SKICË PËR NJË PROJEKT IDEOLOGJIK TË SË MAJTËS

SKICË PËR NJË PROJEKT IDEOLOGJIK TË SË MAJTËS

Erion Kristo

E majta shqiptare e ditëve tona (flasim për Partinë Socialiste, se partitë e tjera nuk kanë nevojë për ideologji, por thjesht për menaxherë votash), ka probleme të mëdha ideologjike. Ajo nuk ka një profil të qartë politik, por vijon me slogane të përgjithshme dhe pa thelb brenda. Ndërkohë që ruan me fanatizëm bazën elektorale të partisë, ajo kërkon vota më të djathtë, më të mëngjër, e përtej tyre. Është shumë interesant fakti i mosargumentimit filozofik të sloganit më të njohur të së majtës së sotme: “Përtej së majtës dhe së djathtës”. Ky slogan me pak fjalë do të thotë, këta që kam i kam, ndërsa do të marr ata që nuk i kam, duke harruar se kush shumë lakmon, humbet dhe atë që gëzon. E majta socialiste e zgjedhjeve të vitit 2009, është e njëjta e majtë e vitit 2005, dhe nuk po flasim për establishmentin, por për numrin e votave. Ndaj, slogani për të cilin u harxhua shumë energji, nuk është vërtetuar në praktikë, aq sa janë marrë, aq dhe janë lënë. Pra, slogani rezultoi i pamjaftueshëm, por dhe platforma elektorale, e ruajtur me një fshehtësi të tillë sikundër hebrenjtë ruanin Arkën e Aleancës, të krijon më tepër idenë e një miti joekzistent, se sa idenë e një realiteti. Po nëse krerët aktualë të së majtës politike e kanë të vështirë çështjen e thithjes së elektoratit përmes një platforme të qartë ideologjike, kjo nuk është e vështirë për filozofinë e së majtës. Do të mjaftonte një projekt i gjerë politik, që t’i përfshinte njerëzit drejtpërdrejt, dhe qytetaria do ta besonte më tepër të majtën, shumë më tepër se sa krijimi i disa komisioneve bajate qytetare, të cilat nuk dhanë asnjë produkt konkret, përveçse humbën kohën e së majtës reale. Nëse Partia Socialiste e ka të pamundur të gjejë ideologë apo filozofë, për shkak të mbingopjes me individë nga shoqëria civile, të cilët janë kaq civilë, sa nuk japin dot asnjë kontribut ideor në punë partie, kjo detyrë tashmë është e zgjidhur. Gjesti i vetëm është të merret, të futet në gojë dhe të përtypet politikisht, sepse ideologjia është e qëruar. Nuk po flasim për dhjetëra ideologë të majtë, por po marrim një filozof të vetëm: Gianni Vattimo, filozof italian, fitues i çmimit Princi i Asturias, çmim që do kohë më parë i gëzoi të gjithë dashamirësit e letërsisë shqipe për shkak se iu akordua Ismail Kadaresë. Në librin e tij Nihilizmi dhe emancipimi, që tashmë mund të jetë pronë e çdo lexuesi shqiptar për shkak se është përkthyer, botuar dhe nxjerrë në shitje me një çmim fare modest, Vattimo ravijëzon një projekt të së majtës. Dhe në kushtet kur kokat më të mëdha të së majtës shqiptare, ata që vlejnë diçka jo vetëm për shkak të kohës së gjatë të kontributit, por edhe për shkak të aftësisë për të thithur ide e koncepte të reja, shfaqin një të majtë që kujdeset vetëm për arsimin, shëndetësinë dhe nevojtarët e shoqërisë, pra një të majtë që funksionon vetëm pjesërisht dhe që nuk arrin të hedhë në tryezë ide të tjera, projekti i hartuar nga Vattimo merr vlerë absolute. Ky projekt natyrisht që nuk përjashton projekte dhe teori të tjera, por është komplementar me to. Për të mos lejuar që të shkaktohen të qeshura lidhur me idetë e paraqitura, ngase larg mendësisë së sotme majtiste, po i sjellim ashtu sikurse autori i tyre, me bindjen se do të jenë bazë e një lëvizjeje të fuqishme të së majtës nesër.

Një e majtë nihiliste, jo metafizike, nuk mund t’i bazojë më kërkesat e veta tek barazia, por duhet të vendosë në bazë asgjësimin e dhunës...

