Teatri Absurd në "Zonë e lirë"

Teatri Absurd në "Zonë e lirë"

Arlinda Guma

Televizori ka mbetur në kanalin që transmeton emisionin: "Zonë e lirë". Gishtat e mi bëhen gati të shtypin telekomanden e të ndërojnë menjëherë stacion, por diçka më ndalon, gishtat për disa çaste mbeten pezull mbi të, derisa dorëzohen dhe e lënë diku telekomandën.

Personazhi i parë, i ftuar në emision, është një regjisor i Tearit Kombetar, i porsa-pushuar nga puna. Prezantuesi i emisionit, vetëm sa e përmend këtë fakt, thuajse shkarazi, ai nuk bën komente dhe nuk ndalet gjatë në detaje.

Regjisori ulet në karrige, buzëqesh, pi pak nga kokteili që i ofron bujarisht prezantuesi i emisionit, buzëqesh sërish, por nuk e mban gjatë buzëqeshjen, menjëherë bëhet i menduar dhe ul sytë mbi tavolinë. Ndërkohë që prezantuesi i emisionit vazhdon të prezantojë,

personazhin e dytë;

Ajo është këngëtare. Vjen me një ecje triumfuese. Thuajse e zhveshur. Një veshje nga ato skeniket, disi e papërshtatshme për emisonin në fjalë dhe mbi të gjitha, për karriget tepër sportive, mbi të cilat i duhet një farë kohe të rehatohet. E kote të përmend këtu që ajo i ka dhënë një rëndësi të madhe look- ut; flokëve dhe grimit. E tradhëton peneli disi i rënduar, oriental, mbi kapakët e syve, por asgjë për t’u habitur, tek e fundit elementi oriental, është bërë si i shtëpisë këto kohëra, trendy i rradhës në muziken ( të themi, të lehtë ) shqiptare.

Ajo më në fund rehatohet në karrige e buzëqeshur, ndërsa prezantuesi i emisionit i ofron edhe asaj një kokteil, ndërkohë që vazhdon të prezantojë,

personazhin e tretë;

Ai është një personazh i çuditshëm, një njeri i cili pretendon se arrin të parashikojë motin. Edhe ai i papunë. Edhe ai rehatohet mbi karrige dhe rrëmben kokteilin e tij, ndërkohë që vjen,

personazhi i katërt;

Një tjetër këngëtare. Edhe ajo ka veshur një fustan mbrëmjeje, natyrisht, me një dekolte të guximshme. E si mund të mungonte ky element kaq i rëndësishëm në karrierën e një këngëtareje ? Kohët e fundit duket se këngëtaret shqiptarë dinë më mirë të këndojnë me to, se sa me zë. Ulet pranë regjisorit, ky i fundit e përshëndet me buzëqeshjen e tij, "flash", që për dreq nuk i qëndron gjatë mbi fytyrë.

Ja ku vjen,

personazhi i katërt;

Një tip i palestruar, - “i cili vjen të promovojë video-klipin e tij” – thotë prezantuesi me një shprehje skeptike në fytyrë.

I palestruari ulet në karrige lehtësisht dhe menjëherë pas tij mbrrijnë edhe,

personazhet e fundit;

Ata janë disa këngëtarë të rinj, shqiptarë, nja dy, të ardhur nga jashtë Shqipërisë sa për garniturë. Edhe ata rehatohen mbi karrige… dhe, ja ku e kam të plotë skenën me të gjithë personazhet.

Fillon të flasë njeriu që parashikon motin, madje dhe më gjerë se kaq, meqë së fundmi në vendin tonë kanë filluar të bien shpesh tërmetet, ai ka menduar t’i shtojë edhe ato në curriculumin e tij. - E pse jo ? – duket sikur thonë pafajshëm sytë e tij, të gjelbërt.

Prezantuesi i emisionit e pyet "parashikuesin e motit dhe më gjerë" rreth metodikes së parashikimeve. Ai kruan zërin dhe fillon të japë ngadalë disa shpjegime me nuanca akademike, të cilat i bëjnë kontrast me dritën naïve që ka nderur në sy. Pak më tej thekson se është duke kërkuar një punë. Prezantuesi e pyet se çfar pune është në gjendje të bëj, ndërsa ai i përgjigjet: - Çfarëdolloj pune ! Këtu, nuancat akademike i rrëzohen përtokë të gjitha.

Qëndron i ulur pranë këngëtares gjysëm të zhveshur, hedh ndonjëherë, ( gati pafajshëm ) sytë mbi kurrizin e saj, pastaj rrëkllen gotën e kokteilit.

