Shpresë!

Përpara se të ulesha të shkruaja këtë shkrim të fundit të vitit po më brente mendimi se i jam angazhuar vetes dhe lexuesit që në shkrimin e fundit të vitit nuk do të merrem me politikën dhe politikanët, por me një temë që nuk ka të bëjë me ta. Mirëpo edhe ky mendim, që mban gjithsesi vulën e kushtëzimit nga politika, sikur më futi në mendime politike. Në mendimet se përse në vendin tonë jemi kaq të uzurpuar nga politika e aktorët e saj saqë nuk gjejmë dot një qoshe ku të futemi e të ndjehemi jashtë rrezatimit të saj rraskapitës as në ditët e festave të fundvitit? Dhe kjo nuk është thjesht sëmundje profesionale e gazetarit. Sipas çka konstatoj me vite kjo është sëmundje e të gjithëve, edhe e atyre që nuk lexojnë kurrë ndonjë gazetë. Madje edhe e atyre që të thonë se nuk shohin më as lajmet nga neveria - pasi edhe neveria e tyre është e kushtëzuar nga kjo politikë. Madje, madje do të thoja se, në kategorinë e të uzurpuarve nga politika, mund të futen edhe vetë uzurpuesit, politikanët, sepse edhe mjaft syresh të thonë, në momente sinqeriteti, se i kanë hyrë një valleje nga e cila nuk dalin dot.
Shkaqet e këtij uzurpimi janë të shumta. Besoj se, nëse do t'i reshtonim, do të vinim në themel të tyre trashëgiminë e politikës së shtetit totalitar, që na bënte të varur tek ajo në gjithshka, që na përcaktonte punën, ekonominë, gëzimet dhe hidhërimet. Shteti totalitar kishte, për këtë, edhe një ideologji zyrtare që e trajtonte edhe si shkencë edhe si fe, të cilën na e impononte njëherësh si instrumentin e vetëm për të kuptuar të vërtetat e kësaj bote dhe si besimin e vetëm fetar. Na duhej, pra, të jetonim me klerikët e saj (politikanë e intelektualë me në krye udhëheqësin e madh e të pagabueshëm) edhe fizikisht, edhe intelektualisht edhe shpirtërisht, edhe ditët e javës edhe të djelën. Shkurt shteti totalitar ishte vetë jeta jonë, ne ishim në një gjendje pafuqie përballë tij, sepse, paradoksalisht, ishim qeliza të trupit të tij.
Sipas gjykimit tim gjithshka përjetojmë sot është vazhdimësi - dekompozuese do të thoja - e atij lloj përbindëshi, e asaj lloj politike e politikanësh, e asaj lloj kulture, e asaj lloj elite. Varësia e jetës sonë nga politika dhe njëherësh pafuqia ndaj saj, që janë evidente edhe sot, e kanë burimin në ripërsëritjen e modeleve të politikës dhe politikanëve të atij regjimi e të kulturës që rrrezatojnë intelektualët në shërbim të tij. Personalisht konsideroj veten ndër ata që tërë jetën e ka parë në papajtueshmëri me këtë lloj shteti, me kësi lloj plitikanësh e me këtë varësi poshtëruese nga pushteti i tyre. E kam parë veten në përpjekjen, herë të dëshpëruar herë më shpresëdhënëse për ta ndryshuar në mos, të paktën, për t'i rezistuar statukuosë që ata kanë vendosur. E, në ditë si këto, kur lihet një vit e hyet në një tjetër, nuk ka se si të mos ndalesh e të bësh një bilanc. Nuk flas dot në emër të të gjithëve, por besoj se ndaj mendimin e një shumice njerëzish të vullnetit të mirë kur them se vitet po kalojnë dhe, me dëshpërim, vërej se mund ta konsideroj veten një humbës. Humbës përpara virulencës së pareshtur të asaj që e konsideroj të keqen më të madhe: "injoranca në veprim". Sepse tek ajo, injoranca në veprim, gjej edhe shkakun e egërsisë njerëzore, të babëzisë, të fanatizmit dritëshkurtër, të padrejtësisë, të pandëshkueshmërisë së të keqes, të hipokrizisë, të kulturës së rrenës e manipulimit, të prirjeve fashistoide e me rradhë, që po e mbajnë