Standartet e Vrasjes

Standartet e Vrasjes

Arbër Zaimi

Ca kohë më parë, teksa gjerbja kafenë në verandën e një bari të vogël e të lezetshëm, mbushur me ornamente interesante amerikanojugore dhe dëgjoja pa shumë vëmendje një mikeshën time pseudopolitikane (që më ka ngjallur më shumë interes para se t’i hynte këtij impenjimi stërmundues dhe tjetërsues), avitet pranë tavolinës një vocërrak imcak. Me baluket e verdha prerë drejt në ballë, model tas, me sytë e gjelbër që nuk gjenin prehje e i veshur në arna, ky djalë më ngjau si një ringjallje anakronike e ndonjë imazhi debatikas prej filmat propagandistikë të regjimit të sëmurë që thuhet se lamë pas që prej 18 vjetësh.

Ai kërkoi pa drojë monedha, ndërkohë që mbante një lloj distance sigurie. I mësuar siç jam me fëmijët lypësa, këtë fenomen që na lajmëron westernizimin dhe demokratizimin e vazhdueshëm, të padiskutueshëm e të suksesshëm të shtetit tonë në fillim i ktheva kurrizin, dhe bëra me dorë një gjest që nënkupton bezdi dhe urdhër për t’u larguar në të njëjtën kohë. Por interesi kurioz dhe impenjimi politikosocial i mikeshës time pseudopolitikane e thirri fëmijën më pranë. Ajo e pyeti se pse lypte. Ai u përgjigj që duhet të lypte pse s’kishin pare. E pyeti për moshën. Nëntë vjeç. Pastaj e pyeti se përse nuk shkon në shkollë. Ai i tha që shkonte, përditë. Ajo nuk e besoi, dhe duke i ndenjur besnike fushatës sensibilizuese për lypësat (nga UNICEF-i), i tha të largohej. Se mikesha ime, bashkë me UNICEF-in besojnë që t’i japësh para lypësave të vegjël do të thotë të stimulosh skllavërimin e tyre, sepse kështu prindërit do të vijonin t’i shihnin të vegjlit si burime fitimi të lehtë. Por meqenëse mua i gjithë ky arsyetim më rri ngushtë, më duket i cekët e pa baza logjike duke qenë se nuk denjon të shohë në sy shkakun primar të fenomenit, varfërinë e papunësinë, vendosa të ndërhyj.

Fëmija më tregoi se përditë duhet të grumbullonte pesëqind lekë (katër euro) së bashku me vëllain e tij dy vjet më të vogël, edhe ai një bjond mistrec, që vinte vërdallë tavolinave të barit duke lypur. Ata jetonin me të ëmën në kombinat, dhe ajo punonte nga mëngjesi në mbrëmje si shërbyese e pastruese nëpër shtëpi të ndryshme të Tiranës. Dy djemtë paraditeve shkonin në shkollë, dhe tre herë në javë frekuentonin kursin e anglishtes. Të gjitha këto po i merrja vesh nga përgjigjet korrekte dhe të shkurtra të djalit të vogël. Në një moment bisedën e pret ndërhyrja e mikeshës sime që me skepticizmin e saj cinik, karakteristikë e postnjeriut modern vendos ta testojë anglishten e djalit të vockël me ca pyetje quiz. Voci ruajti të njëjtin ritëm përgjigjjesh dhe në gjuhën angleze, pra përgjigjje të thata, të shkurtra, si të cdo djaloshi që mezi pret të shkojë e të luajë top, apo të kacaviret në ndonjë pemë të “kombinatit” të vet aq larg barit posh në zemër të metropolit.

Vazhdova ta pyes për familjen e vet. Dukej goxha inteligjent dhe i ndërgjegjshëm për situatën ekonomike të familjes së tij. Më tregoi pa ndonjë emocion të veçantë që të atin e kishte në burg, për vrasje. I ati kish punuar si murator në një nga firmat e ndërtimit, arkitekte të Shqipërisë së re që po lulëzon dita-ditës. Në muajt e fundit pronari i firmës së ndërtimit paskësh vonuar pagesat, dhe kryefamiljari ishte gjendur në vështirësi për të mbajtur me ushqim familjen e tij. Kishte shkuar disa herë për t’i kërkuar pronarit rrogat e vonuara, derisa një ditë pronari qe bezdisur aq shumë sa e kishte përzënë me sharje dhe kish vënë dy trima ta shtynin. Po atë ditë babai i bjondit vrau pronarin e firmës, dhe përfundoi në burg. Shumë shpejt erdhi dënimi, me 25 vjet burg, të cilat për efekt rrethanash u zbritën në 22. Kaq ishte historia e familjes së lypësit, që edhe sot e kësaj dite vazhdon të më përshëndesë kur më sheh në rrugën pranë barit modern që servir kafe kolumbiane.

