Triumfi i Kapitalizmit

Triumfi i Kapitalizmit

Leart Kola

Të dëgjosh kryeministrin shqiptar në këto ditë euforie është torturë e vertetë sidomos tani, me marrjen e mandatit të dytë, e me zgjedhjet që u përshendetën nga të katër cepat e globit. Nuk ka asgjë që e ndal, jo vetëm Berishën, por as Erlën simpatike (madje me marrjen e mandatit të dytë qeverisës dhe Ferdinand Xhaferrit i janë trashur pak kordat delikate të zërit, që nuk janë parë kurrë më sy të mirë në ambientet aseksuale te PD-së).

Kryekapedani Berisha meqë dhe kësaj here i mori votat e Kavajës, vendosi në një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit (për aq territor sa ka mbetur në zotërim të Shqipërisë) ta shpallte veten prijës i patundur i kryqëzatës Globaliste, duke shpluhurosur mendimet e vyera neo-liberaliste ndërkohe që bekonte me buzeqeshjen e tij të sëmure edhe 3 fabrika të tjera ndotjeje. Duke parë ankthin e Berishës për t’u bërë pjesë e klubit elitar e global të neoliberalistëve (që historia i ka dënuar për keqmenaxhim të pushtetit kudo që e kanë patur) mu kujtua historia e këtij lideri dhe e kësaj partie që u pritën me aq shpresë nga populli në fillim të viteve ‘90.

Partia Demokratike dhe lideri i saj Sali Berisha ka një raport shumë problematik me menaxhimin e shtetit ligjor, një alergji që u ndje që në ditët e para të ardhjes në pushtet duke abuzuar rëndë me rolin e shtetit ne ekonomi. Pas 45 vjetësh mungese të pronës private, ajo çka pritej nga një sistem demokratik ishte që të garantonte dy elemente thelbësorë, pronën private dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk do zgjatem shumë te kjo e dyta, se historinë e njohim të tërë, por pjesa e parë është shumë interesante. Berisha me të ardhur në pushtet krijoi një shtet “të lirë” ku ai që ishte më “i fortë” zaptonte çdo gjë që i hante syri, aty filloi dhe kultura e dhunimit të pronës private. Por kësaj radhe, ndryshe nga komunizmi që pronën private ua mori pronarëve për ideologji, Berisha ua mori (po të njëjtëve) në emër të lirisë liberiste. Ai arriti të shkatëronte në gjashtë vjet qeverisje çdo hapësirë të shërbimit publik. Arsimi dhe shëndetësia ishin avantgarda e “Shkatërrimit në masë” që po i bëhej këtyre segmenteve të shtetit me synim privatizimin e menjëhershëm. Çdo institucion publik vendosej në ankand, e i jepej prurësit më të parë në emër të një doktrine ekonomike çnjerëzore e perverse, të artikuluar si Terapi e Shokut (Shocktherapy). Madje dhe nxënësit e tetëvjeçareve e gjimnazeve filluan të toleroheshin e të nxiteshin në instinktin e tyre shkatërrues ndaj hapësirave publike, duke qenë kështu në koherencë të plotë me kulturën e vetme që njohu regjimi i Berishës.