shoqërinë tonë në gjendjen e dekompozimit të së djeshmes, në vazhdimësinë e triumfit të së keqes. Ajo që nuk e them dot me siguri është shkalla e humbjes, nëse ajo është totale apo nëse dominimi në jetën tonë i të keqes - për këtë dominim nuk kam dyshim - nuk na le të shohim rrezet e dritës që paralajmërojnë agimin. E, kur them agimin, nuk kam parasysh eliminimin e së keqes, sepse nuk jam aq naiv sa të besoj se e mira dhe e keqja do të ndahen ndonjë ditë. E di mirë se ato do të bashkëjetojnë gjithnjë në këtë botë. Por kam parasysh fillimin e një dinamike kur e mira të shënojë edhe ajo fitoret e saj dhe jo të shënojë çdo ditë humbje. Në fakt, është e vështirë ta gjesh mënyrën e matjes së shkallës së humbjes. Nganjëherë këtë matje e kërkoj duke kërkuar me kandil në mes të ditës të rinjtë. Dhe kur shoh se sa shumë mungojnë të rinjtë që të dalin në skenë me tjetër kulturë, me tjetër peshë dhe fuqi, me tjetër personalitet, me refuzim ndaj pushtetit të të padrejtëve nuk ka se si të mos ndjej edhe më fort humbjen. Mjafton të shihje se çfarë bëri rinia në Greqi muajin e fundit për të parë diferencën e për të rënë në dëshpërim. Atëhere i kthehem një matësi tjetër ndoshta më i mirë: shpresës. A ka shpresë apo nuk ka? Sa shpresë ka? Është një pyetje që e dëgjoj shpesh. Dëgjoj shpesh edhe përgjigjen e saj, nganjëherë nga po ata që bëjnë pyetjen. Janë të shumtë bashkëqytetarët që, duke të parë aktiv në debate e shtypin e shkruar, të thonë: lodhesh kot, këtu nuk ka shpresë. E kur thonë shpresë është e qartë se nënkuptojnë shpresën se e mira do të fitojë mbi të keqen, drejtësia mbi padrejtësinë, dija mbi injorancën, rendi mbi kaosin, puna mbi vjedhjen, njeriu i ndershëm mbi mafjozin, arësyeja mbi dhunën, e vërteta mbi gënjeshtrën. Personalisht, përsa i përket shpresës dhe angazhimit e gjej vetën tek Jean Paul Sartri kur thotë se "gjithnjë e më shumë mendoj - sot e mendoj në mënyrë absolute - se një karakteristikë thelbësore e veprimit njerëzor … është shpresa. Shpresa nënkupton se unë nuk mund të ndërmarr asnjë veprim pa llogaritur se do ta realizoj atë. Sipas meje … kjo shpresë nuk është një iluzion lirik, ajo është në vetë natyrën e veprimit … tek shpresa ekziston, pra, edhe një lloj domosdoshmërie. Ideja se po sfidoj nuk është tek unë, në këtë moment, themelore; përkundrazi është shpresa - si raport i njeriut me qëllimin e vet, raport që ekziston edhe nëse qëllimi nuk arrihet - ajo që nuk i shqitet asnjëherë mendimit tim."
Më kujtohet se në burgun e Spaçit në vitet më të vështira, policia ndëshkonte me izolim në qeli ata të burgosur të cilëve u gjente ndonjë bllok me fjalë të huaja që tregonte se ai mësonte gjuhë të tilla si anglisht, italisht apo frëngjisht. Ishte një ndëshkim që synonte të vriste bash shpresën. Ti shpreson se do të vijë një ditë kur do të dalësh prej këtej e do të të duhen gjuhët e huaja. Pra shpreson se do të rrëzohet ky pushtet dhe ti do të bëhesh ndonjë ambasador - dukej sikur mendonte gardiani - shko pra ngordh në birucë që të mos guxosh më të shpresosh gjëra të tilla, që ta ngulitësh mirë në mendje se, tërë jetën, do të punosh si skllav për ne. Ishte një akt shpresëvrasës, që, në të vërtetë, ka vrarë jo pak shpresa. Kush mendon se shpresa nuk vdes kurrë gabohet. Shpresa edhe vritet. Kur njeriu nuk e ndërmerr më një veprim, pasi nuk beson se do ta realizojë, kemi të bëjmë me një vrasje shprese. Dhe ne kemi patur fatin e keq të jetojmë në regjime shpresëvrasës në masë.
