SAVEUS (1994)

sav.jpgsav1.jpg sav2.jpg 

 

Parathënie e vonuar 15 vjet.

 

Legjenda e thotë se përpara se të murosej, Rozafa kërkoi që ti lihej një cicë përjashtë. Gojët e liga thonë se Kazanova kërkoi ti lihej jashtë një pjesë tjetër e trupit. Një pjesë e imja ndihet po aq e zbuluar teksa varrosem nën këtë pirg fjalësh.

 

Në vitet e para të 90ës, ashtu si edhe vendi im, rrethi im shoqëror, edhe unë individualisht rashë në një fazë eksperimentale, ku eksper-i dhe mentalja kurrë nuk mund ti bënin njëra-tjetrës më shoqëri të keqe se aq. Pasioni për letërsinë u kthye në “addiction”, për vite të tëra u duk sikur letërsia kishte fuqi të më shkëpuste nga e përditshmja, në mos, ta ndryshonte atë. Shumë shpejt u shfaqën edhe simptomat e kësaj sëmundjeje: ethet.

 

Mblodha ç’kisha shkruar, shkrova ç’kisha mbledhur dhe ëndërrova të botoj një libër. Gjeta titullin, u bë kopertina nën perandorinë krepuskule të GGJ dhe kërcënimet e mëvonshme fëminore të një shoqate besimtarësh, u transferua brendia në letër kalk, u justifikuan gabimet drejtshkrimore dhe më së fundi u justifikua edhe qëllimi i botimit.

Kohë më parë kisha lexuar “Estetika” të Alfred Uçit. Në faqet e mbrame, tek seksioni “Mos bëj si këta” kisha hasur poetët formalistë a diçka e tillë, poetë që e shihnin brendinë dhe formën e poezisë së pandarë. Në frymën e eksperimentit (nga ato që i bëjmë majmunit për të kuptuar veten) fillova të ndërtoj poezi të atilla dhe për çudinë time të sotme, gjeta shokë dhe nën të njëjtën frymë organizuam një ekspozitë (tashmë të poezisë konkretiste). Jeta ishte e bukur.

Kjo ishte pjesa që justifikonte botimin e librit, qëllimin e tij. Por mjetet…Këtu jeta nuk ishte më e bukur. Duheshin 120 dollarë/marka. Ncuq. Nuk kishte.

Poezia grafike duhej mbajtur sekret (ishte herët për fondacionet për të kuptuar forcën e poezisë për të ndryshuar njerëzit!) kështu më dukej mua.

 

Një mik i imi mi afroi paratë borxh dhe të tilla ngelën. Midis nevojave të tij dhe tekave të mia, u bë një zgjedhje tmerrësisht e gabuar. Një zgjedhje që më përndjek edhe sot. E kam falënderuar 100 herë këtë mik, i kam kërkuar ndjesë 100 herë, sigurisht asnjëherë në prani të tij.

 

Libri u shtyp në një shtypshkronjë të dyshimtë, me letër ZP nga dy burra me gjashtë gishta të prerë mes tyre dhe me katërmbëdhjetë të tjerë shumë të ashpër për fjalën e poezisë. E pashkëputur prej tij mbeti lidhja me anë të një mbërthecke fletoresh diku në mesh. Ky libërth nuk pa botim, ky libërth pa shtypje.

 

Dhe kurrë nuk u shpërnda. Pa çmim, pa vit, i zhveshur. Kuptova me dhimbje se poezia dhe unë ishim fejuar me zor. Reagimi im ishte i çuditshëm. Ky libërth nuk ishte pjellë e jona, askush nuk mund ta pranonte, madje as unë. Njerëzit nuk kishin përzemërsi, lexuesit, nesë kishte të tillë, ishin apatikë ndaj krijuesit e vetëflijuesit origjinal. Inati i vogël u rrit, justifikimet u gjetën, artisti brenda meje u fut në protestë. Do ta djeg thashë. Të së njëjtës mendje me mua ishin edhe një grusht miqsh për të cilët injorimi mbi artin ishte mbyllje ndaj dyerve të progresit. Jo, shoqëria duhej ta kishte mëndjen në mësim. Pra u vendos për djegje publike…

U para-organizua ceremonia inkuizitive, një fotograf i BBC u interesua (akt modernizmi ndaj shurdhërisë së përgjithshme, etj, etj,), radio dhe gazeta nuk  munguan ti përgjigjeshin ftesës. 

