Thashetheme elektorale

Thashetheme elektorale

Arbër Zaimi

Teorikisht periudha parazgjedhore duhet të jetë një moment kulminant për poliarkinë, pikërisht për faktin se në këtë moment përballen me njëra tjetrën vizionet, opsionet e alternativat politike për mandatin e ardhshëm po ashtu si dhe historitë e sjelljet në mandatet e shkuara. Praktikisht, në Shqipëri e më tej, me hyrjen në lojë të ambalazhimeve mediatike, ushtrisë promocionale dhe strategëve të marketingut, kulmet e mprehta që parashikon teoria lëmohen, dhe herë-herë ndërtohen hone, prej të cilave zor se të nxjerr mendimi politik, apo filozofik, por të nxjerr me sukses të madh thashethemi, ky parashikues i denjë i proçeseve mediokre.

Në një shikim të përgjithshëm këto zgjedhje ofrojnë ca risi për Shqipërinë. Së pari është sistemi elektoral, i ndryshuar me të famshmen “marrëveshje për kodin”. Proporcionali rajonal sjell me vete disa efekte të dukshme, siç është forcimi i dy partive më të mëdha, eleminimi i palëve të tjera, e kur ky nuk është i mundur, minimizimi i pavarësisë së tyre, duke i detyruar nëpërmjet aplikimit të një pjesëtuesi tjetër për ndarjen e mandateve brenda koalicionit (Sainte-Laguë).

Përveç kësaj një efekt teorik që thuhej se do të sillte sistemi i ri elektoral, duhet të qe shkëputja e deputetit nga lidhja e drejtpërdrejtë me votuesin dhe përqasja e kandiduesve për legjislatorë si administratorë lokalë. Gjithashtu pritej të shmangej fenomeni i blerjes së votës për një thes miell, e për një shuk me lekë. Por nuk ka ndodhur tamam kështu. Votat ende vazhdojnë të blihen, e jo më kot nga Konispoli e deri në Vermosh (siç e do cliche-ja), nëpër lista ka kandidatë që vijnë nga bota e biznesit më fitimprurës, atij të kokës në torbë.

Njëri prej pretendentëve kryesorë për të fituar këto zgjedhje është Edi Rama. Pas miratimit të kodit elektoral Rama është kujdesur që të përqendrojë gjithnjë e më shumë pushtet në duart e veta brenda Partisë Socialiste. Në dy vitet e fundit kryesisht Rama është marrë me rekrutimin në PS të besnikëve të vet (që gjithnjë janë servilë, po jo domosdoshmërisht të aftë), si dhe me dobësimin e kundërshtarëve potencialë. E gjithë kjo reformë e burimeve njerëzore ka ndodhur kryesisht në nivele qëndrore. Në fakt, me gjithë dialogun e përzemërt me Shqipërinë, Rama është marrë shumë pak me bazën socialiste, me anëtarët e me organizatorët e rretheve. Përqendrimi i Ramës në reformimin e majës së piramidës së PS ka bërë që në këto zgjedhje kjo forcë të mos vijë me një ofertë aq të mirë sa duhet për të mposhtur Berishën. Proklamimi i një programi të famshëm me një mijë faqe u katandis në shpalljen e shtatë a tetë shtyllave, ndërkohë që deklarata e enciklika trajtojnë në mënyrë legjendare zgjidhjen e problemeve të Shqipërisë. Një rast flagrant i mungesës së largpamësisë politike të Ramës ishte momenti kur këmbënguli për të marrë dhe presidentin dhe kryeprokurorin, i ofruan një prej tyre por me megalomaninë karakteristike i humbi të dy, dhe humbi bashkë me ta dhe gjashtë deputetë.

