SHENIME FUNDVITI MBI SHQIPERINE KOSOVEN DHE SKENDERBEUN


SHENIME FUNDVITI MBI SHQIPERINE KOSOVEN DHE SKENDERBEUN

rrjeti france-shqiperi msn

Pak ditë më parë, policia serbe arrestoi në Preshevë 10 ish ushtarë të UCK ‘s. Pas reagimit të faktorit shqiptar në Kosovë dhe në Maqedoni, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë publikoi sot nje deklaratë për shtyp ku shprehet e shqetësuar për konfliktin në Gaza pas së cilës mbi 200 qytetarë gjetën vdekjen dhe qindra të tjerë u plagosën. Qeveria shqiptare u bën thirrje palëve për qetësi.

Interesimin e madh të qeverisë sonë për çështjet kombëtare, patëm rast ta shohim së fundmi me ngjarjet që u prodhuan në Himarë dhe Gjirokastër, ku dy atdhetarë të shquar shqiptarë Vassilis Bollanos dhe Spiro Kseras I kërkuan parlamentit grek refuzimin e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo bëhet për të mirën e Shqipërisë! Qeveria mori masa duke arrestuar dy Toças për veprimtari të ekzagjeruar patriotike.

Me rastin e festave te vitit te ri kryeministri i Republikes së Shqipërisë doli të mbajë fjalimin tradicional para gazetarëve, ku ndër të tjera suksese, ai pasqyroi si sukses të qeverisë së vet, (si qershi maje torte) pavarësinë e Kosovës. Me sa duket kjo qënka traditë trevash, se po kështu ka bërë dhe kryeministri i Republikës së Kosovës para gazetarëve të tij. Është rasti tipik ku me një ngjarje, dy gjuetarë vrasin 6 milionë zogj e ca. Pavarësia e Kosovës është e mbikqyrur nga OKB, ndërkohë që pyetja që shtrohet është po pavarësia e Shqipërisë nga mbikqyret? Kësaj pyetjeje i dha përgjigje ambasada amerikane dhe ambasadori Uithers duke cituar Skënderbeun “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjetëm këtu midis jush”.

(vazhdojmë me Kosovën)
Përveç njëqind të mirave që solli Unmiku dhe që do sjelli Eulexi, ana negative e këtij kolonializmi të ri, është që pavarësinë e kufizuar kosovarët e kanë dhuratë nga të huajt,se vetë ata asnjëherë nuk kanë votuar në referendum për t’i dhënë një kornizë ligjore muhabetit. Arsyeja që nuk është bërë referendum është se po të bëhej do të kuptohej se sa pak serbe ka në Kosovë…Arbri thotë se kosovarët jane thjeshtë pjesë e një spektakli ku vallen e hedhin ata kurse muzikën e luajnë të tjerët.

Propaganda dhe provokimet serbe, viktimizimi I tyre për ti shndërruar kasapët në viktimë dhe anasjelltas, po japin efekte e tyre në qarqet politike europiane që nënvizojnë, pse jo, një ndarje të re të Kosovës. Ndërkohë diplomacia shqiptare nga ana e saj është gjithashtu tepër e ngarkuar mbi këtë çështje, pasi mbi ministrin Basha janë ngarkuar disa akuza mbi abuzime që lidhen pikërisht për çështje të atdheut, mbi ndërtimin e rrugës së Arbrit. Ky është një sukses tjetër i qeverisë Berisha të cilin do ta ricikloj në një aks të ri Tiranë-Berat-Tepelenë. Një vjedhje e re? Abuzime sërish? Sigurisht dhe sikur të ishte e vërtetë, gjë që nuk bën vaki, pasi Basha s’mund të dënohet si shqiptarofil që është, kjo bëhet në mbështetje të teorisë pragmatiste “mbi qarkullimin e lekut”.

