shumë beqirë për asgje...

shumë beqirë për asgje...

E qëndisi Ardit Rada

Nuk e di përsa u përket juve por unë njoh njerëz që më ngjallin neveri. Kur them neveri e kam fjalën që ma pështirosin ekzistencën time sidomos në këtë vend. Pa ja të imagjinojmë në një moment se dikush insiston se qielli është jeshil dhe këtë e justifikon në emër të shkencës e s’ka burrë nëne tia kthejë mbrapsht mendimin. A nuk të vjën të plasësh? Herën e parë edhe ja fal se thua “po ja kështu i është fiksuar këtij të ziut se ka lexuar autorin e gabuar e s’ka pasur mundësi të gjejë një fakt për kaltersinë e qiellit.” Mirëpo njeriu në fjalë këmbëngul si mushka se ai di të vërtetën ndryshe nga miliona të tjerë dhe se e vërteta e tij është më e vërtetë se ajo tona. Unë në fakt kohët e fundit s’kam pasur siklete si kjo që thashë. E kisha fjetur mendjen se ngjyrat janë qartësuar, lëndët në natyrë janë ndarë sipas llojit e historia është shkruar një herë e mirë. Po Shqipëria qënka e çuditëshme. Dikur ishte shprehja “lum ti tokë se ç’trima mban” po s’besoj se dikujt do i shkonte në mwndje të thoshte dhe pjesën se kjo tokë rrit dhe hajvanë që bëjnë hije kot, dallkaukë që hanë bukën qyl e maskarenj. Fjalën maskarenj kur e mendova e kisha parasysh me gërmë të madhe ashtu siç shkruhet edhe emri Beqir. Beqirët në përgjithësi janë njerëz bosh, hipokritë, të rremë, kameleonë e injorantë. Të paktën unë kështu i kam Beqirët e mi. Beqirët shtohen e zakonisht bëhen karagjozë e qesharakë më shumë se shqiptimi i emrit të tyre në gjuhën tonë. Beqirët e mi të lënë pa gjumë, pa ngrënë dhe pa shkuar në shkollë. Ta shpifin shkollën, ta presin oreksin e të fusin në mendime të thella për budallallëqe, nga ato mendimet që ngjajnë si teorema të vështira por që në të vërtetë zgjidhen me një apo dy fjalë të thjeshta.

Beqirin që mu shtua këtë javë s’e gjeta vet. Ma serviri fillimisht Balkanweb. Ishte Beqir historie. Jo hero, ngjarje apo betejë. Ishte më shumë se kaq. Ishte Beqir e shkuar Beqirit. Ishte nga ato që dinë ku i pikon çatia fqinjit e që bëjnë dhe gruan e këpucarit të ecë zbathur. Nga Balkanweb mora vesh si fillim lajmin se Beqir Meta kish hartuar një tekst historie të profilit natyror sëbashku me dy kolegë të kallëpit të tij e me mbiemrat përkatës Dezhgiu dhe Lleshi. Mbiemri i Beqirit më kujton Ilirin dhe Shkëlqimin (të dy ish kandidatë për kryetar të PS-së). Lleshi s’më kujton gjë tjetër veç Haxhiut ndjesë pastë dhe batutës së tij në parlament në fillim të viteve `90 kundrejt Gramoz Pashkos, edhe ky pastë gjetur rehat atje ku ka rënë. Përsa i përket Dezhgiut s’më kujton asgjë. Asgjëja mua më krijon stres e frikë. Më duket sikur arrij nirvanën kur s’mendoj asgjë. Nejse, për të mos u zgjatur, të tre parodistët e sipër përmendur, më prishën rehatin e gjithe javës, sidomos fundjavën në Korçë që e kisha taksur për të pushuar. Më prishën rehatin se historinë gjithmonë e kam pasur në zemër dhe pse kam studiuar gjuhë të huaja. Sa herë që mbaronte lënda e historisë, merrja terma si “revolucion demokratik”, “kooperativë e bashkuar”, “liri e tregut” dhe mundohesha ti përktheja në rusisht. Nisur nga interesi për historinë, kam lexuar aq shumë saqë mendova se ç’do literaturë mbaroi dhe vërtetë u bë gati një vit që s’lexoj më për vendin tim. Ishte një histori aq e thjeshtë, e bukur, e larmishme, e debatueshme, e madhe dhe e pa imagjinueshme. Mirëpo të lë Beqiri? Ma prishi skenarin se na shpiku historinë e re e këtë s’ja fal kurrë. Ç’ti bëj unë termit “rebelim komunist” të beqirëve? A përkthehet kjo në ndonjë gjuhë? Communist rebellion, bën sens në anglisht? S’e besoj! Ose është revolucion ose asgjë.

Meta, Dezhgiu e Lleshi janë historianë por termat që përdorin i përkasin letërsisë artistike. Fjala bie, po ti lihej dorë më e lirë këtyre tre kopukëve, Revolucionin Demokratik të Qershorit mund ta kishin përkthyer shqip-ship si “Gjahu i Papritur i Kunadheve”.

