Shqipëria i jep fund Apartheidit

Shqipëria i jep fund Apartheidit

Gentian Spiro

Qeveria Shqiptare nëpërmjet një VKM-je speciale vendos që t’i japë fund apartheidit në Republikën e Shqipërisë. Në konferencën e fundit në skype të këshillit të ministrave vetë i pari i tyre deklaroi me plot gojën se ka ardhur dita që të bardhë e të zinj të jenë njëlloj. Berisha konfirmoi qëndrimin e tij të patundur për barazi, dhe bindjen e tij se indigjenët në këtë vend duhet të kenë të njëjtat të drejta me kolonët me origjinë evropiane. Ky vendim mësohet se do të ndikojë shumë në përmirësimin e cilësisë së jetesës në ishujt e Prespës së Madhe, sidomos në Mali Grad. Bashkë me këtë VKM, Sali Berisha kaloi një sërë urdhëresash të tjera që do të rregullonin më në fund situatën e sikletshme që krijoi pseudokriza ekonomike në rajon. Kështu qeveria shqiptare ka filluar programin “Të shkojë haka te i zoti”, një program etnokulturor, që synon rikthimin e toponimeve, hidronimeve e oronimeve pellazge ashtu siç kanë qenë. Me dekret të vetë Berishës shtetet që ndodhen aty ku dikur ka patur pellazgë, Shqipëria do t’i njohë vetëm me emrin e tyre të pakorruptuar. Emiri Saudit protestoi, por ambasada shqiptare në El Riad nuk u tund nga vendimi për ta quajtur atë vend Arbëria Saudite. Ndërsa ambasadorët e Turqisë, Greqisë e Egjiptit paraqitën të skuqur disa vërejtje të brendshme të stafit të ambasadës në lidhje me etnonimet pellazge. Një reformë tjetër kruçiale, merita e së cilës bie mbi shpatullat sportive të Sali Berishës, ka qenë lërimi i martesave gej. Mësohet se Berisha ka këmbëngulur që të lejohen jo vetëm martesat, po edhe fejesat e tyre.

E majta ndërkohë e gjendur përpara këtij gjeniu politik është ndjerë e kërcënuar. Shumë prej votuesve tradicionalë të së majtës janë ndjerë të joshur nga Berisha, madje në qarqe shumë pranë selisë rozë është dëgjuar blasfemia “Sikur Berisha të ishte i majtë tani do ishte parajsë komuniste ky vend. Se ai e ka dhe me pasion të majten, nuk shtiret”. Në kushte të tilla Edi Rama ka urdhëruar të gjithë qëndrestarët e tij të bëhen gardh rreth anëtarësisë. Në mbledhje të brendshme konfidenciale Rama ka siguruar që për të mundur Saliun duhet një Sali tjetër, dhe ai i ka të gjitha mundësitë të bëhet Sali e më keq se Saliu, me këtë kapacitet që ka e me këto bindje. Pas këtij fjalimi të shkurtër Rama propozoi që Kastriot Islami të kërcente vallen e Osman Takës, nën litar, për ngazëllimin e publikut rinor parlamentar rozë. Kjo zbavitje e re solli një frymëmarrje për socialistët, të cilët që prej dy vjetësh kanë si zbavitje të vetme debatet mësimore që organizon çifuti i Ramës, debate tek të cilat humbësit dënohen me fshikullim publik në oborrin e brendshëm të bashkisë Pogradec.

Të rinjtë e partisë socialiste, kryesuar nga Pandeli Majko, kanë dalë në konferencë të përbashkët urgjente për shtyp. Të shqetësuar nga fenomeni emergjent i zëvendësimit të të rinjve me të rinj edhe më të rinj, të rinjtë e vjetër kanë ndjerë me një herë një ngacmim nga pas, si rrufe në qiell të hapur. Pandi Majko ka mbajtur fjalën e hapjes në këtë konvente rajonale të konservimit të të rinjve, duke thënë se ai është i ri, dhe pse i pjekur mjaftueshem për të marrë përgjegjësi politike mbi shpatullat e tij të njoma. Majkua ka ofruar si shenjë të pjekjes thinjat e tij, dhe si shenjë të rinisë të vazhdueshme faktin që nuk i ka rënë asnjë qime floku. Kjo, ka thënë Majko, është krejt e kundërta e favoritëve të Ramës, si Ed Shalsi, i cili nuk është i thinjur dhe është tullac, pra është i papjekur dhe plak.