- Po pastaj gjyshi, çfarë ndodhi?

Gjyshi e mbylli librin, fiku dritën dhe u fsheh përsëri pas fjalëve.

  

 Pjesë nga SAVEUS  prill 1994?    FH

 

SOUS

 

Në ëndrrën tonë shfaqet

Gjarpëri i ngordhur

Pranë mollës me helm

 

Braktisni bujtinën

Braktisni bujtinën

 

Anija e verbër

Lë portin e pengut

Posaqë zëçjerrat

Kremtojnë kohën

  

RR U RR

Një bri kaprolli rrotolliset pjerrinës

E shurdhimi i jehut lajmëron çastin

Tani vijnë zhgabat

Dhe shiu që lan shkëmbin.

 

Padurimi ma humbet përjetësinë.

  

DOZD

Nuk besoj më në kthimin

I marri shkon në krye

E fenerin tund prej gëzimit

                        Nëpër natë.

Ndërsa unë tërhiqem zvarrë

Gjer tek guri i fundit

E thërras “Qofsh i imi”.

 

Një lumë poshtë shtegut pret

Në qafën time guri.

 

GLORK

Sot, qe nata e ujkut

Sonte, dita e tij.

 

Symbullur robi

U hodh tek mjerimi

Syhapur pastaj

S’doli dot praj tij.

 

Po ti Glork, Glorka po ti?

  

BIFSH

Jam një thërrmijë, viktimë e kaosit

Duart që më hedhin nuk më presin më

Turmat prej mishi s’më urrejnë sa duhet

E fatmirësisht

Çoroditja ma fsheh pastërtinë.

 

Vetëm jeta më ulet hera-herë buzë lumit

Me një mashë në dorë duke ngacmuar

gurët

sikur pëgjon fikjen time.

  

FATYR

Prapë toka që më dhimbet…

Me trupat e shpuara të kojrillave

                        Hedhur nëpër gurë.

Ende ndihet aroma e lules

                        së djegur

Dhe fluturës

së tharë.

Kuajt figurojnë barkkërcyer

            Lëkurëtrashë

            E brinjëdalë.

 

Me një mërzi ku koha hutohet

            Rrugëtoj kokëshkulur.

Hija vazhdon zgjatjen….

  

SOGLA

Forca e fatit si dhe dëshira

Çdo gjë e kthyer në kristal

Nëpër një kohë që nuk vdes,

Në rrjedhën e vogël ku buron

Çarja e madhe e porsangjitur

Tek drita e thyer…

 

Nëpër një udhë të ngushtë

                        Dëshira

Tulatej nën çdo degë peme

 

I vogli djalë fërshëllente…

  

SOLEOD

Zogu hëngri vetveten

Për të mos rënë në det

 

Qielli mbeti prapë blu

Deti mbeti prapë blu

 

Veç dielli,

Dielli u nis e fluturoi.

  

SPRTVA

 

Njëzet vjet agoni

Pastaj…qetësia.

Shpirti mori formën e zogut

E ashtu rrëzohet

Prej gjahtarit të sprovuar.

Vetëm një goditje

Njëzet vjet agoni

Pastaj…qetësia.

  

FILSS

Sot, kur ndër ne ndrin

Vesi i gjykimit të vesit

Fundshpirti përpin, njeriun që dhëmb.

 

Këmbana tundet

E varur në shi

Turma shpërndahet

Heroi vdes.

   

HORM

 

Mbjella u korr.

