Shqipja e Himarës dhe tabelat e Bollanos

Reportazh me dy pjesë botuar në korrieri, 22 dhe 26 prill
Në Himarë gjejmë të varur 10 flamuj në ballkone. Gjashtë janë me shqiponjë të zezë në fushë të kuqe, dy janë të BE-së, një i Partisë Demokratike dhe një i shtetit fqinj, i varur në zyrat e PBDNJ-së. Nga të 10 flamujt, ata të dy në bashkinë e qytetit, një shqiptar dhe një i BE-së, janë lidhur fort pas shtyllës: të vetmit që nuk valëviten. Vasil Bollano, kryetari i sapodënuar nga Gjykata e Vlorës me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë, ndodhej në mbledhje rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, kur ne u gjendëm para zyrës së tij. Në telefon u përgjigj sekretarja, që na njoftoi se flisnim në moment të papërshtatshëm. Kështu u detyruam të hiqnim dorë hëpërhë nga takimi me të dhe të vardiseshim rrugëve të qytetit gjysmë të shkretë, që për të të shoqëruar hapat, të fal vetëm muzikën e valëve të detit që përplasen me shushurimë në breg. Një kullë e vogël Babeli... Bunkeret vigjilojne

E përzgjedhur si pikë e nxehtë sherri mes Tiranës dhe Athinës, e ndonjëherë vetëm si pikë sherri mes Tiranës dhe Tiranës, Himara që duhet teorikisht të plotësojë kushtet e një fuçie që shpërthen, sa herë kryeqendrat shtypin butonin, ishte dje e qetë. Megjithatë, dënimi i kryetarit të bashkisë ishte temë bisede në kafenetë e saj buzë detit. Pjesa më e madhe besojnë se Bollano nuk do të dënohet, sidomos si është mbështetur nga kryeministri Sali Berisha. Ndoshta është vetëm qetësi e rreme, që pret çastin të shpërthejë, por askush nuk mund ta thotë këtë, derisa i vetmi zhvillim i zhurmshëm ishte grumbullimi në dyert e bashkisë i hallexhinjve që prisnin karta identiteti e u mungonte interneti. I pari që takojmë është një djalë nga Qeparoi, që ndërsa thith cigaren, bën ecejake në dyert e godinës dykatëshe të ngjyer me një të kaltër të dalë boje. “Të marrin edhe këta karta identiteti, që të mësojnë se janë shqiptarë”, - thotë ai dhe qesh me shpoti, duke parë nga një grup që flet greqisht pak metra më tutje. “Ne jemi ata që nuk e duam kryetarin e bashkisë. Te ne flitet vetëm shqip”, -shton i riu. Në fakt, ajo që e çon Bollanon drejt qelisë, është pikërisht gjuha. Gjykata thotë se ai shkuli pa të drejtë tabelat shqip të rrugës nga Llogoraja në Himarë, që t’i zëvendësonte ato me tabela të tjera në greqisht, me pretendimin se ishte në zonë minoritare. Teorikisht, të gjitha mosmarrëveshjet në këtë copë të mrekullueshme bregdeti lindin nga gjuha. Dhe qe pikërisht gjuha, ajo që na bëri përshtypje sapo u ndodhëm në qytezën, e cila po të mos kishte detin dhe atë copë të mrekullueshme natyre me të cilën është bekuar, mund të ishte e njëjtë me Fushë-Arrëzin. Pak pallate të ulëta, godina ish-institucionesh apo shërbimesh të rrënuara, rrugë të paasfaltuara dhe njerëz që përshëndesin këdo që kalon. Si kishim dëgjuar gjysma dialogësh në greqisht dhe shqip në dyert e bashkisë, vendosëm në një moment të bëheshim më të vëmendshëm ndaj saj. Si u gjendëm në kioskën që shet gazeta buzë plazhit dhe po diskutonim me një kalimtar të rastit për punë të kryetarit, një