Përveç mungesës së ofertës politike, PS ka dhe disa probleme të tjera. Ajo është e pa-organizuar në bazë, aty ku kundërshtarët politikë kanë kohë që punojnë për të krijuar frymën e fitores. Sjellja prej snobi e Ramës dhe e pasuesve të vet ka bërë që shumë prej organizatorëve socialistë nëpër rrethe të varin turinjtë, e pse jo të sabotojnë fshehurazi. Mungesa e organizimit të menduar mirë reflektohet qartë dhe në listat elektorale. Pozicionet kyç, ato të diskutueshmet të cilat duhen fituar për të marrë avantazhin Rama kryesisht ia ka besuar njerëzve të rinj e pa eksperiencë, ose të importuarve. Ndërkohë që figurat “me peshë” janë vendosur në vende të sigurta. Kryetarët e degëve të PS-së në rrethe mungojnë nëpër lista, ndërkohë që socialistët patjetër që kanë patur dëshirë t’u merret mendimi për personat që do qe mirë të kandidoheshin në rrethet e tyre.

Një tjetër “hall” i socialistëve në bazë është mungesa e koordinimit dhe kërkesa për trafikim të votës drejt aleatëve më të vegjël. Kështu psh. në një qark të vogël në jug të Shqipërisë drejtuesit lokalë kishin mbetur të perpleksuar pasi vetë kryetari Rama u kish kërkuar që në disa zona të votohej G99, ndërkohë që disa ditë më vonë kandidati që kryeson listën e PS kishte mohuar çdo aleat e çdo aleancë.

Problem tjetër është mungesa e frymës së fitores ndër simpatizantë e votues potencialë. Një frymë e tillë ekzistonte për PD-në në 2005, ndërkohë që socialistët janë kryesisht skeptikë e me rezerva në komunikimet e tyre publike. Në vend të frymës së fitores ekziston një frymë konspirative, mbi mënyrat se si Rama do të arrijë të fitojë vetëm nëpërmjet mbështetjeve të të huajve, mbi vjedhjet që Saliu do i bëjë medoemos, apo edhe mbi dhunën elektorale. Thashethemet arrijnë të mendojnë se mijëra kosovarë janë sjellë në Tiranë nga PD dhe janë pajisur me karta për të votuar. Thashetheme edhe më absurde thonë se Rama e di kush e ka vrarë Xhindin, po nuk e tregon se do të ruajë qetësinë përpara zgjedhjeve. Të vërteta ose jo, këto thashetheme shpërndajnë veç frikë në bazën socialiste.

Rrezik kryesor për PS-në përbën LSI-ja. Edhe në rastin më optimist për Ramën, sikur Meta të mos marrë fare deputetë, LSI-ja në shumë qarqe do të marrë vota që vërtet që nuk do të konkretizohen në deputet, por ama i zbriten totalit të majtë, duke favorizuar rivalët djathtas.

I vetmi dimension pozitiv i fushatës së Ramës është puna me mediat, ku PS në mënyrë të dukshme diferencon me këdo tjetër. Rama ç’prej kohësh është orientuar drejt marketimit e jo drejt përmirësimit të produktit. Sidoqoftë dhe kjo pjesë duhej mbajtur në kufijtë e diskretes, ndryshe rrezikon të bëhet qesharake, ashtu si kënga e fushatës, imitimi i Obamës ose gjestet e dorës që përpiqen të imponojnë bindjen te publiku.

Nga ana tjetër PD vjen në këto zgjedhje me problemet e me pikat e veta të forta. Problem kryesor i PD-së është situata e keqe ekonomike e individit dhe e shoqërisë, thellimi i hendekut mes 1% të popullit të pasur me 81% të popullit të varfër, ndërkohë që është krijuar dhe një shtresë tjetër me 18% të njerëzve që mezi e mbajnë frymën gjallë. Statistikat elektorale të PD-së natyrisht që flasin për zhvillime në infrastrukturë, mirëpo të gjithë e dinë që infrastruktura është një investim me kthyeshmëri afatmesme/gjatë. Pra rrugët, dritat e energjia vërtet që do të krijojnë kushte më të mira për investime që do të hapin vende pune, por kjo do të dojë kohën e vet, si dhe plotësimin e disa kushteve të tjera (si kualifikimi i krahut të punës që tani për tani është në nivelet e paaftësisë totale).

