Rrethi vicioz i tranzicionit

Rrethi vicioz i tranzicionit

Lufta për lirinë nuk është një luftë që bëhet kundër Berishës, Ramës, Nanos e Metës, është lufta për solidaritet, për të ndërtuar komunitete e shoqëri civile

Leart Kola

Durrësi i pas-eksodit i ngjante një bujtine në orën 5 të mëngjesit, rrugëve njerëz të çorientuar shihnin me dyshim këdo që kalonte. Nga gjithë Shqipëria ishin mbledhur njerëz e për ditë të tëra kishin konsumuar pritjen jashtë në të ftohtë me sytë nga deti. Hekurat e portit dhe ushtarët e lodhur të një regjimi që po regëtinte në çastet e fundit të agonisë, pranë aktit të parë e historik të euthanasisë që kryet një shtet ndaj vetvetes, ruanin kalanë e fundit të karakterit të një trualli.
Më në fund ishim të gjithë njësoj (ashtu siç premtuan komunistët), asnjë ndryshim nuk kishim në ato ditë të para: komunistë, ballistë, zogistë, disidentë, ëndërrimtarë, realistë, burokratë të sistemit, të gjithë me sytë nga deti e me kurriz nga Shqipëria, më në fund të gjithë të bashkuar, të gjithë me një ëndërr, të tërë me një qëllim e një dëshirë, të iknin, të iknin sa më shpejt, e bash si me qenë akej, e dogjën trojën e tyre, nuk kursyen asnjë fabrikë, asnjë uzinë, asnjë xham shkolle apo dyqani, asnjë libër nuk lanë në bibliotekat e tyre, i dogjën të tëra, dhe u nisën për në botën kapitaliste, ku mbi shkatërrimin që bënë do të ndërtonin të ardhmen.

Anijet e vjetra të ndërtuara nga sistemi komunist, paradoksalisht përfaqësonin ëndrrën perëndimore. Ndoshta qe rasti i parë në historinë botërore, pikërisht atëherë kur një popull arrin të lirohet, me vetëdije e lëshon vendin e tij duke refuzuar kësisoj edhe lirinë e sapofituar…

Turma të rinjsh vitalë që i bërtisnin në fytyrë baballarëve apatikë: “gjithçka që thamë ishte truk, ne realisht nuk e përballojmë dot lirinë. Ne duam të kemi barkun plot, të kemi makinë, televizor. Luftë për liri? Po jua lëmë juve që mbeteni këtu, juve që s’keni kurajo të kacavireni në bashin e anijes, juve që bindjen e patët pasion e për lirinë kurrë s’e çatë kokën, tani merreni lirinë, shijojeni, griseni, shkatërrojeni po të doni! Ne po ikim për të fituar kohën e humbur…”. Kohën e humbur kur?

Durrësi i ditëve të para të eksodit nën shkrumbin e kapakëve të kuq, në hirin e ideologjisë konsumonte drogën më të rrezikshme nga të tëra, ANARKINË, e nën këtë dehje, përqafoheshim, shaheshim e peshtyheshim, në këtë orgji ndjenjash digjeshin librat ideologjikë, në të cilat si opium parashikohej feja, se nuk e kuptuan dot kurrë që i vetmi opium i vërtetë ishte “dinastia” dhe “bjutifulli”. Më shumë se Krishtin donim koka-kolën.

Liria e shprehjes, liria e mendimit ishin fjalë shumë të bukura, por ajo që na mungonte (dhe ende na mungon) është liria e ikjes, largimit nga një vend që na shtrydhi si limona, nën hijen e limonëve verdhacuke të brezareve aksioniste të jugut.

Familjet ishin shesh-betejat ideologjike të atyre ditëve të para të eksodit, fëmijët pështynin baballarët duke i akuzuar për luftën e klasave e të vjetrit strukeshin nëpër kolltuqet stil socialist të hutuar për gjëmën që i ra në kokë, për humbjen e balancave.

Dukej sikur kishte vetëm errësirë dhe uri ato ditë të para të eksodit në qytetin bregdetar. Barku bosh ngopej me shpresën e një ndryshimi të madh, një ndryshimi që po ndodhte kudo e për këdo, por ky ndryshim kjo LIRI ishte overdozë, na errësoi shikimin e nuk e kuptuam që ajo që u fitua ishte vetëm një betejë, lufta e vërtetë sapo kish nisur. Overdoza na përgjumi e si zombie iu drejtuam dyerve të portit detar, për ti shkulur e prishur e për t’u zhdukur sa më parë nga ajo aromë e fortë dhe e papërballueshme lirie që kishim nga pas.

Mbi derën e hedhur pertokë drejt perëndimit një tabelë shkruante “Porti Detar Enver Hoxha”. Si për ironi, në këtë arratisje prej pushtetit absolut nën të cilin kishim lindur e jetuar deri më tash, takimi fundit bëhej sërish me të, mu si ata kushërinjtë e fshatit që e kanë merak të të përcjellin deri tek xhadeja, ashtu edhe Enveri, qe fundit që thosh “mirupafshim”.

Pas 20 vjetësh kemi ndryshuar sigurisht, përherë e më shumë flasim për paratë se sa për demokracinë dhe lirinë, por hej, ky është kapitalizmi apo jo? Pas 20 vjetesh kemi më shumë televizione dhe gazeta, të gjitha njësoj, se kopjojnë sistematikisht të njëjtat formate perëndimore. Nuk kemi më vetëm një televizor e një gazetë, kemi shumë, por të tëra thonë të njëjtën gjë.
Pas 20 vjetësh kemi pluralizëm, e kemi shporrur sistemin njëpartiak për ta zëvendësuar me sistemin shumëpartiak. Por që prej asaj kohe vetëm dy njerëz kemi patur në pushtet e për hir të së vërtetës pak dallojnë nga njëri-tjetri. Edhe për të tretin e mundshëm i kemi marre masat, as ai nuk del nga linja, nuk rrezikon, thotë të njëjtat gjëra, por nuk erdhi në pushtet kështu që s’ia vlen të diskutohet.

