Të gjithë me Maliqin asnjë me ligjin

Kodi i ri zgjedhor dhe debati që e shoqëroi miratimin e tij, mes të tjerash nxjerr në pah një problem jashtëzakonisht të mprehtë por që gjatë kësaj periudhe nuk është lakuar. Atë të legalitetit ose ligjshmërisë. Fatkeqësisht pothuaj të gjithë aktorët dhe faktorët që u përfshinë në këtë debat janë marrë me shumë elemente të sistemit të ri zgjedhor dhe kodit zgjedhor që janë miratuar së fundmi, por nuk janë shqetësuar aspak me faktin që procesi zgjedhor do i lihet sërish në dorë të njerëzve të politizuar, komisionerëve, vrojtuesve dhe numëruesve partiak. Vetë përqendrimi i vëmendjes së palëve të ndryshme tek procesi i administrimit dëshmon që një standard thelbësor i demokracisë së çdo vendi, ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është larg prej të qenurit i realizuar. Pra rezultati elektoral nuk është çështje vetëm e vullnetit te qytetarëve por edhe e mënyrës së si administrohet.

Mirëpo ky problem është akoma më i mahisur për faktin që procesi nuk lihet në dorë të institucioneve të shtetit dhe nënë garancinë  e ligjit por në dorën e militantëve. Pra në mënyrë të vetëdijshme është pranuar që shteti vetë nuk është i aftë të administrojë procesin zgjedhor dhe këtë përgjegjësi ia delegon palëve të interesuara partive. Kjo është me të vërtetë skandaloze sepse tregon që shteti nuk është i aftë të imponojë drejtësinë por e lë rendin në dorë të vetëgjyqësisë. Një paralelizëm me kanunin dhe gjakmarrjen këtu është më se i vendit. Sepse ashtu sikurse është toleruar vetëgjyqësia dhe prania në territorin e Republikës së Shqipërisë të një numri shumë të madh qytetarësh të ngujuar, po pranohet që edhe në procesin elektoral shteti të ngrejë flamurin e bardhë, dhe procesi të bëhet me vetëgjyqësi.

Pretendimi prej parlamentarët tonë se zgjedhjet administrohen më mirë e më drejtë nga partizanët e se nuk mund të administrohen nga zyrtarë teknik të administratës publike është gjithashtu një fyerje për vetë sistemin liberal demokratik që pretendojmë të ndërtojmë. Vota shumicës së deputetëve që miratuan reformën elektorale  dëshmon për një mentalitet rrezikshmërisht të prapambetur sepse e vë shtyllën e sistemit tonë, procesin elektoral, në dorën e anëtarëve të partisë. Kjo është një reminishencë e hidhur e një të kaluare totalitare komuniste ku shteti ishte i kontrolluar nga partia ose qarkullonte binomi parti-shtet. Sistemi demokratik bazohet tek mbizotërimi i kushtetutës, rendit ligjor dhe të një administrate të depolitizuar që i përgjigjet sistemit të drejtësisë për çdo shkelje, e jo urdhrave të sekretarëve të partisë.

Është gjithashtu për të ardhur keq që edhe palët e lënduara nga ky proces, më konkretisht LSI-ja, në vend që në qendër të vëmendjes të aksionit politik të kishin kundërshtimin ndaj aspektit përmbajtjesor të kodit zgjedhor që deformon votën e qytetarëve, si dhe faktin që administrimi duhej bërë nga zyrtarët e shtetit, pati si kalë beteje kërkesën për të patur një “roje” të sajën si garant të procesit. Pra nuk u morr drejtpërdrejtë me parimin por me interesin. Shqetësohej për Maliqin dhe jo për ligjin. Nëse nuk do të ishte portretizuar si viktimë e ujdisë PD-PS duke treguar se ishte privuar nga të pasurit të”rojës së saj në lojë” dhe të ishte portretizuar si një aksion parimor për të vendosur legalitetin në vend duke kërkuar administrim të zgjedhjeve prej forcës së ligjit dhe jo të “të fortëve” të porositur prej partive të ndryshme, greva e urisë dhe protestat e saj padyshim do kishin pasur impakt shumë herë më të madh në publik.