zonjë, si parkoi makinën, një fuoristradë me targa greke, pyeti shitësen në shqip: “A erdhi gazeta?” Aty për aty, shitësja ia ktheu në greqisht. Fjalinë e saj nuk e kuptuam në të vërtetë, por ne e dinim që gazetat nuk kishin ardhur ende. E interesuara diç komunikoi me një të moshuar që e shoqëronte, por ne mundëm të kuptonim vetëm pjesën shqip të bisedës: “Do na njoftojnë kur të vijnë më vonë”. Me këtë “babel” të vogël që simbolizohej në kioskë, mund vetëm të vije buzët në gaz. Sidoqoftë, të mbetur pezull në një zonë dygjuhëshe, ku ne kuptonim vetëm njërën, pyetëm shitësen se përse nuk ishte përgjigjur shqip. Stërhollimi i saj ishte po aq i çuditshëm. Në fakt, ajo vetë nuk ishte nga Himara, por e kishte mësuar greqishten kur kishte ardhur këtu dhe meqë himarjotët flisnin greqisht, asaj i pëlqente ta praktikonte. “E ç’të keqe ka?” - pyet ajo. “Kurrfarë?” - do i përgjigjej gjithkush. Ne në fakt nuk i kthyem më tepër se një buzëqeshje, sepse ndërkohë kërkonim shpjegim se përse në librarinë e saj dhe të të shoqit, ky nga Himara, të tetë librat dhe shtatë kasetat muzikore janë në shqip?! Po nuk marrim një shpjegim logjik. Në të vërtetë, në Himarë, pjesa më e madhe e burrave të ulur në kafene flasin greqisht, por është e pamundur të thuash nëse bëhet fjalë për 4 në 1 apo 4 në 3, aq më shumë kur shoferët, ndërsa shkëmbehen për herë të pestë në të njëjtën rrugë të ngushtë, shahen miqësisht, gjysma greqisht e gjysma shqip.Shpresat te Berisha, Bollano s’do shkojë në burgDhimitri, një i moshuar që e gjejmë në qendër të qytetit, thotë se ata që flasin shqip janë të ardhurit. Ai vetë e ka mësuar greqishten nga nëna dhe në shkollë fillore deri në ‘46 këtu jepej greqishtja si gjuhë. Burri i moshuar thotë me bindje që Bollano nuk do të shkojë në burg. “E pe që Berisha i doli në krah... “Këto janë gjëra arkaike”, - tha, e po foli ai, ashtu do bëhet”, shpjegon i moshuari. Sipas tij, Bollano nuk duhej ta kishte shkelur ligjin, por sidoqoftë për këtë, nuk mund të shkojë në burg. Kur i themi se Himara na duket e varfër, ai rrudh buzët dhe thotë se në fakt, e tillë është ngaqë gjithkush ka ikur prej këtu dhe pjesa më e madhe janë në emigracion. Sidoqoftë, për të fajin të gjithë e kanë “të kuqtë (komunistët) e Vlorës”, që duan të fusin në sherr Berishën me Karamalisin, që vjen në Shqipëri pas ca ditësh. Ai është i sigurt se pas kësaj, gjërat do të rregullohen dhe do të shkojnë më mirë, sidomos tani që po bëhet rruga. E ndërsa kujton këtë të fundit, i moshuari shfryn mllef politik kundër të gjithë ish-kryeministrave që e sollën rrugën deri në Qafë-Llogora, por nuk e çuan më tej. Ai nuk di të shpjegojë pse Petro Marko thoshte të kundërtën e tij për himarjotët, por ia vë fajin faktit që shkrimtari i njohur jetoi shumë kohë larg Himarës dhe ngutet të thotë se më shumë se xhaxhait, duhej t’ia vinim veshin nipit. Kur shoku i tij e korrigjon se në fakt ishte e kundërta, ai i kthehet edhe njëherë politikës, para se ne të ndahemi. “Nëse ka shkelur ligjet e shtetit, të dënohet”, - thotë Zhaneta, një grua rreth të 50-ve, që e takojmë diku në Potam, ndërsa pastron