Pavarësisht se gjatë këtyre ditëve ka patur mjaft polemika për interpretimet e historisë së viteve të fundit, madje edhe dëshmi se libri përmban pasaktësi në data e emra, beqirët këmbëngulin se gjithçka është tërësisht korrekte dhe e mbështetur në fakte. Beqirët me në krye Beqirin këmbëngulin edhe pasi kryeministri uli kokën e pranoi shkeljet e bëra në tekst. Beqirët e ngritën më shumë zërin se sa ministri Tafaj dhe pse ky i fundit tha që teksti “Historia 12” do të shkojë për ribotim me ndryshime dhe me ndërhyrjen e ekspertëve të tjerë të fushës. Ka mundësi që beqirët të mos i duan as të vetët e të jenë si ai muhabeti që thonë nga Labëria se “po ti kësh miq të prishin punë, e po ti kesh armiq të hanë munë.” E dini pse ndodh kjo kokëfortësi e Beqirit? Jo se Beqiri ka sedër aq të fortë sa mos të mohojë punën e tij por sepse ai kështu është gatuar. Meqënëse e hoqën prej leckash si drejtor të Muzeut Historik Kombëtar e në vend të tij vunë Biçokun, Beqiri do të na mbushë mendjen se ja edhe pse më hoqët nga drejtorllëku unë prape jam me ju (PD-në) e se jam i besueshëm pasi kam pasur faktet në dorë. Këto faktet dhe mund ti ketë prishur Beqiri xhanëm ose s’e ka ditur fare ekzistencën e tyre siç ndodhi me maskat mortore të At Gjergj Fishtës, Hysni Kapos e Enver Hoxhës që beqirët e muzeut s’e dinin ç’ishin e ku ishin.

Rraca e beqirëve është e keqe, më besoni për këtë! Arrijnë deri aty sa u thonë nxënësve: s’ju pëlqen teksti? Ballafaqohuni me faktet tona pa lërini pretendimet.

Faktet i ka bërë Beqiri me dorën e tij se Akademia e Shkencave shkoi për fis. Faktet e Beqirit janë të tipit: Shqipëria u çlirua më 28 nëntor se atëherë u shkrua telegrami i urimit; Pluralizmi politik erdhi pasi studentët në 1991 trembën Ramiz Alinë në zyrën e tij dhe në shesh kishin frikë dhe nga qentë e policëve; Protestat e 1997 ishin rebelim komunist mirëpo pas rebelimit komunistët bënë referendum se mos populli donte monarkinë kushtetuese; Haxhi Qamili qe halabak se u hapi bejlerëve depot e misrit e u dha bukë fshatarëve barktharë të Shqipërisë së Mesme etj, etj.

Mua më kanë befasuar gjithmonë Beqirët. Janë njerëz kokëfortë, sharlatanë e qesharakë e të turpëruar qoftë nga emri, ashtu dhe nga puna që bëjnë. Beqiri i historisë më doli me shkollë të lartë dhe ndoshta do ia hiqja kapelen po të mos kishte lënë nam. Beqiri tjetër, ai i Ballukëve, di që është pushkatuar me gjyq ushtarak për tentativë grushti shteti dhe vendosje të juntës ushtarake në vend. Dy të tjerët që njoh kanë pas punuar me skafe në Vlorë e kryesisht trafikonin bija nënash. Beqirin e historisë e njoh prëj kohësh si personazh që kur diskutonte se numri i dëshmorëve nuk është 28 mijë. E tmerrshme! Shumë beqirë i kanë dashur të keqen këtij vendi e indirekt dhe mua. Më ngrejnë nervat, më lënë pa gjumë, pa ngrënë e pa shkuar në leksione. Unë s’di as ç’tu bëj këtyre beqirëve mor Zot. Më transmetojnë gjithmonë rrymën më beqire që mund të ekzistojë në këtë dynja.

Botuar tek numri 2 i GAZETA

5 Komente

Nje kuriozitet kisha per ket Beqon; tja shikoja njehere suratin. E pra e pata kete fat dhe mbreme e pashe ne nje nga stacionet televizive duke ju pergjigjur disa pyetjeve te gazetares. Nuk ka nevoje me per komente se dukej qe ishte nje debil i lindur. E ne sisoj rethanash te keqen duhet ta kerkojme gjetke, por qe gjithsesi mbetet nje fatkeqesi natyrore.

Keto qe ka thene autori sjane gje hic ne krahasim me ate qe kish shkruar ne historine e tij Bequa: "Gerdeci ishte aksident teknologjik"

Dmth ja kishte kaluar prokurorise e gjykates me perfundime smiley

5 yje me 5 cepa shkrimit! 

E pashe dhe une kete Beqirin mbreme. Po me la me goje hapur, bashke me Shamaten. Si mund te flase njeriu ne ate menyre, ne vend qe te flase me fakte konkrete, fliste qesim, si te ishte ne kafene... c'ne kafene, njehere, po ke mejhane tymi t'u honger qofte e t'u pi me shoqnine e lagjes... smiley

Si s'e pashe njehere une kete kingun... Beqir fare do jete edhe nga pamja ma do menia! smiley 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).