Superfuqi apo koloni

Para disa kohësh Ben Blushi, duke përshkruar gjendjen në partinë e tij, përdori një metaforë sipas së cilës PS është si një autobuz ku shkruhet "mos i fol shoferit". Është një metaforë e gjetur që po e zhvilloj edhe ca më tej.
Problemi nuk është thjesht se vetëm PS ka një shofer të tillë. Problemi është se ne të gjithë, dmth. të gjithë shqiptarët, jemi të shtrënguar të udhëtojmë në një autobuz të tillë. Ne jemi ndarë në dy rradhë brenda autobuzit sipas dy grupimeve partiake më të mëdha, - ku disa nga pasagjerët ndërrojnë edhe krah - dhe ndonjëherë bëjmë ndërrimin e shoferëve dhe të gardës së tyre. Por, ama, rregulli i shoferëve, edhe kur ndërrohen, është "mos na flisni!".
Le ta zhvilloj edhe ca më tej metaforën. Në një autobus normal, nëse shihet se shoferi është çmendur apo se ka qëllim të shkojë në një vend që s'është drejtimi i caktuar, njerëzit do të fillonin të shihnin jashtë dritareve, do të konstatonin rrugën e gabuar dhe do të fillonin të rebeloheshin. Por, në këtë autobuzin tonë, kjo nuk ndodh. Pse? Për shumnë arësye. Së pari, sepse bukën e gojës ua ka në dorë shoferi dhe garda e tij. Por edhe sepse autobuzi ynë, në fakt, nuk ka xhama transparentë për të parë jashtë. Shumica e xhamave janë bllokuar me ekrane televizionesh që shoferi i ka blerë për të paraqitur një realitet virtual. Nuk mungojnë, për këtë, edhe intelektualët e gazetarët e blerë që përgatisin programet - sigurisht që nga brenda autobuzit. Pasagjerët, me hir apo me pahir, nuk duhet të shikojnë greminat se ku po shkojnë, por lulëzim, ndërtim, rrugë, zhvillim, ullinj e vreshta. Sigurisht kanë mbetur akoma disa xhama nga ku mund të shihen copa greminash në horizont, por shumica e pasagjerëve nuk ka as sy për të parë sepse e tërheqin më shumë të vërtetat e televizioneve ku shohin edhe figurat e mëdha të kombit tua ngrenë lart dinjitetin me Skënderbeun apo me spektaklet "Dua më shumë Shqipërinë". Dikur kishte edhe opozitë brenda autobuzit, që e ngrinte zërin, e pasagjerët lëviznin nën drejtimin e saj. Tani kemi një opozitë kryetari i së cilës, duke pritur të bëjë shoferin e rradhës, sheh gjithë ditën veten nëpër xhamat/erkranet e autobuzit duke kënaqur narçizizmin e tij proverbial.
Çdo metaforë ka kufizimet e veta, dihet. Prandaj po e le deri këtu metaforën dhe po përpiqem ta ilustroj më konkretisht.
Dita që Berlusconi "miku i madh" i Shqipërisë erdhi në Tiranë, e transmetuar me bujë në ekranet e televizonave shqiptare, më gjeti në Itali. Sigurisht i hapa ekranet italiane për të parë se çfarë do të thonin. Dëgjova edhe radiot, madje. Ndryshe nga ç'mund të mendojnë pasagjerët e autobuzit tonë, jashtë "xhamave" të tij, vizita e Berlusconit nuk u lidh fare me Shqipërinë. Në mediat italiane u fol vetëm për çfarë kishte deklaruar në Tiranë kavalieri lidhur me çështjet italiane - konkretisht me skandalin e fundit të konfliktit të interesavce të kavalierit (shtimin e taksave ndaj "Sky" të Murdokut që indirekt favorizon televizionet e familjes së tij) si dhe sulmet ndaj kryeredaktërëve të "Corriere della Sera" dhe "La Stampa". As emri i Berishës nuk u përmend kund. Njëlloj si në Shqipëri kur Berisha bën ndonjë vizitë në ndonjë vend të humbur ku e pret ndonjë kryetar komune kurse televizionet tona japin ato që ai ka thënë për Edi Ramën në Tiranë ndërsa kryetari i komunës mbetet një nga figurantët e skenës. Për turpin e mediave italiane asgjë nuk u tha për projektet neokolonizuese, të paligjëshme, për të mos thënë kriminale, që italianët po përgatisin në Shqipëri sëbashku me klasën e korruptuar politike shqiptare.
