Tekat Foshnjore të një Festivali

Tekat Foshnjore të një Festivali

Arbër Zaimi

Tashmë në vitin e shtatë të organizimit, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë (TIFF) duhet të qe kolauduar mirë e duhet t’i kish kaluar vështirësitë që aktivitete të këtij lloji hasin në vitet e para (kryesisht vështirësi organizimi strukturor, logjistik e mediatik). Por nuk ndodhi kështu. Ato tre katër herë që e vizitova këtë eveniment madhor të jetës artistike në Tiranë, vura re që gjithçka ishte një improvizim i madh, një hap i lëkundur drejt një megashfaqjeje nga e cila do të kisha pritur më tepër rafinim, elegancë e seriozitet. Por që të mos bëj kritikun e përgjithshëm, vendosa të shkruaj e t’i shkoj në detaj disa elementeve që ma bënë të sikletshëm shijimin e artit të servirur tek TIFF 2009.

Melange e artit kinematografik

Duhet thënë se TIFF, që kur është krijuar, është konceptuar së pari si një festival i filmit me metrazh të shkurtër. Mirëpo ka të paktën dy vjet që kjo traditë po zëvendësohet me një tjetër, dhe po zgjerohet gama e filmave që pranohen në TIFF edhe me filma të metrazhit të gjatë (feature-length movies). Këtu, për mendimin tim qëndron problemi më kryesor i këtij festivali, edhe pse ndoshta ai më i padukshmi.

Filmat me metrazh të shkurtër siç dihet janë një genre i stabilizuar tashmë në artin e kinemasë, edhe pse natyrisht jo aq komercialë sa filmat e gjatë. Këta filma gjithsesi përbëjnë një atraksion për adhuruesit e kinemasë, pasi janë të fokusuar në një linjë veprimi dhe nuk i ka ato gërshetime aksionesh e situatash që të hutojnë e të bëjnë të mos ndjekësh dot mendimin e autorit, siç ndodh në filmat e gjatë. Shumë kinematografë preferojnë metrazhin e shkurtër pasi aty kanë mundësi të jenë më të sinqertë, më shprehës dhe më të lirë, pasi vetë lloji i artit është më poetik, publiku është më i zgjedhur dhe më i sofistikuar.
Mirëpo a ka shanse të arrijë tek publiku (qoftë dhe tek ai i apasionuari) filmi me metrazh të shkurtër nëse pranë tij vendosen orare transmetimi për filma të gjatë të autorëve të famshëm në kulturën pop? Analogjikisht, a do të kishte shans një violinist sado virtuoz të garonte i vetëm përballë një orkestre gjigande filharmonike? Natyrisht që jo. Filmi i shkurtër nuk mund të konkurojë me filmin e gjatë për sa i përket tërheqjes që kanë ndaj publikut, dihet që ky i fundit përbën një investim të studiuar mirë nga të gjitha anët artistike, por kryesisht ato të marketingut, ndërsa metrazhi i shkurtër është më tepër një finesë për publik të zgjedhur. Për këtë arsye këto dy genres të artit nuk para vendosen bashkë. Përkundrazi, eksperiencat e aktiviteteve të ngjashme (që kanë për synim servirjen e artit ndaj publikut dhe promovimin e tij më tepër se sa vlerësimin apo çmimin), gjithnjë e më tepër po shkojnë drejt profilizimit. Është e kuptueshme, nuk mund të qëndrojnë pranë e pranë metrazhet e shkurtra me filmat e gjatë pa u eklipsuar ashtu siç ndodhi në Tiranë në fillim të dhjetorit, ku shumë të interesuar shkuan në mbrëmje për të parë filmat përshëndetës të Angelopoulos-it, ose të Tarantino-s, ose të Paskaljevic-it (që mund t’i shihje në kinema e në internet), ndërsa animacionet, dokumentarët e filmat eksperimentalë (që përbënin një shfaqje vërtet të rrallë) nuk shkoi t’i shohë kush me përjashtim të miqve të ngushtë të pjesëmarrësve.

