Taçi nuk fshihet më

Taçi nuk fshihet më
  
“Rendi Publik” demaskohet si një cliche, si një vegël që i shërben treshes simbiotike mafia – politikë – biznes.

Arbër Zaimi


Grushtat e biznesmenit Rezart Taçi dhe bodyguards-ëve të tij mbi gazetarin Mero Baze, edhe pse përbëjnë një lajm tronditës, nuk janë ndonjë surprizë kushedi se çfarë. E gjithë skena e terrorit të miliarderit ndaj gazetarit kritik është pasojë e vlerave tona demokratike, që Pasurisë e Pushtetit i justifikojnë gjithcka, ndërsa të tjerëve i garantojnë vetëm ankthin e frikën. Në vetvete kjo situatë përfshin tragjiken dhe komiken, dy dimensione këto që duhen analizuar për të kuptuar se ku ka përfunduar shoqëria shqiptare, e për ku është drejtuar.

Momenti tragjik i përket detajit. Një qytetar rrihet në mes të “bllokut”, në sy të miqve të tij, në sy të të gjithëve nga një bandë bodyguards-ësh të udhëhequr nga një miliarder që ende nuk ka mbërritur të zhvishet nga kompleksi i origjinës së tij. Ndodh sulmi, e askush nuk ndërhyn, të gjithë shohin me gjak të ngrirë, duke menduar edhe më të keqen. Në mendjet e kujtdo formëzohet frika, nëpërmjet analogjive që e vënë individin në rolin e personazhit të mundshëm në këtë ngjarje kafshërore.

Për shembull – mendojnë njerëzit – në rast se unë do të isha rrahësi i Meros, si fillim do të kishte ndërhyrë dikush nga publiku për të ndihmuar viktimën time, e më pas për pesë minuta do të isha brenda në komisariat të policisë (dhe do të isha rrahur si gomari në duhan)... Analogjia tjetër është të vendosësh veten në vend të të rrahurit. Në rast se në mes të Tiranës rrihet një gazetar, një njeri i njohur, me akses në opinion publik e në konjuktura të pushtetit, dhe rrahësi miliarder shkon rehat rehat e pi me bodyguards-ët e tij një derë më tej, i pashqetësuar, imagjino se ç’do t’i bënte po ky rrahës një njeriu të thjeshtë, le të themi një punëtori të fabrikës së tij me të cilin mund t’i krijohej ndonjë mosmarrëveshje...

Mjaftojnë këto analogji për të kuptuar se çfarë shteti jemi, sa dhe si funksionojnë institucionet që duhet të garantojnë rendin. Madje këtu hidhet dritë dhe mbi nocionin e “Rendit Publik” në një demokraci nashiste si kjo e jona. “Rendi Publik” demaskohet si një cliche, si një vegël që i shërben treshes simbiotike mafia – politikë – biznes për të ruajtur kontrollin, vegël nga e cila hiqet dorë sapo duhet të aplikohet edhe mbi vetë përdoruesin.

Në këtë shtet, që nuk arrin të arrestojë në mes të Tiranës një fshatar-kamarier të pasuruar në rrugët më të rëndomta e më banale të krimit me prapavijë politike që ka rrahur një gazetar e botues, nën sytë e të tjerë gazetarëve të famshëm, imagjinoni se ç’mund të ndodhë me mijërat e punësuar në ARMO, për të cilët s’kemi për të marrë vesh gjë kurrë, imagjinoni se ç’mund të ndodhë me kontrabandën dhe trafikun e naftës (më së paku), me evazionin fiskal, me mashtrimin që ka pasojë vjedhjen e dëmtimin e pasurisë së përbashkët, me ryshfetin e korrupsionin e ekzekutivit, legjislativit e gjyqësorit. Në këtë shtet që krijon përbindësha potencialë si Rezart Taçi, imagjinoni se ç’mund të ndodhë me ne. E gjithë kjo është tragjike, tepër tragjike. Ne nuk po rrihemi, siç rrahën gazetarin në fjalë, por jetojmë përditë nën frikën që dikush mund të na rrahë, e s’ka për t’i ndodhur asgjë. Kjo është edhe më e tmerrshme, jemi shndërruar në robër kokëulur e zëshuar, që zvarritemi me shpresën e vetme që të mos na prekë kamzhiku i pashpirt i Taçit dhe i kolegëve të tij të nderuar biznes-politikanë.