...një “themel” i tillë teorik e bën të majtën t’i interpretojë në mënyrë më koherente të gjitha instancat që shprehen sot, – dhe që nuk kishin kuptim në kohë të tjera, – tek shtimi i vëmendjes për mjedisin dhe tek përpjekjet për të përvijuar një marrëdhënie të ndryshme me natyrën.

Ngulmimi për vlerën e barazisë, duket se nuk mund t’i kundërvihet asaj, që gjithnjë e më tepër, bëhet vlera qendrore e së djathtës, pra, lartësimi i konkurrencës në të gjitha shkallët e shoqërisë, si garancia e vetme e “zhvillimit”. Një shoqëri tepër konkurruese nuk është doemos në kundërshtim me parimet e barazisë, e megjithatë, vështirë se ne do ta përkufizonim si një shoqëri në përputhje me idealet e së majtës. Ky kundërshtim zgjidhet në bazë të “parimit” të pakësimit të dhunës, që përbën një cak të qartë të lartësimit të konkurrimit dhe të ideologjisë së zhvillimit me çdo kusht.

E majta mbetet ende sot e tunduar në mënyrë të vazhdueshme nga ideale komunitare, si p.sh. vlera-barazi, e që nëse shihen mirë, i kanë rrënjët tek ngulmimi në qëndrimet metafizike. Sipas këtij këndvështrimi, natyrës njerëzore nuk i përket vetëm barazia, por edhe përkatësia në bashkësi natyrore, të cilat rrezikohen nga copëzimi modern dhe nga lindja e detyrimeve shoqërore konvencionale, etj. 

I majtë  është qoftë rivendikimi i disa të drejtave bazë  si të natyrshme, – parullat e revolucionit të vitit ’89, – qoftë vetëdija e karakterit ideologjik të shumë vlerave, të drejtave, parimeve të përcaktuara si natyrore dhe të tërëshenjta. Pra, më mirë të mos diskutojmë për thelbet, dhe ta marrim gjendjen tonë historike si pikënisje, madje, të pranojmë qysh në krye se nuk bëhet fjalë për të mbrojtur dhe për të vlerësuar rregulla të shkruara diku në thelbin e gjërave, por për të marrë përgjegjësitë e projekteve vetjake në situatat e dhëna, të cilat, sigurisht, bartin edhe trashëgiminë e një kulture, besimi-tashmë në disa parime, në vend të parimeve të tjera, qenia-tashmë në marrëdhënie me të afërtit dhe të largëtit. E gjitha kjo del e tepron për ta pranuar si vlerë udhëheqëse barazinë, e cila nuk mund të mendohet pa solidaritetin dhe lirinë. Ndoshta, t’i mendosh gjërat në këtë mënyrë, në vend që t’i mendosh me termat e së drejtës natyrore, na përball me bazën “e vërtetë” të këtyre të drejtave: pra, me projektimin si përmasë e pamohueshme e ekzistencës.

Të thuash se si qenie njerëzore kemi të drejtën-detyrën për të (t’u) projektuar, ka një të mirë, sepse kjo nuk paracakton qysh në krye brendi të ngurta për idenë e asaj që është dhe asaj që nuk është njerëzore; për shembull, ofrohet një gjykim që mund të vendosë një drejtpeshim midis barazisë dhe lirisë, që shpesh ka qenë një problem për të majtën. Nëse themeli i barazisë është projektimi, i njohur si një e drejtë-detyrë e gjithkujt, është e qartë se nuk ka barazi të vërtetë, përveçse si një mundësi për të ndryshuar gjendjen e gjithkujt në botë sipas projekteve vetjake, të cilat, për t’u realizuar vërtet, do të kenë nevojë për mirëkuptim dhe bashkëpunim. 

Duhet thënë, se nuk mund t’i lihet së djathtës mbrojtja e projektimit dhe e lirisë, duke ruajtur për të majtën mbrojtjen e vlerave metafizike, të cilat dikur kanë qenë të së djathtës...

...kjo, e bën të majtën të vëmendshme ndaj procedurave, e bën atë një forcë demokratike pa asnjë ngërç, pakëson rrënjësisht tundimet për dhunë (fiat equalitas, pereat mundus), zbut prirjen e përhershme pedagogjike (proletariati duhet të edukohet që të ndërgjegjësohet), dhe pakëson mosbesimin e herëpashershëm për mekanizmat e demokracisë formale. 

