Teorizimi i realitetit

Teorizimi i realitetit

Leart Kola

Thuhet gjithnjë e më shpesh që komunizmi në Shqipëri dështoi sepse paskërka qenë i mirë në teori po i pazbatueshëm në praktikë. Sigurisht që në fillim kam besuar që kjo shprehje vjen si pasojë e ndonjë analize të thellë që i është bërë sistemit të mëparshëm ne Shqipëri, doktrinës, dështimeve në aplikime, arsyet dhe shkaqet e këtyre dështimeve etj. etj. Mirëpo dhe sot e kësaj dite një analiz e tillë nuk është bërë, dhe termi “komunist” përdoret në mënyrë jokorrekte e gjenerike (si sharje, ku të gjithë politikanët shajnë njëri-tjetrin si komunista). Akoma mbetet pa u sqaruar se cilat ishin karakteristikat e enverizmit, dhe si dallon ky nga teoritë e tjera komuniste apo marksiste. Kjo analizë, mendoj unë, duhet bërë pasi do të na ndihmonte jo vetëm në ndërtimin e një të ardhmeje dhe një shteti më dinjitoz por do të përcaktonte qartazi dënimin moral, praktik dhe historik të së shkuarës. Vetëm kështu do të ishim në gjendje të tregonim se cili ishte faji, kujt i përkiste, dhe cilët janë duke e trashëguar. Mungesa e kësaj analize na sjell në një pozicion aspak komod historik, sepse vazhdon të na mbajë në po atë kaos ideologjik që ka ekzistuar në këtë vend, që kur u shfaqën formacionet “politike”.

Gjatë gjithë shekullit të kaluar jemi bërë ngaherë pjesë e ndryshimeve sipërfaqësore pa asnjë lloj substance, e për fat të keq vazhdojmë sot e kësaj dite të jetojmë nominalisht në një “demokraci liberale”, siç na pëlqen ta quajmë, edhe pse praktikisht jetojmë në një… “gjë” akoma të papërkufizuar teorikisht, ndërsa në realitet përjetohet një lloj prakticiteti anarkist të cilit mund ti mveshësh çfarëdolloj teorie pa e tronditur. Të aftë që të krijojmë revolucion Nolian pa klasa proletarësh apo fshatarësh, të gatshëm për t’iu përkulur mbretit pa patur ndonjë ideologji monarkiste, të aftë për të zhvilluar një luftë nacional-çlirimtare që nuk mbërriti të kishte një doktrinë të qartë mbi kufijtë (nacionalë), apo mbi nocione të çlirimir e të lirisë, të aftë për të prodhuar një enverizëm totalitarist që e quajtëm komunizëm, por që nuk ishte tamam i tillë, së fundi sigurisht që nuk ndryshuam zakon, prodhuam një demokraci pa demokraci. Në të vërtetë cilido qoftë sistemi, nuk ka qenë kurrë i mbështetur mbi debate doktrinash, por mbi doza autoriteti kryetarësh partish. Pra nuk është e vështirë të mendohet pse kjo që kemi sot është e pranueshme, e justifikueshme dhe utopike në të njëjtën kohë.

Gjatë shekullit të kaluar kemi provuar shumë prej ideologjive dhe sistemeve ekzistuese të pushtetit, dhe ç’është më interesantja pa reflektuar mbi to, pa i kuptuar, pa i brendësuar dhe pa pasur as idenë minimale se çfarë sakrificash kërkojnë, çfarë detyrimesh imponojnë e çfarë lirish japin. As ideja e përfaqësimit nuk është tepër e qartë për votuesin, e megjithatë si popull kemi arritur të plotesojmë çdo dëshirë të çdo lideri, sado egocentrik dhe narcizist. Ndoshta për këto rekorde historia na rezervon një vend të veçantë, anipse jo dhe aq të këndshëm.

Në 18 vjet pluralizëm politik kanë qenë dy partitë më të mëdha që kanë ndarë pushtetin mes tyre, duke mos patur ndonjë ndryshim të madh nga njëra-tjetra në politikbërje (se kjo është e vetmja demokraci që kemi parë). Janë udhëhequr nga tre individë. Sali Berisha (nga 1991- deri më ... askush nuk e di në do të ikë ndonjëherë nga posti i kryetarit), Fatos Nano (1991 – 2005, me shkëputje të herë-pas-hershme, qëndron ende në lojë e nuk i dihet në do të kthehet sërish) dhe Edi Rama (2005 – deri sot, e nuk i dihet nëse do të largohet dhe pas humbjes së zgjedhjeve).