Tani prezantuesi i drejtohet pikërisht këngëtares. Ajo fillon të flasë rreth klipit të saj, të ri, të porsa-dalë në treg, por ka një peng të vogël; disa kanale muzikore nuk kanë pranuar ta shfaqin, pasi e kanë quajtur tepër "hot". Prezantuesi e pyet këngëtaren për partnerin e saj, në klip dhe ajo i shpjegon se e ka njohur atë vetëm ditën e xhirimit të klipit, sqaron gjithashtu që, atë, së bashku me sendet e tjera, ia ka sjellë trupa prej 100 vetësh e ngarkuar për të xhiruar klipin. Unë ngre supet, nuk arrij të kuptoj ç’duhen 100 vetë për të xhiruar një videoklip për një këngë të llojit : unë të desha/ ti më ike... por le të vazhdojmë më tej…

- Është një klip erotik, - shpjegon këngëtarja ndërsa fillojnë të shfaqen disa sekuenca nga klipi, të cilat nuk duken aspak erotike, me përjashtim të faktit që këngëtarja është me bikini. Po ndoshta asaj i duhet një fjalor për të përkufizuar qartë këtë fjalë. A do e ketë vallë trupa ( prej 100 vetësh ) një të tillë ? Sigurisht që ajo duhet të ketë qenë një trupë që kujdesej për gjithçka, me përjashtim të këngës vetë. Sikur dhe asaj t’i kushtohej po aq vëmendje sa fustaneve dhe trukut…

Pamjet përfundojnë së shfaquri dhe këngëtarja pyet regjisorin e papunë: - Si t’u duk ? Regjisori ndalet një hop dhe thotë: - Fustani ishte shumë i bukur !!!!

Këtu ndërhyn sërish prezantuesi i cili e pyet ngacmueshëm këngëtaren për partnerin e saj në klip. Ajo vazhdon të këmbëngulë ( jo pa keqardhje ) që e ka takuar vetëm atë ditë. Dhe duket se ka të drejtë për këtë. Në klip dallohet mjaft qartë që trupa (prej 100 vetësh) e ka sjellë “sendin-djalë” së bashku me të gjitha sendet e tjera, vetëm për atë ditë, pasi lëvizjet e tyre kanë një lloj ngërçi, ngërçi tipik i dy të panjohurve në situata të sikletshme. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse të gjithë video-klipet shqiptare mbarojnë në fund me dy protagonistët që afrojnë kokat pranë njëri –tjetrit, por asnjëherë nuk realizojnë një puthje. E kane ende tabu këtë gjë këngëtaret tona, nuk u vjen për mbarë sponsorëve të klipeve apo ky ngërç është rrjedhojë e faktit që trupa i prezanton protagonistët e klipit vetëm ditën e xhirimit ?

Ndërkohë "parashkuesi i motit dhe më gjerë" është skuqur i gjithi. Duket se kokteili e ka turbulluar keqaz. Prezantuesi i emisionit e pikas menjëherë këtë detaj dhe këmbëngul djallëzisht që atij t’i mbushet edhe një gotë tjetër.

Kalojmë më tej. Tani flet këngëtarja tjetër, ajo e ulur përkrah regjisorit, të papunë. Këngëtarja ka një emër të huaj, me siguri, emër arti. Praktikë trendy, e njohur dhe e ndjekur nga këngëtaret me emra të pabukur.

Pasi nuk pushon së falenderuari të gjithë kabientin ministror i cili e ka lejuar të xhirojë në tunelin e Kalimashit, ajo vazhdon rrëfimin e saj në këtë mënyrë:

- Rryma ime, - i drejtohet ajo, autoritare dhe shpërfillëse, njërit prej këngetarëve të tjerë pranë saj, - është e ndryshme "na" rryma jote. ( ajo nuk thote "nga" ), videoklipi im, - vazhdon ajo, - është një "mini-filëm",( ajo nuk thotë "film")… etj, etj. Nëse këngëtares së parë i duhej një fjalor, së dytës i mungon leximi i klases së tretë.

Tani situata ka dalë fare jashtë kontrollit. Parashkuesit të motit i ka rënë telefoni, ai haron që është në një emision televiziv dhe fillon të flasë me zë të lartë, ndërkohë që kamera fokuson këngëtaren, ndërsa shkruan mesazhe. Duket si reklama e ndonjë kompanie telefonike.

Regjisori i papunë vazhdon të buzëqeshë lehtë, kamera e fokuson herë pas here fytyrën e tij, ndërsa ul sytë si të jetë duke thënë me vete : - ç’dua unë këtu !

I ka ardhur rradha tipit të palestruar. Prezantuesi e pyet rreth tematikës së klipit, ndërsa tipi i palestruar fillon të flasë. Nuk arrin të sqarojë gjë. Regjisori i papunë ndërhyn në çast dhe përpiqet t’ia rregullojë, konturojë e zbukurojë, paksa rrëfimin.

Ndërkohë parashikuesi i motit dhe tërmeteve, i bërë xurxull, ngrihet rrufeshëm nga karrigia dhe puth në faqe këngëtaren me emër trendy.

