Të qenët palë

Të qenët palë

Andi Kananaj 

Një nga vetitë më evidente në Shqipërinë e pas ‘90-s është tendenca e një shumice të intelektualëve për t‘u shpallur në fillim si françeskanë të së djathtës, e më pas si me magji të paanë. Ky adresim i botës së mendimit nuk mund të ishte pa pasoja dhe në iniciativat e mëpasshme të të gjithë shoqërisë tonë dhe asaj që ne do besonim se donim me të vërtetë.

Alkimia e pazakontë e kohës ka sjellë një peizazh të deformuar në drejtime aspak historike dhe logjike dhe në politikën e terrenit. Socialistët janë vendosur në anën e së djathtës; të vendosur për të privatizuar çdo të mirë publike dhe për ta lënë pronën e shtetit në kujdesin ekskluziv të privatit. Në asnjë rast nuk ka rezistencë të partive të majta për politikat liberale të Berishës, por më së shumti kritika për mungesë eficence. Demokratët në ndryshim nuk duket fare se kanë çehren e konservatorit, por duken haptas që janë në rolin e të papërgjegjshmit gjithmonë të egërsuar, duke luajtur disa herë jashtë fushës së tyre duke i marrë tokën e certifikuar Kikajve për ta bërë pronë publike (konflikti i kohëve të fundit në qendër të Tiranës).

Lehtësia e padurueshme me të cilën partitë fitojnë çdo herë terrenin politik që duan në kërkim të publicitetit të kollajtë, nuk ndesh thuajse kurrë në rezistencën e njerëzve të letrave.

Tendenca për t‘u shmangur me elegancë e intelektualëve nga të gjitha betejat e "nxehta" nuk ka ndikuar vetëm te tentativa për të ndërtuar bashkëveprimin social, por dhe drejtpërdrejt te parametrat mbi të cilat mbështetet demokracia. Sulmet pa siklet të politikanëve ndaj çdo instrumenti të sistemit, siç janë media dhe gjyqësori, nuk kanë gjetur veç pak pengesë nga sinqeriteti intelektual.

Tolerohet rrahja e një gazetari si të ishte veprim normal. Opinioni publik kërkon të dijë shkakun pa mundur të vlerësojë pasojën; dhe nëse nuk e gjen fantazon mbi prishje pazaresh. Kryeministri, pasi ndërton rrugë patriotike vendos për kufijtë duke mos lajmëruar askënd, si të ishte zot mesjetar territoresh. Pushteti i zë vendin shtetit dhe të gjithë entuziazmohen. Duket haptas se askush nuk beson tek institucionet që do të krijonin klimë për të zhdukur diferencat abisale të pasurisë me varfërinë. E vështirë që qytetari pa poste të shohë sot e kësaj dite si opsione ende të arritshme shtetin e të drejtës apo të drejtat e liritë e njeriut.
Në një situatë të tillë, pse njerëzit e mendimit nuk janë palë me një ide?

Ndikimi i politikës në këtë sens është jo vetëm ekonomik, por edhe psikologjik. Opinionisti (shpesh pa lidhje organike me intelektualin) shqiptar i fillimit të viteve ‘90, mbarti në mënyrë të dyfishtë peshën e kompleksit ndaj politikave të majta. Përveç ndikimit antikomunist që ndikonte realisht në psikën e tyre, llogaritë personale dilnin më mirë djathtas.

