarit është cënuar rëndë. Diskursi i Liderit universalizohet automatikisht sapo ai del në tregun simbolik të gjuhës së përdorur. Fjala nuk është vetëm lëvizje fizike e frymës, që krijon tingull. Fjala është kuptim. Por ky kuptim i korrespondon nje klase të caktuar në konfigurimin e klasave sociale. Fjalët të kombinuara zbulojnë një mendësi, një stil jetese dhe mbi të gjitha, shije. C’duhet të kuptojë një shqiptar kur zoti Berisha objektivon gabimisht identitetin e të qënit shqiptar me rolin e të qënit “Burrë”. Sipas Berishës të jesh shqiptar, duhet të jesh Burrë! C’ndjen një femër shqiptare teksa dëgjon këto artikulime? C’kuptim do të kishte sikur për shembull një zonjeje të hijshme si zonja Topalli t’i kërkoje të tregohej “Burrë”?! Gjuha e përdorur nga kryeministri nxori në pah një mentalitet arkaik dhe skarco që nuk përket më me aspiratat e popullit shqiptar. Po keqperdorohen titujt zyrtar dhe vlerat kombëtare për të legjitimuar një treg gjuhësor primitiv dhe kanunor. E ajo që është më e rëndë akoma është se duke qenë një Zë zyrtar i prodhuar në sferën më të lartë të hierarkisë shtetërore, gjuha e tij institucionale prodhon standart të ulët komunikimi dhe zhvleftëson komunikimin standart që mësohet në institucione të tjera shtetërore, siç janë për shembull shkollat. Po formohet një komunitet gjuhësor i strukturuar mbi banalitetin që prodhon Dominimi i Njëshit e, që të integrohesh në këtë komunitet, duhet të riprodhosh të njëjtën gjuhë totalitare, pra të duhet të strukturohesh sipas normës së vendosur. Pra, ajo që pritet është që në ditët që vijojnë, në fjalimet e bashkëpunëtorëve të Berishës të hasim në po të njëjtën gjuhë që ka përdorur dhe lideri i tyre. E nëse në majë të hierarkisë së dhunës verbale është vetë zoti Berisha, nën të, po zhvillohet një luftë e vërtetë për të kapur pozicione në këtë hierarki. Para disa ditësh, zonja Topalli i hoqi mikrofonin zoti Basha kur ky filloi të sulmonte personalisht zotin Rama. Zoti Basha i ndërhyri zonjës Topalli në ekonominë e saj gjuhësore, ai u përpoq t’i rrëmbente asaj kapitalin e saj gjuhësor, simbolik, që në sytë e Liderit, do të shpërblehej. Duke i hequr mikrofonin zotit Basha, zonja Topalli mbrojti pozicionin e saj në hierarkinë simbolike të gjuhës që komuniteti i saj përdor.

Ne si qytetarë të thjeshtë ajo që na intereson është të shohim kur do të vijë ajo ditë që gjuha politike do të domestikohet. Si mund të ndryshojnë këto forma komunikimi? Një hipotezë mund të jetë përmes punës! Puna transformoi majmunin në njeri, me siguri puna do të mund të ndryshojë dhe këta “politikanë” të mbërthyer në forma sociale bazike. Kështu, në vend që të merreshin me jetën personale të zotit Rama, do të ishte shumë më mirë sikur zoti Kryeministër sëbashku me kabinetin e tij t’i viheshin punës dhe t’i përgjigjeshin kërkesave politiko-sociale që kërkon koha jonë.

3 Komente

I ke rene pikes, Arber.

Vetem nje gje kisha, nga ana gjuhesore, me teper, tek "gjuha politike do të domestikohet." - Ndoshta "zbutet" ose "shtrohet" do te ishte me mire.

 

p.s. (Kam ndjesine qe duhet te jesh nen ndikimin e Princit te vogel per kete, kur dhelpra i thote "adomesticami".) smiley

 Kështu, në vend që të merreshin me jetën personale të zotit Rama, do të ishte shumë më mirë sikur zoti Kryeministër sëbashku me kabinetin e tij t’i viheshin punës dhe t’i përgjigjeshin kërkesave politiko-sociale që kërkon koha jonë.

Nuk jane per kohen tone prandaj.

Behen shume analiza por nuk jepet as edhe nje here nje rruge zgjidhje, dhe voten qe e kemi si armen me te forte gjoja ,, na e bone lomsh, keta palaco po i bejne 2 dekada dhe kane bere vetem Autostraden qe edhe sinjalistiken po ja vjedhin edhe asfalti po i cahet.

Shikoni pak se si e justifikon gjuhen e dhunshme me i miri i ketyre, dukshem ne siklet! smiley

....Rama arriti të sajojë jo pa sukses një kauzë - hapjen e kutive - me të cilën armatosi mbështetësit e tij në përballjen me palën tjetër dhe me të cilën motivoi edhe qytetarët të dalin në protesta. Kulmin e shënoi kur ia doli mbanë të tërheqë në kurth dhe të provokojë shpërthimin agresiv të Sali Berishës, nëpërmjet të cilit e ndezi më shumë konfliktin politik dhe i bashkoi më fort socialistët rreth vetes.  smiley

Pra, Ed Rama, nepermjet "shperthimit agresiv" te Saliut, ia arriti te bashkoje me fort socialistet rreth vetes (93% e votes pro Edit, notwithstanding)!

"Shperthimi agresiv" i Shkullakut, eshte vecanerisht prekes! smiley

Qe dhe linki!http://www.gazetaexpress.com/web/index.php/editorial/lexo/20655/C68/C877/ 

 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).