rrjetën e peshkimit. Ajo është nga ata banorë të qytezës së bregut, që pohon se është greke dhe se greqishten ia ka mësuar nëna, por shton se e di që jeton në Shqipëri dhe thotë se u bindet ligjeve të këtij shteti. “Nuk kishte pse i shkulte tabelat”, - thotë ajo, edhe pse gjithashtu nuk është e bindur që Bollano duhet të shkojë në burg. Përkundrazi, Sotir Sava nga Qeparoi që po pret bashkë me të shoqen dhe fëmijët për kartë identiteti, është i bindur se kryetari i bashkisë nuk do të shkojë në burg. Ai ka të njëjtin argument me Dhimitrin, por ndryshe nga i moshuari i përket një fshati shqipfolës, që nuk është fort i lidhur me kryetarin aktual të bashkisë. “Ai e ka lënë pas dore Qeparoin”, - thotë Sotiri, i cili si të gjithë banorët e bregut që në takuam, nuk është dakord me shkuljen e tabelave, por as është i bindur se, në fakt, mund të ketë ndëshkim për këtë. Për Sotirin dhe Ermalin, një 25-vjeçar që ndodhet edhe ky në oborrin e bashkisë, problemi qëndron te pronat. Ata thonë se gjithçka në Himarë është bllokuar dhe zhvillimi ka ngecur, për shkak se çështja e pronave është ende e paqartë. “Kryetari i bashkisë i ka bllokuar të gjithë ndërtimet, sepse kërkon që toka të ndahet sipas kadastrës së vjetër dhe jo ligjit 7501”, - shpjegon Sotiri. Ai thuajse përsërit të njëjtin refren që dëgjojmë në Vuno, ndërsa ulemi në tavolinë me pesë banorë të fshatit. Këtu udhëtuam, pasi përfundimisht mundëm të flisnim me kryetarin e bashkisë, por vetëm në telefon: “E kemi bërë një deklaratë për shtyp për këtë çështje, nuk do të flasim më”, - thotë Bollano në telefon. Ndërkohë, banorët e bashkisë së tij më shumë kanë “frikë” për pronat e tyre, sesa për kryetarin. Mjaft janë të bindur se klane e grupe të fuqishme duan t’ua rrëmbejnë nga duart pasurinë banorëve të bregut.
Çështja nuk është Bollano, por pronatHimara
Simoni, Irakliu, Pavlloja dhe Leonardi e kanë marrë shtruar, ndërsa rrëkëllejnë raki dhe shikojnë bregun teposhtë rrugës, ku ekskavatorët vazhdojnë të punojnë në zgjerimin e saj. “Rruga mirë që bëhet, por kjo nuk është kryesorja për ne”, - thonë ata njëri pas tjetrit dhe si për t’u mëshuar fjalëve, lëvdojnë shoqi-shoqin sa herë që del një fjali e tillë me ndonjë “hë më, të lumtë”. Për këta pesë burra, nuk ka një çështje “Bollano” dhe nuk ka rëndësi nëse ai dënohet apo jo për shkulje tabelash, pasi kjo është punë e drejtësisë dhe ata nuk duan të merren me të. Tjetër gjë kërkojnë ata të pestë njëzëri: pronën. Jo kështu si e kanë marrë në përdorim, ku ajo, edhe është e tyrja, edhe nuk është, por të gjithën me tapi, që të mund të bëjnë me të atë që ata duan. “Ne këtu kemi mbetur në diktaturë”, thotë njëri prej tyre, duke shpjeguar se për 20 vjet, edhe pse kishin paguar taksat për tokën, toka në fakt nuk ishte e tyrja, sepse ata ende nuk kishin një certifikatë mbi të. Pesë burrat janë të bindur se, në fakt, pas dënimit të kryetarit të bashkisë fshihen të tjera hile dhe që të gjitha kanë të bëjnë me tokat. Ata thonë se prej kohësh ndodhen në mes të dy “zjarreve”: shtetit që ka vendosur 7501-in dhe Bollanos që kërkon kadastrën e vjetër. “Ajo që kërkojmë