Steinway “Islam fashion”

Në rrugën Steinway qebapë fluturues dhe qilima,
Makina mbath pantofla beduini,
Merhabatë
Varen mbi dyer orienti
Me përçina dhe erëza ngulur,
Spica mes dhëmbëve
E mes fjalësh arabe ku shuhen
Blegërimat e fundit
Të qingjave hallall.

Metrazh zi e bardh:
“Islam fashion”.
Urth kompromisi
Vitrinë dhe business administration,
Manekine të mbuluara -
Jilbab
Diçka mes jihad dhe qebab -
Avull CNN-i mbi syzet “për afër”.
Më tutje
Ca pala të errëta që zbulojnë puhitë
Fshehur mes blloqesh të shtangët ajri
Valëviten, fëshfërijnë – janë dy femra mbuluar,
Koka rruzullore
Sfinksi
Ndalur te vitrina me fustane dasme
Nusesh kaure
Ose agnostike,
Ku manekinja tregon shumë... allçi
Me lëmim të pabesë,
Diamantet janë kallpë si ajo qafë
Kapur rob nga gëlltitja,
Ata supe
Q’ëndërrojnë Japoni në formë zhaponeje.
Pllaja para gjoksit
Ëndërron pak Francë në formë dekolteje,
Dhe dy femrat kapur rob nga abaja,
Njëra e vogla dhe tjetra ndoshta abllàja,
Fotografojnë pa fund
Allçinë prej nuseje –
Mrekullimin s’ka niqab t’ua fshehë,
Copëra blitzesh thyhen përtokë.

Vitrina me bitzkrieg mbet pas.
Një pikëpyetje e marr për bastun
Mendimesh uloke.

Bibla të vjetra rihapen te faqja 17
Aty ku më zinte gjumi gjithnjë
Në hotelet me komò të uritura
Dhe ungjij falas
Të Evropës.

Nissani me bindet si devè në Saharë
Me dy xhunga serbatori.
Diku Steinway mbaron
Ndërsa dy mokrrat e trurit vazhdojnë të gërvishten ende nga rëra.

7 Komente

Oh, qenkam e para qe e lexoj. Pershtypja fillestare: me pelqen me shume nga te gjitha poezite e tua te tjera qe kam pare ketu (nja dy a tre ne fakt). Poezi-reportazh? Ndjehet lodhja nga zhurma dhe nga ererat ne fund.

Me pelqeu edhe mua. Eshte poezi qe rrjedh dhe percjell gjendje.

Dua te vecoj nga vargjet qe me pelqyen:

Në rrugën Steinway qebapë fluturues dhe qilima,
Makina mbath pantofla beduini,
Merhabatë
Varen mbi dyer orienti
Me përçina dhe erëza ngulur,
Spica mes dhëmbëve
E mes fjalësh arabe ku shuhen
Blegërimat e fundit
Të qingjave hallall.

Kam nje verejtje:

Q’ëndërrojnë Japoni në formë zhaponeje.

........................

Ëndërron pak Francë në formë dekolteje,

 

Keto dy vargje me fjale pothuajse te njejta dhe me ate lloj rime, nuk me rrine mire prane njera tjetres.

Suksese smiley

 

 

 

Poezi alla hatibshe.. per nga forma.

Sa i perket permbatjes, do citoja Nolin: Anes detit i palare...Te pershkruash nga jashte nje copez nga bota tradicionale, qe refuzon te behet pjese e modernes absurde dhe te mos arrish te nuhasesh nga aroma e saj e te mos kuptosh asgje prej saj, kjo nuk eshte ne natyren e nje poeti. Poeti sheh me syrin e zemres dhe ndjen, jo pershkruan.

Te me falesh por nuk me percolli asgje kjo poezi, pervecse nje panorame te asaj lagjeje, gje te cilen arrij ta perftoj edhe pa ndihmen e ketij konglomerati sexy fjalesh.

Një pikëpyetje e marr për bastun
Mendimesh uloke.

OK?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).