Ndërkohë që rruga Durrës-Morinë një zot e di se kur do të mbaroj dhe se sa para do të kërkoj deri në përfundim, serbët si për kunjë, I dërguan Kosovës një lokomotivë. Pati interpretime të ndryshme. Si është e mundur që në një shtet të pavarur, një lokomotivë të arrij deri në zemër të Kosovës? C’donin të tregonin vallë serbët me këtë, që ata kanë lokomotiva dhe ne shqiptarët s’kemi? Apo ndoshta ishte një dorë e shtrirë për paqe dhe u keqinterpretua? Kadareja me siguri pa në futjen e asaj lokomotive përmes gjirit të shqiptarëve infiltrimin e kalit brenda mureve të Trojës. Kurse populli I thjeshtë i Republikës së Shqipërisë kuptoi që Kosova e ka rrjetin hekurudhor më të zhvilluar se ne. Serbët kanë vendosur për Krishtlindjet e ardhshme të dërgojnë vagona klandestinë. Qeveria e pavarur e Kosovës i mirëpret.

Shtrohet pyetja: meqënëse ne duam të integrohemi si popull dhe jemi popull bashkëpunues (deri në Irak shkoi kjo frymë) që duam Europën dhe Amerikën, mirëpo meqënëse as Europa as Amerika nuk na pranon në gjirin e saj pse mos të fillojmë një mini integrim rajonal? A nuk do të ishte mirë sikur të pranonim të paktën njëri tjetrin? Puna është se kosovaret po i trajtojmë si specie të rralla, të sapo krijuar nga ç’evolucion, ndërkohë që janë shqiptarë, as më shumë e as më pak se ne. Kështu, në gjolin e debateve mbi çdo lloj teme mjaft “që të qarkulloj leku”po hidhen teza për kombin kosovar apo për gjuhën kosovare. Nëse, “qarkullon leku”, ne si popull atdhetar dhe liridashës i Shqiperise do e mirëprisnim integrimin me popullin vëlla kosovar dhe si gjuhë zyrtare do mbanim anglishten. Kjo për arsye që të qarkulloj dhe dollari dhe euroja të cilat i mirëpresim gjithmonë në emër të kësaj atdhedashurie. Në serinë e kërkesave do kërkonim që Un-Leku të vinte e të merrte përsipër dhe Shqipërinë dhe për sport do dërgonim Berishën në Hagë për krime lufte. Kujtojmë thyerjen e embargos së naftës me Serbinë, në kohë lufte, kjo sigurisht, sipas Berishës, që ti vinte në ndihmë popullit kosovar.

Një pyetje që shtrohet është: ne si shqiptarë të Republikës dhe ata si shqiptarë të Kosovës a kemi të drejtën (as më shumë e as më pak se gjermanët) që me anë të një referendumi të shprehemi për bashkim?

Përgjigja vjen nga shqiptarofili Basha, (i njohur ndryshe dhe si karafil pa marr përgjegjësi mbi etimologjinë e fjalëve) që thotë: JO! Ne do bashkohemi kur të hyjmë në Europë sëbashku më Kosovën. Për këtë arsye Berisha, përmendi suksesin e kartave të identitetit. Por ky identifikim fizik a është i mjaftueshëm për të ndërtuar një identitet social-politik të shqiptarëve? Basha nuk përgjigjet, por ka ndërmend të shtroj rrugë të tjera drejt Kosovës, kjo si për të përligjur çmimin e vërtetë, jo të rrugëve paratë e të cilave u konsumuan denjësisht nga ai nd Co., por të bashkimit kombëtar. Gjithsesi Bashës për abuzime të reja në tendera të tjerë, nuk I bën syri tërr për imunitetin, se ka ca kohë që nuk e ka më.