Të qeshura, duartrokitje dhe gotat e kokteilit që zbrazen me të shpejtë…

A është ky emision një mënyrë bukowski-ane e servirjes së realitetit ? Të gjithë e njohim Charles Bukowski-n, mjeshtrin e madh të letrave, shkrimtarin më të keqkuptuar nga lexuesit shqiptarë, shumica e tyre mjaftohen me gjuhën e ashpër të tij, për të nxjerrë përfundime të padrejta, pikërisht për faktin se nuk arrijnë të shkojnë më tej, tek ajo mënyrë lakuriqe e përcjelljes së realitetit, tek ajo mënyrë gërvishtëse, e cila përveçse ka nën mbështjellje shumë dhimbje dhe dëshpërim prej pamundësisë për ta ndryshuar, ka gjithashtu edhe një qëllim fisnik dhe emancipues; ta bëj lexuesin të reagojë e të mbajë një qëndrim. Sepse i tillë është misioni i letërsisë.

Po media ?

Thua të ketë qëllime të tilla, kaq të lartësuara, edhe prezantuesi i emisionit; "Zonë e lirë" ? Apo qëllimet e tij vërtiten vetëm rreth narcizmit, skupit, suksesit apo dëshirës së uritur për famë ?

Ndërsa unë, shikuesja aksidentale e këtij emisioni, ngre me vete pyetje të tilla, përpara syve vazhdojnë të më dalin gotat e koktejlit që i mbushen e mbushen pamëshirshëm, "njeriut të motit".

***

Emisioni mbaron. Janë ulur perdet e një teatri absurd, pjesë e të cilit jemi të gjithë. Ngrihen nga karrigia; parashikuesi i motit, i kënaqur që ka puthur në faqe këngëtaren, i kënaqur, më shumë se për ofertën e punës, ngrihet kengëtarja e mini – filmit, tipi i palestruar, këngëtarja e trupës prej 100 vëtësh, ngrihet dhe regjisori i papunë, të cilit, trupa prej 100 vetësh, ndoshta do t’i hynte në punë më shumë se këngëtares...

( shkruar nga një shikuese aksidentale )

3 Komente

Te pelqeka regjisori i papune ndersa buzeqesh duke ulur syte. Kaq kuptova une.

 shikuesja askidentale me duket qe qenka fokusuar vetem ne 2 pjese per te cilat nuk di cte them sepse cirku i radhes ehste i njejte gjithmone ne zone e lire (mendimi ime me sa e kam pare), pervec te qenit ne te njejtin standart me te gjitha emisionet qe jane gjithandej ne televisionet shqiptare, njesoj si fevziu qe fton te njejtet tipa gjithnje(lubonja ekspert per gjithshka ... top of his list) apo topchannel Balla(gazetare te cfaredo gazete qe shkruan)

me pas nga ta kapje kengetaren profesioniste shqiptare (nga gjoksi jo e jo, mgjse u betua qe nuk e ka me silikon) ... mgjse kam idene qe po ia ndrove pjeset perberese ne nje foto (koken a cdo pjese te trupit) me te clijetes, mqs dhe ia bene kete sugjerim, jane prape njesoj. dhe e kam te qarte qe ka shume te tilla eligible for SWAPS. and they look all the same to me.

dhe ne fakt nje cike me gjere, gjithe shqiptaret ne shqiperi me duken njesoj. dhe njeresit jane JACK of ALL TRADES AND MASTERS OF NONE, se sapo e degjova prape nga shqipot kete shprehje.

puna ehste qe mgjse kishte 100+ ndihmesa kengetarja per te realizuar klipin nuk dinte asnje te shkruante nje titull tamam ne anglisht HIPNOTIZE, nejse s e z pasqyrime te shtremberuara te njera tjetres jane  ... se sa per prononcimin e anglishtes ne kenge e kishte native .... smiley

thashtheme speciale ne kete emision (tipi thashethemexhi ishte profesionist) per nje thashethemexhi tjeter profesionist (fevziu?!). eh jane te pakundershtueshem dhe kane fakte sa te shumta aq edhe te pabesueshme smiley

 

lamen (mqs shkruan ngondonjehere gjera qe te bejne te mendohesh) nuk e kuptoj pse e shoh dendur aty.

ne nje emision ku tallen me talljen kolektive qe i behet shqiptareve, por mbi te gjitha, me vehten e tyre se kane kohe qe jane futur ne rethin vicioz te talljes. e cfare te bejne pastaj kur nuk e marin nje here seriozisht kete tallje?

tallet drejtuesi me ata qe fton dhe anasjelltas, po nuk pyesin veten nje here cfare sistem vlerash duan te kene?publicitet nepermjet canit ... upupupu.duhet ti kesh ca vidha mangut te meresh me kete gje pa forme.

sa per regjisorin e pushuar nga puna ... eh kam idene qe ai ehste bere i shtepise aty dhe ate cdua une ketu nuk ka pse thote. do ti keshilloja ndonje gje me interesante per te terhequr vemendjen publike.

tamam me duket sikur aty vijne te njejtet personazhe gjithmone(literally and virtually...), po cfare ti besh kur nuk ke miell me krundet qe kane ngelur do e besh gjithmone buken te cilet shqiptaret e hane pa problem fare ketu e gati 2 dekada.

radhe te forta se po vjen dhe dimri.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).