Të keqen e Fazlliçit, po vijnë berluskonianët

Para disa ditësh kryeministri Berisha inauguroi me pompë fillimin e punimeve në Lezhë të ndërtimit të një fabrike çimentoje (investim italianësh), që, sipas lajmit, do të prodhojë 3000 ton çimento në ditë dhe do të krijojë dyqind vende pune. Janë gjashtë fabrika të tilla të planifikuara që do të prodhojnë çimento gjashtë herë më shumë sesa nevojat e vendit, kryesisht për jashtë. Menjëherë të vjen të ngresh pyetjen: si ka mundësi që për 200 vende pune (nëse janë kaq sepse dyshoj shumë për këtë) do të shkatërrohet për 200 vjet natyra përreth vendeve ku do të ngrihen këto fabrika pa llogaritur gjirin e Shëngjinit që do të kthehet në një depo çimentoje dhe pa llogaritur sasirat e ndotjes që do të prodhojë në gjithë qiellin e bregdetit shqiptar kjo industri e paparë për nga dëmi ekologjik? Si ka mundësi që për 200 vende pune pylli i Krastës, që deri dje ishte i mbrojtur si pyll, të kthehet me dekret qeveritar në mal të thjeshtë shkëmbor që mund të grryhet për tu kthyer në pluhur çimentoje?
Përfytyroni 1200 gjynahqarë që punojnë për 150 - 200 euro në muaj për të helmuar ambjentin rrotull shtëpive të tyre. Si ka mundësi që në vend se të ndërtojmë politika që shqiptarët të punojnë tokën e tyre e tu lenë fëmijve të tyre një Shqipëri të gjelbër e të lulëzuar i çojmë ata të punojnë për t’u lenë fëmijëve të tyre gërmadhe si ajo e Metalurgjikut e Superfosfatit, e Aztikut, e Sodës kaustike e me rradhë? Nëse është fjala për të punësuar shqiptarë të papunë dhe për të kthyer shqiptarët nga emigracion a nuk është më mirë që këta të qëndrojnë në emigracion sesa të vijnë të punojnë për 150 euro për të prishur shtëpinë e tyre të madhe, Shqipërinë e të ardhmen e fëmijëve të tyre? Fabrikat e çiomentos vetëm se do t’i bëjnë ata dhe mijët e tyre të ikin edhe më shumë. Qoftë edhe sepse do të sëmuren edhe më shumë nga pluhuri i çimentos dhe do të kenë nevojë edhe më shumë për spitalet e huaja.
Si ka mundësi që këto gjëra kaq të thjeshta nuk mendohen? Si ka mundësi?... kjo pyetje retorike e ka tashmë përgjigjen e vet. Është e kotë ta zgjasim. Kush e do mund ta gjejë në fjalimet e Berishës kur ishte në opozitë dhe denonconte Nanon e të tijtë për Petroliferën e me rradhë.
“Si ka mundësi”- të që mund të shtojmë me trishtim në krahasim me tre vjet më parë janë dy të tjera sipas meje.