Si përfundim servirja e kësaj melange-je nuk la ndonjë shije specifike tek publiku tiranas që arriti të vizitojë festivalin e filmit. Si shumë aktivitete të tjera artistike në vendin tonë fjalën e fundit e tha nepsi i organizatorëve për të patur sa më shumë pjesëmarrje, dhe sa më “prestigjioze” (ende s’e kam kuptuar pse me “prestigjioze” ne barazojmë gjithnjë komerçialen...). Sipas Bertolt Brecht-it të famshëm, arti ka për mision kryesor e parësor gdhendjen e shpirtit të publikut, e jo englendisjen e tij. Në këtë sens mund të quhet një tentativë e dështuar për të latuar shijet e një publiku që ka nevojë për orientim e jo për përzierje në këto momente delikate (sa i përket formimit kulturor) që po kalon Shqipëria.

Festivali i Gjuhës së Re

Kur mora në dorë revistën prezantuese të TIFF-it gjëja e parë që më ra në sy ishte përkthimi. Nga anglishtja në shqip prezantimet e filmave duket sikur ishin bërë me përkthyes automatik nga ai që mund të shkarkohet falas në internet. Gjuha ishte e pakuptimtë, një tollovi e errët, aq sa vendosa t’i lexoj më mirë në anglisht pavarësisht aureolës atdhedashëse që impononin festat e nëntorit. Mirëpo as me anglishten nuk rashë dot rehat, pasi prezantimet e filmave shqiptarë (që duhet të ishin përkthyer nga shqipja në anglisht) ishin gjithashtu skandal. Po ashtu fjalimet e organizatorëve apo anëtarëve të jurisë, si dhe prezantimet e CV-ve të tyre. Gjithçka ishte qesharake, e megjithatë kjo nuk mu duk ndonjë problem i madh, fundja thashë, po e përdor për fresk gjatë shfaqjes së filmave. Por doli që nuk kishte nevojë as për fresk në sallën e ftohtë të Teatrit Kombëtar.

Sikur të mos mjaftonte përballja me revistën prezantuese, shock-un përfundimtar ma dha përkthimi i filmave, domethënë titrat në shqip që shoqëronin filmat. Skandalet vijonin njëra pas tjetrës, dhe të them të drejtën, treçereku i filmave më shkoi duke komentuar me miqtë e mi gafat që vinin me breshëri. Fjalë të përkthyera gabim, sintaksë e trashë, gjithçka dukej qesharake. Madje mbaj mend nga një film se si “the German Reich” ishte perkthyer “gjermani Reich” (në vend të “Perandoria Gjermane”), ndërsa në një tjetër “we want to be happy and gay” ishte shqipëruar “ne duam të jemi të lumtur e pederastë” (në vend të “ne duam të jemi të lumtur e të gëzuar”). Hilariteti i shkaktuar nga këto “incidente” përkthimesh nuk i shkonte asaj salle të rëndë e serioze, madje nuk i shkonte as natyrës së filmave, që jo rrallë qëllonin të ishin tragjikë apo epikë. Bashkë me miqtë e mi lamë një përshtypje jo fort të mirë me të qeshurat tona, e gjithë kjo falë punës së palodhshme të përkthyesve!

Këshilla për organizatorët, në rast se e lexojnë këtë artikull, do të qe të kujdeseshin më tepër për përkthimin, që është një element kyç në përcjelljen e mesazhit narrativ të filmit, sidomos kur vetë filmi është prodhuar në një gjuhë që publiku nuk e njeh. Më kuptoni, nuk kam hallin e publikut, kam hallin tim, pasi në disa raste u detyrova që të bëj përkthyesin apo shpjeguesin në momentet më kyç të filmave në frëngjisht, spanjisht apo anglisht, duke humbur fillin e filmit më pas. Të gjithë e dinë se sa ndjenjë e papëlqyeshme është të të pyesin në mes të një filmi interesant. Edhe pse duhet ta pranoj që u hakmorra ndaj këtij fati të keq duke i kërkuar shpjegime të tjerëve në rastin e filmave në gjuhë greke, ruse apo gjermane...