 

Vorbulla e erës

E përplasi fillikatin

Përdhe

 

Dordoleci klithi

“Nevojtarët në litar”

 

hapgjati vuri këmbët

            në gjurmët tona

e nesër këmbët

do ti vëmë në gjurmë të tij

fillikat.

 

Mbjella u korr.

 

Uria e lidhi, e shtrëngoi,

            E mbyti fillikatin.

  

NUKS

Flaka pajtohet

Zbehet dhe do të shuhet

Një mik i ri

Zë shtrojen tënde.

 

Dhe ora e ftohtë

Troket në natën

E njeriut që ulet

Aty thellë.

  

VOSTER

 

Sot vdiq edhe një tjetër

 

Me diellin e reve burgosur

Era braktisur na ka

Dhe dera përcjell kërkëllitjen

E vuajtjes që vajton përkulur

Pranë vatrës së hirit.

 

I ngrysuri Martin.

  

SKAMF

 

Një ditë pas një dite

Pa natën në mes

 

Vigjilenti i lodhur

Kthen sytë për nga vetja

            E ndihet i mundur.

  

ULKF

 

Përse të mos jetosh në një mister

Kur çdo gjë e jotja lëngon

E rrjedh nëpër ndrydhje pambarimisht.

 

Pastaj,

Ç’është njeriu,

Shndërrimi ku fillon

Braktisja e vetvetes?

 

Rrjut – rrjut

Rrjut – rrjut

Rrjut – rrjut.

  

FOSA

 Si lum Filipi që veron në varreza

I ka 80-të vjet e prapë nuk rënkon

E ka diellin lart dhe të dashurën afër

Çdo fundjave miqtë ia zhurmojnë banesën

E fqinjtë falë Zotit, i shtohen

                                    dita – ditës.

 

Si lim pra ky Filipi që veron në

                                                varreza.

 

 

 

 

 

17 Komente

I am sorry, man! You know I like you (A LOT), but I simply cannot....

Ka nje pH shume afer zeros cdo gje qe vjen nga ajo kohe, me fjale djegese si protone te lire, alias H+ ose me sakte akoma H3O+, dhe qe jane fjale te grupit me te hidhet se halogjenet, me logon e pangaterrueshme "pasiqe".

E shoh Shqiperine aq mire pas kesaj letersie, sa qe nuk dua te lexoj asnje kronike. Shoh 2000 eksperimentet e Edisonit qe nuk u bene llamba drite. Shoh gishtat e te verbrit qe preknin ngrehinen para se te dilte shprehja "si qorri pas murit" e cila merret vesh, nuk duhet te jete me shume se 500 vjet e vjeter, pra eshte ende qumeshtore dhe ka shume breza per te pershkuar derisa te piqet tamam nder ne.

Flor, per mospelqimin e ketyre me siper, per kompleksin e cjapit ndoshta para tagjise, por ndoshta edhe krundeve, per kompleksin e te huajit para nje insider joke te mrekullueshme, sic thu edhe vet diku gjetke, "t'du shum'..."

Me merzitje te shnetshme,

Cimi

mua më pëlqen.

Pervec titujve qe pothuajse nuk i kuptoj fare, poezite ne shumicen e tyre i shoh shume te mira. Parathenia - yll, edhe pse e vonuar. Bukur!

Dhimbshemndjere...bukurshkruar  rreshtat  dhe vargjet, FLRHD smiley 

Besoj se menyra me e mire per  te vleresuar poezi  te tilla nuk eshte komentimi  i tekstit, por rileximi ne heshtje  i nentekstit...

Flor, ti mendo c`te duash, parashtro c`te ka qejfi, shpjego kontekste sipas midese; keto poezi e ai liber meritojne nje ribotim. Jane shume te bukura, te kthjelleta, te thella ne pershkrim e te lehta ne stil, unpretentious, so fair, so idle yet so demanding - one cannot do justice to their non-participation when put in front of this art.

