Teori të demokracisë demokratike

Teori të demokracisë demokratike

Analiza e mëposhtme mbi demokracinë kushtetuese dhe shoqëritë e organizuara sipas këtij modeli, frymëzohet nga një konstatim i gjerë sa dhe i vagullt, të pasanksionuar shprehimisht në kushtetutat e sotme. Bëhet fjalë për një konstatim të brendësuar në një shkallë të lartë nga shoqëria dhe individët, aq sa të përjetohet natyrshëm dhe pavetëdijshëm prej tyre, duke kapërcyer çdo etapë reflektimi: të gjitha kushtetutat e vendeve me regjime kapitaliste të tregut (që do të thotë praktikisht të gjitha), garantojnë funksionimin e një sistemi ku çdo individ, në thelb, mund të grumbullojë pasuri dhe të gëzojë të ardhura, pa kufizime juridike.

Argumenti se për disa lloje pronash dhe për disa lloje burimi të ardhurash janë parashikuar kufizime maksimale, vlen për raste specifikë, dhe nuk përjashton faktin se një individ mund të pasurohet maksimalisht falë aftësive të veta, nëpërmjet çdo lloj prone apo të ardhure që është në gjendje të përvetësojë. Kjo dëshmohet vazhdimisht nga statistikat. Pak kohë më parë lexoja se tre njerëzit më të pasur në botë, gëzojnë të ardhura vjetore të barabarta me prodhimin e brendshëm bruto të plot 142 shteteve të varfra.

Në kushtet e këtij konstatimi (dhe të identifikimit të parimeve kushtetuese supreme të shteteve kapitaliste, edhe pse të pashkruara, ose më mirë, pikërisht sepse të pashkruara) vjen natyrshëm pyetja: a ka të bëjë ky konstatim me demokracinë (me çfarëdolloj forme të demokracisë)? Apo në të vërtetë fsheh energjinë okulte të saj?

Nuk është e rastësishme që sa herë diskutohet mbi karakteristikat e Shtetit Social, herët a vonë haset termi rishpërndarje: parashtesa ri nënkupton pikërisht një shpërndarje të dytë, e cila ndryshon (apo më mirë akoma, synon të ndryshojë) atë të mëparshmen. Shpërndarja e parë përcaktohet nga tregu, ndërkohë që rishpërndarja realizohet nga autoritetet publike nëpërmjet grumbullimit të detyrueshëm, duke përvetësuar një pjesë të pasurisë së prodhuar dhe duke e shpërndarë përsëri.

Është e qartë që procesi i rishpërndarjes realizohet në varësi të marrëdhënieve të pushtetit dhe luftës mes grupeve shoqërorë, përfituesve dhe humbësve, kryesisht në terma fitimesh dhe rrogash. Fakti që një pjesë e humbësve nuk lufton apo lufton pak, dëshmon më së shumti ndjesinë e shpërbërjes dhe mungesës së forcës për të protestuar.

Kjo ka të bëjë edhe me të ashtuquajturën epokë të të drejtave dhe besimin se bota mund të përmirësohet nëpërmjet të drejtës. Në një kohë që rrokopuja e të drejtave të njeriut bashkëjeton qetësisht me shpërdorimin cinik të të kamurve, me varfërinë dhe me dëshpërimin e miliardave qenieve njerëzore. Fillimisht sistemi ekonomik në shërbim të të cilit janë ligjet dhe e drejta, ndërton (duke favorizuar) pabarazi të llojit dramatik. Më pas vijnë të drejtat, për realizimin e të cilave luftohet me vullnet të bujshëm.

Në të vërtetë, realizimi i këtyre të drejtave, më shumë se sa fryt i bindjeve të pushtetarëve, duket të jetë rezultat i frikës nga rebelimi (me rënien e dozës së panikut fillestar, të pushtetshmit rendin të rimarrin atë çka lëshuan në kushtet e frikës). Kjo është në fakt, historia e Europës pas luftës së dytë botërore: frika nga komunizmi i shtyu shtetet europiane drejt koncesioneve masive në favor të masave punonjëse. Me fashitjen e frikës, çdo gjë po kthehet në kushtet e mëparshme. Kuotat e destinuara për shtresat e varfra pësojnë ulje të vazhdueshme, ndërkohë që me të njëjtat ritme, rritet pjesa e destinuar për shtresat e larta.

Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të mohojë të drejtën, apo të drejtat, si të pavlera apo si delire fantastiko - shkencore. Nevoja për garanci mbetet e domosdoshme dhe është sidoqoftë më mirë sesa hiçi, apo asgjëja. Ndonjëherë, në luftën për të drejtat ka edhe fitore. Këtu ama, bëhet fjalë për diçka tjetër: rolin që mund të luajë e drejta dhe të drejtat, një teori që sheh tek e drejta dhe të drejtat rrugën drejt një shoqërie më të mirë.

Kjo nuk do të thotë që e drejta është e keqja, shtypja apo shfrytëzimi. Në të vërtetë e drejta është shumë më e margjinalizuar të paktën për sa lidhet me hartimin e propozimeve apo marrjen e vendimeve themelore. Më shumë se sa udhërrëfyese e zgjidhjeve politike, e drejta është në shërbim të tyre.

Kushtetutat e sotme ndjekin, siç pritet të ndodhë, parime të pashkruara (por themelore), sipas të cilave prona dhe të ardhurat nuk kanë kufizime. Këto kushtetutat janë pikësëpari mjeti në shërbim të parimit se nuk ka kufizime për sasinë e pronës dhe të të ardhurave që çdo individ mund të realizojë; është fushëbeteja ku kushdo mund të luftojë me mjetet që disponon për pasurinë e vet apo mbrojtjen nga konkurenca.
Natyrisht, duke qenë se shoqëritë e sotme nuk ezaurohen vetëm në termat ekonomikë të prodhimit dhe të shpërndarjes së pasurisë, ato angazhohen edhe në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e një sistemi të artikuluar ku të ketë vend edhe për shkencën, kulturën, artin, argëtimin, spektaklin, familjen etj. mjafton që të jenë në përputhje me parimet e sipërpërmendura themelore.

E drejta është në shërbim të gjithë kësaj. Ajo përcaktohet dhe nuk mund të përcaktojë. Mendimi se nëpërmjet të drejtës apo të drejtave mund të realizohet një shoqëri në harmoni dhe e lirë, është një iluzion i pastër. Demokracia, në kundërshtim me parashikimet e mbrojtësve të dikurshëm të pushtetit (që nuk e donin demokracinë), rezulton të jetë mjeti më i mirë politik në shërbim të forcimit dhe ruajtjes së sistemit kapitalist (alternativa, përndryshe, do të ishte gremisja në diktaturë, nëse rebelimet e masave do të kapërcenin kufijtë e të pranueshmes apo të pritshmërisë).

Ajo çka demokracia ka dhënë apo pritet të japë është shumë pak. Një gjë është e sigurt: demokracia nuk do të jetë rruga, e përsiatur përndryshe nga Antonio Gramshi, drejt një epoke pa shtypës dhe të shtypur, shfrytëzues dhe të shfrytëzuar, qeverisës dhe të qeverisur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).