Të hapen kutitë

Të hapen kutitë

Kan-Zai-Kol (tashmë të konfirmuar si treshe e suksesshme në sulmin e Brazilit të viteve '60)

Romeo nga Lushnja, një shoku i përbashkët i Andi Kananajt dhe i Slavoj Zhizhek, i dërgoi një pako dhuratë, të paketuar bukur me zemra të kuqe të vogla të dashurës së tij bukuroshe nga Fier-Shegani. Por i hutuar siç ishte nga dashuria dhe nga fushata elektorale, ngatërroi adresën që kishte shkruar sipër pakos me aq kaligrafi të kujdesshme e me aq dashuri. Posta shqiptare, si i vetmi institucion që s’e privatizon njeri, u tregua korrekte dhe e ktheu pakon te Romeo nga Lushnja. E dashura e tij jo vetëm që u zhgënjye nga që s’i mbërriti dhurata, por kur e gjeti pakon te sirtari i komodinës tek koka e krevatit tek të Romeos, poshtë manjetofonit sherebel të vitit '87, i blerë në '93 me dhrahmitë e kursyera gjatë fundjavës në sheshin Omonia, ku në atë kohë punonte dhe konsulli që sot garanton shitjen e kufirit, tamam në momentin kur poshtë pallatit po kalonte tropojani Ali me levë në dorë për të rrahur Edi Ramën, që nga ana e vet po në atë ditë po meditonte për prerjen ose jo të thonjve, bash në momentin kur Nano shijonte lirinë në ato dy metra hapësirë ajrimi të sheshit të burgut në Bence, pra tamam në atë kohë Ylli Rakipi po organizonte drekën e presidentit Berisha, te restorant Lozana, me karkaleca se aragostat nuk ishin shpikur akoma. Kjo ishte ende koha kur Mero ishte numri dy në PD, jo numri një, sepse njëshi ishte vetë Rakipi. Ky manjetofon ishte blerë fiks pesë vjet më parë se të përmbysej pushteti demokratik nga klikat komuniste, të kuqtë që shkaktuan vrasjen e mijëra e mijëra shpirtrave të shqiptarëve të pafajshëm, që nuk patën fatin ta njihnin zonjushën Gjelbra, e cila, atë ditë të '93-shit nuk e kishte zbuluar ende organin e vet seksual, të cilin sot e quan Princ i Kaltër. Në kohën e manjetofonit sherebel Beqiri ende nuk e dinte që do të vinte dita e tij për t’ia bërë fora me një tender publik. Por historinë e kishte gati, deri në vitin 2050. Për vetë Beqirin dëshmitari okular, lustraxhiu i përhershëm përpara selisë blu, thotë se në atë kohë nuk e qasnin as te Partizani i Panjohur, jo më tek zyra e Saliut, po më pas kohët ndryshuan. Nga ajo zyrë doli me vrap Sotir maratonomaku, që pasi e nxorën me shkelma, nuk ndaloi më kurrë. Sot thuhet se është ende duke vrapuar, diku në Sri Lanka.

Nejse, e dashura e Romeos nga Lushnja, nuk po ia ndante sytë kutisë që siç sqaruam në fillim ishte te komodina prej druri arre, në kokë të krevatit tek të Romeos, pranë një manjetofoni të zi sherebel, pak të përdorur, me dy kaseta, dhe me tre gjatësi vale radio, manjetofon që ka qenë në modë deri në 1997, kur lindi Top Albania Radio, kjo ndërmarrje e suksesshme që arriti të vilte edhe kontributin e Andi Kananajt për më pak se një muaj. Në vitin 1997 vajza nuk e dinte që Romeo nga Lushnja do të takonte Gramozin. As Gramozi nuk e dinte që do të takonte Romeon. Këta të dy i prezantoi Fevziu, që edhe pse sot vishet me rroba bojëqielli, në atë kohë sapo kishte bërë dushin e parë të ngrohtë në jetën e vet, dhe kishte zbuluar ujin e vakët dhe masturbimin, dy shpikje që dëshironte t’i regjistronte si trademark. Ujin e vakët e zbuloi duke pritur kasetat që do t’i sillte nga Italia Kujtim Çashku, që në atë kohë përpiqej të bënte filmin e dhjetë ku tregonte se sa i keq ishte Enveri, gjë që e bënte vetëm e vetëm pse Enveri kishte vdekur, jo se kishte ndonjë inat specifik. Në këtë moment preçiz Nikollë Lesi përgjonte Nanon që fliste me Abdiun për transportin e armëve, kasetë që doli më vonë në shesh vetëm ngaqë Nano deshi të dilte si garip para Xhoanës. Pikërisht atëherë Fidel Ylli (që s’ka asnjë lidhje me Ylli Rakipin) bodyguard i Aleksandër Meksit, sot bodyguard i Ramës pështyu në tokë si kafshë dhe hodhi sytë për herë të parë tek një vend bosh pranë partizanit të panjohur, fiks 70 metra larg xhamisë, dhe tha: "e pashë vetë i pari, është vendi im, do bëj një pallat 25 katësh, me lekë të marra borxh nga Dulaku" (që sot rrezikon falimentimin se Frangaj nuk e lejon që të bëjë biznes me Berishën, duke e shtyrë në krahët e Ramës, që në 97 ia kishte mbathur për në rrethinat e Parisit).