Veç gjendjes ekonomike PD ka dështuar në politika të veta populiste, siç janë përshembull ato të arsimit. Duke dashur të masivizojë (për arsye elektorale ose komerçiale) arsimin e lartë PD ka ulur tejet cilësinë e këtij shërbimi dhe si përfundim studentët e diplomuar në Shqipëri e gjejnë veten me një titull të pavlefshëm krahasimisht me të gjithë ata që vijnë nga jashtë.

Problem tjetër që shoqëron PD-në para zgjedhjeve është perceptimi i korrupsionit të Berishës dhe qarkut të ngushtë familjar, apo tarafit të tij. Vajza e djali, dhëndri apo baxhanaku, ministri i jashtëm apo miku i tij serbo-boshnjak tashmë janë gdhendur si ikona korruptive në mendjet e elektoratit që dikur votoi “Duart e Pastra”. Këmbëngulja e Berishës në zgjedhjen e një prokuroreje që do të “bënte namin”, po që më pas “rezultoi e paaftë” dhe “e kontrolluar nga Topi” nuk arriti të mashtronte ndonjë numër të madh Shqiptarësh. Ky perceptim korrupsioni e abuzimi natyrisht që arrin kulmin kur përmendet çështja “Gërdeci”, edhe pse në ezaurimin e efektit të kësaj çështje një rol ndihmues për PD-në ka luajtur vetë rivali kryesor, PS-ja, e cila nuk ka mbërritur gjatë më se një viti të ngrejë emocione reale mbi këtë ngjarje tragjike (PS-ja realisht ka qenë indiferente, dhe nuk është shqetësuar as për mbarëvajtjen e proçeseve të drejtësisë, as për mirëqenien e të mbijetuarve...).

Një nga pikat ku PD çalon dukshëm është media dhe marketingu. Edhe pse Berisha ka kontraktuar disa kompani amerikane, edhe pse është vënë nën kontroll TVSH e KLAN, arroganca fshatareske e shfaqjes publike të demokratikëve, mungesa e zhdërvjelltësisë argumentuese, banaliteti vulgar i disave, apo buzëqeshja bosh e disa të tjerëve natyrisht që nuk të fton t’i ndjekësh pas në votime. I njëjti Berishë agresiv 18 vjet më vonë nuk të entuziazmon, por thjesht të pështiros.

E megjithatë PD vjen në këto zgjedhje si parti në pushtet. Berisha e shfrytëzon këtë fakt më së miri, pa u kujdesur për etikën. Kështu në mënyrë kafshërore kërcënohen me pushim nga puna mësuesët që nuk i çojnë nxënësit nëpër mitingje, me miratimin e ministrit të arsimit. Kështu shtohen 750 veta në administratë me VKM fët e fët. Në katër vjet Berisha ka ditur ta shfrytëzojë byrekun për të nginjur barkderra, po edhe për të ngjallur reflekse pavlloviane te barktharët.

Ndryshe nga PS, listat e demokratikëve janë ndërtuar me kujdes, dhe strategjikisht. Në to patjetër që ndodhen “të rinjtë” e shumëkërkuar e të shumëpritur, madje ka më shumë se sa të PS. Por ama në vendet kyç ndodhen mjeshtra të fushatës në bazë, që nuk janë shkëputur kurrë nga populli i PD-së, njerëz që dinë të përballojnë presione e punë nëpër fshatra e qytete, pa ndërprerje. Në këtë sens Berisha ka fatin të punojë me individë shumë më punëtore se Rama... fat i keq i shqiptarëve që dëshira për punë i braktis menjëherë pas fushatës.

Pika më e fortë e PD-së duhet thënë që është vetë PS-ja. Një opozitë e amullt, që nuk bën kurrë pyetjet e kritikat e duhura, që nuk di të ngjallë emocione në momente kritike, dhe që karakterizohet nga një apati e pashpjegueshme. As vetë Berisha nuk e priste një dhuratë të tillë. Thashethemet që vijnë vërdallë e duan Ramën të lidhur mes udhëkryqesh biznesi me rrjete të Berishës, dhe kjo e pengon kryesocialistin të jetë agresiv aq sa duhet, e t’i çojë denoncimet deri në fund... Të jetë e vërtetë vallë?

