Siç do të shkruash një titull dhe s’di nga t’ja fillosh

Siç do të shkruash një titull dhe s’di nga t’ja fillosh
Ardi Stefa
... Ashtu si do të shkruash gjëra të ndryshme dhe nuk di nga t’ja fillosh

Ashtu si ca muaj më parë,
Në një kinema verore shikoja një film që kur mbaroi
Thashë se ishte shumë i bukur!
Sa më pëlqejnë kinematë verore,
(Edhe në dimër...)
Edhe bukamviljet...
Në kinemanë verore të lagjes ngjitur...
Ashtu si atëhere, pra, në kimenanë verore
të rrethuar me bukamvilje, ku po shikoja një film të bukur,
I sapolarguar nga rajoni i policisë, apo zyra e bashkisë
I fyer e i poshtëruar
Në kinemanë verore, pra
Pashë, për një çast, një yll të binte dhe
Nuk doja ta lija një rënie të tillë të shkonte më kot.
Për këtë bëra një urim
Shpreha një dëshirë.
Kështu duhet bërë, thonë.
As atëhere nuk e dija se nga duhet të filloja.
Të gjitha këto ndodhnin ndërkohë që filmi shfaqej në ekran
She spektatorët vazhdonin ta shihnin të patrazuar...
Dhe, 5.536.682.714.000.000, yjet e tjerë
(numrit po ia fus kot, ashtu siç po ia fus kot se
nesër do të jetë një ditë e bukur e me shpresë).
Dhe 5.536.682.714.000.000, yjet e tjerë
(numrit ia fus kot. Thonë se yjet nuk duhen numëruar)
vazhdonin të ndriçonin.
Gjithçka vazhdonte si më parë.
Dhe nuk ia thashë askujt, për të mos u tërhequr vëmendjen.
Natyrisht, që rënia e ylllit, mund të koincidonte me pushimin e filmit,
Kur blinim kokoshkat apo arançatat,
Por disa gjëra nuk është e thënë të koincidojnë me ritmet tona...
Dhe të pyesë dikush, përse nuk e kisha mendjen tek ai film aq i bukur atë çast!
Dhe çfarë të përgjigjesh atëherë?
S’di!
Ashtu sikundër të pyesin se përse nis e e lexon këtë libër jo nga fillimi.
Ti do të përgjigjesh: “Përse? Njerëzit a i mëson që nga fillimi?”
Dhe kur të pyesin të njëjtën gjë për leximin e një gazete...
Ka rëndësi që kështu të pëlqen që ta lexosh
Në fillim lajmërimet e martesave e të vdekjeve dhe prostitutat e lira,
Pastaj tek kryeministri që u takua me emigrantët!
Dhe u premtoi se do të përpiqej që të merrnin lejet e qëndrimit!
Pastaj tek taksat që po rriten e çmimet që s’përballohen dot!...
... Ka rëndësi që kështu të pëlqen që ta lexosh
Ka rëndësi një pyetje e tillë idiote për diçka kalimtare si një gazetë?
Diçka kalimtare...
Diçka që shpesh herë na shërben thjesht për të mbuluar ato cepa muresh
Në të cilat nuk duam të pikojë boja nga ndonjë mur që po lyejmë.
Derisa të thahet edhe ai...
Ashtu sikundër të pyesin se përse e dëgjon të njëjtën këngë shumë herë.
Dhe përgjigjesh: “Për të njëjtën arsye që bën të njëjtat gabime shpesh herë!”...
Pyetje të parëndësishme, gjëra të parëndësishme
Ashtu si gjëra të parëndësishme mendon sa herë që lan duart
Pavarësisht se e di që nuk do t’i shplash kurrë shenjat e gishtërinjve
Dhe të njëjtat shenja do të lesh mbi bojë në rajonin e policisë...
Ashtu si çdo herë është i zbrazët gushti
Atëhere është kur i do kinematë verore më shumë se çdo muaj tjetër.
... Ashtu sikundër do që të zgjedhësh një këngë dhe nuk di cilën.

... Ashtu sikundër do të shkruash gjëra të ndryshme dhe nuk di si t’i mbyllësh...
... Ndërkohë që ende nuk u ke gjetur titullin...
... këtyre radhëve të shkruara në paketë cigaresh
ndërsa po mendon se ç’duhet të shkruash për “Autobusin...”
... Ashtu sikundër do të shkruash gjëra të ndryshme dhe nuk di si t’i mbyllësh...
... Ndërkohë që ende nuk u ke gjetur titullin...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).