Pushteti i Berishës nuk kishte nevojë të merrej me ekonomine që u la të vetëshkatërrohej, që më pas të privatizohej me sa më pak kosto (për të ashtuquajturin “privat) dhe të abuzohej. Pushteti i këtij prijësi ama u aplikua duke kontrolluar institucionet që garantonin represionin e çdo mendimi kundra, p.sh. Policisë së Shtetit, që bashkë me SHIK e kohës përbënin forcën më të madhe të diktaturës Berisha 1. Rrahje, zhdukje, eleminime që shoqërojnë një gjashtëvjeçar qeverie që lind në kaos dhe po aty zhvillon veten. Hapësirat qytetare tashmë ishin pronë e policisë gangstere dhe e gangsterëve policë, të cilët dhunonin këdo që nuk u pëlqente si fytyrë. Meqenëse fabrika dhe uzina nuk kishte, atëherë i vetmi biznes ishte ai informal (nëse duam të jemi delikatë) apo kriminal (nëse duam të jemi të drejtpërdrejtë). Favorizohej dhe nuk dënohej prostitucioni, droga, kontrabanda, qarkullonte një sasi e madhe parash informale, të nxjerra mbi vuajtjet e mbi mjerimin e shumëkujt. Madje dhe aktet antipatriotike ishin të stimuluara si thyerja e embargos me Millosheviçin, trafikimi i karburantit për tanket që shkelnin Kosovën, asgjë nuk përbënte skandal (në këtë rast love affair-i i Serbëve me Berishën qëlloi serioz e i gjatë, e vazhdoi gjer më sot, nëpërmjet Damir Fazlliçit, nipit të gjeneralit famëkeq serb që ndodhet në Hagë, Llazaroviçit).

Por le të vazhdojmë rrugëtimin tonë me prijësin e globalizmës, demokracisë, pronës private dhe neo-liberalizmës që aq shumë e ka për zemër (dhe pse e tradhton jo pak me neo-konservatizmën, dashurinë e dytë të jetës së tij). Në vitin 2005 Berisha kthehet sërish nëpërmjet një forme më të moderuar në krye të Shtetit Shqiptar duke zëvendësuar një tjetër “Dukë” të politikës, Fatos Nanon. Dy janë reformat që bien më shumë në sy e që u përshëndetën gjatë dhe nga ithtaret neo-liberale.

E para qe dënimi me zhdukje si kripa në ujë të të drejtave të pronarëve të ligjshëm të tokave. Ky proçes i nisur që nga ‘92 disfaktorizoi dhe asgjësoi politikisht një grup njerëzish që kishin kaluar dy luftra botërore, një diktature staliniste, një diktaturë zogiste si dhe një anarki berishiste. Ligji i legalizimeve arriti t’i vërë vulën pra fundit të asaj që me zor mbërriti të mbijetojë pas kaq e kaq vuajtjesh nëpër diktatura, dhe ky ekzekutim u krye në atë që ne shqiptarët kemi pafytyrësine më të madhe ta quajmë demokraci.

Ajo çka vijon në mënyrë llogjike pas shkatërrimit përfundimtar të pronës private ishte reforma “Shqipëria 1 Euro”, e cila është e njëjta politikë që u ndërmor nga Pinochet në vitet ‘70, pra heqja qafe sa më shpejt e territorit. Tashmë territori ishte politizuar, duke e zhveshur banorin nga e drejta humane e universale e pronës. Ky territor që privatizohej kaq ngutshëm i mbetej tërësisht politikës. Me këtë llogjikë nis gradualisht shitja e Shqipërisë me copa, marrëveshja me Greqinë në dëm të peshkatareve të vegjël ne jug, shitja bregdetit adriatik për një biznes shumë të frytshem si ai i ndotjes (nëpërmjet të famshmit Fazlliç). Tashmë që Joni dhe Durrësi u shitën, nuk kishte mbetur më asgjë tjetër përpos maleve dhe territorit të Lezhës e Fushë Krujës për të vazhduar llogjiken e ndertimit të fabrikave dhe TEC-eve që ndërtohen në Shqipëri vetëm për faktin se këtu nuk ka detyrim për standartet mjedisore, jo vetëm në legjislacion, por edhe si moral qeverisjeje, duke qenë se ministri që duhet të garantojë këtë të drejtë është Xhuveli, i cili vetë zotëron një biznes ndotës.