Gjithçka që  lidhet me jetën, – qysh nga ngjizja tek lindja, tek manipulimi gjenetik, tek zëvendësimi i organeve, tek sëmundja dhe vdekja, – duhet trajtuar nga ligjet, jo në bazë të vlerave të pandehura natyrore (shenjtëria e jetës, të drejtat e embrionit, struktura e pandryshueshme e familjes), por në bazë të mirëkuptimit që vjen nga informimi dhe qartësia... 

Mospranimi i çdo ligji të pandehur si natyror dhe parimi i mirëkuptimit duhet të vlejnë për të gjitha sferat e jetës shoqërore që lidhen me të ashtuquajturin moral publik. Kryesisht, e kam fjalën për shumë gjëra të ndaluara, të cilat pasurojnë mafiet në shoqëritë tona, para së gjithash, droga, prostitucioni, dhe krimet e tjera të lidhura me sferën seksuale. Në këto mjedise, ajo çka sanksionohet nga ligji është vetëm dhuna kundër lirisë së individëve, duke treguar një vëmendje të veçantë për subjektet të cilëve ligji nuk ua njeh ende plotërinë e të drejtave (por ashtu siç mbrohen nga abuzimi i përbindëshit pedofil, të vegjlit, a nuk duhen mbrojtur edhe nga publiciteti dhe të privohen nga e drejta e blerjes?)

Një program politik serioz duhet të ndalet të paktën në tre aspekte të problemit: kushtet e nisjes (pra, duhet të parashikojë qoftë një kufizim të së drejtës së trashëgimisë, qoftë një rregullim bazë për të gjithë, për shembull, shtëpia në moshën njëzetvjeçare, arsimimi, dhe e drejta për punë); situatat konkrete ose situatat natyrore, të cilat shkaktojnë probleme shoqërore (para së gjithash, sëmundja dhe pleqëria), e ku nevojitet që shoqëria të ndërhyjë për të ngushtuar largësitë dhe për të korrigjuar marrëdhëniet; siguria dhe cilësia e jetës. Në pikën e parë hyjnë: politikat e lidhura me pronësinë, – më duket një ide shumë e mirë të merret shembull nga Anglia konservatore; politikat e lidhura me arsimimin (shkollimi publik falas dhe cilësor për të gjithë, të paktën deri në fund të periudhës së detyruar, me të drejtë të gjerë qytetarie për të gjitha përfytyrimet e botës, pra për “ideologjitë” e ndryshme; e më tej, universitete ndoshta të lira dhe të orientuara në aspektin “ideologjik”, me një sistem pagesash të përcaktuar nga ana e shtetit për qytetarët që do të shkojnë aty, bursa studimi, kolegje dhe mensa); politikat e drejtpërdrejta ekonomike për të krijuar vende pune, për të cilat ndoshta është e domosdoshme të braktiset ideja e ngurtë e mbrojtjes së të punësuarve në emër të një lirie më të madhe për sipërmarrje, duke pasur parasysh se, nëse shoqërohet nga politika garancie për kushte të barabarta në nisje, – asnjë trashëgimi, dhe arsimim për të gjithë, – “fleksibiliteti” i madh nuk rrezikon të shndërrohet në darvinizëm shoqëror.

Pakësimi i pabarazive konkrete apo i pabarazive natyrore.

Për sa u përket sëmundjeve, e majta duhet t’u garantojë të gjithëve një trajtim të njëjtë, pra një mjekësi publike efikase (vini re se shumë probleme vijnë drejtpërdrejt nga ndërthurja e mjekësisë publike me privatët: ka mjekë që veprojnë në klinika, në vend që të veprojnë në spitale; përcjellja e pacientëve nga publikja tek privatja, dhe gjëra të tilla). Meqë pika më kulmore do të ishte sigurisht ndryshimi i sistemit, duhet parashikuar një periudhë kalimtare, ku nga mjekësia publike do të garantohen vetëm disa shërbime bazë vërtet të barabarta për të gjithë...