Pas 20 vjetësh arsimi është zhvilluar, është bërë europian. Kemi shkolla shtetërore e private, dyert e hapura për të gjithë, edhe pse tani ka analfabetë, fëmijë që për arsye të ardhurash nuk shkojnë dot në shkollë (nr. po arrin në 10%). Po nejse kapitalizmi ka të këqijat e veta, fundja ç’duan të gjithë në shkollë, s’ia kemi ngenë prapë që të diskutojmë për barazinë, e provuam, nuk funksionoi. Madje komunizmin e kemi shporrur edhe nga librat e historisë, tani hapesirën e PPSH-së, e ka zënë PDSH-ja, aty ku shkruhej Enver e kemi bërë Sali. Duket estetikisht më bukur, emër më demokratik, pastaj dhe ngjyra blu i shkon më shumë.

Tani askush nuk na detyron që të rrimë në Shqipëri, kufijtë (nga ana jonë) janë të hapur, kushdo mund të lëvizë i lirë, çështja është që bota e lirë nuk po e duron dot kaq shumë liri për ne dhe vendosi të ngrerë një mur, nga ana andej e detit. Përfundimi duket njësoj, po nuk është ashtu. Muri i tyre është estetikisht më i bukur, me kamera me ngjyra ndërsa ajo grija jonë e vrazhdë të prishte sytë.

Jemi mirë me rritjen ekonomike, kemi madje dhe biznesmenë që mund të blejnë ekipe futbolli ne Itali. Sigurisht që 20% e shqiptarëve nuk e sigurojnë dot bukën e gojës, por është normale, kështu është kudo në botën kapitaliste ka të pasur ka dhe të varfër, apo jo?
Nga bregdeti i jugut i hoqëm aparatçikët borgjezë të komunizmit, që ndërtonin vila arrogante, tani vilat i ndërton familja e kryeministrit. Por jo, mos t’ju duket e njëjta gjë, është komplet ndryshe. Ai ishte diktator, kurse ky i sotmi jo, ky është lider pluralist dhe meriton të qetësohet nën tingujt e valëve të detit. Madje ky është aq bujar sa nuk e ka mbajtur të gjithin për vete siç bënte ai i pari. Ky i ka shitur gjithë pjesën tjetër kompanive të ndryshme “mike” që të ndërtojnë tece. Në këtë mënyrë duhet t’ia kthejmë borxhin Europës? Pse pak na ka “ndihmuar” gjatë këtyre viteve me FMN e Bankë Botërore?

Kemi liri mendimi, e kemi me pashë, problemi qëndron që në këtë periudhë duke qenë se kemi lexuar shumë pak s’po krijojmë dot ndonjë mendim. Megjithatë kemi liri fjale, pavarësisht se askush nuk dëgjon kur ankohemi. Jemi të lirë, liria ime mbaron aty ku fillon e tjetrit, vetëm se problemi është që ai tjetri është përherë trupmadh e i fuqishëm, e mua as hija nuk më ka mbetur në rrethin e kësaj lirie.

Pas 20 vjetësh ajo që na mbetet për të fituar është ajo betejë që nuk e luftuam kurrë, beteja për lirinë. Lirinë e të drejtës të atyre që vuajnë, atyre që punojnë pa sigurime shoqërore, atyre që nuk kanë akses në arsimin. Lufta për lirinë nuk është një luftë që bëhet kundër Berishës, Ramës, Nanos e Metës, është lufta që duhet të bëjmë me njëri-tjetrin, lufta për solidaritet, për të ndërtuar komunitete e shoqëri civile. Liri që duhet përkufizuar nga të gjithë ne nëse nuk duam të hipim vetë në ato anijet e eksodit pa kthim, ku në fakt duhet të hipte “Enveri”, të cilit ende nuk i kemi thënë lamtumirë. Askush nuk duhet të bjerë dakord që drejtësinë e bëjnë më të fortët. Fitoren askush nuk ta fal dhe fusha e betejes tonë është sprova e gjithkujt nga ne që do të ndertojë një shtet, një shoqëri që nuk shpërndan mizerjen e vet, por që shpërndan të mirat e saj.

Pak dite pas ikjes së madhe në Durrës në një byrektore u futën dy burra, njëri hokatar e tjetri më i përmbajtur. Nuk kishin arritur të niseshin për në Itali, sepse anija Partizani kish mbetur në mol për shkak të një avarie. Tek shkërmoqnin byrekun e ftohtë socialist hokatari i thotë tjetrit: “Kujdes në rrugë, nqs. ke para me vete fshihi, janë kohë të këqija, është kapitalizëm ky, nuk ka më solidaritet e pallavra që na thoshte qoftëlargu, tani dy duar për një kokë e gjithsekush për hesap të tij”. Pas këtij trakti filozofik të thënë aty për aty me lirshmërinë më të madhe mbllaçiti me kënaqësi byrekun duke parë tej nga një hapësirë në byrektore ku dikur kish pasur xham. Tjetri i kërrusur nuk arriti të thosh më shumë se: “Shyqyr që ia arritëm kësaj dite thuaj…”. Tingulli i zërit të tij u mbyt nga dallgët që përplaseshin në anijen “Partizani” që nuk ishte shkëputur ende nga moli i Durrësit, si për të treguar se partizanët vazhdojnë të luftojnë deri në fund. Për liri.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).