Në konferencë ka mbajtur një fjalim prekës dhe zonjusha Spiropali, e cila me një zë që dridhej tha: “unë erdha vetëm tre javë më parë në PS, jam kaq e re!!! E meritoja unë të zëvendësohesha nga Falma Shazi?”. Megjithatë – ka shtuar Spiropali – të mos gëzohet shumë Falma, se keshtu si unë ka për t’i gjetur të gjithë të rejat që i afrohen Ramës. Me mallkim nëpër dhembë, Spiropali është tërhequr në shpellën e saj të errët diku nga katakombet e rrugës Bardhyl.

Rama ndërkohë ka nisur të tundohet nga alegria e rikthyer e Nanos. Sipas mastermajndit të selisë rozë, Rama në një moment të dytë mund të zëvendësojë të vjetren Falma Shazi me të riun Nano...

Një lajm nga rubrika Ekonomi. Ludina Ceceli, specialistja e embël, e re, e pafajshme, dhe tmerresisht seksi e Edi Ramës ka dhënë mandatën që shqiptaret e prisnin, por nuk e prisnin kaq shpejt. Ceceli, me një buzëqeshje të pafajshme ka thënë se ekonomia nuk ndërtohet mbi shifra, dhe se me ose pa shifra, shqiptarët sërish nuk do kenë pak gjalpë për të ngjyer pllaken e bukes me qepë që u jep nënia me vete kur i nis për dru. Ludina Ceceli tha që kriza ekonomike do ta beje mashkullin shqiptar më posesiv, më të padepiluar, dhe do t’i jape atij aromën karakteristike të myshkut të drunjve të pyllit. Sipas specialistes së ekonomisë dhe të investimeve, zonjushë Cecelit, varfëria ekstreme mund të bëjë që në trupin e mashkullit të rriten sende të ndryshme, si kërpudha, të cilat mund të shfrytëzohen për lloj lloj biznesesh personale.

Në mes të deklaratës së zonjës Ceceli, ndërhyn Mrika, që tha: “Ja Abas Ali Tomorr, ça na gjeti me këto të rejat. Ne mezi u rrisim burrave kurajon, vetëstimulimin e të tilla gjëra, kjo do t’u rrisë dhe kerpudhat.”

Deklarata e Mrikës gjen përgjigje të drejtpërdrejtë nga teqeja e Tomorrit, ku baba Mondi shprehet se kryegjyshata bektashiane kërkon futjen e fungus albanicus në listën e ushqimeve që përfitojnë nga marrëveshjet e tregtisë së lirë. Monika Kryemadhi me një herë deklaroi se Fungus Albanicus ishte kandidati i dytë i LSI-së në rrethin e Lusnjes, dhe atij i janë vjedhur votat. Monika bërtiti në fund të deklaratës e tha : “Është koha për veprim”, duke trembur kështu një tufë me pula, anëtare të LRI-së dhe institutit IDEA.

Në mez të beharit, tashmë më i përqendruar se kurrë te vetvetja, Sali Berisha zgjodhi t’i kalojë pushimet gju më gju me popullin, në rezidencën qeveritare në Dhërmi. Ky vendim u analizua me shpejtësi nga forumet drejtuese ekstraintelektuale të majta dhe disidente të LSI-së, që vendosën të çonin në lokacionin e famshëm turistik edhe familjen Kryemadhi. Sipas korrespondentit profesional investigativ në karrierë të Saktivistas në Amsterdam të Hollandës, Flavio “na mori malli” Qarri, mësohet që dy burrat e shtetit, pra Saliu dhe Monika, po kryejnë bisedime dypalëshe nën vëzhgimin e Liries dhe Ilirit, që lozin pesqindsh nën hijen e ullinjve të rivierës së mrekullueshme Shqiptare. Bisedimet kryesisht konsistojnë në ndarjen e ministrive, dhe Saktivista në bashkëpunim me emisionin Ospinion të gazetarit BiF do t’ju mbajnë në korrent të situatës me rubrikën tonë të re QIE ‘09(Qeveria e Integrimit Evropian).