Një politikë  e vërtetë ndihme për të moshuarit ndoshta është  ajo ku sot duhet të angazhohet më tepër e majta, nëse është e vërtetë, ashtu siç duket, se shoqëritë  tona po plaken dhe problemi i moshës së shtyrë do të bëhet gjithnjë e më i rëndë. Ndoshta, një hap që duhet hedhur, mbase jopopullor, por i domosdoshëm, do të ishte të parashikohet një ripunësim i të moshuarve në punë vërtet të dobishme e të përshtatshme. Sot, disa kategori të veçanta, si profesorët e universiteteve dhe gjykatësit, gëzojnë të drejtën për të dalë në pension më vonë se të tjerët, – sigurisht, arsimi, të paktën arsimi i detyruar, mund të ushtrohet kollaj edhe në moshë të shtyrë; nuk e di nëse kjo vlen edhe për gjykatësit. E pastaj, çfarë ndodh me shtëpitë e pushimit të pleqve? Pjesa publike thuajse nuk ekziston, dhe të krijohet përshtypja se pleqtë, ashtu sikurse emigrantët klandestinë, lihen në duart e atyre “skafistëve” të çuditshëm, që janë pronarët e shtëpive private të pushimit. Duhet që shteti ta marrë përsipër këtë lloj shërbimi, duke e ofruar me çmime “politike”, edhe pse jo doemos me humbje. Madje, në një kuptim krejt elektoral, një plan i këtillë ndihme për të moshuarit, do ta kurorëzonte forcën politike që do të ishte e aftë ta propozonte dhe t’ia niste nga realizimi.

Siguria dhe cilësia e jetës.

E majta duhet të ketë guximin të dallojë edhe të drejta të reja e të panjohura: e drejta për paqe dhe qetësi (ndotja akustike është një nga më të dëmshmet në  qytetet tona, por në përgjithësi trajtohet me shpërfillje nga administratat vendore dhe qendrore); mbrojtja e mjedisit, dhe mbrojtja e të drejtave të kafshëve, tashmë nuk janë një risi për të majtën, pas lindjes së lëvizjeve ambientaliste: por shumë shpesh kemi përshtypjen se tek e majta ende sundon ideja e zhvillimit me çdo kusht, ideja e industrializimit edhe në kurriz të vlerave të tjera, për të cilat do të mendohet më pas; ndërkohë që nevojitet një rishikim i përparësive, të gjelbrit kanë për detyrë t’ia kujtojnë këtë pjesës tjetër të së majtës.

Thjeshtimi i burokracisë, – “autorizimet” e panumërta dhe vonesat, për shembull të huamarrjes; shpenzimet e pashembullta të kontratave të hartuara nga noterët; vështirësia fizike për të paguar taksat, – mund dhe duhet të jetë një pikë tjetër që nuk i duhet lënë së djathtës “çfarëdo”.

Politika.

Për të  reformuar jetën politike, duke e çliruar nga çnderimi ku gjendet dhe nga zvetënimi që përligj këtë çnderim, para së  gjithash, duhet bërë kalimi në një sistem elektoral mazhoritar, që me shtimin e raundit të dytë, të arrihet një pakësim i numrit të partive dhe një thjeshtëzim i tablosë politike, me një transparencë më të madhe për sa u përket përgjegjësive. Financimet publike duhet të mundësojnë struktura partish në caqet e një “lehtësimi” të pranueshëm... Përnsa i përket përdorimit politik të medias, duhet një ligj i rreptë kundër monopolit, lehtësi për shtypin dhe mediat e informimit politik...

Zgripi shoqëror dhe anarkia.

...Në përpjekjen për t’i hartuar programet sipas një parimi të qartë (mua më duket parimi i projektimit) dhe për të nxjerrë pasojat kryesore, duke mos harruar asgjë ose sa më pak që është e mundur, e majta duhet t’i kushtojë kujdes edhe dukurisë së zgripit shoqëror si zgjedhje... Një kriter për të vlerësuar lirinë e një shoqërie mund të jetë edhe kriteri i aftësisë së saj më të madhe apo më të vogël për të lejuar që të jetojnë brenda vetes edhe dukuritë në zgrip të shoqërisë. Afërmendsh, ka gjithnjë e më tepër njerëz që nuk pranojnë të integrohen në një sistem prodhimi dhe marrëdhëniesh shoqërore që, edhe vetëm për shpejtësinë me të cilën ndryshon, shkakton mospranim, dhe që, për të njëjtat arsye, priret të përjashtojë nga bota e punës dhe e konsumit, një numër të madh njerëzish. Modernizimi, siç kanë treguar studimet e Fukoit, për shembull, por edhe më parë sociologjia e fundit të shek. XIX, përkon me një theksim gjithnjë e më të madh të disiplinës shoqërore; edhe për këtë, bota e zgripit shoqëror sot është më e dukshme dhe më skandaloze, e mbi të gjitha, përfshin edhe një shtresë njerëzish që nuk integrohen me vetëdije... Ndoshta, ideali i një shoqërie të majtë mbetet pikërisht ai ku, sipas një prej ëndrrave më pak të vjetëruara të Marksit, shteti në mënyrë asimptotike priret të zvogëlohet, në vend që të zgjerojë strukturat dhe funksionet e veta.