E para: si ka mundësi si që opozita është kaq inekzistente në denoncimin e projekteve të tilla ndërkohë që shpenzon energji pa fund për të hulumtuar raportin e një personi si Damir Fazlliçi me kryeministrin? Si ka mundësi që nuk shpenzohet thuajse asnjë fije energji mediatike opozitare për të hulumtuar e denoncuar korrupsionin apo pazaret politike që qëndrojnë prapa këtyre projekteve? Si ka mundësi që nuk u kuptoka se dëmi i Fazlliçit në krahasim me dëmin që mund të sjellë realizimi i këtyre projekteve është si dëmi që i bën çpimi me një gjilpërë trupit në krahasim me dëmin që shkakton një kancer në mushkëri? Sigurisht kjo që po ndodh nuk do të mund të ndodhte sikur banorët e Lezhës të kishin kulturë tjetër e të mos ndërtonin ato pallatet e tmerrshme të shëmtuar në breg të detit të tyre. Sigurisht projekti për të ngritur një TEC me qymyr në Durrës (gjithmonë nga e për italianët) nuk do të mund të ndodhte sikur durrsakët të kishin tjetër vlerësim për qytetin e tyre dhe për plazhin e natyrën përreth tyre. Në këtë kuptim këta politikanë nuk janë tjetër veçse pasqyra e popullit që qeverisin. Por kjo nuk çështë plotësisht e vërtetë. Para disa javësh mora pjesë në një debat në emisionin Opinion të Fevziut pikërisht lidhur me këtë temë. Gjatë emisionit iu kërkua spektatorëve të votonin me sms nëse ishin dakort apo jo për ndërtimin e këtyre ekomonstrave të cilëve u kanë venë një emër të njohur të ekonomisë socialiste: “parqe industriale”. Shumica e votuesve, mbi 60%, rezultoi se ishin kundër. Pra këtu s’kemi të bëjmë as me një popullatë të mbetur në terrin e kulturës së kultit të hekurit e çimentos si simbole të zhvillimit e modernitetit. Megjithatë opozita e Edi Ramës dhe Ilir Metës nuk u pa ta zinte meraku edhe pas atij votimi. Si ka mundësi? Me siguri ndonjë fabrikë çimentoje do të punojë edhe për ta.
“Si ka mundësi” – ja e dytë lidhet me italianët. Në katrahurën shqiptare të postkomunizmit Perëndimi ka qenë një shpresë e madhe ndihme dhe emancipimi. Shqiptarët i janë lutur Perëndimit të ndërhynte deri edhe me ushtri për t’i shpëtuar nga politikanët e vet. Përpara një klase politike jo vetëm të papërgjegjëshme, por edhe të babëzitur, por edhe injorante e pa aftësi për të dëgjuar zërat kritikë brenda vendit, perëndimorët kanë qenë shpresa së do të ndikonin për të na treguar rrugën e mirë. Kjo edhe përsa i përket masakrave ekologjike që kjo klasë politike po i shkakton vendit. Por kur sheh se edhe perëndimorët, në bashkëpunim me këtë klasë politike, vijnë e na e përdorin vendin si koshin plehërave të tyre apo për të bërë atë që nuk e bëjnë në shtëpinë e tyre atëhere ku mbetet shpresa?
Nëse shtron pyetjen se pse këta italianët nuk i ndërtojnë këto fabrika çimentoje në vendin e tyre po shpenzojnë kaq shumë për transportin nëpër Adriatik e më the të thashë përgjigja që të thonë është se ata vetëm për këtë punë mund të vijnë këtu sepse është e lirë krahu i punës. Përse tjetër do të vinin në këtë plehër vend? – të duket sikur duan të thonë me përçmim për vendin e tyre vetë politikanët tanë. Sepse ata, me formimin estetik të peisazheve industriale të socrealizmit që kanë, nuk janë në gjendje ta shohin se Shqipëria është e bukur, shumë e bukur; fatkeqësish vetëm atje ku nuk kanë vënë dorë e këmbë shqiptarët si ata.
Por le të kthehemi tek italianët. Së pari duhet sqaruar se ata nuk vijnë të ngrenë këtu fabrika çimentoje dhe TECe me qymyr për krahun e lirë të punës, por sepse atje, në vendin e tyre, nuk i lejon popullata lokale të bëjnë ekomonstra të tilla. Por edhe sepse janë të detyruar të paguajnë gjoba të mëdha pasi nivelin e CO2 e të ndotjes në përgjithësi e kanë më të lartë sesa normat e lejuar evropiane. Ja pse vijnë këtu. Ngase shohin se ne nuk kemi pikë respekti për veten.
Por edhe më e shëmtuar bëhet kjo histori kur këto projekte monstrash ekologjikë shoqërohen me premtime si ato të ministrit të jashtëm Fratini për viza e për qarkullim të lirë e me deklarata përshëndetëse për punët e mira të qeverisë. Të keqen e Fazlliçit i thonë kësaj, po vijnë shokët e Berluskonit. (Korrieri, 30 tetor 2008)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).