ne, është që kjo gjë të marrë zgjidhje dhe të dimë se çfarë do të bëhet me ne dhe tokën tonë, të ndahet kjo punë njëherë e mirë”, - thotë Simon Bala. Sipas tij, tani toka është në duart e kusarëve. Çështja tjetër për ta është e mbyllur. “Ne e respektojmë kryetarin e bashkisë, se e kemi kryetarin tonë, por nëse drejtësia e dënon, ne nuk mund të interpretojmë atë që thotë drejtësia”, - thotë kryeplaku i fshatit Vuno. Po si ai, si shokët e tij kërkojnë që pikërisht kjo drejtësi të zbatohet edhe për tokat e pronat e tyre dhe njëherë e mirë të zbatohet ligji dhe gjërat të shkojnë në vendin e duhur. “Ishim 5 vëllezër dhe tani ajo që më takon mua nga ato që ka lënë gjyshi është shumë pak”,- thotë Pavllo Odiseja, ndërsa bën me dorë për të rrëfyer një ngastër të vogël toke. Sidoqoftë, ai thotë se këtë copë do të donte ta kishte të tijën dhe se pas 20 vjetësh nuk do të donte të ishte më dy herë emigrant. Vunoriotët ndjehen të fyer, tek trajtohen si të huaj nga të gjithë krahët, si grekë në Vlorë dhe alvanozë në Athinë, dhe për më shumë vuajnë braktisjen e shtetit të tyre. “Tirana e ka harruar bregun, ne duam që ata të kujtohen për ne. Sa për gjuhën, ja ku po ta them: ne i kemi zgjidhur dhe i zgjidhim punët në shqip”, thotë Pavllo. Aty për aty, si për të na vënë në pozitë shton: “Nëna ime, gjithë Vunoi, ka paguar faturat e energjisë edhe në ‘97-ën, kur askush në Shqipëri nuk i paguante, dhe unë jam krenar që e kemi bërë këtë, sepse ne e duam këtë vend”. Veç edhe ai, edhe të tjerët në tavolinë thonë se shumica e fshatit merr pension nga Athina, sepse siç thonë: “Kur mbetesh pa nënë, do të duash njerkën”.
Pjesa IILlogoraja, përballje me mrekullinëLlogaraja me mjegull
Do ta keni të vështirë të gjeni në Tiranë një tabelë të shkruar floktore, në vend të parukeri apo permanent, dhe nuk ka asnjë dyshim se gjuha e parë e tiranasve është shqipja. Përkundrazi, në Himarë ku u ndodhëm pak ditë më parë, i vetmi dyqan që ofron këtë shërbim shënohet si i tillë, në fakt në të gjithë qytetin ka vetëm një tabelë greqisht, ajo e një dyqani bojërash përballë bashkisë, e dihet që, sipas kryetarit të bashkisë së zonës, shqipja nuk është fort e pëlqyer nga këto anë. E ndërsa Bollano u dënua se shkuli nga rruga tabelat e orientimit nga Llogoraja në Himarë, se ishin në gjuhën shqipe, vetë himarjotët nuk duket se e shohin me të njëjtin sy këtë problem. Në fakt, të parat tabela të shkruara nga njerëz të thjeshtë i hasim diku duke zbritur Llogoranë, kryesisht në anglisht dhe shqip, ku tabelat janë mesazhe propagande politike dhe diku edhe nacionaliste. Por ndërsa je duke zbritur Llogoranë, zor se të shkon mendja shumë te gjuha e tabelave. Mjegulla që u ngjitet shpateve të maleve që ende ruajnë dëborë në maja dhe poshtë tyre, ngjyrat e papërsëritshme të bregut e të detit të lënë pa gojë dhe të heqin prej mendjes njëherësh gjithë pyetjet që mund të kesh qenë duke i bërë vetes për Himarën dhe himarjotët. Në fund të fundit, “dilemat” se ç’janë dhe kujt i përkasin këta njerëz që janë zgjedhur nga Zoti të jetojnë përbri një mrekullie të ngjashme, do të duhet t’i zgjedhin vetë, ndërsa