Socializmi, pra Evropa.

Socializmi, ose Evropa. Mund të frymëzohemi nga titulli i shkrimit të  famshëm të Novalisit [Novalis], ...deri në pikën ku ideali evropian paraqitet si një zëvendësues i vlefshëm, ndoshta i vetmi, i projektit marksist për ndërtimin e një shoqërie të patjetërsuar. Do të pikasni se dy projektet qëndrojnë në një nivel të ndryshëm të përgjithësimit filozofik: kjo është e vërtetë. Vetëm se, edhe ideali evropian, nëse mendohet tamam, ...bëhet një program i mbushur me kuptime politike, që me të drejtë mund të paraqesë një aftësi emancipuese të krahasueshme me aftësinë e marksizmit, tashmë të sfilitur.

Trashëgimia marksiste, nga e cila socialistët nuk duhet të heqin dorë, ndoshta është ajo që pikërisht demokracitë popullore të tipit sovjetik e kanë tradhtuar më shumë, ideja se ekonomia politike nuk është një shkencë natyrore, pra ajo nuk mund të lejojë asnjë planifikim të ngurtë të ekonomisë që pandehet si shkencore.

Por ajo çka duhet të mbetet nga një ide e tillë, – përveç një lloj vullnetarizmi të pashmangshëm në projektimin politik, – është vetëdija se e denjë, në pikëpamjen njerëzore dhe etike, nuk është përmbushja e ndonjë thelbi “natyror”, por pranimi i përgjegjësisë së plotë që vjen nga zgjedhje të argumentuara dhe të pranuara.

Vlera e projektit evropian qëndron e gjitha tek “artificialiteti” i vet, që mishërohet tek fakti i realizimit në mënyrë demokratike dhe, për herë të parë në histori, jo përmes fitores së dhunshme nga ana e një fuqie, si ajo e dinastive apo e prijësve që kanë kryer “bashkimet” kombëtare ose perandorake të së shkuarës. 

...Evropa, para së gjithash, si projekt i një ndërtimi politik të themeluar tërësisht tek pranimi i lirë, – i qytetarëve dhe shteteve me të drejta të barabarta, – sot është shfaqja më konkrete dhe më e dukshme e një politike kundërnatyraliste, pra “marksiste”, e krishterë dhe socialiste. Ngase është e tillë, ajo mund të kërkojë statusin e një ideali politik që mund të lëvizë vullnetet dhe të ngrohë shpirtrat. Gjithë të tjerat vijnë më pas, por pa ndonjë ndërmjetim tepër të koklavitur. 

...Evropa e konceptuar vetëm si një zonë e tregut të lirë, pa shumë pengesa shtetërore, është Evropa e përplasjes mes të fortëve dhe të dobtëve, që nuk dëshiron as t’u nënshtrohet rregullave “burokratike”, të cilat priren të sigurojnë në mënyrë sportive një barazi relative në pikën e nisjes.

Ajo që  na duket më e qartë është lidhja e këshilluar në  fillim, pra ideja se sot një program socialist, apo i së  majtës, mund dhe duhet të njësohet me programin e integrimit evropian. Në këtë program bëhen konkrete dhe duket se mund të zbatohen në praktikë vlerat, të cilat ende i bartin e majta dhe socializmi. Tematikat e tjetërsimit mishërohen sot te të drejtat shoqërore, politike, e qytetare, të cilat, edhe për shkak të niveleve të ndryshme të zhvillimit që kanë pasur në vende të ndryshme, gjejnë garanci dhe perspektivë afirmimi vetëm në suazën e një legjislacioni të përbashkët evropian: këtu, nuk e kemi fjalën vetëm për vendet që janë tashmë në Bashkim, por për vendet kandidate, të cilat shpesh vijnë nga një përvojë tragjike e socializmit autoritar. Se sa i rëndësishëm është horizonti evropian për një ekonomi që mund të zhvillohet duke dalë nga nënshtrimi ndaj Shteteve të Bashkuara dhe duke ruajtur një model shoqëror që tregon kujdes për solidaritetin mes klasave dhe brezave, është ajo çka duket sot gjithnjë e më qartë se, me euron e kthyer në monedhë “efektive”, jemi në rrugën (e pagarantuar, por e mundshme) e një realizimi të plotë të mundësive ekonomike të kontinentit.