Një intelektual, në vitet e para të demokracisë, nuk kishte mundësi të zgjidhte kahe politikash. Ishte e pamundur të kërkoje në ato vite deliri teknikën që do të përmirësonte jetën e gjithkujt. Profesorët e matematikës dështuan para gjeneralit dhe qëndruan të heshtur para çdo gjeometrie piramidale. Pa dyshimin më të vogël, në atë kohë çdo njeri besonte djathtas (dhe komunistët); e që në mënyrë jo tejet të informuar për sistemin kapitalist dhe logjikat e reja luftonin pasurimin e supozuar të familjes Hoxha. Rreziku i krijimit të mendimit "uniform" mbi kapitalizmin, kaq të përhapur në ditët e sotme, nuk erdhi i ndërtuar mbi baza empirike, por u krijua nga emocionet e forta si pasojë e zbulimit të botës së re. Koha për t‘i zëvendësuar librat ishte e shkurtër; aq e shkurtër sa librat e Marksit u bënë vend librave të Bushit plak dhe Monika Levinskit; jo pikërisht autorëve më të mirë për të kuptuar sistemin e ri.

Kompleksi i krijuar ndaj të majtës ka ndikuar dhe Partinë Socialiste, e cila imagjinon (meqë është në opozitë) reforma të djathta për të larë duart me të kaluarën. Kaq e vërtetë është kjo sa dhe fushatën elektorale Partia Socialiste e nisi duke rrëzuar dhe një herë bustin e Enver Hoxhës te Qyteti i varfër Studenti.
Peng i pasivitetit të tij, intelektuali nuk e gjen më forcën tek argumenti, por jashtë tij; te teknikat e servilizimit. Qëndrimi në mes, e bën intelektualin të jetë njeriu i duhur në kohën e duhur për sa u përket marrëveshjeve mes politikanëve. Sekseri që bën më estetik pazarin.

Nëse jo, çfarë kuptimi ka kërkesa e përsëritur për konsensus pa kushte. Sa herë ka konflikt mes partive, intelektualët në emër të ndërkombëtarëve kërkojnë paqe; le të jetë dhe fiktive. Çfarë sensi duhet të ketë që grupe të kundërta interesi të bien dakord, pa zgjidhur problemet e tyre shpesh dhe ekzistenciale? Si mund të jenë të afërta pikat e kërkesës midis një biznesmeni që do të ndërtojë klinikë private dhe një pensionisti që mezi shtyn ditët, ndërkohë që i duhen dhe medikamente? Si mund të ketë marrëveshje mes një partie të majtë dhe një partie të djathtë kur bëhet fjalë për reformat? Si mund të bien dakord për reformat në arsim; a mund të jetë logjike që PD dhe PS të kenë të njëjtën linjë për shëndetësinë?

Pikë-ndalimi më i favorshëm, ai pa anë i intelektualit, e bën atë një mercenar; me vlera profesionale kur bëhet fjalë për respektim afatesh, oraresh, darkash plot humor. Qëndresa pa anë e bën amorf të mysët, por të përdorshëm ashtu si rrota që ishte shpikja më e madhe e 5000 vjetëve të fundit; dhe intelektuali i tranzicionit është i pandalshëm në këtë sens. Duke vepruar në këtë mënyrë, intelektualët janë fajtorët që kanë gjetur dhe mjetet për t‘u justifikuar pafundësisht.

Kjo klimë bashkëfajësie e ndikuar dhe nga mundësia shumë e madhe për përfitime personale, bën që intelektualët të jenë në një mendje. Sa e vështirë është që të ndikosh te njerëzit nëse politika dhe mendimi intelektual janë me një linjë. Sa vështirësi duhet të shpjegosh që pushtimi turk ka qenë shumë vite më parë, se komunizmi në formën e tij diktatoriale nuk është fajtori që sot plasi "Gërdeci". Se kriza e djeshme për vezë dhe sallam nuk duhet të shtojë frikën për të kërkuar të drejta sot. Se njerëzit që dje studiuan me lekët tuaja sot po ju shesin me gjysmë çmimi, se ndoshta aq vleni vërtet...

1 Komente

Nje personazh i nje drame te F.Kumbaros (realizuar nga Harvard U)

Vah Lumi: Qeveria s'eshte e imja

Vajza: E kujt eshte?

Vah Lumi: E atyre qe e kane.

(Vah Lumi, i pastrehe qe jeton ne breg te lumit dhe 'peshkon' kufoma te mbytyrish)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).