ShQEPËri

ShQEPËri


Sepse shqiptarët më ngjajnë me qepë. Të paktën mënyra sesi funksionon kujtesa historike, po. Në fund të fundit kur një gogol si Shreku, pretendon se ngjan me qepë, pse të mos e bëjmë këtë krahasim? Sepse shtresat në të cilat kalon historia shqiptare, e shkruar apo jo, të japin një ndjenjë ëmbëlsie djegëse kur e lexon, nga e cila mund të burojnë dhe lot. E për më shumë i ngelet pas disa kohësh ajo era e pakëndshme karakteristike e bimës në fjalë. Një erë e pakëndshme ndihet ndonjëherë ndër ne. Nuk mban era qepë, por era injorancë.

Fjala qepë në shqip, është në gjininë femërore. Ndoshta një hap përpara integrimit kur i njihet roli femëror bimës dhe trajta mashkullore është pak e përdorur. Nuk besoj të ketë njerëz që nuk e dinë se trajtës mashkullore të fjalës qepë, i përgjigjet fjala dudum. Dudumi është qepë me një xhufkë, që i rri lehtë mbi kokë bimës, me disa fije të bardha që era i lëviz aq herë sa fryn. Dudumi është eolik.

Era qepë e historisë, i detyrohet pikërisht dudumëve. Dudumit të parë që mbahet mend, i dukeshin mustaqet e veta të holla aq të fisme sa e shpalli veten mbret. Ai zbatoi politikën e hapjes së dyerve të botës ndaj vendit të qepëve duke lejuar të huajt të na mbanin erë e të na gatuanin si të donin. Derisa të huajt vetë u bindën se kjo tokë pjellore ndoshta vlente më shumë sesa qepët e mbjella në të. Kështu na pushtuan. Si qepë që jemi filluam të qajmë pushtimin e pushtuesit dhe largimin e mashtruesit. Më pas një dudum tjetër vjen na ... e na mbush mendjen se nëse kemi ndërmend të gatuhemi, do ta bëjmë me forcat tona. Madje duke zbatuar mjetet e reja teknologjike. Kështu u futëm në tenxhere me presion, të izoluar me vullnet të dorëzuar, dhe dëshirën e zjarrtë për tu bërë çomlek. U bëmë dhe çomlek, po përsëri mbanim era qepë. Jemi qepë interesante ne... Qepë që nuk ka fituar imunitet ndaj erës së vet dhe qan sa herë ndodhet nën efektin negativ që lëshon era e rracës së vet. Ky difekt biologjik, ka kufizuar jashtë mase mënyrën e të menduarit. Ja tani psh, kemi dy variete kryesore qepësh: qepë që qajnë si reagim ndaj dudumit paraardhës dhe qepë që qajnë nën efektin e nënshtrimit të dudumit aktual.

... dhe Coca Cola.
Në fillim vitet 90’ mund shumë lehtë të konsiderohej si pija ekzotike e perëndimit. Në rang sigurisht më të lartë prej çamçakëzave. Kishte status aq të lartë sa ndonjë kanaçe e zbrazët mund të siguronte vend si ornament në bufetë karakteristike të kohës së komunizmit. Vend nderi zinte dhe në tavolinën e të ftuarve sa herë vinin apo shkonim miq. Coca cola, me zhurmën karakteristike të hapjes që transmetonte cingërisja e gazit në shishe. Shoqëruar bashkë me qortimin e të mëdhenjve të mbyllej sa më shpejt tapa se ikte gazi. Me kalimin e viteve statusi bie poshtë, por duke nderuar gjithsesi zotëruesin edhe mikun. Çast shkëputjeje prej kolektivizimit. Akoma më pas, siguron pija rënie drastike të statusit të vet kur gojët e liga filluan të përhapnin fjalë se ishte thjesht ujë me gaz dhe sheqer. Është në fakt e vërtetë, po jo vetëm kaq. Të ishte kaq pak, nuk do bëhej pija më e shitur në gjithë botën. Po, përmban dhe kafeinë. Shoqëruar me lyrën e fast food-ëve, sipas studimeve, krijon një gjendje vartësie në organizmin e njeriut. Pak nga pak, po i kuptonim të gjitha. Ose të paktën nuk u desh shumë kohë për të kuptuar pse fast food-et reklamojnë menu të ndryshme me coca colën falas në të. Akoma dhe sot nuk e kuptoj gjithsesi se çka më shumë sesa qumështi i vendit, sepse ky i fundit paradoksalisht, shitet më lirë! Sot të gjitha mallrat e vendit shiten lirë...

4 Komente

Jul,

Më pëlqeu shkrimi por sidoqoftë, rri tek qepët,

Unë për vehte nuk i ndrroj qepët me preshin.

Aq më tepër që me preshin mund të zgjidhësh edhe probleme që qepët nuk arrijnë dot... Shih këtu.

X.

Ore, me duket se ta kane vjedhur kete shkrimin smiley

E pashe dje ne nje te perditshme. Pak te zdrukthtuar gjoja, por pa reference.

U be e modes tashme smiley

 Sa per vleresimin, kur i pari qe te komenton eshte xixa, une per vete s'kam c'te them smiley

vertet nje ngje paradoksale kjo puna e qepes, ere e keqe!!!

jo aspak nuk mund te jet ere e keqe pasi ky eshte gatimi yne dhe keshtu jemi te krijuar ne ne duart dhe neper guzhinat e te tjereve nje jet te tere

sipas mides se tyre. dhe ne thjeshte shenderrohemi ne kukulla dhe ne letra bixhozi sa per te nderruar dor.

c'fare biollogji e matematik, kimi e histori thoni ju, realiteti eshte prova me e pa kundershtueshme.

T_red, po paskan qënë të shpejtë si era! Unë prëmë e shkruajta.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).