Drejtësia u tregua shumë efikase me të atin e lypësit. Shteti e neutralizoi keqbërësin brenda ditës, dhe i dha dënimin e duhur në gjykatë, sipas afateve që përcakton ligji. Unë personalisht qëndroj për ligjin, dhe për respektimin e institucioneve, që do të ishin e vetmja garanci kundrejt kaosit. Në një debat mes drejtësisë institucionale dhe vetëgjyqësisë, afërmendsh unë do të zgjidhja të parën. Nuk kam për qëllim në këtë shkrim të denoncoj punët pa kontrata që i garantojnë pronarëve lirinë mbi abuzimin, nuk kam ndërmend të thërras në mendjet e njerëzve mëshirën për të varfrin, apo të kritikoj dështimin e shtetit që ka për detyrë të kujdeset për familjet në vështirësi ekonomike, apo për minorët që detyrohen të lypin. Asnjë nga këto.

Një vit e gjysëm më parë një grup burrash të biznesit e të politikës, “intelektualë” me kostume të përzgjedhura me kujdes, zotërues të sa e sa jetëve njerëzore ishin duke fituar para në një mënyrë të paligjshme, duke mashtruar një seri institucionesh shtetërore, me ndihmë nga lart. Por jo gjithçka shkoi mirë. Për arsye të neglizhencës nuk ishin garantuar kushtet e sigurisë të ambientit ku zhvillohej “biznesi” i zotërinjve të ndershëm, dhe nga një aksident njerëzor u hodh në erë jeta e 26 njerëzve, e bashkë me to shpërtheu përgjithmonë stabiliteti i brishtë i shumë familjeve, u njollos me të kuqen e gjakut e me të zezën e zisë jeta e shumë familjarëve që tash gdhihen e ngrysen me zemrat gjymtuar prej humbjes së fëmijëve apo prindërve të tyre. Koha kalon, dhe nga grupi i burrave të biznesit e politikës ende nuk është dënuar askush. Vrasja e barktharëve që detyroheshin të punonin në kioskën prej llamarine ku demontoheshin armë ndoshta nuk është po aq krim për drejtësinë tonë sa vrasja e një biznesmeni që nuk u jepte rrogat punëtorëve të varfër. Ndoshta gabohem, por më duket se institucionet po bëjnë një zgjidhje preferenciale, po aplikojnë standarte të shumëfishta...? Apo ndoshta analogjia mes dy ngjarjeve nuk qëndron, kushtet ndryshojnë, konteksti po ashtu? Mos vallë nuk është njësoj përgjegjësia? Mos vallë me kalimin e kohës ne, opinioni publik, e kemi harruar Gërdecin dhe personat që humbën jetën aty, dhe na i pështjellon zorrët përdorimi politik i kësaj ngjarje? Nuk kam përgjigjje për këto pyetje. Por kam një pyetje tjetër në vend të përgjigjjes. Çfarë do të ndodhte nëse ndonjëri prej atyre që kanë humbur të dashurit në shpërthimin e 15 marsit do të vendoste që për hakmarrje t’i këpuste një plumb pas qafe ndonjërit prej atyre burrave me kostum firmato??? Vallë do ta bënin ministër?

4 Komente

Bukur Arber. Per fat te keq shume e injorojne realitetin e veshtire te ketyre femijeve qe u bie barra te ushqejne jo vetem veten e tyre, por dhe familjet e tyre. Fushatat "sensibilizuese" te UNICEF nuk e tejkalojne thellesine e filxhaneve te kafese te zyrave te tyre. 

Pse jo! Nuk do ishte pa precedent historik. Luigj Gurakuqi. Shume i dorezuar po me dukesh me kete artikull, Arber. Sidoqofte, une mbetem i mendimit se sensibilizimi me i madh vjen nga venia ne skene e problemeve, ashtu si dhe desensibilizimi me i madh vjen nga venia ne skene e mungeses se problemeve. Per mendimin tim, tre jane faktoret kryesor te desensibilizimit ne Shqiperi.

I pari eshte ai cuni i Mjaftit, qe nuk po me kujtohet emri, ai qe tradhetoi detyrimin opozitar te shoqerise civile per te qene ne pozite. Sinqerisht qe nuk po me kujtohet emri, kryetari i G99-es, nuk po bej shaka. Ky faktor duhet trajtuar ne menyre te vecante, duke vene ne dukje potencialin sensibilizues te shoqerise civile dhe heqjen dore nga ky detyrim. Ky potencial per mendimin tim eshte mbi te gjitha skenik. Pra ky eshte nje detyrim skenik. Pakenaqesia vihet ne skenen publike me ane te protestes. Duke e bere pakenaqesine te dukshme, te prekshme, dicka qe i perket shqisave: ky eshte sensibilizimi. Ne momentin qe pakenaqesia mbetet e padukshme, qe nuk vihet ne skene, rreziku i desensibilizimit eshte shume me i madh. Ketu vlen te permendet spektakli si simptome. Vetem duke pasur parasysh simptomat mund te behemi te vetedijshem mbi ekzistencen e nje problemi. Nje semundje qe nuk shfaq asnje simptome te gerryen nga brenda deri sa te vdesesh, dhe vetem kur behet autopsia arrin te dallohet kalbezimi i brendshem. Diskutimi do ishte i gjere, dhe do merrej sa me karnivalesken e protestes, aq edhe me rrezikun patologjik te represionit ne qofte se problemet dhe pakenaqesia nuk do shfaqeshin me ane te karnivaleskes. Ajo qe patosi ve ne dukje eshte ekzistenca e nje problemi patologjik. Kjo nuk do te thote se simptoma eshte detyrimisht shkak i nje problemi te caktuar, por se problemi ekziston. Te heqesh dore nga patosi i protestes do te thote te pretendosh se nuk ka problem. Per kete arsye tradhetia ndaj shoqerise protestuese civile eshte njesoj si mbulimi i simptomes, duke mos na lene te kuptojme se ekziston nje problem.