Partia që pritet të jetë e treta në këto zgjedhje është LSI-ja. Një parti “as e vogël, as e madhe”, me një qerre problemesh, por që situata mund ta vërë në pozitë të favorshme. Problem kryesor për partinë e Metës është kufizimi i dukshëm në burime njerëzore. Individët me kapacitet intelektual në këtë parti nuk duhet të jenë shumë, gjë që mund të pranohet për një parti të vogël, mirëpo Meta këmbëngul që çifliku i tij është mesatar më tepër se i vogël. Kështu kjo parti  mbërriti deri në zgjedhje duke e keqkuptuar formulën elektorale, sidomos lëmshin D’Hondt – Sainte-Laguë. Në fillim luftuan për komisionerin, e më vonë, kur kuptuan se standardi i dyfishtë favorizonte partitë e vogla brenda koalicioneve, vendosën të bëjnë dhe vetë koalicion. Ajo që nuk arritën të kuptonin është se brenda koalicionit të saj LSI-ja nuk është parti e vogël, kështu që s'përfiton gjë. Në të vërtetë koalicioni LSI-së vetëm i prish punë, pasi i ngre pragun elektoral, dhe i kushton një qerre me dollarë.

LSI-ja është e pranishme prej kohësh në strukturat e saj në bazë. Fshatçe, pa u kujdesur shumë për imazhin apo për stërhollime strategjike, kjo parti e ka nisur fushatën e para në të gjitha rrethet, me përjashtim të Kukësit dhe Gjirokastrës ku pragu është tepër i lartë për LSI-në. Fushata e LSI-së karakterizohet nga vulgariteti populist, dhe kryesisht ka konsistuar në takimin një për një të çdo votuesi potencial, dhe me premtimin e gjithçkaje që votuesi potencial kërkonte. Premtimet e mbledhura bashkë, të thjeshtuara e të gjeneralizuara rezultuan në një program paksa të cuditshëm dhe të mbushur me gabime ortografike, që është në fakt programi i vetëm elektoral i publikuar mes tre palëve të përmendura deri më tash.

Pikë e dobët e LSI-së është fushata mediatike dhe imazhi. Blloku i vënë nga PS nëpër mediat e kontrolluara nga Rama, si dhe hostiliteti i Berishës e bën thuajse inekzistent lajmin me burim LSI. Imazhi që shoqëron këtë forcë gjithashtu është i krijuar pa kujdes, një imazh prej “katnarësh biznesmenë”. Ky imazh natyrisht që nuk i shkon për shtat ndonjë grupi shumë të vogël intelektualësh që të braktisur apo të keqtrajtuar nga palët e tjera kanë investuar imazhin e tyre te LSI.

E ndërgjegjshme që armiku i vërtetë i saj tani për tani është PS-ja e jo PD-ja, LSI është treguar agresive në rekrutimin e bazës socialiste, lëvizje që mediatikisht është pasqyruar në krah të kundërt. Në një parashikim paraprak LSI mund të marrë midis tre dhe dhjetë mandateve, ndërkohë që për të arritur atë çka do, Metës nuk i duhen më tepër se pesë.

