Shkolla ka Sidë

Shkolla Siri Kodra është me Sidë.

Bredh Sida në oborr të shkollës

me çantë në shpinë,

rrëshket midis muresh të ngushta

vështrimesh

opake,

gjersa ulet në bankën

po ashtu me Sidë

të (shën)Tranzicionit nga fëmijëria në përplakje. 

Dhe i kapërthehet Sidës një komb në fyt,

një ngulç i patretshëm

mu si guri që ngec

në fytin e qelibartë konkav të këmbës,

në sandalen që duhet hequr, siç heqim, të gangrenizuar,

gjymtyrën tanimë të tepërt… 

Shkolla ime Siri Kodra, shkolla e fëmijërisë;

litarët e tejzgjatur prej musht-malli

të kujtesës

përdridhen

si flokët me Sidë të kalamajve të tanishëm;

atëhere shkolla ishte me Diktaturë Proletariati…

Por sot u deshën dy a tre fëmijë me Sidë

që të ndihemi sërish kolektivë,

karfosur në frikë

a thua se Sidën e kemi vetë – mos ndoshta

Sidën e kemi vetë,

e kemi vetë.   

4 Komente

atëhere shkolla ishte me Diktaturë Proletariati…

Por sot u deshën dy a tre fëmijë me Sidë

që të ndihemi sërish kolektivë,

karfosur në frikë...

Thanks!

helm e sheqer mi ke keto vargjet.

Shume e dshimbshme poeiza dhe ca me i dhimbshem mesazhi qe perciell.

Ju falemnderit! Poezia ka akoma shumë nevojë për kurdisje të tjera, por meqë them se ndjenja pas saj është "shumë e gjallë," s'po e ngas hëpërhë, edhe pse ka muaj që është shkruar (Para do kohësh kishte një lajm në gazetë mbi ca fëmijë të fillores tek Siri Kodra që ishin infektuar me virusin e Sidës, dhe prindërit e nxënësve të tjerë, bashkë me shumicën e këtyre nxënësve, u kishin bërë bojkot të infektuarve, derisa shkolla t'i përjashtonte - s'e kam shumë të qartë se ç'u bë më tej. Kjo ngjarje u diskutua atëherë edhe tek Peshku)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).