Mësohet se pikërisht gjatë diskutimeve mbi personat që do të punojnë si roje parkingu për ministritë, Saliu është ngritur i vaposur, ka shqyer këmishën e tij prej mëndafshi të kaltër kinez dhe është hedhur kokëngulthi në ujë. Koordinatat e vendit ku Berisha u krodh, u morën shënim nga disa aktivistë të lëvizjes qytetare politike jofitimprurësë G098, të cilët u zotuan që të nesërmen në po ato koordinata do të lundronte një peshkaqen portokalli i sjellë apostafat nga hollanda. Peshkaqeni kishte që në 29 qershor që nuk ushqehet, mirëpo adjutanti i Saliut, mr. Pathosi, e zgjidhi shpejt e shpejt këtë problem, duke kapur dy aktivistë fshatarë të LRI-së, që me kokallat e tyre të krijuara gjatë gjashtë vjetësh opozitë arritën ta nginjin peshkun vdekjeprurës. Nga maja e një shkëmbi aty pranë zëdhënësja kaçurrelse e PS-së deklamoi gjithë hidhërim që sabotimi i peshkaqenit nuk qe aspak gjë e bukur, e megjithatë PS do të sjellë një tufë me Piranja nga Amazona, përpara shtatorit. Adjutanti Pathosi fillimisht u sikletos pak, po pastaj shëtiti sytë mbi gjoksin e varur e leshtor të Ilirit, dhe u qetësua. E gjeti me çka do t’i nginjte dhe piranjat rozë.

Ndërkohë një telegram urimi mbërrin nga organizatorët e kampionatit botëror të notit, në Romë, që diplomon si notar Honoris Causa zotin Berisha, thyerës të çdo rekordi të mëparshëm (që i kishte vënë po vetë). Sipas komisionit olimpik të diplomave, Sali Berisha është i vetmi njeri ekzistues që ka bërë 123 minuta not për të arritur kufirin detar të vendit të tij, që ëshët vetëm pesë minuta not larg bregut pas shitjes që iu bë Greqisë. Mësohet që mjeshtrat e notit olimpik e kanë vlerësuar përpjekjen e kryeministrit për të bërë not në stilin sloëmotion. Njëri prej tyre madje u shpreh që distancën nga bregu deri në kufirin shqiptar edhe një foshnje që sapo ka mësuar të pllaqurisë mund ta bëjë për 30 minuta, kështu që bravo i qoftë kryeministrit që e bëri për dy orë. Kjo deklaratë e mjeshtrave italianë i ka dhënë zemër të shoqit të ministres së integrimit, i cili kurrë nuk kishte provuar të arratisej nga bregu, pasi mendonte se kufiri qe shumë larg...

Me arrogancën karakteristike të pushtetit, edhe LSI ka vendosur të thyejë rekorde. Kështu Monika e ka dërguar Ilirin të blejë 25 kg djathë kaçkavall, 30 kg mish, dy arka me birra, ujë pa gaz tepelene, ujë me gaz gline, dy shalqinj nga 7 kile secili, një pako facoleta, një sapun dhe tre orbit pa sheqer. Që këtu Iliri theu rekordin personal të peshëngritjes, me mbi 180 kilogram mall të blerë. Pronari i minimarketit i tha një mijë herë efkaristo, dhe filloi me një herë aplikimet për të marrë dokumenta homogjeni në republikën autonome të Skraparit. Fatkqeësia e Ilirit kur erdhi në shtëpi qe e madhe, ai jo vetëm që nuk mori diplomë për rekordin, si ajo e Berishës, por u vu të këndojë me zë të lartë një këngë popullore italiane, sipas kërkesës së fëmijëve e bashkëshortes së tij të këndshme.

8 Komente

Rrofte miqesia shqiptaro-kinezo-afgano-talebano-pellazgo-brekrepishte.........

po vras menien cer konge italjone mund te ket knu Lir Meta.

Un them kte:

mi amava, mi odiava,
mi amava, mi odiava,
era contro di me,
io non ero ancora il suo ragazzo
e già soffriva per me
e per farmi ingelosire
quella notte lungo il mare
è venuta con te.
Ora tu vieni a chiedere a me
tua moglie dov'è.
Dovevi immaginarti
che un giorno o l'altro
sarebbe andata via da te.
L'hai sposata sapendo che lei,
sapendo che lei
moriva per me
coi tuoi soldi
hai comprato il suo corpo
non certo il suo cuor.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).