Fishekzjarre apo Flluska Sapuni?

Për Grand Finale-n e këtij edicioni dukej se gjërat do të shkonin më mbarë, dhe ky festival që solli pranë publikut filma vërtet të bukur dhe autorë me vlera, edhe pse gjatë gjithë kohës kishte çaluar në organizim, do të qe në gjendje të ofronte një mbyllje galante. Tapeti i kuq premtonte shumë, vendosja e ekraneve të mëdhenj në hyrje, ftesat e njerëzve të zgjedhur në këtë eveniment, madje edhe përzgjedhja e një prezantuesi të nivelit të lartë, gjithçka dukej se po shkonte drejt një mbrëmje mbyllëse Gala, të denjë për një event ndërkombëtar të një arti që bashkon finesën me popullaritetin, siç është kinemaja.

Por veshjet e të ftuarve qenë gjëja e parë që më konfirmoi të kundërtën. Mbrëmje të tilla gjetiu kanë një kod veshje, që në një farë mënyre dëshmon respektimin e ftesës së marrë (sepse ishin të gjithë të ftuar). Ndërsa në këtë mbrëmjen e festivalit tonë shumë të rralla ishin xhaketat e kravatat, ndërkohë që zonjat e zonjushat edhe pse nuk ishin pa sharm, duket që nuk ishin përqendruar shumë në veshje. Dikush mund të mendojë – e ç’lidhje ka veshja me një festival filmi – por të mos harrojmë që bëhet fjalë për natën finale, atë moment kur shpërndahen dafinat. Dhe dafinat simbolizojnë lavdi, e kërkojnë respekt, madje dhe në pamje. Është pikërisht pamja ajo që ndan evente të tilla nga argëtimet më pak të sofistikuara, si vajtja në stadium apo në night clubs fjala vjen.

Nejse, veshja qe një element që edhe mund të mos përmendej fare në rast se gjithçka tjetër do të kish shkuar mirë. Por jo. Organizimi i mbrëmjes kulmore rezultoi po aq spontan sa gjithë kohëzgjatja e festivalit. Në skenë munguan rregullisht fituesit e çmimeve, duke i dhënë një nuancë prej teatri absurd hyrjes e daljes të vazhdueshme të vajzës që sillte statuetat me formën e kukuvajkës (që nuk simbolizonte perëndeshën Athena, por kinokamerën me dy bobinat e saj të ngjashme me sytë e zogut natësor). Përveç fituesve, jo rrallë munguan dhe të ftuarit, të cilët edhe kur ishin ngatërroheshin me njëri tjetrin, a thua se nuk e ndiqnin aspak moderimin e Adi Krastës (thuajse i vetmi që u paraqit seriozisht – nga veshja e deri tek impenjimi) që bëri çmos të ruante një lloj niveli për mbrëmjen. Hilariteti nuk mungoi as këtu, ambasadorë ngjiteshin në skenë në vend të kinematografëve, e më pas regjizorë që proklamoheshin argatë apo bujq, apo kritikë arti të nervozuar, që ngatërronin çmimet gjatë kohës që lexonin. Duhet thënë që po të mos qe për prezantuesin i cili nuk e kurseu ironinë e sarkazmën, kjo mbrëmje do të kish qenë një mërzi e vërtetë.

Çfarë mund ta ketë penguar organizatorin e mbrëmjes që të fliste më parë me të ftuarit e pranishëm e t’u shpjegonte rendin e ngjitjes në skenë? Çfarë barrierash mund të ketë hasur koordinimi me fituesit e çmimeve? Këto janë mistere që nuk kam për t’i marrë vesh kurrë, por një këshillë të vogël mund ta jap, herën tjetër le të vendoset tek ftesa kriteri i veshjes së mbrëmjes, dhe le të përfshihen më shumë elemente artistike në mbrëmje, këngë, projeksione të pjesëve të filmave më të mirë, apo edhe balet e humor. Këto grimca spektakli do ta bënin më të paraqitshme e më galante natën finale të TIFF, meqenëse fituesit e çmimeve qëllokërkan gjithnjë të sëmurë me grip, ose të përfshirë në projekte më të rëndësishme gjetiu.