Në Kosovë a mund të flitet politikisht për një të majtë apo të djathtë? Jo! Ata prej ç’shekujsh janë përtej të majtës dhe të djathtës, sepse atje ende ruhet prioriteti nacionalist gjë që është e kuptueshme. Atëhere lind nevoja që në Kosova të lind një frymë e re politike. Propozojmë ti dërgojmë klasës politike kosovare kaseta me fjalime të Berishës dhe Ramës dhe të grupit Free Mc. Kështu dhe populli i Kosovës mund të vijë në Shqipëri të marrë leksione demokracie nga populli shqiptar. Ne, si qytetarë të Shqipërisë, duam t’i japim leksione politike qytetares së popullit motër Genta Ismajlit. (Për arsye etike, Saktivista çensuroi këto leksione “politike të brendshme” e sidomos ato për politikë bujqësore.) Qytetarja popullore Genta I. është përmendur dhe në Wikipedia për famën e saj në krijimtarinë artistike dhe sidomos sidomos për shtimin e prodhimit të qumështit. Diallogu dhe mësimdhënia duhet të jetë në formë shkëmbimi dypalësh. Nën timbrin e popullores qytetare G.Ismaili, bujqësia ka marr hapa të reja në Kosovë, thonë që nën praninë e saj u vërejt rritje masive kastraveci prandaj themi që këtë eksperience ta sjellim dhe në Shqipëri ku kastraveci nuk ka qenë kurrë i vogël, por ka mundësi për më tepër.

Figura si pop-qytetarja G.I. bashkojnë kombin. Si dikur Skënderbeu bashkoi shqiptarët në një grusht të vetëm përballë hordhive osmane. Siç tha Berisha, këta që shajnë Skënderbeun janë antiglobalista me kulturë rudimentare, se për Skënderbeun janë shkruar me qindra apo mijëra libra dhe të tjetërsosh Skënderbeun, është si tu tjetërsosh italianëve Garibaldin apo pederastinë grekërve. Pa Skënderbe nuk ka Shqipëri. Shqipëria, Kosova dhe Skënderbeu shkojnë bashkë (përjashtim bën këtu Burreli se Skënderbeu nuk ka kal). Debati i fundit mbi Skënderbeun i nxitur nga Klosi që u shpreh në gjuhë kosovare se debati mbi kalin është i frutshëm, pasi po shitet libri i austriakut (teoria e qarkullimit të lekut). Madje, shtoi ai, mund të nxisim debat mbi origjinën katundare të Haxhi Qamilit, por për këtë pritet të dal një libër i ri i titulluar « Dum babën nga qyteti – mbi veprimtarinë dhe jetën e Haxhi Q. në gjirin e G99’s».

Berisha përmendi luftën ndaj korrupsionit, rritjen e rrogave dhe uljen e papunësisë në vend. Arbri pyet, po qeveria e Kosovës ç’ka për të thënë mbi këto pika ? Sepse 50%e popullsisë në Kosovë është e papunë, ndërkohë që ekonomia është tejet e dobët, infrastrukturat janë të amortizuara ose të prishura nga lufta, ekonomia e nëndheshmë po lulëzon, korrupsioni është ulur këmbëkryq. Përgjigjet sërish ambasada amerikane : në Kosovë është ndërtuar super baza amerikane Camp Boldsteel ku janë punësuar me qindra shqiptarë.

Berisha, nga ana e tij, e sheh këtë bazë me zili, pasi ajo ndihmoi Kosovën në uljen e papunësisë, ndërkohë që tek ne, ata dy tre punëtorë që punojnë për zhvarrimet e trupave greke të vrara gjatë luftës, nuk influencojnë në uljën e papunësisë në vend.

Së fundmi, populli i dashur dibran doli në protesta kundër pohimeve të Karla Del Pontes, se gjoja diku në Dibër janë rrëmbyer serb për tu bërë më pas viktima të një trafiku organesh. Ky pohim është absurd kur dihet që nga patriotizmi, shqiptarët s’do të pranonin kurrë të mbanin në gjoks zemrën e një serbi. Saktivista indinjohet nga ky deklarim i shëmtuar i Karlës dhe i bashkohet zërit të protestës me dibranët e fyer.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).