Siguria, efikasiteti i drejtësisë, cilësia e jetës kolektive në vendet e ndryshme edhe në pikëpamjen e ekologjisë, të rezervave të  ilaçeve, të mbrojtjes së privacy-së në botën e telematikës, – e gjitha kjo, pra tërësia e kushteve të pashmangshme të lirisë, realizohet sot vetëm në gjirin e një integrimi më të hapur evropian.

Edhe në  përvojën e socializmit, ashtu sikurse është realizuar në  vendet e të ashtuquajturit socializëm real, modeli i ekonomisë  ka sunduar, – ashtu siç thotë edhe Arendi, – aq sa ka zhdukur pikërisht pranimin e individëve dhe të bashkësive. Por ky nuk ka qenë dështimi i socializmit, por thjesht dështimi i së njëjtës politikë të ndarë nga ekonomia dhe nga dhuna e ligjeve të mbijetesës. Të gjesh rishtas mëvetësinë e politikës, ashtu siç kërkon Hana Arendi, nuk do të thotë gjë tjetër, në gjendjen e tanishme, veçse të gjesh autenticitetin, dhe të vërtetën, shumë shpesh të harruar, ose edhe vetëm aktualitetin e socializmit.

Ideja e parë  është se një shoqëri në të cilën mund të jetohet, e aftë për të mos qenë shtypëse, as e hapur ndaj populizmit dhe mosdisiplinimit të dhunshëm që ai bart, është një shoqëri ku përmbushja e nevojës për mbijetesë shoqërohet edhe me pranimin e një tërësie të mirash të pamatshme në kuptimin ekonomik të fjalës, e që, megjithatë, janë kushte të pazëvendësueshme për një “jetesë të begatë”.

Dhe ideja e dytë: një shoqëri në të cilën mund të jetohet, e ku ia urojmë vetes të jetojmë, është një  shoqëri “politike” dhe jo vetëm “ekonomike”, – pra, le të themi, një shoqëri “socialiste”.

9 Komente

.Evropa, para së gjithash, si projekt i një ndërtimi politik të themeluar tërësisht tek pranimi i lirë, – i qytetarëve dhe shteteve me të drejta të barabarta, – sot është shfaqja më konkrete dhe më e dukshme e një politike kundërnatyraliste, pra “marksiste”, e krishterë dhe socialiste. Ngase është e tillë, ajo mund të kërkojë statusin e një ideali politik që mund të lëvizë vullnetet dhe të ngrohë shpirtrat. Gjithë të tjerat vijnë më pas, por pa ndonjë ndërmjetim tepër të koklavitur

-Projektimi modelit, nderhyrja ne zhvillimin  e ekonomise por pa i veshur asaj "kemishen e  forces" , me shume shtet, me pak rrjedhje te lire te gjerave ne shtratin e tyre "natyror" neoliberal. Ndoshta ky   modeli "marksist" i te majtes moderne, i propozuar nga Vattimo ,me teper merr ne konsiderate inxhinierine e pjese-pjeseshme te projektimit social per te cilen flet Poper .

Futurizem per te majten europiane sepse e majta shqitare piksepari duhet sjelle ne te tashmen , duke e nxjerre nga retorika ambiguine "edhe-edhe" .

 

 Futurizem per te majten europiane sepse e majta shqitare piksepari duhet sjelle ne te tashmen , duke e nxjerre nga retorika ambiguine "edhe-edhe"

s'ka asnje pike kuptimi!!!

"Gjithçka që  lidhet me jetën, – qysh nga ngjizja tek lindja, tek manipulimi gjenetik, tek zëvendësimi i organeve, tek sëmundja dhe vdekja, – duhet trajtuar nga ligjet, jo në bazë të vlerave të pandehura natyrore (shenjtëria e jetës, të drejtat e embrionit, struktura e pandryshueshme e familjes), por në bazë të mirëkuptimit që vjen nga informimi dhe qartësia... "

