Shënime mbi vdekjen e panatyrshme

Shënime mbi vdekjen e panatyrshme
nga Arbër Shtëmbari

Para ca ditësh, ndodhi një vrasje në Qerret. Dikush vrau dikë. Nuk vonoi shumë që kjo vdekje të mediatizohej dhe të interpretohej si një vrasje politike. Zoti Xhaferri tha : «Strukturat e Partisë Socialiste po e godasin fushatën ». Ndërkohë që e majta e konsideroi si një vrasje të rëndomë që nuk kishte prapaskenë politike. E gjithë kjo përplasje deklaratash u shoqërua me dhjetëra kronika e artikuj në shtypin e shkruar. Dhe vdekja kërkon të ketë një kuptim. E nëse s’ka, apo nëse duhet, atëherë do ti japin një kuptim kompetentët e fushës. Ata që trajtojnë seleksionimin e vdekjeve. Sikur kjo vdekje në Qerret të kishte ndodhur kohë më parë, kjo s’do të përbënte lajm. Por në një demokraci është krim të vdesësh në kohë fushatash. Për vdekjen në fjalë pati shumë spekullime. Pse vdiq ? Si vdiq? Kush ja dha vdekjen ? E pranoi apo e forcuan të pranonte vdekjen ? A ndoshta, e zgjodhi vetë ? Me gjithë arsyet e shumëfishta, një i vdekur ngjall dyshime në një demokraci. (Besoj se ende shumë shqiptarë kanë dyshime mbi vdekjen e Kosta Trebickës.) Në demokraci vdekjen ta peshojnë me kandar. Sa vlerë ka vdekja ? Një shoqëri zbulohet nga mënyra si ajo i trajton të vdekurit apo prej kuptimit që ajo i jep vdekjes në përgjithësi. Në fakt, tek ne, është për tu theksuar, se të vdekurit trajtohen më mirë se të gjallët. Madje disa, që s’e kishin menduar kurrë në të gjallë, postmortem, janë bërë heronj.

Vdekja do të mbetet një enigmë e përjetshme. Enigma dhe dhimbja thellohet edhe më, kur vdekja vjen para orës legjitime biologjike. Kështu tek « Ali Demi », para tre ditësh, ca çunakë nxorën thikat dhe u therën për vdekje. Kësaj vdekjeje ju dha shansi të transmetohet në media, pasi ishte vdekje e panatyrshme, ndërkohë që mijëra të vdekur nga pleqëria çdo vit shkojnë në heshtje në botën tjetër. Pyetja që shtrohet është : ku qëndron interesi i transmetimit të lajmit që Bekim L. nga Laçi goditi për vdekje me sëpatë të shoqen në gjumë ? Përderisa e transmetojnë anë e mbanë në media, duhet të ketë një interes të përgjithshëm dhe të përbashkët. Me siguri, nekropsia mediatike do të pohojë, që ky transmetim bëhet që të ndërgjegjësohet popullata ndaj krimit. A thua kësi lajmesh do të ndërgjegjësojnë popullatën ndaj krimit ? Por të largohemi për një çast nga morali i vdekjes. Ajo që na intereson është përse përzgjidhet kjo vdekje dhe jo një tjetër? Pa shtruar asnjë hipoteze, vërejmë që ka një klasifikim mediatik të vdekjes, një metodologji e pashkruar e vdekjes që praktikohet nga mediarkët. Ky klasifikim ndërthur variabël të ndryshëm, jo vetëm moshën. (Një adoleshente hidhet nga gati i gjashtë përbën lajm – iksi, 82 vjeç që vdes nuk përbën lajm). Në këtë klasifikim simbolik, përfshihen dhe klasat. Kush tha që lufta e klasave ishte vetëm për të gjallët ? Kështu kur një biznesmen, një deputet apo qoftë dhe anëtari i një partie, vdes, ky fakt kap titujt kryesor në media, ndërkohë kur vdesin shqiptarë të tjerë të papërzjerë në ndonjë hierarki administrative, financiare apo politike, këta nuk përbëjnë lajm. Vdekje të pasurish kundër vdekje të varfrish. E para një eveniment, e dyta statistikë. Vdekje me vlera të pabarabarta.

Ka një intrumentalizim të vdekjes. Çdo ideologji e përdor vdekjen në shërbim të interesave të saj. Në botë për shembull, ndodh që ShBA kritikon Kinën për ekzekutimet me vdekje ndaj kriminelëve, Kina denoncon ShBA për të njëjtën gjë. Ne, duke qenë se jemi nga krahu ideologjik i ShBA’së, vdekja në Kina na duket kaq e përbindshme. Ndërkohë që është po e njëjta vdekje, vdekja ngjyrohet sipas mentalitetit qeverisës. Kur Fuko përmend biofuqinë, ai shpjegon sesi shteti krijon masa sanitare për të normalizuar shoqërinë: për të mirëmbajtur jetën, shteti ka të drejtën të japi vdekjen. Riprodhuesit e kësaj norme, janë mediat, të cilat shteti i mirëmban dhe i ka dekretuar si teknikisht të afta për të përcaktuar se cila vdekje duhet të marri një kuptim dhe cila vdekje duhet të konsiderohet si thjeshtë e rëndomë. Ka një përgatitje alkimike të vdekjes; ajo duhet të ketë efekt në masë, të prodhojë emocion etj. Një vdekje duhet të shoqërohet me mortifikim masiv të popullatës. Ky mortifikim, është pjesë në një rituali religjioz që krijon lidhje sociale midis individëve, që krijon komunikim, spektakularizim, përulje. Është një matricë që prodhon emocion tek njerëzit të cilët e konsumojnë, ashtu siç ndodh në çdo vend kulti. Besimtarët mblidhen rreth ekranit, që mishërohet dhe shenjtërohet si trupi i të vdekurit. Ikonizohet vdekja. Këtë e vendos klerikatura mediatike.

Para ca ditësh, ndodhi një vrasje në Qerret. Dikush vrau dikë. Nuk vonoi shumë që kjo vdekje të mediatizohej dhe të interpretohej si një vrasje politike. Por, mediatizimi i kësaj vdekjeje, e përdhosi vdekjen. Për një grusht para ka njerëz që shesin/blejnë lindjet, ka të tjerë që kanë shitur/blerë jetën, por ja që paska dhe nga ata që e shesin/blejnë vdekjen. Me sa duket, paska qenë e thënë, s’di se ku, që jeta duhet në një farë mënyre të parashikojë drejt fundit të saj, një përçudnim. Asgjë për tu çuditur – vdekjet e përçudnuara janë pjesë e spektaklit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).