Situata ka dhe dimensionin e vet komik. Në sipërfaqje komiciteti bie në sy edhe tek fakti që të njëjtët njerëz që vunë kujën kur Mero Bazen e rrahën militantë të PS-së sot përpiqen të justifikojnë aktin e trashë të miliarderit rustik. Mungesa e konsistencës muallit si lopë, por nuk mundesh ta kërkosh konsistencën nga militantët, këto qenie të zhveshura nga logjika, e nga çdo vlerë humane.

Po të gërvishtësh sipërfaqjen, komedia bëhet edhe më e dukshme. Të gjithë ne, që sot bëjme si të habitur, në fakt e dinim që kjo situatë nuk ka ndodhur thjesht sepse nuk ka qëlluar të ndodhë, pra çështje rastësie, pasi asgjë nuk e ndalon të ndodhë. Në fakt ne të gjithë e dimë që prona jonë private, materiale apo shpirtërore, familjet tona, profesioni ynë, shoqëria e komuniteti ku jetojmë, qytetet e fshatrat, vetë territori ynë shtetëror, apo dhe ekzistenca jonë garantohet vetëm nga fatlumturia, pasi asnjë prej strukturave të pushtetit nuk kanë ndërmend t’i mbrojnë.

Nuk dua të them që në Shqipëri mungon pushteti, apo ky pushtet është i dobët. Jo, pushteti është aty, strukturat janë funksionale e më të forta se kurrë. Nëpërmjet moralit të bindjes, e nëpërmjet bipolarizimit prej tifozi të publikut, këto struktura kanë mbërritur që Republikën e Shqipërisë ta kthejnë në një Tirani të Oligarkëve, në stilin më brutal putinian. Janë ata Oligarkë që e shesin apo dhurojnë territorin tonë, tokë, det, ajër apo pasuri minerale, tek Taçët shqiptarë apo të huaj, siç ka ndodhur me rastin e kufirit Shqipëri-Greqi, siç ka ndodhur me privatizimin e minierave, siç ka ndodhur me privatizimin e ARMO-s, siç ka ndodhur me privatizimin e industrisë hidroenergjetike, siç ka ndodhur e po ndodh me bregdetin e me resurset turistike, siç po ndodh me çdo cep e çdo centimetër të pronës së përbashkët. Janë ata Oligarkë që garantojnë nënshtrimin e punonjësit ndaj punësuesit pasanik që në çdo moment mund të flakë në rrugë çdo varfanjak, me ose pa arsye, pa e vrarë mendjen për pasojat tek ai e familja e tij. Janë po ata Oligarkë që garantojnë nënshtrimin e medias (rasti i Andi Bushatit me Sandër Frangajn ishte tipik, për të mos ripërmendur shkakun e këtij shkrimi). Janë po ata Oligarkë që garantojnë lirinë, apo edhe imunitetin për serial-killerat e tipit Mediu, duke ndërhyrë në çdo instancë të gjyqësorit dhe duke trafikuar edhe vota (se ne të gjithë e dimë që Fatmir Mediu dhe partia e tij qesharake nuk i ka të vetat ato vota). Janë po ata Oligarkë që kontrollojnë sot partitë më të mëdha, PD-në e Saliut dhe PS-në e Edit, këto dy forca politike që kanë heshtur në mënyrë të paturp përpara çdo fakti që i ka demaskuar në sy të shoqërisë. Ky është pushteti në Shqipëri, të gjithë e dimë këtë, e megjithatë të gjithë heshtim me ankth në zemër, kështu të zënë siç jemi me përditshmërinë tonë. Jo edhe për shumë kohë, ama!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).