Uoooooouuuuu. Feuerbach Plaku, ku shkon? Po Erion Kristo, ku shkon me ato reticenca mu aty ku s'duhen? Kjo ketu s'eshte e majte, kjo eshte totalitarizem. Eshte jeta qe trajton, afirmon, apo mohon ligjin, or Gjon, dhe jo ligji qe trajton gjithcka lidhet me jeten. Nuk e kuptoj kete. Si mund te trajtohet nga ligji gjithcka qe lidhet me jeten, qofte edhe ne baze te mirekuptimit qe vjen nga informimi dhe qartesia? Ca jane keto ligje, ne mos bosh, qe mund te trajtojne gjithcka lidhet me jeten, deri edhe tek vdekja? Si mund t'a afirmoje projekti Europian jeten nepermjet ligjit pa u shnderruar ne projektin Amerikan te denimit kapital dhe te rrembimit te personit apo te zgripit shoqeror? Nese ka ndonje mirekuptim qe vjen nga informimi dhe qartesia eshte pikerisht mirekuptimi se informimi dhe qartesia nuk jane kurre te mjaftueshme, dhe ideja se ligji nuk mund te trajtoje gjithcka qe lidhet me jeten. Ca eshte kjo jete qe nuk paska vlera natyrore? Ca eshte kjo jete qe nuk qenka e shenjte, por e ligjshme?

Y sa i eger. Dhe te mendosh qe kjo propozohet per mainstream.

Lulian:Ca eshte kjo jete qe nuk paska vlera natyrore? Y sa i eger. Dhe te mendosh qe kjo propozohet per mainstream.

Lulian kam pershtypjen se dyshimet i con ne ekstrem. Nga pasazhi i sjelle  kuptojme se autori niset nga analiza e asaj qe konsiderohet si premisa teorike e te majtes historike: arritja e barazise ne shoqeri.

ka dy vleresime per barazi-pabarazite natyrore dhe ato shoqerore. Barazimtaret nisen nga bindja se pjesa me e madhe e pabarazite jane shoqerore dhe si te tilla te menjanueshme. Pabarazimtaret/te djathtet nisen nga ideja se pabarazite jane natyrore dhe te pamenjanueshme. Ky eshte diskutimi ndermjet te "natyrshmerise" qe mbron e djathta dhe "artificializmit" te cilit i referohet e majta.

Referencat ne planin me filozofik do te na conin perkatesisht tek Ruso -njerzit lindin te barabarte dhe eshte shoqeria/qyteterimi  e/i cila i ben te pabarabarte...

dhe Nice sipas te cilit njerzit lindin nga natyra te pabarabarte dhe shoqeria me moralin e saj te dobet te perdellimit dhe kopese i ka bere te barabarte, per rrjedhoje cdo projekt per anulimin e pabarazive eshte antisocial dhe antihistorik.

Vattimo pikerisht sugjeron se ne vend te trajtimit te disa parimeve dhe te drejtave  me termat natyrore , paradigma  e te majtes duhet te cvendoset drejt nje projekti te ri ne te  cilin shteti i se drejtes behet instrument  per nje politike kundernatyraliste.

Ja si thote : Ndoshta, t’i mendosh gjërat në këtë mënyrë, në vend që t’i mendosh me termat e së drejtës natyrore, na përball me bazën “e vërtetë” të këtyre të drejtave: pra, me projektimin si përmasë e pamohueshme e ekzistencës.

Megjithate djalli fshihet ne detaje. Kam pershtypjen se teoricientet e koheve moderne ndahen ne dy taborre: kush mbron idene nje shoqerie te bazuar tek liria vjen rrotull Smithit dhe ata qe si idela marin barazine  por duke perdorur  nje gjuhe te re dhe kendveshtrime te reja, rrotullohen rreth Marksit.

 

I majtë  është qoftë rivendikimi i disa të drejtave bazë  si të natyrshme, – parullat e revolucionit të vitit ’89,

sol, per cilin revolucion behet fjala?

Pse me pyet mua, nuk jam autor i shkrimit... megjithate po te pergjigjem

Behet fjale per revolucionin antitotalitar ne Europen Lindore. Ne fakt levizja "antikomuniste" ishte ne thelb e majte, pasi kerkonte me teper barazi, liri te te shprehurit, te drejta shoqerore, liri informimi dhe liri te zhvillimit moral e material te individit e shoqerise. Per me teper kerkonte rrezimin e konjukturave totalitare te pushtetit, qe ashtu sic i ka demaskuar Trotsky tek "Their Morals and Ours", prej kohesh ishin shnderruar ne struktura analoge me ato kapitaliste, qe ne vend te zhdukjes se klasave sollen zevendesimin e klases kapitaliste-borgjeze me klasen burokrate (qe vepronte po njesoj me pushtetin). Por sic ka ndodhur thuajse me te gjitha revolucionet e derimetashme, revolucioni i 89 nuk pati ndonje perfundim te lumtur, pasi nuk solli ndonje ndryshim substancial, marredheniet e pushtetit jane te njejtat.