Interesantja në këtë “histori pa zhurmues” është që të gjithë liderët, nga pavarësia e këtej fare mirë mund të pozicionoheshin si monarkistë, konservatorë, liberalë, komunistë, totalitarë, fashistë, nacionalistë, proturq, progrekë, proitalianë, profrancezë, proaustriakë, prorusë etj., dhe askush nuk ka fijen e dyshimit që për hir të pushtetit këta njerez do e ndërronin menjëherë kursin, pa e prishur fare terezinë e tyre organike. Kjo sepse ne kurrë s’u kemi kërkuar ndonjë përqasje serioze, të arsyetuar, që para se të vihet në praktikë të qëndrojë dhe e teorizuar. Me sa duket nuk ia kemi ndjerë nevojën diskutimit dhe miratimit të paradigmës teorike që do të vihej në praktikë qoftë dhe jashtë dëshirës së liderit për pushtet. Për pasojë çdo gjë e keqe apo e mirë lidhet thjesht dhe vetëm me personalitetin e liderit dhe çdo strukturë apo ideologji injorohet ose detyrohet t’i përshtatet gustove të udhëheqësit epokal.

Për të shpëtuar nga kjo filozofi malinje e “liderit të gjithëpushtetshëm” na duhet që të rikthejmë edhe njëherë forcën institucionale politike dhe shoqërore dhe të teorizojmë atë çka ndodh në praktikën shqiptare, si dhe atë çka ne dëshirojmë të ndodhë, pa patur komplekset personale politike që mund të na quajnë të majtë, ekstremistë, anti-liberalistë apo socialistë. Pra duhet kthyer interesi shoqëror në prioritet të politikës dhe jo organizmi strukturor për të mbajtur fort kryetarin në prioritet të shoqerisë.

Natyrisht që dhe teoria nuk duhet të jetë thjeshtësisht dogmatike, e ardhur nga “autoritete të historisë së shkencës”. Ajo duhet të lindë ngë analiza e problemeve aktuale. Sot në Shqipëri psh. pensioni është i pamjaftueshëm për të pasur një jetë pleqërore normale, madje të detyron të shkosh shumë nën normalen - atëherë ajo çka duhet teorizuar nga ekonomistë, politologë dhe ekspertë të tjerë është pikërisht rritja e pensioneve. Nëse sot kemi 30% të popullsisë që jeton me 2 dollarë në ditë, ndërkohë që në Shqipëri edhe sistemi publik arsimor është me pagesë atëherë kjo kërkon reflektim dhe përqasje metodike. Ajo çka po ndodh është ndërtimi i kastave shoqërore, ndërtimi i një kaste të dënuar nga sistemi të mbetet në injorancë dhe këtu patjetër që duhet ndërhyrja e politikës për t’u dhënë të gjithë të rinjve (si atyre që kanë prindër të pasur, si atyre që nuk e kanë një fat të tillë) mundesinë e konkurencës të barabartë në një shoqëri të shanseve të barabarta (siç na thonë që është demokracia). A duhet marrë sot ky mesazh që na vjen nga rrugët plot pluhur të Shqipërisë?

Shqiperia vuan sot nga një hendek përherë e më i gjerë mes të pasurve dhe të varfërve, një hendek zgjerimi e thellimi i të cilit është stimuluar nga sistemi nëpërmjet taksës së sheshtë, ndërkohë që praktika e terrenit jep sinjale të qarta që vetëm sistemi i taksimit progresiv, mund ta zbusë këtë realitet. Shëndetësia po shkon drejt privatizimit, dhe pse 70% e shqiptarëve me të ardhurat që kanë e kanë të pamundur të aksesojnë një spital privat. Mirëpo duke shkatërruar me qëllim ditë pas dite shërbimin publik politika po na çon drejt privatit, pa i vënë re zërat e atyre 70%, që dhe një aspirinë do ta kenë të vështirë për ta gjetur.

Fëmija i periferisë së qyteteve të mëdha e ka aq të vështirë të ushqehet, sa përditë e më shumë shkolla fillore po kthehet në një lluks të papërballueshëm, shkollimi është vënë të konkurojë me rëndësinë e bukës së përditshme. Natyrisht që prioritetin mbijetues e merr ushqimi, dhe sistemi që fabrikon të tilla dilema në shekullin XXI po ndërton me duart e tij ata që do të jenë kriminelët e ardhshëm.