ne kalimtarët mund edhe të mjaftohemi duke u ngopur me frymë dhe fiksuar fort në mendje kombinimin e mbinatyrshëm të gurëve, detit e mjegullës. Kjo duhet të jetë pamja që Petro Marko mbajti mend sa kohë qe gjallë, për të shkruar në fund autobiografinë “Re dhe gurë”. Kthesat e Llogorasë janë të forta, por rruga deri tani ka qenë bujare dhe në asnjë mënyrë nuk mund të thuash që je lodhur, duke numëruar pishat me forma të veçanta apo shijuar qetësinë që të fal bluja e thellë e detit poshtë këmbëve të tua. Makinën e ndalojmë disa herë, derisa kemi zbritur në fund të shpatit dhe tashmë ecim mes përmes fshatrave të bregut. Rruga e re, që vende-vende ka përfunduar deri në asfaltim dhe në pjesë të tjera është ende në zgjerim e sipër, herë na e lehtëson mjaft dhe herë na e bën më të vështirë udhëtimin, ndërsa presim radhën për të kaluar ekskavatorët apo makinat e tjera të mëdha që po çajnë shkëmbin. Sidoqoftë, edhe pse nuk kemi kaluar në rrugën e vjetër, nuk është e vështirë të kuptosh se përfundimi i punës në këtë aks do ta lehtësojë shumë jetën këtejpari dhe njëkohësisht do të ketë më shumë njerëz që do të mund të shijojnë pamjen e papërsëritshme të bregdetit dhe qytezave të vogla të ndërtuara në shpatet përballë tij. Kullat e harruaraKulle dhe Kishe ne Himare
Llogaraja tani ka mbetur pas dhe prej aty ku jemi mund të shohim vetëm sesi i qepet asaj mjegulla, duke mbuluar e zbuluar sipas rastit majat me dëborë dhe pishat që vigjilojnë në cep të shkrepave në vende, ku askujt nuk i shkon në mendje se mund të qëndronin. Tani, të tjera gjëra të bien në sy, ndërsa u vjen rrotull kthesave e hyn e del nga lagjet e fshatrave të bregut. Në faqe e kodrave janë shtëpitë e Vunoit, që na bien më së shumti në sy e duke qenë se aty ndaluam më gjatë, kemi mundësi të shquajmë format e ndërtesave. Tani, sigurisht që habitemi deri në një farë mase me frëngjitë në vend të dritareve dhe ndërtimet e holla dykatëshe prej guri që u ngjajnë së tepërmi kullave të malësorëve në Veri të Shqipërisë dhe më pak shtëpive njëkatëshe të pjesës tjetër të Jugut. Dhe jo vetëm ndërtesat, por edhe mënyrat sesi ato lidhen me njëra-tjetrën dhe rrugicat nëpër të cilat duhet të imagjinosh fëmijë që rendin për në det të lënë mbresa të veçanta. Kjo formë e të ndërtuarit dhe mbiemrat shpesh me trajtat e gegnishtes, por edhe besimi i këtushëm është se banorët e bregut kanë ardhur në këtë zonë nga malësitë e Krujës pas vdekjes së Skënderbeut. Kjo në njëfarë mënyre dëshmon edhe besnikërinë e këtyre njerëzve që u vunë në shërbim të djalit të heroit. Në fakt, himarjotët sipas Mojkom Zeqos, përmenden edhe më herët në Lidhjen e Lezhës e në beteja si ajo e Torviollit. Vunoi futet në fshatrat shqipfolës të Himarës dhe ne vetëm duke thënë këtë, i jemi kthyer së njëjtës arsye se përse kemi ardhur këtej. Shqip apo greqisht? Shqiptarë apo grekë? Pyetjet janë të njëjtat prej kohësh, madje edhe për vetë bregasit, të cilët, sidoqoftë, thonë se e kishin zgjedhur këtë punë me kohë. Pavllo Odiseja, një banor i Vunoi, na sqaron ndërsa jemi ulur në kafenë e fshatit, se banorët e bregut i kishin ndarë prej kohësh