Sigurisht që e dashura e Romeos, duke qenë se ia kishte ngulur sytë kutisë me zemra e trëndafilka të vogla të kuqe nuk e pa prasin që ndodhej pranë abazhurit, që ndodhej majtas manjetofonit sherebel sipër komedinës prej dru arre ku deri para pak kohësh linte protëzën gjyshja e Romeos, që dikur fliste me superlativa për një mësues simpatik të fizikës në fshatrat e Lushnjes, një Ylli, Ylli, djalë i gjatë, sykaltër, i interesuar shumë për turizmin, kulturën, rininë dhe sportet. Gjyshja e Romeos nuk linte rast pa e përmendur se sa i ngjante Romeo Yllit, që dikur i kish dhenë mësim në gjimnaz edhe të jëmës së Romeos. Gjyshja ishte ajo që sillte prasin në shtëpinë e Romeos, dhe kjo perime nuk mungonte kurrë në tryezat e socialistëve lushnjarë, adhurues të filozofisë ekonomike të gjeneral Rrapush Xhaferrit, këtij antiglobalisti të parakohshëm, që vetëm sot po kuptohet nga politika shqiptare, dhe po përqafohet gjithnjë e më tepër, deri dhe nga Banka Botërore. Prasi i asaj dite nuk ishte tamam ai, por ishte vëllai i atij prasi krenar, që hyri në analet e historisë shqiptare si mjet negociatash midis të deleguarit të PD-së, Tritan Shehut, dhe popullit simpatik të Lushnjës. Romeo i lau duart si Ponc Pilati me këtë situatë, duke thënë se “unë atë pras nuk e fus më në gojë”. Zëra thonë që Romeo u zu përgjithnjë me mikun e tij që e keqpërdori perimen në fjalë ndaj një personi aspak vegjetarian, si zoti Shehu. Por Romeo harroi që shoku i tij ishte po ai që dikur i kishte mundësuar emigrimin në Greqi, ku punoi si kafshë në sheshin Omonia si skllav part time i konsullit grek që sot po siguron marrëveshjen shqipëri greqi për dhurimin e pakthyeshëm të detit me gjithë çka në të. Aty siguroi dhe ato dhrahmitë që i mjaftuan për të blerë mobiljen më krenare të shtëpisë së tij të thjeshtë, manjetofonin Sherebel. Një dritë shprese në jetën e Romeos erdhi kur Likja nga Skrapari i ofroi të futej në FRESSH si koordinator i shtëpisë së vet. Likja në atë kohë ishte një peshëngritës ambicioz, që ëndërronte të bëhej një ditë kryetar i FRESSH-it dhe ta mbyllte aty politikën, për t’u zhvendosur në Tibet, e meqë është i aftë në marrëveshje tokash, t’ia shiste Tibetin skuadrës italiane të Kievos, ku sot luan Bogdani, që në atë kohë kishte dashnore Sonilën. E kemi llafin për Bogdanin futbollist, jo për Pjetër Bogdanin, as për pastashutin e PD-së që sot është bërë deputet për të balancuar budallallikun naiv të Tahir Baçovës, zëdhënësit të arushës Mira, që ishte basketbolliste të cirku. Arushës Mira në atë kohë nuk ia priste mendja që ndërkohë që vajza nga Lushnja shikonte zemërthyer kutinë e dekoruar me zemra të vogla të kuqe e të lezetshme, që e kishte kthyer mbrapsh posta, që Nano, në vend që t’i jepte një prefse thonjsh, do ta emëronte si Ministër Kulture dhe më pas Kryetare Bashkie në Tiranë. Si përfundim vajza nga Fier-Shegani nuk pranoi absolutisht të hapej kutia rozë me topa të kuq, me dy tresha sipër, ajo ulëriti si e marrë, i tha Romeos: "ti më ke tradhtuar, të qofshin haram ndjenjat e mia, se larg dashnisë ty t’lindi n’zemër pabesia. Ke me u pendue, por at’her ka me qen’von. E tuj lotue, do t’bij ndërmend dashnia jon".

Romeo e gëlltiti ndarjen relativisht rëndë, të nesërmen u zgjua i djersitur, dhe i sikletosur, ndërkohë që shihte nga kutia. Kutia rrinte e palëvizshme përballë Romeos. Kjo situatë vazhdoi për re muaj rresht, duke lënë të kuptohet që bojkoti i vajzës nga Fier-Shegani ishte radikal, fondamentalist, esencial dhe i pakthyeshëm. Gjendja dramatike mes Romeos dhe kutisë vazhdoi deri sa në derë u shfaq Çiljeta, që pa fjalë mori kutinë dhe e dogji nën tingujt e këngës “Shqipëria po ndryshon”, duke u bazuar tek pika 6 e nenit 178 të kodit zgjedhor. Pas këtij gjesti të Çiljetës Romeo doli në përfundimet se: a) Në Shqipëri nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira e të ndershme b) Posta duhet privatizuar, që të mos ndodhin më kthime pakosh të paparalajmëruara c) arusha Mira ndoshta nuk është personi i duhur për të drejtuar opozitën.

4 Komente

S'kam kohe ta lexoj te gjithen tani, po po e qis tek komentet qe ta lexoni juve (si dhe gjithashtu per inat te Llukanit, Bradit dhe Tushes). smiley

Po me Tushen ç'pate xhanem?

Una e lexova te gjithen se me pelqevi! Vetem nje verejtje kisha una. Ajo puna e ariut ne krye te PS nuk me duket dhe aq keq. (e kom fjalen per ariun prej verteti, Salbon)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).