Sot vuajmë për ndërtimin e një bujqësie moderne, që të jetë konkurente dhe e qëndrueshme, mirëpo fshatari shqiptar është lëshuar në detin e konkurencës përmbi një varkë prej letre, që domosdoshmërisht do të mbytet, nëse shteti nuk ndërhyn me subvencionime, politika proteksioniste e me mbështetje logjistike.

Sot punëtori shqiptar është i pasiguruar dhe në rast aksidentesh e ka të pamundur të kurohet. Madje as të bëjë një varrim të denjë nuk arrin dot. Pastaj dhe papunësia është aq e larte sa njerëzit kanë filluar të vetëvriten nga të katër anët e Shqipërisë, por asnjë parti politike nuk do ta interes ta shqyrtojë problemin në detaj, pasi nuk kanë asnjë qëndrim teorik për zgjidhjet. Politika mbyllet në restorantet dhe shtëpitë lluksoze ku konsumon vetveten, e aty e kanë të pamundur të mbërrijnë britmat e mjerimit.

Shqetësimi publik për territorin shqiptar që po shitet dita-ditës nuk ndjehet në diskurset e partive tona, sepse janë shumë të zënë në ndarjen e tortës me bizneset anonime që paraqiten si investitorë të huaj. Ambienti shkatërrohet me dekrete rozë apo blu qofshin, gjithçka bëhet shpejt e shpejt, pa konsultuar ambientalistët, urbanistët, biologët apo dhe sociologët. Nuk ka interes që mbi këto bëma të teorizohet, se ekziston rreziku që të mos perfitojnë aq sa duhet nga pushteti. Kështu ka për të vazhduar, sa kohë në krye të Partive gjenden individë aq të lidhur e të koklavitur me biznesin, sa është e pamundur të dallosh sot ku fillon njëra palë, e ku mbaron tjetra.

Diskursi publik në fakt është i tejmbushur me analiza thashethemesh, aq sa është e pamundur të nisësh një diskutim ideologjik, apo doktrinor. Ama këto analizat mediokre që dëgjojmë e lexojmë përditë janë të sponsorizuara shtrenjt nga të pushtetshmit, që duke e mbajtur popullin të përgjumur brenda kornizave apatike ku asgjë nuk ka për të ndryshuar, i krijojnë frymëmarrje pushtetit. Sot pushteti, i lirë nga përballjet ideologjike dhe nga aktivizmi, më shumë se kurrë shfaqet në formatin e kafes pa kafeinë. Në fakt këtij lloji politik i interesojnë komunitetet e përgjumura dhe apatike, ku drita e të ardhmes mbulohet me perdet e trasha të intelektualëve “të paanshëm” që masturbohen lirisht në studiot plot drita të televizioneve të ndërtuara në emër të lirisë së tyre, por jo tonës.

Ne sot jemi peng e një retorike postmoderniste boshe, ku më shumë rëndësi i vihet termave, sesa substancës politike. Shqipëria për të shmangur gabimet e të kaluarës, duhet të ndertojë një të tashme me këmbët e ngulura fort te interesat e shqiptarëve. Pikërisht sot duhen teorizuar idetë e vizionet që do të na udhëheqin më pas në një të ardhme e cila duhet të ketë fytyrë humane e komun itare, pa patur nevojë të huazojë fytyra ekranesh, të cilat kanë në fund të njëjtën shije zhgënjimi.

7 Komente

S'arrita ta marr vesh çfarë pikësynimi kishte artikulli. M'u duk i tëri si non sequitur-e të njëpasnjëshme. Edhe njerëzit votojnë pa problem megjithëse s'u thotë njeri ndonjë "teori" edhe duhet të bëjmë më shumë teori? Ja ta zëmë se doli nesër një libër që shpjegon për mrekulli sistemin totalitar, çfarë do bëhej? Një pjesë do e lexonte, një pjesë e lexuesve do e pranonte, një pjesë jo. Shumica e popullsisë as do e vinte ndër mend si faktor në zgjedhje (vetëm nëse fitonte ndonjë Nobel dhe atëherë do e dëgjonin vetëm për kultin e autorit). Gjithashtu ç'lidhje kishin pensionet e asikuracionet? Merren disa probleme si shembuj, por shembuj për çfarë? Për të treguar që kemi një palo sistem lëmsh? S'ma ha mendja se ka ndonjë shqiptar që ka nevojë për këto shembuj. Faktikisht cila ishte zgjidhja e këshilluar nga artikulli dhe cilët janë faktorët mbrojtës të tezës? Apo ishte edhe ky artikulli një "retorike postmoderniste boshe". Mos ka qenë ala "shqipëtar mos rri po duku" se të tilla gjëra na janë bërë bozë dhe duket qartazi që s'funksionojnë. Nëse ka qenë thjesht një shfryrje e radhës dakort, shpresoj që autori të ndihet më mirë.