Flm qe e mbajte fjalen e i solle. Te kam nje borxh per kete, e po ta them smiley.

whisper:

Besoj se menyra me e mire per  te vleresuar poezi  te tilla nuk eshte komentimi  i tekstit, por rileximi ne heshtje  i nentekstit...

Na hape pune, Tan. Mendimet e te tjereve i dija pa qe i shkrujt ata, se aq njifemi nderkaq, kurse ky statementi jot me erdhi pak skic, jo shume aligned with my expectations.

E bojm naj replike po qe online.

Flor, shume nga poezite jane vertet te bukura. (Pervec lojes me titujt qe nuk e kuptoj dhe me bezdis.) Poezite kane nje figuracion dhe thyerje vargu qe i ben te ngjajne me ato pikturat e thjeshta japoneze qe varen per se gjati ne mur.

FATYR dhe SPRTVA jane dy poezite qe me pelqejne me shume. Shpresoj qe edhe titujt kane nje kuptim te fshehte qe ti do te ma shpjegosh smiley

Flor, shume nga poezite jane vertet te bukura. (Pervec lojes me titujt qe nuk e kuptoj dhe me bezdis.) Poezite kane nje figuracion dhe thyerje vargu qe i ben te ngjajne me ato pikturat e thjeshta japoneze qe varen per se gjati ne mur.

FATYR dhe SPRTVA jane dy poezite qe me pelqejne me shume. Shpresoj qe edhe titujt kane nje kuptim te fshehte qe ti do te ma shpjegosh smiley

Dakord me Whisper, keto nuk komentohen, vetem lexohen ne heshtje, serish dhe serish dhe serish dhe serish dhe serish dhe serish dhe serish, deri sa poezite te humbasin krejt kuptimin e te behen njesh me titujt, ose prej titujve te pakuptueshem te ngrihet si prej hirit nje kuptim.

Se pari falemnderit te gjitheve per kohen, leximin dhe fjalet e mira.

Ideja e titujve, nuk di nese e kujtoj mire, me duket se ka qene per antikonformizëm gjithashtu edhe per te gjetur nje lidhje zanore-bashtingellore me rrjedhen e poezise. Ja qe ka njerez, dhe kjo eshte nje semundje, qe ne vete iu doket se kendojne bukur, por ne te vertete degjohen tmerrshem tek te tjeret. Diçka e tille mund te kete ndodhur.

Em. E kam thene edhe diku tjeter, jam AMATOR, mos prit mrekulline prej meje. Jemi ne qe presim nga Ju.

Merre kete postim si dedikim ndaj atyre qe shkruajne letersi, jo se nje dite do te behen "te medhenj", jo se nje dite do te lexohen prej gjithkujt, por ndoshta thjesht prej thrillit e prej magjise qe ofron vargu. Kjo nuk e ben letersine aspak elitare, as te masave, por produkt te kontributit te gjithkujt qe provon e dashurohet pas kesaj lëmìe te veshtire, fillimisht, perkohesisht a pergjithmone.

Diku kam lexuar se Kadare ka thene se "letersise se madhe i duhet letersia mediokre" thenie tipike prej kaloresi qe ne i qajme hallin se i varen kembet.

ne 2008 kishte 1500 botime ne Shqiperi, dikush mund te ironizoje me kete, jo une, ndjehem shume i kenaqur, 1500 autore qe sikur vetem librin e vet te kene lexuar jane 1500 lexues, 1500 njerez qe provuan. Botimi i nje libri eshte ndoshta si intimiteti i njeriut qe hedh frymen ne xham dhe shkruan e vizaton ne bulzimë. kenaqesia e te prekurit te asaj qe del nga shpirti.

Poezite e mesiperme jane te nje kohe tjeter, piano solitare, pa rregullat e harmonise, kerkese standarte ne shkrimin e sotem (te pakten per mua). por më jane te shtrenjta, kur me kujtojne se ne maje te pafuqise time te perditshme, nje dite edhe une une guxova... Dhe kjo ishte/eshte esenca e letersise per mua, krejtesisht personale, ndonese jopak te tjere mund te gjinden ne po te njejten adrese. 