Por le të kthehemi në autobuzin tonë që, sikurse e kam thën edhe herë tjetër, është një imitim karikaturesk i autobuzit italian që ka për shofer Berlusconin.
Projekti i kthimit të Shqipërisë në një superfuqi energjitike, për të cilin erdhi kavalieri në Tiranë, është një projekt delirant dhe mashtrues njëherësh. Pse është delirant nuk do shumë të kuptohet. Mjafton të kesh parasysh deklaratën e Berishës: "unë dhe Berluskoni e duam përjetësinë" apo përdorimin e fjalëve "superfuqi energjitike" për Shqipërinë. Po pse është mashtrues? Sepse Shqipëria mund të bëhet superfuqi nëpërmjet këtyre projekteve aq sa ç'u bë superfuqi në kohën e Hoxhës, megjithë deklaratat e vazhdueshme të këtij të fundit se ishim më të fortë se superfuqitë. Ajo thjeshtë do të përdoret vetëm si terren për t'u vendosur parqet energjitike e industriale: më i madhi në Evropë i energjisë eolike në Karaburun, petroliferat, tecet në veri të Durrësit, rigazifikatorët në Fier e ku dihet çfarë tjetër. Ajo do të shërbejë vetëm si terren ku do të vendosen çisternat që do të furnizojnë Ballkanin me naftë e gaz. Kurse energjia që ata do të prodhojnë është për jashtë shtetit, më konkretisht për Italinë. Nafta do të jetë pronë e italianëve e të tjerëve, gjithashtu, që do ta tregëtojnë duke e perdorur vendin tonë vetëm si depo. Par, asgjë nuk do të jenë pronë e shqiptarëve. Këto projekte do të ndihmojnë që Italia të zgjidhë problemet energjitike të saj pa ndotur territorin e vet, pra, duke e transportuar këtë ndotje jashtë Italisë. Sa për dijeni projekte të tilla Italia ka edhe në Libi e gjetkë rrotull saj. Kurse shqiptarët energjinë do ta blejnë, nuk do t'ua falin gratis italianët. Shumë shumë ata do të punësohen me rroga sa për të mbajtur frymën gjallë. Ashtu sikurse edhe në fabrikat e çimentos që do të prodhojnë përsëri për të pasuruar pronarët italianë (sigurisht edhe politikanët tanë të korruptuar).
Askush nuk u ka bërë pasagjerëve të autobuzit një pasqyrë transparente se çfarë do të fitojnë dhe çfarë do të humbasin në terma afatshurtëra dhe në terma afatgjata. Askush nuk u ka kërkuar mendim nëse janë pro apo kundër. As shoferi i opozitës nuk merret me projektet e Berlusconit e as nuk flet me njerëzit për këto megjithëse thotë se është në një dialog të vazhdueshëm me shqiptarët. Pasagjerët dëgjojnë vetëm se do të bëhemi superefuqi. Të tjerat i di partia dhe udhëheqja.
Le të marrim vetëm projektin e Karaburunit sepse, për të tjerët, si ai i Durrësit, është fulur shumë - për hir të së vërtetës, nga një pjesë jo e vogël intelektuale e vendit, paçka se shoferi, siç e thamë, nuk do të dëgjojë.
Që projekti i Karaburunit është një krim ndaj Shqipërisë le ta ilustroj duke përdorur fjalët e një italiani. Genario Belmonte, Profesor i biologjisë detare në universitetin e Salentos thotë se: "Karaburuni është një vend mitik, një kartolinë e asaj se si ka qenë Mesdheu" "Është aseti më i mirë i rajonit për të tërhequr turistë nga Bashkimi Evropian". Dhe, kur flitet për turizëm, nuk është fjala se atje mund të ndërtohen hotele e motele, por se, si natyrë e virgjër, ai mund të tërhiqte turistë që, për hoteleri, do të kishin hotelet e shtëpitë e shumta në Vlorë e Llogara e fshatrat aty rrotull. Boll të vizitosh Italinë për të parë ç'do të thotë ky turizëm. Pasagjerët e autobuzit duhet të dinë se në Italinë e Berlusconit, në arqipellagun rreth Elbës, Kryetarit të Parlamenti italian, Fini, i vunë një gjobë, që e pagoi duke kërkuar