këto punë dhe kështu kishin jetuar po prej kohësh. “Kjo gjë ka qenë e rregulluar mirë e bukur, me katër fshatra që flisnin shqip e tre greqisht”, thotë ai. Për të dhe për mjaft banorë të tjerë të Himarës, kjo gjë ka pak rëndësi, derisa ata janë vetë të detyruar që mbijetesën ekonomike ta sigurojnë, duke emigruar në Greqi apo përmes pensionit nga shteti fqinj. “Gjithçka është bërë interes”, thotë një i ri nga Qeparoi në dyert e Bashkisë së Himarës, ku ai vetë, ashtu si shumë të tjerë nga këto anë, nuk gjejnë arsye se përse të heqin dorë nga mundësitë për të përfituar nga ana ekonomike, ndërkohë që Tirana i ka lënë krejt në harresë. “Ne kërkojmë që shteti shqiptar të kthejë sytë nga bregu, të na japë pronat”, thotë Irakliu, që po ashtu e takuam në Vuno. Irakliu nuk merr pension në Greqi dhe thotë se kjo nuk ishte zgjidhje, por manipulim dhe ai kërkon nga ana e tij, që zgjedhja të vijë nga Tirana dhe hapi i parë për këtë do të ishte kthimi i pronës për banorët e bregut. Kjo harresë, në fakt, nuk ka filluar tani. Tirana duket se që prej pavarësisë së Shqipërisë nuk ka qenë fort e brengosur për fatin e banorëve të këtyre anëve, që duhet thënë se nuk janë të vetmit të lënë në mëshirë të fatit. “Pastaj edhe në kohën e pavarësisë, himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdesua asnjëherë për ta”, shkruan Petro Marko, në faqen 51 të autobiografisë së tij. Ndërsa kalon përmes fshatrave të bregut, kjo harresë bie në sy qartë. Mrekullia me emrin Himarë prej vitesh ka pasur vetëm një rrugë teke, ku dy makina do ta kishin të vështirë të këmbeheshin, ndërsa vetë fshatrat 19 vjet pas rënies së diktaturës duken përgjithësisht të braktisur. Pjesa më e madhe e banorëve emigrojnë prej këtej dhe kjo përbën një nga të tjerat habi të këtij vendi, se në fakt, pak burrave do t’u bënte zemra të hiqnin dorë nga një tokë si ajo e Himarës dhe nga një det si ai që lag këto brigje. Tabelat e Himarës dhe ato të BollanosDhermiu
Himara, si qendër e zonës, nuk është se jeton më ndryshe nga pjesa tjetër e fshatrave. Sidoqoftë, atë e gjejmë më të gjallë dhe aty për aty, na vete mendja tek tabelat. Tabelat si motiv për të udhëtuar 7 orë, ndërsa kemi mbërritur në këtë qytet, na duken tani shumë të kota, para bregdetit dhe pamjes që ofron natyra, por sidoqoftë, aty për aty vihemi në kërkim të tyre. Andej-këndej rrugët janë shkarravitur dhe rishkarravitur me fjalë greqisht e shqip, me bojë të bardhë e të kuqe, por këto nuk është se na bëjnë aq shumë përshtypje, ndofta edhe nga që shkrimi e rishkrimi mbi to i bën një pjesë të tyre të palexueshme, qoftë edhe se gjuha e shkruar shkon krejt përtej asaj pamjeje mahnitëse që na u ngul në mendje, ndërsa u afroheshim këtyre anëve. Kështu që i heqim mënjanë këto shkarravina dhe vendosim të merremi me tabelat pak më serioze, ato që shënojnë dyqanet. Të gjitha, veç njërës janë shqip. Madje edhe firma e bojërave që e ka njoftuar përballë bashkisë në greqisht aktivitetin e saj, në një dyqan të dytë e njofton atë shqip. Asnjë nga banorët nuk është se di të na japë një përgjigje për këtë dhe ndoshta nuk është e thënë që të ketë