No love lost, Em i rrespektuem. Shpresoj ky rrefim te te ndihmoje ne projektin tend (suksese)...aty je i vetem, pa ne, ti dhe Eldorado.

 

"Poezite e mesiperme jane te nje kohe tjeter, piano solitare, pa rregullat e harmonise, kerkese standarte ne shkrimin e sotem (te pakten per mua)."

Ne fakt Floro, po beja nje eksperiment nje dite me mendje. Po i mburresha vetes se po te lexoj nje paragraf nga nje shkrimtar i dashur por pa e ditur se nga kush eshte shkruar, do isha ne gjendje te nuhasja stilin dhe me shume mundesi t'a gjeja ne menyre te sakte. Poezite e Burns, psh, qe t'a mbaj shembullin e thjeshte, ose prozen e Heminguejit, edhe pse kete te fundit nuk do e kisha veshtire t'a ngaterroja me Petro Markon. Dhe duke menduar keshtu, thashe me vete se se fundi po te me vere njeri perpara nje tregim te Nit Roshit, apo nje poezi tenden, pa me thene se te kujt jane, do isha ne gjendje t'i dalloja. Deri sa lexova keto poezi, qe jane pa diskutim ne nje fryme krejt tjeter, jo ne te njejtin nivel sa keto qe shkruan tani, por as ne nje nivel me te ulet. Thjesht ndryshe, dhe thjesht veshtire se do isha ne gjendje te thosha se jane te tuat, thjesht te nje faze tjeter. Ose thjesht fare:

 

ULKF

 

Përse të mos jetosh në një mister

Kur çdo gjë e jotja lëngon

E rrjedh nëpër ndrydhje pambarimisht.

 

Pastaj,

Ç’është njeriu,

Shndërrimi ku fillon

Braktisja e vetvetes?

 

Rrjut – rrjut

Rrjut – rrjut

Rrjut – rrjut.

Titujt me pelqyen shume, per vete faktin qe, duke e lexuar me sy te pare, te jep pershtypje mistike. Mistika eshte manjetike per eksploruesit  jo vetem te artit. Packa se e presim zberthimin e titullit duke lexuar poezine ne vazhdim dhe ne akoma nuk e kuptuam se c'jane keto do-re-mi-fa qe ka tiposur poeti, bukuria nuk humbet. Ne fakt une prisja nje shpjegim per titujt. M'u krijua ideja sikur ishin emra mitesh apo perendish, ta dala diku andej nga veriu i evropes. 

Flor, e kam thene qe poezia jote me terheq, ne cfaredo stili qe te shtrihet, sepse ti ke mendim, here i embel e here shtrohesh kembekryq(pjekuria ne  varg).

Duhet ta botosh kete liber, thjesht nje ambicie e jotja kjo, ose quaje egoizem. Paraqet jo te zakonshmen. Parathenia eshte celsi qe ti i jep lexuesit per te vazhduar me tej. Mjaft bukur dhe me nje sinqeritet qe rralle e gjen. Je jashte shablloneve.

Flor, mirmjes!

