Spektri i Gojas

 goya1

Njerëzit kujtonin prej kohës së fillimit të punimeve se atë ditë bënte një kohë gri. Bash si sot, kur kryetari erdhi dhe preu shiritin e përurimit. « Ta gëzoni » - tha dhe u largua drejt godinës së tij të verdhë. Njerëzit, të çoroditur,qëndruan për disa çaste përreth objektit të sapo përfunduar dhe në fund u larguan pa i shqitur sytë nga vepra duke lënë pas gjurmë fjalësh të papërcaktueshme.

Natë. U-Betoni ishte një godinë e zezë si spektër i frikshëm. Natë.

-Nuse çohu. Ç’pret ?! !

Ajo u ngrit e përgjumur. Ai ndërkohë ishte në këmbë duke mbërthyer xhakoventën.

-Jemi vonë ? Pse s’më zgjove më herët ?- tha ajo duke shtyrë tutje jorganin.

Zilja e telefonit.

-Jam Dritani katit të pestë. Ne jemi gati.  

-Ja dhe ne. Të tjerët ku janë ?

-Poshtë janë, kanë zbritur të gjithë ! Mos harroni të merrni varrenë. Ne gjetëm ca kazma…

-Po, patjetër.

E mbylli telefonin. Ajo ishte gati. E priste në korridor.

-Fëmijët flenë. Kam frikë se mos I zgjojmë?!

 -Le të zgjohen! Ta shohin c’do të ndodh. Pastaj ata nuk janë më fëmijë, ca gjëra I kuptojnë tashmë.

Ai kapi varrenë e mbështetur në të hyrë të apartamentit. Ajo tërhoqi një çantë të mbushur me dalta. Zbritën shkallët dy nga dy me nxitim.

Në brendësi të U-Betonit pësh-pëshe njerëzish thyenin errësirën. Mbi silueta kokash fantazma të frikshme gojane të mpleksura me erën e ftohtë të mesnatës.

Në dritën e hënës, shkallaret e bardha të mostrës së sapo-ndërtuar, reflektoheshin në fytyrat e ngrysura të banorëve të U-Betonit nr.41. Armët e tyre civile, armë punëtore, shkëlqenin thekshëm nën përgjimin e hënës. Vepra-Mostër, si epikë legjendare, ngrihej në zemër të U-Betonit si dhëmbë i mprehtë. Ishte gri atë ditë kur filluan punimet. Njerëzit ndiqnin pa kuptuar punimet. Askush asokohe nuk ishte në gjendje të identifikonte atë qënie që kishte mbarsur U-në e tyre. Ishte gri atë ditë kur punimet mbaruan. Para syve të tyre ngrihej një piramidë! “Ta gëzoni” kishte thënë kryetari dhe më pas ishte larguar drejt godinës së tij të verdhë.

-na e futën dreqin në bark.

-na e sollën tek goja.

-maskarenjtë, fabrikojnë mostra me paratë tona.

-ta thyejmë

-ta thyejmë

-ta bëjmë copë e thërrime.

Natë. U-Betoni ishte një godinë e zezë si spektër i frikshëm. Natë.

Me siguri fëmijët e U-Betonit nr.41 u zgjuan të tmerruar atë natë. Por të nesërmen, piramida ishte zhdukur.

 

 

 

      

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).