Sa m'

Sa m’

sa m'ka marrë malli për një mbrëmje dështake,
mall i vjetër që perëndimet s’e sjellin më në botë,
mbrëmje pa plane ku ngjarja më e madhe është TV-ja
dhe njeriu më tërheqës është folësi fytyrëgri i lajmeve pa të reja,
ku problemi më i madh është lloji i verës me emrin që nuk shkon
dhe me shije dheu dhënë prej peshkut baltëgjerë e halëngushtë,
për një mbrëmje prej mesjave pa pik’n e karakterit si punonjës poste,
që s’do bëhet kurrë mesnatë, dhe as prag, dhe as ndrrim qyqar mosditësh,
as enjtur nga e enjtja, as premtur nga e premtja, por me virus nga të martat
dhe me drojen e mosdijen e koktejlin e dëshirave doemos papërmbushur
për gjitonen me çorape aq të bardha prej të hënash fillestare
me aromë sapuni, hekurosje hekuri nxehur me thëngjij,
shok i ngushtë ky me mangallin ku digjeshin të djelat,
të djelat flet-karboni me mërzi monokside,
që ç’shkruhej të shtunën kopjonin mbi të hënën.

o sa m'ka marrë malli për një mbrëmje të mërzitshme!

Charmar Pharmacy

Hasa sërisht plakun ballkanas, në strofkullën e helmit, me shishe në dorë,
Në farmacinë e afërt, ku na shpie vdekja, si pijanecet qejfi në një pijetore,
Recetat në duar, në sy baltë të turbullt, rërë gri mongole me orvatje loti,
Ujëra revanshesh, kripëra që gërryejn’ mollza edhe dardhza edhe kocka prej ballkani.

Rimbushmë shishen, farmacist! Riempite il mio bicchiere, po t’flas në gjuhë të huaj,
Gjuhë të shtat’the’njishit dhe të shtat’the’dyshit me ki-non-lavora,
Me okside frutash, kàfe kinonike, kino kapardisje dhe klorur kureshtje,
Se ç’ndajnë kafenerat ribashkojnë farmacitë që rishtas t’i rindajnë temporat dhe morat.

15 Komente

ilaç i pagjindshëm asht or vlla helmimi
kur shishja t'ngel n'dorë... e në fyt mallngjimi

m'pelqyn dhe m'trishtun ...

ato te shkretat mbremje deshtake te mungojne kur si ke, por kur te rreshtohen keshtu per nate, te bejne te marresh avionin e pare. shume te bukura vargjet emo. 

Poezitë e tua kanë cilësinë që gjithmonë të të tërheqin në një vend e në një kohë e të të bëjnë pjesmarrës. Shumë bukur Em.

floro, se tash m'ra n'men, naj her do t'shpjegoj cer jon strukturat kinonike ne chemistry. smiley

 

 Eh!!! Emo. Eh!!!

Poezite te bukura te dyja.

s't'kam thon; nje zot e di pse m'ka njel aq ne menie ai detaji me cigare & Vorpsin.

 Em, nuk e dija se do krijonte kaq mbresa. Pashe se qe atehere edhe Tropizma me ka marre inat. Ishte thjesht nje histori e vogel per te treguar qe edhe asaj i dhimbte qe po ikte, ashtu sic na ka dhemb te gjitheve. E pavaresisht se nganjehere shajme, mallkojme, apo thjesht veme buzen ne gaz me at mut vendi, prape na dhemb ashtu sic i dhemb te amputuarit kemba e prere. 

jo, s'ka te beje me ndonje gje specifike. eshte i gjithe setting i asaj skene i atille. Nuk di c'pershtypje i ka bo Trop-it kjo; por mu me ka intrigu ne kahun me pozitiv qe mund te bohet.

Em, duke lexuar ate poezine e dyte nuk e di pse m'u faneps ne mendjen skena e Harkut te Triumfit, Xhoan Maduja qe endej ures per t'u vervitur ne lume, me nje shishe kalvados ne dore...

Poezine e pare, e lexova, por dua ta harroj... per trishtimin qe me percolli.

mërzi monokside,

kàfe kinonike

nuk i kuptova keto te dyja.

ok, digjeshin të djelat, të djelat flet-karboni me mërzi monokside.

eshte ideja e qymyrit te padjegur mire qe te helmon (monoksidi i karbonit - keshtu vdiq Anita Bitri RIP, per shembull) ...me merzi.

 

kafja kinonike eshte nje cike me tjeter. lidhet me kimine (po flasim per farmaci tek e fundit). ka te beje me lidhjet dyfishe qe krijohen gjate oksidimit te lendeve organike te cilat i japin nje ngjyre te erret frutit (si nje pjeshke a molle te kafshuar qe lihet ne tavoline ashtu). po ta vesh re behet nje loje tingullimi me "ki-non-lavora" te celentanos, te murrmen e situates dhe butaforine filmike (kino-kapardisjen ballkanase).

 

Cheers, Anna H!  smiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).