Nje shkrim shume i mire. Te lumte Leart. Pothuajse me vjen inat qe s'e kam shkruar vete kete. smiley

Dori.

Arsyetimi i artikullit eshte shume i thjeshte,per mendimin tim,partite politike kane nevoje per nje ideologjizim programor,ku transaprenca te jete mbi parimin per cfare qendrojne.Ne kete rast partia e majte.Po ta vesh re BErisha dhe Rama,jane te afte qe te dnermarrin cfaredolloj politike qe nga ekstremi i majte deri te ai i djathte.Problemi ketu qendron qe keto jane politika ad-hoc dhe jo te bazuara mbi nje lexim te qarte te realitetit te asaj cka ne realisht kemi nevoje,pra duke pasur institucione politike si partite,qe kanalizojne problemin ne terren dhe e transformojne ne nje ideologji ku ky institucion mbeshtetet atehere shte dhe me transparent me publikun.

KJo eshte dhe arsyetimi i shembujve,edhe pse une mendoj ndryshe nga ty,qe nuk eshte asnjehere e mjaftueshme te japesh perspektiven tende pse gjerat shkojne keq,duket e lehte e ne kete pike jam kurioz te mar vesh nga ty,per mendimin tend cfare shkon keq?

 

Shkrimet si "shqipetar mos rri po duku" i kane sjelle ketoj kombi te vetmin moment humanist dhe kane sjelle ndryshime rrenjesore ne shoqerine tone,keshtu qe do sikletosesha nje here perpara se te beja ironi te varfer.

megjithate edhe nese do ta dish ne u ndjeva mire,po u ndjeva,eshte e rendesishme kjo per ne qe jetojme ne Ballkan posacerisht ne Shqiperi,pjesa shpirterore eshte m e rendesishme se prodhimi i produktit sic mund te ndodhe ne kulturat anglo-saksone.

Fatosi vjen nga thellsia e PPSH shume vite me pare, Edvini qe  ne 2000.

S'ka problem, i vetmi qe te shqeteson eshte Berisha. Mbaju.

O lumidrin, me fal qe po te pergjigjem, se ndoshta te bezdis. Ne fakt nuk kam asgje personale, po e ke lexuar shkrimin????

Si more, i vetmi qe shqetesoka qenka Berisha? Une e kuptoj llogorizimin, dhe deshiren tende qe Berisha te shnderrohet ne Pape, po ama te thuash qe ky shkrim e ka fokusin te Berisha??? Ani...ti e di

5 me yll

Për të shpëtuar nga kjo filozofi malinje e “liderit të gjithëpushtetshëm” na duhet që të rikthejmë edhe njëherë forcën institucionale politike dhe shoqërore dhe të teorizojmë atë çka ndodh në praktikën shqiptare, si dhe atë çka ne dëshirojmë të ndodhë, pa patur komplekset personale politike që mund të na quajnë të majtë, ekstremistë, anti-liberalistë apo socialistë. Pra duhet kthyer interesi shoqëror në prioritet të politikës dhe jo organizmi strukturor për të mbajtur fort kryetarin në prioritet të shoqerisë.

per te vazhduar ne fund me

Ne sot jemi peng e një retorike postmoderniste boshe, ku më shumë rëndësi i vihet termave, sesa substancës politike. Shqipëria për të shmangur gabimet e të kaluarës, duhet të ndertojë një të tashme me këmbët e ngulura fort te interesat e shqiptarëve. Pikërisht sot duhen teorizuar idetë e vizionet që do të na udhëheqin më pas në një të ardhme e cila duhet të ketë fytyrë humane e komun itare, pa patur nevojë të huazojë fytyra ekranesh, të cilat kanë në fund të njëjtën shije zhgënjimi

Bravo Leart.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).