Per ta kuptuar qe revolucioni ishte i majte, po ta vazhdoj analizen e po te them qe perkrahesit e PD ne Shqiperi ne fillim, madje edhe sot vijojne te jene shtresa te varfra, te prapambetura, te lena ne injorance, me prejardhje nga fshatrat e nga malet, ose nga me te pafuqishmit e me te varfrit e qyteteve. Pra jo tipikisht shtresa nga te cilat dalin politika te djathta pro biznes. Ndersa PS-ja trashegoi shtresen e intelektualeve partiake, qe ne nje fare menyre ishin shtrese aristokratike...

Por sot keto parti kuptohet jane mishmash social, kane turlisoj njerezish, dhe ne vend te klasave ekonomike mbizoterohen nga klasat efemere te te gjitha llojeve te hajduteve. Keshtu qe sot asnjera prej tyre s'eshte e majte (as ne konceptin poetik humanist). Ato jane te dyja te djathta sot, pasi duan te vjedhin, te pasurojne elitat e tyre, e te shtypin te tjeret.

Me fal qe jam i pergjithshem, po jam i detyruar ti bie shkurt.

sol, te pyeta ty, se ndoshta mos dije ndonje gje ti, se e ke sjelle kete, pa autorin nuk e kap dot. smiley

Per sa i perket pergjigjes tende te shkurter, nuk e besoj, qe levizja antikomuniste te kete qene e majte, dhe popullsia e vendeve te Europes Lindore dhe Juglindore nuk u ngriten per rrezimin e konjukturave totalitare te pushtetit, por u ngriten per te rrezuar sistemin e instaluar komunist, si sistem i deshtuar.

Per sa i perket shkrimit te mesiperm, dua te theksoj, se me duket shume i mjegullt dhe jo i pjekur si shkrim.

Problemet e te majtes europiane nuk mund te projektohen mbi te majten shqiptare. E majta europiane ka disa probleme krejt te tjera, qe kane te bejne me teper me "rreshqitjen" e socialdemokracise paksa djathtas, pas eksperimentit te "Rruges se Trete" te Tony Blair, si edhe me "rreshqitjen" e te djathtes se qendres ne te majte.

Autori i shkrimit te mesiperm i referohet filozofeve te te majtes ekstreme (sepse deri mesot e majta ka qene socialdemokracia, komunistet jane e majta ekstreme) te Europes Perendimore, duke e perzier edhe me Marksin.

Por nese Shqiperia mund te jete sot biotopi, i cili para dy shekujsh lindi teorite marksiste, nuk mund te pretendohet sot ne Europen Perendimore te jene po ato kushte, ne te cilat mund te besh politike duke u mbeshtetur ne marksizem. Eshte bere paksa problematike ajo puna e "shperndarjes" te te mirave materiale. Sepse eshte paksa e komplikuar sot, se te kujt jane "te mirat materiale" dhe kujt duhet tu rishperndahen ato?

Sol, kur flisni ju per te majten, per cilen te majte e keni fjalen? Behet fjale per socialdemokracine apo per te majten marksiste-leniniste? Ashtu si edhe kur behet fjale per te djathten, cilen nenkuptoni me te djathte, te djathten e qendres apo ekstremin e djathte?

Ketu flitet per Vattimon, qe une nuk e di se sa e se si e njeh, po nese e njeh nuk ka pse pyet. Ndersa per protestuesit e 89, ndajme mendim te ndryshem. Te kujtoj qe po flas per protestuesit, jo per ata qe moren pushtetin ne emer te protestave, si Berisha me shoke.

Kur une flas per te majten, ne pergjithesi e sqaroj gjithnje ne detaj se per cilen te majte e kam fjalen, dhe se si eshte, sepse eshte cliche te flasesh per etiketa qe mund te jene bosh, ose pa ndonje kuptim specifik.

Megjithate djalli fshihet ne detaje. Kam pershtypjen se teoricientet e koheve moderne ndahen ne dy taborre: kush mbron idene nje shoqerie te bazuar tek liria vjen rrotull Smithit dhe ata qe si idela marin barazine  por duke perdorur  nje gjuhe te re dhe kendveshtrime te reja, rrotullohen rreth Marksit.

 

sol, a do te jesh edhe ti i mendimit tim, nese do te thoja, qe te ndash teoricienet e koheve moderne ne dy taborre: ne ate te Smithit dhe ne ate te Marksit, eshte po aq naiv saqe te vazhdosh te shpjegosh dynjane duke u bazuar akoma absolutisht ne filozofine e Platonit?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).