Poli i Lirisë mbetet një formacion ende misterioz për shqiptarët. Të formuar kryesisht prej të larguarve nga PD, kjo forcë sjell bashkë individë me gjithfarësoj vlerash e problemesh. Fenomen interesant është servirja e Aleksandër Meksit si politikan dinjitoz e autoritar, ndërkohë që të gjithë e mbajnë mend se ky nuk qe veçse një kryeministër kukull që çoi vendin në krizën e ’97 pasi qeveria e tij nuk qe në gjendje të menaxhonte piramidat (paratë e të cilave sot ende thuhet se vazhdojnë të qarkullojnë në treg nëpërmjet një superbiznesi që investon më shumë se të gjithë në imazhin e vet, dhe financon sa majtas djathtas). Nën shembullin e Metës, Ndoka me shokë u përpoqën të organizonin djathtas atë çka organizoi LSI-ja majtas. Rastet janë të ngjashme për sa i përket individëve, kapaciteteve politike dhe ekonomike, por jo për sa i përket situatave dhe kohës për organizim. Kjo e fundit nuk ka qenë e mjaftueshme, dhe Poli i Lirisë në rastin më të mirë arrin të nxjerrë veç një deputet, i rekrutueshëm fare lehtë nga PD.

Partia Republikane hyn në këto zgjedhje si parti e tretë parlamentare, nën sqetullën e PD dhe nën hijen e Gërdecit. Një ftohje mes demokratikëve dhe republikanëve i ka tronditur bazat e PR. Imazhi prej krimineli i Mediut nuk mund të shlyhet dot nga posterat e nga billboards-et, edhe pse kjo parti ka billboards-et më të mëdhenj (shumë prej tyre të vendosur fare pranë Gërdecit). Në këto zgjedhje PR mund të marrë jo më tepër se një deputet, dhe ky në sajë të ndonjë trafikimi votash nga PD-ja (zor se ndodh ky skenar, me përjashtim të ndonjë presioni për zbardhje pisllëqesh).

Parti tjetër që është duke u përpjekur realisht të mbushë mendjet e votuesve me fushatë është G99. Të krijuar si një grupim elitar të rinjsh, shumë shpejt e kuptuan që nuk kishin kapacitetet e duhura njerëzore e politike për të tërhequr elitat. Reflektimi erdhi në mënyrën e tyre, pra nëpërmjet marketingut. Bjordi dhe Adela tashmë janë liderat e fushatës së partisë së Erionit, që pret të marrë votat e adhuruesve të Big-Brotherit. Gjithsesi G99 nuk pritet të marrë ndonjë deputet, shpresa e “çunave” është që siç e do thashethemi (që mund të ketë për burim po ata), Erioni të marrë një ministri po fitoi Edi. Në këtë rast, ishalla nuk i japin atë të arsimit. Llafe të tjera thonë që mund të bëhet kryetar bashkie. Vështirë është, sepse po e la Rama bashkinë, elektorati i Tiranës do të priret të votojë djathtas, edhe për të ndryshuar dorën (efekti i lodhjes). Megjithatë, çfarë s’bën vaki.

Fenomen interesant për t'u analizuar është sjellja politike e komunitetit minoritar. Përvec PBDNJ, e cila mund të marrë dy mandate në zonat tradicionale, ekziston mundësia që të marrin mandatin e deputetit edhe Spiro Ksera me Kosta Barkën që janë në listat e PD-së, si dhe Spiro Peci me Vangjel Tavon, që janë në listat e PS-së. Potencialisht krijimi i një caucus-i minoritar me 5 ose 6 deputetë do të sillte një mbipërfaqësim të komunitetit grek në parlament, gjë që nuk është domosdoshmërisht e keqe, por është e padrejtë në sensin përfaqësues (dëshmon edhe një prej dobësive të politikës oportuniste shqiptare).

Partitë e tjera edhe vetë e dinë që nuk mund ta kenë seriozisht këtë fushatë...