edhe ndjesë publike, vetëm pse bëri zhytje me polumbar në ujra e mbrojtura për shkak të faunës e florës detare të atyre brigjeve. Kurse këta tanët kanë për borxh ta mbysin Adriatikun me naftë vetëm për pushtetin dhe paratë e tyre të qelbura. Kush mendon se pas vendosjen së parkut më të madh energjitik me erë të Evropës në Karaburin mund të shkelin më turistë gabohet. Pra, edhe sikur energjia eolike e këtij projekti të ishte prodhuar për Shqipërinë, një projekt i tillë nuk duhej vendosur në Karaburun, e jo më që është e tëra për Italinë. Pastaj, shtroj edhe një herë pyetjen për qeverinë: pse Italianët - në këtë rast siçilianët, të cilët, për fat të keq, nuk i shpëtojnë dot mbiemrit "mafjozë" - nuk e ndërtojnë në Siçili këtë park? Mos vallë pse atje nuk ka erë?
Jo, kjo nuk është të bëhesh superfuqi, kjo është të bëhesh koloni me duart e tua. Shqiptarët duhet ta dinë këtë gjë. Sipas një studimi të ditëve të fundit të një instituti anglez del se ai që u paraqitet pasagjerëve të autobuzit tonë si zhvillim në sajë të ekonomisë glabale, është një shfrytëzim i egër i burimeve natyrore të planetit që shkon kryesisht për pasurimin e një pakice, përveçse me pasoja dramatike për të ardhmen e planeti. Sipas këtij studimi del se, që një i varfët të pasurohet me 1 dollar, i ashtuquajturi zhvillim global duhet të prodhojë 166 dollarë më shumë. Është një raport që tregon se në duart e kujt shkon përfitimi i 165 dollarëve të tjerë. Sipas po këtij studimi, nëse e gjithë bota do të bënte jetën e amerikanëve, që janë vetëm 4% e popullsisë së botës (dhe nuk jetojnë të gjithë në luks, përkundrazi), do të duheshin pesë planete si i yni (duke konsideruar shfrytëzimin e burimeve energjitike etj.). Në këtë kontekst, lidhur me projektin e Karaburunit pasagjerët e autobuzit tonë duhet të dinë jo vetëm që energjia e prodhuar nga ky park do të shkojë e gjitha në Itali dhe për pasurimin e italianëve, por edhe se paratë që jep Brukseli për energjinë alarnative - siç jepen në këtë rast - përsëri do të shkojnë për kompaninë italiane.
Përjetësia fitohet për mirë ose për keq, kjo dihet. Berisha e ka fituar një herë përjetësinë në vitin 1997 kur, pasi lejoi piramidat financiare dhe i paraqiti si zhvillim, e çoi autobuzin deri në greminë pa u tërhequr nga timoni. Ai kishte vetëm një shans ta korrigjonte përjetësinë për keq që ka fituar. Që njerëzit të mund të thonin se ka bërë keq, por ka bërë edhe ca gjëra të mira, pasi mësoi nga gabimet. Mirëpo jo. Atij i duket pak përjetësia për keq që ka fituar me 97-tën, ai don të lerë vulën e përjetësisë së tij edhe me këto projekte që, për dëmet që do t'i shkaktojnë vendit, i kalojnë në terma afatgjata dëmet që ka shkaktuar lejimi prej tij i piramidave financiare dhe tërë tragjedia që shkaktoi ajo. Edhe në terma jetesh njerëzore, madje, sepse, po të bësh kalkulimin e dëmeve shendetsore që do të sjellë ndotja që ai don t'i bëjë pjesës më të banuar nga shqiptarët, që nga Lezha deri në Vlorë, numri iviktimave do të dalë më i madhe sesa ai i 97-tës. Megjithatë, ashtu sikurse në 97-ën, përgjegjësia për këtë nuk mund t'i lihet vetëm shoferit. Për këtë kanë përgjegjësi edhe shumë nga ata rrotull tij që as nuk duan t'ia dinë për përjetësinë, pasi janë të verbuar pas parasë, e që s'kanë guximin të marrin as përgjegjësi për çka po i gatuajnë vendit duke ia lënë këtë të gjithën Berishës. Por për këta skuthër të politikës, që nesër mund t'i shohim pa problem në ekipin e shoferit tjetër, do të shkruaj një herë tjetër. (Korrieri, 4 nëntor 2008)