Çfarë nuk duhej humbur

Për të mos bërë vetëm kritika, duhet thënë se në këtë edicion të TIFF arti ishte prezent me dimensionet e tij të plota. Nuk mund të mos përmendet prania e kryejuristit Thomas Logoreci, apo ajo e të ftuarit më special të këtij edicioni, Theo Angelopoulos-it. Kuptohet që ky i fundit është një emër tepër i madh në kinemanë botërore, por megjithatë jo më pak mund të mburremi me kineastin shqiptaroamerikan Thomas Logoreci. Shfaqja falas e “Muajve të Mjaltit” të Paskaljevic-it, e “Vështrimit të Uliksit” dhe “Peisazhit në Mjegull” të Angelopoulosit, e “Marisë Hirplotë” të Joshua Marston, e “Inglorious Basterds” të Tarantinos, apo filma të tjerë përshëndetës nuk duhej humbur përshembull. Po ashtu duhej parë ekspozeja e arkivit të filmit, ku një nga pjesët më interesante ishte shfaqja e “Betejës së Algjerit” të Pontecorvos gjigand. Nuk munguan filmat përshëndetës shqiptarë, si dhe homazhi ndaj Viktor Gjikës.

Por pjesa më interesante dhe e papërsëritshme për amatorët e kinemasë do të duhet të qe shfaqja e filmave konkurues. Mes tyre më ra në sy në sy “Shpirtrat e ftohtë” të Sophie Barthes, një histori në stilin e realizmit histerik që është bërë i famshëm në libra të Salman Rushdie, Thomas Pynchon apo Haruki Murakami. I bukur dhe gjithë ritëm, në një lloj stili të romantizmit vetëironizues (autokton shqiptar ky stil) erdhi dhe “Lindje – Perëndim – Lindje” i Gjergj Xhuvanit, film që mori dhe çmim në konkurim. “Akademia e Platonit” e Filippos Tsitsos ishte gjithashtu një film që nuk duhej humbur, një histori tipike e Ballkanit, me identitetet e gërshetuara etnike, e me kufijtë e mjegullt kulturorë. Craig Baldwin zgjedh të përfaqësohet me “Mock on Mu”, filmin e tij të çuditshëm për sa i përket realizimit dhe sarkastik për sa i përket përmbajtjes, një lloj tallje me kotësinë e zbrazëtinë shqetësuese të metropoleve hollywoodiane. Dhe patjetër që nuk duhej humbur “Gruaja pa piano” e Javier Rebollos, filmi më i çmuar që konkuroi në festival, kjo histori që merr fillim në rutinën e shtresës së mesme, kaq e uritur për aventurë, e gjithsesi kaq e dëshpëruar nga shtypja e monotonisë së kudogjendur e të plotfuqishme.

Do të kisha dashur të përfshija tek momentet që nuk duheshin humbur edhe filmat me metrazh të shkurtër, që siç shkruajta më parë, janë të rrallë për t’u gjetur e të bukur për t’u parë. Por orari i rezervuar për këta filma nuk qe i përshtatshëm për publikun, kështu që nuk munda t’i ndjek. Shpresa e fundit për mua është që t’i gjurmoj online regjizorët pjesëmarrës në konkurimin e filmave të shkurtër. Vetëm atëherë ndoshta do të mund të shkruaj diçka për ta, pasi TIFF, edhe pse lindi si një festival që do të servirte këtë genre kaq interesant, tashmë ka zgjedhur të përqendrohet tek “gjëra më serioze”...

3 Komente

Mua artikulli mu duk si i nje foshnjeje qe shpreh tekat e tij. Sme pelqeu veshja, orarin duhet ta kishin ndryshuar, filmat e shkurter jane me te mire, pse e ndryshuan festivalin, dua akullore me luleshtrydheeeeeeeeee...

genre = zhaner

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).