Duke e shkatërruar pronën individuale e komunitare, duke ia hequr të drejtën e zotërimit të territorit ku jeton e ku punon, duke ia cunguar hapësirën publike e sociale, qytetarin shqiptar Berisha e gjymtoi, e la të mbetet i vetëm, jashtë konjukturave hapësinore shoqërore. Ky qytetar mjeran tashmë s’ka ç’të bëjë tjetër veçse ta kërkojë shpresën tek “Shpresa”.

Berisha si iluzionist i perkryer i jep të gëlltisë “shpresa” që jo vetem nuk janë të tilla por akoma më keq, janë makthe. Kështu Berisha e nxjerr të festojë qytetarin për nënshkrimin e FTA-ve, që deri më tani i kanë shkaktuar biznesit të mesëm e të vogël në përgjithësi humbje kolosale (që bëhen më të prekshme në këtë vit krize ku reçesioni i të ardhurave është pesëfishi i të shkuarit). E nxjerr këtë qytetar të festojë per NATO-n, e cila do t’i kostojë trupit të vobektë të ekonomisë shqiptare më tepër se sa gjithë sistemi arsimor. E sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, Berisha kontrakton një kompani famëkeqe për abuzime me fondet në vende europianolindore, aziatike e afrikane, Bechtel, e cila po nderton “rrugën e kombit”.

Kushdo që e njeh sadopak këtë kompani ka dëgjuar për abuzimet e saj me investimet publike në Afganistan, Irak, Izrael apo Rumani. Edhe kësaj here asgjë nuk iu la surprizës, mbi 300 milion euro mund të konsiderohen gati të humbura por iluzionisti Berisha me show-n e tij bëri që gjithçka të duket e bukur dhe e ëmbël. Kësaj here me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të kryeministrit kosovar, i cili sigurisht s’mund ta dinte qe sponsori kryesor i Berishës, Fazlliçi, është i aferm i Llazaroviçit gjakësor. Edhe kësaj radhe ariut popull të drobitur në kafaz iu hodh karamelja e radhës vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve.

Teoria neo-liberale e prijësit të globalizmit nuk mund të mjaftohej vetëm me mijëra të varfërit pa fytyrë dhe pa emër që po shtoheshin në Shqipëri, kishte nevojë për një kulminacion, dhe ai erdhi me Gërdecin. 26 njerëz me emra dhe me fytyra humbën jetën si për të na e vërtetuar dhe një herë tragjedinë neo-liberale - atë të shkatërrimit të publikes dhe të favorizimit të privates. Në ditët më pas shumë pak here u cek argumenti që ndoshta nëse punonjesit do të ishin ushtarakë, kjo s’do të kishte ndodhur kurrë (por nga ana tjetër ushtria është publike, dhe publikja nuk mund të aplikohet në truallin e prijësit të globalizmës). Kështu ky sistem pjell Delijorgjin që vret 26 viktima. Gabojmë rëndë kur e shohim Mediun apo Berishen si armiq apo kriminelë, nëse nuk kemi kuptuar më parë llogjiken dhe ideologjinë mbi të cilën keta njerëz bazojnë iniciativat e tyre.

Plani neo-liberal i Berishës është gati i përsosur, humbja e mundësise së qytetarit për të zotëruar pronë, mungesa e aftësisë së tij për të qenë i lidhur me territorin mbi të cilin jeton e bën vulnerabël ndaj vendimeve politike. Berisha duke e hequr qafe territorin shqiptar, si dhe duke zvogëluar publiken, duke e privatizuar gjithçka tek pak destinatarë, e ka më të lehtë qe të menaxhojë kastën e tij të biznesit politik,duke e kalcifikuar këtë kastë në masën që mund të bëhet e trashëgueshme. Kjo është çka Berisha do të bëjë me politikën, duke ia trashëguar postin familjes se tij gjë që tashmë po e ben dhe me biznesin duke e përqendruar paranë në pak duar të lidhura drejtpërdrejt me familjen e kryeministrit.