12 Komente

Sipas këtij studimi del se, që një i varfët të pasurohet me 1 dollar, i ashtuquajturi zhvillim global duhet të prodhojë 166 dollarë më shumë. Është një raport që tregon se në duart e kujt shkon përfitimi i 165 dollarëve të tjerë.

falenderoni bamiresin o shqiptare jetime

Karaburuni është një vend mitik, një kartolinë e asaj se si ka qenë Mesdheu,,

Po mer Fatos,  ti qe ben thirrje per rrezimin e   MITEVE !

Globalizmi eshte bere MITI me i ri  urban. Kush ve ne dyshim pasojat ambintaliste te investimeve te huaja, kush tregohet skeptik dhe hamendeson se ndoshta pas  harese per boom e investimeve  bujare fshihen pazare te pista, direkt eshte i kualifikuar si antiglobalist, izolacionist etj. etj.

Kush ka ndjekur mbreme kanalet e Tv besoj i ka rene ne sy nje zonje keshilltare e KM, me elokuence sexy, euforike deri ne ekstaze, duke na mbushur mendjen se jemi me fat dhe duhet ti puthim kembet , ne mos ..., berluskonkes dhe kapitalisteve italiane qe po investojne tek ne.

Perballe saj A.K-anilisti polivalent, SG- kryeluftetari paepur i ceshtjeve mjedisore dhe nje ekspert i fushes - timid dhe teper i permbajtur perballe furise se  Furias keshilltare .

"Analisti" A.K me se njehere artikuloi dyshimin se keto marreveshje jane nje ankand i resurseve tona per nje cope buke.

Dhe Keshilltarja e mprehu shpaten:  Antoiglobalist, terrorrist, pseudonacionalist, tradicionalist, komunist...

Rrofte Globalizmi!

Spiritus, ca do me thene elokuence sexy? Apo eshte si ajo ceshtja e muzave qe jane te q*shme? smiley

Në net gjeta kët artikull.

 

A Grandiose Project in Albania to Save Italy From the Energy Crisis

Shprehjen e ka marrë nga ky prof. Lubonja

“Karaburun is a mythical place, a postcard of what the Mediterranean used to be,” Professor Belmonte says. “The peninsula is the best asset for the region as a way to attract tourists from the European Union.”

 

Dhe Keshilltarja e mprehu shpaten:  Antoiglobalist, terrorrist, pseudonacionalist, tradicionalist, komunist...

Pse shahen edhe kshu andej?

Ncnc janë budalleps krejt. I mjeri popull.

 

Shahen the, ajo Suzana ishte nje bishe qe o memi o memi, sikur kishte thithur koks me te dyja vrimat dukej, i boni gjith ata burra te flisnin me vete.