Mosbesimi ndaj zyrtarëve publik dhe sistemit tonë të drejtësisë është me të vërtetë i papranueshëm, se përderisa pranojmë që gjykata të vendosë për pronën tonë, për divorcin apo mbajtjen e fëmijëve, për heqjen e lirisë  e të tjera probleme më therëse me të cilat përballet dita ditës një qytetar, pse mos t’ia lëmë në dorë drejtësisë ndëshkimin për shkeljen e votës. Fatkeqësisht kjo gjë nuk u bë, që do të thotë se administrimi i votës do të bëhet nga militantët partiak, që përkthehet se këta individë nuk do mund të ndëshkohen sepse do jenë të mbrojtur nga mburoja e imunitetit politik. Kjo me të vërtetë errëson shpresat për zgjedhjet e ardhshme dhe lë të hamendësohet se sërish votat do jenë të cenuara për sa kohë ka për të mbizotëruar pandëshkueshmëria. Por kjo situatë si paralajmërim ogurzi edhe për natyrën e zgjedhjeve  të ardhshme sepse vetë administrimi i procesit zgjedhor prej aktivistëve politik, të armatosur me zellin dhe pasionin politik dhe të garantuar prej ligjit nga imuniteti politik tregon që zgjedhjet e ardhshme kanë për të qenë sërish të tensionuara. Sërish mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme kanë për të qenë të dhunshme për sa kohë garant për cilësinë e tyre nuk ka për të qenë shteti e ligji por vetëgjyqësia e palëve që garojnë, domethënë raporti apo ekuilibri i forcës së militantëve pasionant që do monitorojnë apo administrojnë procesin.

Shteti i së drejtës dhe konstitucionalizmi në vendin tonë pësojnë një tronditje të rëndë nga kjo reformë elektorale që përçmon sistemin e drejtësisë dhe vendos politikën sipër ligjit. Ky qëndrim nëpërkëmbës ndaj ligjshmërisë që vë politikën superiore ndaj ligjit u ilustrua së fundmi sërish nga mbrojtja politike që po i bëhet ministrit Basha, në shpërfillje të plotë të përgjegjësisë personale ligjore që ai ka. Po ashtu sikurse komisionerët politik që kanë administruar zgjedhjet në Shqipëri falë parzmores politike si dhe përmendjes së përgjegjësisë kolegjiale, kanë qenë lënë të pandëshkuar për shkeljen që i kanë bërë ligjit dhe për masakrimin që i kanë bërë vullnetit demokratik, ashtu edhe një ministri po i garantohet imunitet politik për përgjegjësit e tij ligjore për kundër-firmën që ai ka vënë si ministër i linjës dhe për prerogativat që ka si drejtues i dikasterit ku janë bërë shkeljet ligjore. Thua vendimi politik justifikon shkeljen e ligjit. Edhe një ushtar i thjeshtë e di mirë që nëse merr urdhër të paligjshëm nga eprori për të ekzekutuar një civil të paarmatosur ka të drejtë të kundërshtoj urdhrin e paligjshëm nëse sheh se nuk është e ligjshme dhe e ngarkon atë vetë me përgjegjësi ligjore. Jo më një jurist si ministri ynë që për nga zanati di të kuptoj mirë përgjegjësin ligjore individuale. Pra edhe njëherë kemi një vullnet politik që vihet sipër shtetit të së drejtës. Por edhe nga ana tjetër, po të shihet mënyra e veprimit të prokurorisë mund të nuhatet tendencioziteti politik që tregon se më shumë sesa një zbatim të ligjit, ne kemi një Maliq që i është qepur me ligj në dorë dikujt për motive të qarta politike. Kjo sepse ndërkohë që kemi angazhimin e plotë të prokurorisë për një çështje me ndjeshmëri të madhe politike elektorale si rruga Durrës Morinë, kemi qindra raste të tjera korrupsioni e shpërdorimi të qeverive të mëparshme që rrinë të patrazuara.

Këto sfida që po përball sundimi i ligjit në Shqipëri qoftë me rastin e Kodit Zgjedhor dhe qoftë me mbrojtjen e paprecedentë politike që po merr ministri në fjalë, dhe një zbatim selektiv të ligjit prej prokurorisë, me të vërtetë ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e shtetit të së drejtës dhe integrimit tonë në Bashkimin Evropian.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).