PS pervec ksaj, doja me shtu dicka te vogel. dje isha te dy miq te mijte (njeri eshte cuni motres sime, studente te ketuhit) dhe po lexonim do vjersha te Rimbaud. dola vone pri anej. kishte sqote te ftofet ne ajer dje. edhe isha ne nje gjendje ne te cilen kuisja e ujkut drejtuar henes qe vjen nga larg, prej nje pylli te erret pas bores se ngrire, ajo kuisje e angullime pra, te duket si gjeja qe me mire shpreh boten tende dhe gjithe c'nuk eshte bota jote. Nje angullime kanine; dhe aq. Edhe thashe qe fjala eshte aty (ekziston) per te deshtuar. Sa e merzitshme do ishte kjo bote nqse pushteti i fjales do ishte absolut, mendova (ktu po ndizja makinen). Se fjale do te thote konvencion. Do i thush bukes buke, se kshu kemi vendos ne, dhe te kjo "ne" nuk ke qen kurr ti. Ty ta ka qejfi ti thush bukes "gwent", mirepo aty del nji problem i vogel, se ndersa je shume i lumtur me ate tenden, buke reale nuk merr dot kurre. E njejta gje ndodh edhe me djathin (jo ai poetiku ky    smiley    smiley   ... I know you know what I mean...  smiley   smiley  ), te cilin shpirti yt ka qejf, po shume qejf ama, ta quaje "shnuok". Kshu lirije, kur vargonjte e fjales thyhen te ajo hallka me e dobet legjendare revolucionare gjematare, shijimi i te ciles fqinjeron me ekstazen, e shijojme vetem: 1) si kalamoj, kur fytyra te cuditshme na afrohen dhe vazhdojne me rrokje te cuditshme, qe per cudi shprehin tamam nje bote, nje kumt aq gjeneral, romanin total, Finegan's wake kinda thing; dhe 2) ne ato momentet intime fare, kur ca gjerave iu veme nje emer qe vetem "te invulvumit" e din'; ku ta zejme fjala "gokuloku" do me thon i gjo te modhe dhe te bukur shum'. Por 1) dhe 2) bashkohen tek te qenit femije. Qe na lumturon. Sikurse lumturohet njerezimi qe ka bere nje "human agreement" te heshtur, qe do pelqejme psh eposin grek, megjithese e di qe atje ne Olimp, ka vec ca izoipse, vija rrushkulluese qe jan isoj si ne cdo kapricio magme te ktij lemshit te ngaterrum ku e soll hera me banue... Nejse; e kisha te angullima.... auuuuu.... mu kujtu edhe nje film me baze xhek londonin, por ndersa po grahja mbi queensboro bridge, ku gjasat e mendimeve te bukra rriten befasisht, thashe me vete qe nje angullime eshte e pamundur ta kaloje stadin e valeve zanore sinusoidale pa ca fjale te meperparshme, me kuptim, deshtimi i te cilave eshte ne fakt mohim dialektik, ne pritje per te lartesu fjalen ne nje nivel me te larte ... vecse jo si angullime... por prape si fjale...  te destinume per deshtim-angullimen pasardhese ne nje qerthull pa fund, ku ne hegeliance, ngadhnjimi si i tille ka ne thelb deshtimin and the other way around masanej. eshte si puna e atyre sheshpushimeve te shkalleve te pallateve, ku ben dashni adoleshente, te cilat perftojne nje pushim kohe-hapesire, per te cu ne tjeter kat. nejse, harrova pse e nisa gjith kete. di qe kisha nje qellim te mire ne koke, po hec e gjeje c'qe....  smiley  

Em, mos vdeksh kurre...(pa t'ra PowerBolli) se me ke bo me majt brinjt e katrorit me dore, prej te qeshmes. Po qi paske talent per t'nominu gjonat?

Po spektatore jemi o Em, e shumta kapim naj top mas porte  :-D

flm qe e solle ketu FH.

sidomos "soleod" me la nje shije te veçante.

kapim naj top mas porte

Floro, ta mash men. Me ke kujtu Xhejms Belushin qe kapi topin te stadiumi ne filmin "Taking care of business"...  smiley 

Po te pershnes me paragrafin fillues te njeres nga veprat me te medha te krijuara nga specia jone:

"Mengjesi ishte i laget dhe me sqote. Ndertesat hijerenda, qe coheshin drejt e mbi levizjen e rruges, me portat e me flegrat e mbyllura, e benin edhe me te hirte fillimin e dites".

PS e pranoj qe s'ka asgjo te jashtezakonshme ne kto fjali, por kjo verteton urtsin' e popllit ton qe thot se nga ferra e vogel del lepri modh.

mua me duken shume te bukura frymezimet tingelluese pas fjaleve misterioze.

 

poezi !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).