Në këtë mënyrë Berisha nuk ka më nevojë të qeverisë 3.5 milion shqiptarë, pasi i mjafton të qeverisë mbi pak dyzina biznesmenësh e politikanësh. Kaq mjafton që jo ti qeverisë, por ti kontrollojë milionat e shqiptarëve. Ndërkohë që institucionet ndërkombëtare dhe shoqëria civile është shumë e zënë me monitorimin e demokracisë (punë shumë e veshtirë, sepse këtu s’ka alternativa e veshtirë se mund te ketë demokraci), Berisha krijon gradualisht diktaturën e tij neo-liberale dhe kastën e tij të pushtetit të patundshëm. Karakteristikë e këtyre diktaturave është pikërisht ajo që e perjetomë përditë, krijimi i një hapësire shumë të gjerë mes të pasurve dhe të varfërve, rritja e depresionit, vetëvrasjeve, kriminalitetit të rrugës etj.

Politikat e Berishës i përngjajnë shumë atyre të juntave ushtarake të Amerikës Latine të viteve ‘70, anipse pa desaparecidos, meqenëse populli ynë ende nuk e ka arritur atë pjekje humane sa të dallojë padrejtësinë e ta kundërshtojë atë. Për këtë arsye xhambazë si Berisha fitojnë me zgjedhje të rregullta e s’kanë nevojë të aktivizojnë ushtrinë siç bëri Pinocheti. Në ndihmë të tij vjen dhe kjo e majtë impotente që ekziston në Shqipëri.

Berishën nuk mund ta luftosh me armët e tij, por me armët që e majta ka harruar që i ka,pra humanizmin, drejtësinë sociale, shanset e barabarta, aksesin në arsim, shendetësinë publike, tregu i drejtë; kjo do të qe e majta që do të mobilizonte masat kundër juntës që udhëhiqet nga Berisha. Partia socialiste ështe i vetmi subjekt politik që ka forcën për të qenë alternativë, por jo me topa me ngjyra e me numrin 33, por me alternativa dhe program, jo me retorika pertej të majtës dhe të djathtës, por me kembët dhe me mendjen të ngulura fort në konceptin e shtetit social, që duhet për herë të parë të ndërtohet në Shqipëri. Ky është misioni që i takon socialistëve, dhe në rast se nuk e krijojnë këtë alternativë historia do t’i dënoje (siç ka dënuar një pjesë prej nesh që të jetojë gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit në kushtet çnjerëzore, në represion politik, në politizim ekstrem të çdo indi social e komunitar, në përdhunimin e vazhdueshëm që i bëhet vlerave tashmë të përmbysura përfundimisht në gjithë këtë palavi që një ithtar i neo-liberalizmës e quajti me shumë të drejtë “triumfi i kapitalizmit”.

4 Komente

Ky shkrim ka dalë nga arkivat e fushatës... apo është shkruajtur nja një muaj "pas pilafit"?

jo edo, para kater ditesh eshte shkrujt, fiks ne kohe, se i drejtohet atij qe mban qelesat e magazines

Me duket se edhe si shume vlere i jep BERISHES kur e perfshin ne drejtimin e politikave te nje vendi qofshin dhe ato te "marra " . Ai eshte nje hicmosgje nje kuakkarakuak qe ka zene nje karrike dinakerisht , cuberisht dhe me pabesi . Te tjerat jane:- HAJDENI Burra! Ka per te vjedhur sa te dush. Kush ngre koke kemi xhanaret ! I nerumm Leart . Kurseji ato analizat e tjera ekonomike, shoqerore , politke per ndonje rast ,kur sido qe te jete , ne krye te vendit do te kemi nje njeri qe eshte i PERGJEGJSHEM per vendin e njerzit ! 

Kapitalizmi shqiptar per cudi ngjan me socializmin shqiptar, qe ishte me i egri ne ter kampin socialist. Ketu nuk eshte vetem faji i Buall Mavrise , por edhe i popullit shqiptar qe e ka ndergjegjen te tulatur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).