Faktori i dyte eshte interpretimi i gabuar i shkaqeve te simptomes. Ketu kam parasysh rrembimin e protestes per qellime te ngushta politike. Keshtu psh, dalja ne skene e grupeve partiake te interesit, ve ne dukje se problemi qendron vetem tek pozita e rradhes. Per Edi Ramen problemi me i madh eshte Sali Berisha, ashtu si per Sali Berishen, problemi me i madh ishte Fatos Nano, ad infinitum. Kjo vjen nga nje mungese e theksuar njohjeje te problemeve reale te shoqerise. Ky eshte nje problem perfaqesimi qe eshte shume veshtire te permblidhet ne nje paragraf. Keshtu ne syte e opozites pushtetari i rradhes perfaqeson te keqen me te madhe, nderkohe qe vete opozitari perfaqeson te keqen me te vogel. Sidoqofte, fokusi zhvendoset nga problemi dhe vendoset tek perfaqesimi i problemit; simptoma merret e barabarte me problemin; dhe nderkohe qe problemet jane te nje permbajtjeje sociale, apo ekonomike, ato trajtohen si te ishin probleme te nje natyre formale dhe reprezentative, ku mjafton te nderrojme ikonen, mjafton te heqim fotografine e njerit nga muri, apo imazhin e tij nga televizori, per t'a zevendesuar me fotografine e nje tjetri, apo me imazhin e nje tjetri ne televizor, dhe problemet do te zgjidhen.

Dhe se fundi, Sali Berisha qe e ka perdorur dhe e perdor kodin e vdekjes kunder drejtesise perben faktorin e trete, dhe ky perdorim eshte ndoshta me i rrezikshmi. Kjo meriton per mendimin tim nje artikulim te vecante. Pak a shume njesoj si Kreonti qe do t'i vere emer anomise, Sali Berisha arrin te artikuloje kodin e vdekjes. Kjo duhet pare ne krejt teresine e vet, sepse eshte ceshtje delikate. Ajo qe vihet ne fuqi ne kete rast, eshte pezullimi i organeve te drejtesise nepermjet zise kombetare, apo nepermjet respektit absolut ndaj kodit te vdekjes. Pikerisht ketu edhe e ka fuqine me te madhe standardi i dyfishte i ligjit. Duke qene se vdekja i perket anomise, artikulimi i kodit te vdekjes nuk mund te kete vecse nje standard te dyfishte. Keshtu psh, kodi i vdekjes e do qe te respektohen viktimat, dhe me ane te ligjit te lustracionit, xhelatet e komunizmit nuk lejohet te marrin pjese ne organet kushtetuese, pasi keshtu dhe do te respektoheshin viktimat. Por nga krahu tjeter Mediu le te jete minister, pasi po qe se perdoret fatkeqesia e Gerdecit per te mos bere Mediun minister, ky perdorim i viktimave eshte mosrespektim i tyre, dhe rrjedhimisht shkelje e kodit te vdekjes.

Nejse Arber, ne keto vija te trasha mendoj une se duhet analizuar standardi i dyfishte i shoqerise shqiptare.

Lulian, analizat duhen bere te detajuara e te perqendruara qe faji te mos humbase e te mos delegohet gjithnje ne nivele te tjera te hierarkise. Duhen ngritur pikepyetje mbi sistemin, por edhe mbi hallka te imta te tij, dhe duhet diskutuar. Dhe duhet me qene i perfshire ne situate. Te analizuarit "e ftohte" apo "asnjanes" s'eshte gje tjeter vecse mashtrim i pabaze.

E bukur, por mbyllet me nje pyetje.
Per mendimin tim ne Tirane (por besoj dhe ne qytetet e tjera) njerezit e kane humbur ndjeshmerine ndaj ambientit dhe nuk mendojne mbi menyren e tyre te jeteses. Nuk pyesin Pse? Po sikur?
Per nje kohe te gjate mendoja se e vetmja zgjidhje do ishte ndonje vrasje masive politikanesh, por e keqja nuk qendron vetem aty, por tek niveli kulturor i gjithe shqiptareve.
Mendoj se si fillim gjykatat duhet te pajisjen me nje juri qytetare. Mbase atehere do kemi shpresa se ministrat mund te ndeshkohen dhe punetoret nuk do detyrohen te vrasin. Nqs nje njeri i thjeshte mund te vendose per fatin e nje ministri me kostum firmato te pakten nje here ne jeten e tij atehere mund te fillojme te shpresojme se neser do jete me mire.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).