një përgjigje për këtë, edhe pse në mendjen tonë kjo duket paradoks. Domethënë, Himara ka një kryetar bashkie që kërkon që tabelat e rrugëve që lidhin Vlorën me Himarën të jenë në greqisht, ndërsa qytetarët e këtij qyteti i emërtojnë dyqanet e tyre në shqip. Madje më tej habitemi kur ndërsa kthehemi nga Potami, e për të fshirë imazhin e një ish-stacioni uji të kthyer në kënetë dhe të një ish-spitali të rrënuar, lexojmë tabelën “Floktore” dhe një shigjetë e kuqe që të çon drejt saj pas pallateve. Floktore?! Në Tiranë thuajse e kanë harruar këtë fjalë dhe vajzat e gratë përgjithësisht shkojnë në parukeri. Për ne, ky sigurisht është një zbulim. Dhimitri i moshuar që e takojmë në rrugë pranë librarisë së vetme të qytezës, nuk është shumë i sigurt nëse mund të përgjigjet për këtë punën e tabelave dhe qesh pak si i vënë në pozitë, kur i themi se në Tiranë gjen më shumë tabela në gjuhë të huaj, sesa në Himarë. Fjalët e vunuriotasve, se banorët e bregut prej kohësh kishin gjetur paqen mes shqipes dhe greqisht dhe i kishin përdorur të dyja, na duken tani edhe më fort intriguese. Por, nëse në Himarë (fshat greqishtfolës) bukës i thonë bukë, atëherë çfarë janë himarjotët? Në fakt, për banorët kjo gjë është po aq e komplikuar sa edhe për ne që shkojmë atje. Një pjesë janë të bindur që janë grekë dhe që kanë folur gjithmonë greqisht, të tjerë përkundrazi, që janë shqiptarë dhe se kanë folur gjithmonë shqip. Edhe heronjtë ky vend i ka të ndarë më dysh. Një pjesë si Spiro Miloja u vranë në luftën për pavarësinë e Greqisë, të tjerë si Dhimitër Leka luftuan si shqiptarë, e ky i fundit qe frymëzim i njërës prej poemave më të mëdha të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, “Milosaos” së De Radës. Himarjotët sot dhe më herët e kanë pasur të vështirë të pranojnë o njërën, o tjetrën zgjedhje, edhe pse për ta një sherr i tillë për t’u ngjitur medoemos një emër ndonjëherë duket krejt i pakuptimtë. Petro Marko, që lindi dhe u varros në Dhërmi, për të qenë më parë një nga shkrimtarët më të mirë të shqipes dhe një nga luftëtarët e rrallë të lirisë ishte shqiptar. “Qoftë im vëlla Fotoja, qoftë kushëriri im, Jani, i sikterisnim duke u thënë: “Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajmë edhe flamurin ditë e natë ngritur në ballkon. Ne e dimë gjakun tonë nga buron”, shkruan ai në faqen 51 të “Intervistë me vetveten”. Por njerëz që mbajnë të njëjtin mbiemër me të dhe kanë të njëjtin farefis nuk e pranojnë një gjë të tillë. Stavo Marko, gazetar nga Himara, shkruan në blogun e tij (smarkos.blogspot.com), se janë gazetarët shqiptarë që ia ndryshojnë origjinën greke shkrimtarit, ndërsa vetë mbron “kauzën” e Vorio-Epirit. Rruga e kthimit është e lodhshme, si je i detyruar të lësh pas gjithë bukuritë që ofron bregu i detit dhe të mbetesh po aq i pështjelluar për pyetjet që kishe ngritur në fillim. Ndoshta e vetmja përgjigje e qartë, ishte ajo që na tha para se të ikim një banorw i Vunoit: “Nga këto anë misrit i thonë misër, jo si diku në Veri, ku i thonë kallamoq (fjala greqisht)”. Vazhdon

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).