Që ai i djeshmi ishte një regjim shpresëvrasës mund të bien dakort shumë, por pse ky i sotmi? Sepse edhe pushteti i sotëm ka të njëjtën prirje të regjimit nacional - komunist shqiptar: t'u thotë njerëzve se jeta juaj nuk është në dorën tuaj, por në duart tona; se ne jemi ata që mund t'ju sjellin gëzimin apo hidhërimin, mirëqënien apo varfërimin, lëvizjen e lirë apo lëvizjen e ngujuar, t'ju ndëshkojnë apo t'ju ruajnë nga ndëshikimi, t'ju lartësojnë apo t'ju ulin poshtë, t'ju tregojnë të vërtetën dhe gënjeshtrën. Sepse pushtatarët e sotëm na vjedhin, na shkatërrojnë vendin për përfitimet e tyre, duke na poshtëruar kështu përditë, dhe ne nuk kemi mundësi të gjejmë drejtësi, as t'i ndëshkojmë për krimet e tyre. Sepse, ashtu si horrat e djeshëm edhe këta të sotmit, i mbulojnë të pabërat e tyre me fjalë të mëdha për atdheun e të ardhmen e tij të ndritur. Sepse, ashtu sikurse regjimi i djeshëm i komprometonte njerëzit me njëmijë mënyra edhe ky i sotmi e ka bërë thuajse të pamundur jetën me nder dhe dinjitet. Sepse edhe ky regjim përballë inteligjencës, dijes dhe mendimit kritik preferon arrogancën, padijen dhe servilizmin. Sepse edhe ky regjim, tek e fundit, pra, synon o të na bëjë qelizën e pafuqishme të trupit të tij të sëmurë, ose të na flakë jashtë.
A është vallë e vërtetë se, kur terri është më i madh, mund të shihen edhe më mirë yjet, sikurse thuhet. Dyshoj se është më e drejtë të thuhet se, kur jemi të zhytur në gjiriz, është më e vështirë të mund të shihen prej andej yjet. Por gjithsesi yjet e shpresës vështirë se shuhen ndonjëherë. Të shpresës, jo si një "iluzion lirik", por si një dimension i yni i brendshëm që na mban në jetë, që na bën të ruajmë e kultivojmë vlerat e idealet, paçka se mund të mos i realizojmë kurrë, të shpresës që mund të na bashkojë nesër në emër të këtyre idealeve e të na nxise veprimin për të kërkur një jetë më të mirë. Prandaj, në këtë fund viti të errët 2008, që paralajmëron një vit edhe më të errët, urimi im për të gjithë ata që ende nuk e kanë humbur shpresën janë fjalët e një vajze gjermano holladeze që shkruante më 15 korrik 1944: "Është një mrekulli e madhe që unë nuk i kam humbur të gjitha shpresat e mija, megjithëse ato duken aq absurde dhe të parealizueshme. Pavarësisht nga gjithë çfarë ka ndodhur, i ruaj ende ato, sepse vazhdoj të besoj tek mirësia e brendëshme e njeriut. E kam të pamundur të ndërtoj gjithshka mbi vdekjen, mjerimin dhe konfuzionin. E shoh botën të shndrrohet pak nga pak në një shkretëtirë, e dëgjoj gjithnjë e më të fortë zhurmën e makinës që do të na vrasë edhe ne, marr pjesë në vuajtjen e miliona njerëzve e, megjithatë, kur shoh qiellin, mendoj se gjithshka do të kthehet përsëri drejt të mirës, se edhe kjo egërsi e pamëshirëshme do të rreshtë, se do të rikthehet rregulli, paqja dhe mendjekthjellësia. E, ndërkaq, më duhet të ruaj të paprekur idealet e mija; ndoshta do të vijë një kohë kur do të jenë të realizueshme." (Korrieri, 29 dhjetor 2008)

1 Komente

Urime robo se t'boni hyjni peshku !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).