Si përfundim, duke bërë fallxhorin, as Rama as Berisha nuk arrijnë të kenë 71 mandate, por Berisha i afrohet më shumë këtij numri pikërisht për arsyet e përmendura në fillim. Një skenar i mundshëm mund të jetë PD&co - 69 mandate, PS&co - 67 mandate, LSI&co - 3 mandate, dhe 1 ndoshta tek Poli. Në një rast të tillë Berisha shpejt e shpejt do të mund të blejë nga listat e PS njerëz si Tom Doshi (politika e re e Ramës nuk ka harruar të ketë frikë nga personat që kërcënojnë se do të bëjnë gjëmën po nuk ishin të sigurt në listë). LSI-ja me kaq pak deputetë nuk mund të luajë ndonjë rol. Për pasojë do të shkojë drejt shkrirjes (Meta nuk mund të përballojë dot financiarisht edhe katër vjet opozitë), ose drejt negocimit me partitë e mëdha. Në emër të stabilitetit politik dhe të integrimit (dy fetishet më idiote të shqiptarëve), mund të bëjë vaki që Meta të krijojë qeveri me Berishën (se me Ramën nuk mbërrin dot ta krijojë). Kjo do të sillte ndoshta ndarjen e PS-së, krijimin e një partie të qendrës të kryesuar nga Rama, dhe ardhjen në krye të PS-së të mbetur të Blushit. I gjithë ky skenar ka një rrezik të madh, qëndrimin e klikës "Berisha" në pushtet edhe për katër vjet duke i lejuar konjukturat e pushtetit të forcohen gjithnjë e më tepër, duke varfëruar më tej popullsinë dhe duke shitur gjithcka të shitshme tek Fazllicët... po medet, c'alternativë tjetër paraqitet?

Megjithatë janë të gjitha thashetheme dhe siç tha ambasadori sovran Withers, në fund fare do të vendosin shqiptarët...

8 Komente

shkrimi MË  INTERESANT i ketyre dy-tre muajve !

Mes respects  !!

Me nje fjale, Arber, votuesi i majte strategjik, duhet te votoje per LSI? Une do i votoja vallaj. S'me bezdis qe marketingu i tyre eshte i dobet, bile me pelqen. S'do ishte hiç keq nje qeveri e majte ku Meta balanconte pak monopolet e Rames, dhe anasjellas. Nje tjeter plus: Meta do krijonte nje niche te veten ne media qe do te zbuste pak kete PR-in e tmerrshem blu-roze.

(Nuk thone kot, ne nje sherr mes dy vetave, fiton i treti.)

s'e di nese duhet te votoje Meten votuesi i majte... jetim me duket i shkreti votues. une vete s'do votoj 

Pak thashetheme dhe nje diagnoze shume prane te vertetes per pikat e forta dhe te dobta te PS PD. Ama prognozen e rezultatit e ke huazuar nga Zogby .Retushoi  pak numrat he vella.smileyJepi edhe 1 deputet LSI ,shto  ate fituesin e Polit (Ndoken)dhe krijohet Qeveria e Progresit dhe Polit te Lirise.

Veshtire me duket, ne rast se PD arrin te fitoje qofte dhe 67 mandate, te jesh i sigurt qe Berisha eshte mjeshter i rekrutimeve dhe blerjeve (sic ka deshmuar historia). Dhe PS-ja nuk i ka te gjithe deputetet e ardhshem aq besnike dhe aq parimore sa t'i rezistojne cdo tentacioni...

Ky artikull per thashetheme elektorale ishte interesant!

Ne fakte duke u bazuar ne politiken e deritanishme kryesisht te Partise qe ka pushtetin edhe nja dy tre kater pese dite,thashethemet kane qene dhe jane "politika me e mire" per te goditur kundershtarin!

Por sic dihet thashethemi do te mare fund nje dite,se kot populli nuk thote "rrena i ka komet e shkurtera" ose "te doli boja edhe ty"ose "e verteta zhytet por nuk mbytet"...dhe dita erdhi,pasneser eshte 28- ta e verteta!

Shpif-shpif se dicka do te ngelet,parimi i politikes se vjeter,do ti dali kallaji,ska mo qofte te daja,me fol para dynjase:

" Une pi birre Tirana,edhe miqeve te mi u jap birre Tirana,dhe mbrapa kraheve ne vesh te tjetrit ,te thuash duke u zgerdhire,qe une pi Vere dhe jo birre!"

"U krye,kur nuk u krye!"-(Rruga Durres-Morine!)

"Zero tolerance Korrupsionit,kur ai te ka zene nen vete!"

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).