TREGU I GJUHËS

Nga Pishak Zhgaba

Që tregu ndikon në një farë mënyre mbi gjuhën shqipe dihet nga të gjithë. Ndoshta më pak njihen mënyrat e këtij ndikimi, të cilat nuk mëtoj t’i shteroj në këto pak radhë. Desha vetëm t’ju përcjell ndodhinë e disa ditëve më parë, duke jua lënë të hapur hapësirën e diskutimit.

 

Ekonomia e tregut nuk duhet parë negativisht që në përkufizim, sikurse duhet pranuar se ai (tregu) ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo mbi një sërë fushash të jetës shoqërore. Pa hyrë në debate për liberizmin, liberalizmin, teorinë laissez-faire dhe ekonominë e centralizuar, duhet pranuar se dora “e dukshme” e tregut dallohet qartë p.sh. nëpër gazeta shqiptare, të cilat për arsye ekonomike nuk marrin në punë gazetarë që shkruajnë mirë, ose nuk punësojnë redaktorë të përgatitur nga pikëpamja gjuhësore. Me motive kostoje mund të shpjegohet gjithashtu mungesa e “ë”-së për vite të tëra në shtypin e Tiranës. “Nuk kishim kohë, as para e as tastiera për t’u marrë çikërrima si puna e ”ë”-së pa pika mbi kokë”, mund të justifikohet drejtori i sotëm me fuoristrada.

Ekonomia mund të ndikojë gjithashtu në gjuhë nëpërmjet cilësisë së përkthimeve që hidhen në treg. Shqipëria është plot e për plot me tipografë të improvizuar befas në botues, pa kurrfarë përvoje të fushën e botimit të librave, e pa asnjë lloj ndjeshmërie në lëmin e gjuhës. Tregtarë që e shohin librin me të njëjtën ftohtësi me të cilën trajtojnë stekat e cigareve apo çorapet e najlonit. Si rrjedhim, qytetarët mëkohen me literaturë të përkthyer me shqipe të çalë, përçues të së cilës bëhen më pas të gjithë përdoruesit. Ndërkohë të gjithë përsërisim në kor se gjuha shqipe ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë.

Pa dyshim, tregu mund të ndikojë edhe në mënyrë indirekte duke promovuar në sferën publike, nëpërmjet pushtetit ekonomik, personazhe që nuk kanë përgatitjen e duhur gjuhësore, porse kanë mundësinë ta uzurpojnë podiumin e duhur publik, nga i cili modeli i tyre gjuhësor merr krahë e fluturon mbi kokat e turmave që dëgjojnë në shesh ose përpara televizorit. Jo e drejtpërdrejtë është edhe trysnia ndaj prestigjit të gjuhës. Ky i fundit, i tronditur rëndë pas kolapsit të regjimit totalitar, mund të zhytet edhe më keq nga ata që parapëlqejnë më shumë të nxjerrin në pah Rolex-in me ngjyra se sa një fjalim të shkruar mirë. Duke ushtruar madje edhe një funksion didaktik ndaj qytetarëve që i shohin në mënyrë akritike protagonistët e jetës publike.

Para disa ditësh, mjerisht, u bëra dëshmitar i ndikimit më shtazarak të tregut mbi gjuhën. Përkthimi që i kisha bërë etiketës së një malli për tregun shqiptar, u kthye i korrigjuar nga tregtari që kishte monopolin e shpërndarjes. Korrigjimet i pranoj gjithnjë, por jo kur shkallmojnë rregullat bazë të gjuhës; e nuk e kam fjalën për terminologji të vështirë teknike, as për mëdyshje të llojit shtatzënë apo shtatzanë, por për ndryshime termash, gjinish, rasash, etj., çështje drejtshkrimore ordinere, të papranueshme as nga revizionistët më ekstremistë të standardit të sotëm. Shpjegimet që dhashë, të kuptueshme edhe për klasën e tretë fillore, u pranuan nga prodhuesi i huaj (mesa duket më i shkolluar), por jo nga tregtari shqiptar, i cili as denjoi të hynte në debatin gjuhësor që kisha filluar, me argumentin: “Kështu duhet bërë. Pikë”. Meqë furnizuesit të huaj nuk i interesonte aspak fati i gjuhës shqipe (çka ma shprehu me sinqeritet), por vetëm shitja me shumicë e mallit, fitoi pashmangshmërisht tregu. U pranuan të gjitha korrigjimet analfabetike të tregtarit shqiptar.

Emri im nuk del si përkthyes, aq më tepër që nuk e pranova deri në fund versionin e shqipëruar nga matrapazi i gjuhës. Për të paguar më paguan… Pra nuk e kam shqetësimin për mëri personale. Problemi është më i gjerë. Ndoshta luan rol edhe tregu i monopolizuar, ku pushteti i konsumatorit “përzgjedhës” nuk mund të funksionojë; sepse konsumatori i kulturuar nuk do ta kishte blerë kurrë artikullin me etiketë ku nusëron shqipja e çalë. Nga ana tjetër, po të vazhdojmë kështu nuk duhet të habitemi kur nesër tipografi t’i kërkojë përkthyesit një version më sintetik të “Luftës dhe Paqes”, me arsyen se letra kushton shumë. Madje edhe fjalorët e shqipes, po të ndiqnim këtë formulë, do të hynin në ujë për arsye ekonomike. Si për inat të “kombëtaristëve të thekur”, që çjerrin fytyrën në përbetim të pasurinë së gjuhës shqipe, por njëkohësisht nuk bëjnë asgjë për t’ia rritur prestigjin e humbur, të paktën përballë tregut të vrazhdë. Të tjerët, me përjashtimet e duhura, flenë mes indiferencës së përgjithshme. Sa për kozmopolitët snobë, ata kanë fjalët e huaja, që nuk i lënë kurrë në baltë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).