Beri mire qe e solli idene e krahasimit te lajmeve ne Shqiperi me ato qe u transmetuan ne Itali.

Koloni e ca ka kolonie.

Shahen the, ajo Suzana ishte nje bishe qe o memi o memi, sikur kishte thithur koks me te dyja vrimat dukej, i boni gjith ata burra te flisnin me vete.

 

hihihi, ajo mire qe si hengri , ti thua te flasin me vete. None e zeze, si eshte ajo smiley

Une ate mendova deshperushem mbreme : Kane ngel per diskutim dilemat energjitike ne dore te kesaj!!!

Artikull nga ata me 5 yje i Lubonjës... mu duk si Skënderbeu me shpatë në dorë kundër horlliqeve smiley.

Lubonja, ndoshta s'jam aq globalist sa ti, por FUTJA E Prodhimit të Energjive alternative edhe në Shqipëri, për mendimin tim, duhet të ishte duartrokitur prej teje. Pastaj kur flet për energjinë alternative në Siqili, provo dhe shkruaji ato tre fjalë në Google... do habitesh edhe ti vetë se sa impiante do të të dalin atje.

Një gjë s'marr vesh; ka 18 vjet që na e bëtë kokën daulle me vetizolimin e Enverit ndërsa tani askush nuk ja u mbush syrin... as jugo e as grek, as arab e as italjanë... sipas jush duhet të mallkojmë vehten që nuk kemi patur fqinjë Amerikën???

Me duket se je keqkuptuar. Artikulli nuk thot se hyrja, e energjise alternative nuk duhet duartrokitur, (mgjths duatrokitja nuk eshte stampa e pranimit), por flet per cilesite e hyrjes, karakteristikat, tiparet, menyren, elementin gjeografik, ekonomik, strategjik, historik, etj. Thjesht se kemi qene te izoluar, nuk dmth se duhet te dalim ne rruge e te vete-prostituohemi (shenje nga e kaluara vullnetare?!). Nuk eshte e thene se duhet te themi "hajde me q..., sepse kam qene e izoluar e tani ma ndjen te shk....hem".

sipas jush duhet të mallkojmë vehten që nuk kemi patur fqinjë Amerikën???

Afër je Edo, po se ke gjet akoma tamam. Sipas këtyre duhet të mallkojmë veten që jemi shqiptarë.

Problemi nuk është thjesht se vetëm PS ka një shofer të tillë. Problemi është se ne të gjithë, dmth. të gjithë shqiptarët, jemi të shtrënguar të udhëtojmë në një autobuz të tillë.

....por akoma me thjeshte, problemi eshte se ne shqiptaret duam te jemi "shofera" te gjithe.

P.S. Respektin tim kush ka durimin ta lexoje deri ne fund. A ka mundesi te shkruhet me shkurt, pa pasur pretendimin te jesh ekspert per cdo gje ne pergjithesi e per asgje ne vecanti.

Them se Lubonja eshte me kembe ne toke per cdo rast qe shkruan per te tashmen. Eshte nje pene e arsyeshme dhe anon nga e mira e vendit. Jo ne cdo rast mund te godase ne shenje por origjinaliteti i tij dhe ballafaqimet e "thenieve" ndoshta jane si faktet e te dhenat qe na ngopin nga mengjesi ne darke te apasionuarit pas TEC-eve , Berthamoreve e Elotikeve...Lubonja ne kete rast thote njesoj si NE qe "Memedhembja eshte shndruar ne nje cope Torte per MAFIOZE ".... Dhe ndoshta kjo e ndihmon ate dhe shume Miope te tjere per te kuptuar qe "nuk eshte e lehte te ndertosh e mbash SHTET" , pa ja shitur B....te tjereve sidomos Italaneve ...dhe po e perseris qe te tregohej me vizionare ai duhej ta parashikonte edhe "torten" e Grekerve qe nuk do vonojne....ne mos e pacin ndare kete "torte" me mesoren e ARTE - Qeparo e perpjete.....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).