Roli i Vërtetë i Emigrantëve

Roli i Vërtetë i Emigrantëve



Përktheu Arbër Zaimi


Letër e Hapur e Presidentit Evo Morales, në përgjigjje të "Direktivës së Kthimit të Emigrantëve" të Bashkimit Europian.

Deri në fund të Luftës së Dytë Botërore Europa ka qenë një kontinent emigrantësh. Mijëra europianë e lanë atdheun e shkuan drejt Amerikave si kolonizatorë, duke iu arratisur urisë, krizave financiare, luftës, qeverive totalitare dhe persekutimit të minoriteteve etnike.

Sot unë po ndjek me shqetësim zhvillimet e "Direktivës së Kthimit". Teksti mbi të cilën u morën vesh më 5 qershor Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Europian do të kalojë për votë në Parlamentin Europian më datën 18 qershor. Parashikoj që kjo direktivë do të përkeqësojë në mënyrë drastike kushtet e arrestit dhe të deportimit për emigrantët pa dokumenta, pavarësisht kohës së gjatë që ata mund të kenë jetuar në vendet e BE, situatës së tyre profesionale, lidhjeve familjare, dëshirës dhe aftësisë të tyre për t'u integruar.

Europianët mbërritën në viset e Amerikave Latine e Veriore en masse dhe asnjë vizë, asnjë kusht nuk iu imponua atyre nga autoritetet. Gjithnjë kanë qenë të mirëpritur dhe vazhdojnë të jenë. Asokohe vendet tona amerikane absorbuan gjithë varfërinë ekonomike dhe krizën politike që kish prekur Europën. Ata erdhën në kontinentin tonë për të shfrytëzuar pasuritë natyrore, e për t'i transferuar ato në Europë gjë që i ka kushtuar shumë popullsive autoktone. Siç është rasti jonë me Cerro Rico de Potosi dhe minierat përrallore të argjendit që prodhuan monedha për kontinentin europian që prej shekullit XVI deri në atë XIX. Njerëzit, pasuria dhe të drejtat e emigrantëve europianë janë respektuar gjithnjë.

Sot si rezultat i imazhit të mirë prej vendi të zhvilluar ku respektohen liritë publike, Bashkimi Europian është destinacioni kryesor i emigrantëve nga e gjithë bota. Pjesa më e madhe e këtyre emigrantëve shkojnë në Bashkimin Europian për të kontribuuar në zhvillimin e tij, e jo për të përfituar në mënyrë të padrejtë prej tij. Ata punësohen në shërbime publike, ndërtim, spitale, punë shtëpiake, përkujdesje dhe profesione të ngjashme që vetë Europianët nuk duan ose nuk munden t'i kryejnë. Emigrantët kontribuojnë në dinamikën demografike të kontinentit europian, duke ruajtur marrëdhëniet mes atyre që janë aktivë dhe inaktivë, duke aftësuar sistemin bujar të sigurimeve shoqërore e duke i shërbye ruajtjes së tregjeve të brendshme dhe kohezionit social. Emigrantët paraqesin një zgjidhje për problemet demografike e financiare të të Bashkimit Europian.

Emigrantët tanë janë për ne ndihma zhvilluese që Europa nuk po na e jep – përderisa shumë pak shtete arrijnë objektivin minimal të ndihmës së zhvillimit në 0.7% të GDP. Në 2006 Amerika Latine mori 68,000 milionë dollarë amerikanë si remitancë [para të dërguara nga emigrantët], më shumë se sa i gjithë investimi i huaj në shtetet tona. Në rang botëror remitancat arritën 300,000 milionë dollarë amerikanë, më shumë se sa 104,000 milionë dollarët që jep SHBA si ndihmë për zhvillimin. Në Bolivi, në vendin tim, remitancat përbënë më tepër se 10% të GDP (1,100 milionë dollarë), e barabartë me një të tretën e të ardhurave që nxjerrim nga eksporti vjetor i gazit natyror.

Pra emigrimi shpërndan përfitime si për europianët, po ashtu edhë për Botën e Tretë, në mënyrë më indirekte, duke mbajtur parasysh që shtetet tona humbasin krahun e kualifikuar të punës, për formimin e të cilit ne edhe pse të varfër kemi investuar burime njerëzore e financiare.

Fatkeqësisht "Direktiva e Kthimit" e komplikon së tepërmi këtë realitet. Edhe pse ne e kuptojme që çdo shtet, apo grup shtetesh, ka të drejtën sovrane për të vendosur mbi politikat e veta të imigrimit, ne nuk mund të pranojmë mohimin e të drejtave njerëzore të vëllezërve e motrave, bashkatdhetarëve tanë amerikolatinë. Kjo "Direktivë e Kthimit" parasheh mundësinë e burgosjes deri më 18 muaj së imigrantëve pa dokumenta të rregullta, para se të "përjashtihen" për në vendin e origjinës – ose më saktë "distancohen", siç shprehet terminologjia e direktivës. 18 muaj! Pa gjyq, apo drejtësi! Në formën e paraqitur aktualisht direktiva qartazi shkel nenet 2, 3, 5, 6, 7, 8 dhe 9 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, të vitit 1948. Por mbi të gjitha nenin 13 të kësaj deklarate, që konstaton:

"1. Të gjithë personat kanë të drejtë të lëvizin (zhvendosen) lirisht, e të zgjedhin rezidencën e tyre në territorin e një Shteti

2. Të gjithë personat kanë të drejtën të ikin nga një shtet, përfshi të vetin, si dhe të kthehen aty."

Dhe, ç' është më e keqja, ka një mundësi që nëpër qendrat e arrestit të burgosen gratë me fëmijë, ose minorenët, e ne e dimë që në këto ambiente shfaqet shpesh depresioni, grevat e urisë dhe vetëvrasjet, pa përmendur këtu kontekstin familjar apo shkollor që iu mohohet këtyre individëve. Si vallë mund të pranojmë pa reaguar që motrat e vëllezërit tanë, bashkatdhetarët amerikolatinë, emigrantë pa dokumenta, të vendosen nëpër kampe paraburgimi, ndërkohë që shumica e tyre kanë shpenzuar vite të tëra duke punuar për t'u integruar? Ku ka humbur sot ndërhyrja humanitare? Ku janë "liria e lëvizjes" dhe mbrojtja ndaj burgosjes arbitrare?

Bashkimi Europian në të njëjtën kohë po përpiqet të bindë Komunitetin e Kombeve Andeane (Bolivia, Kolumbia, Ekuadori dhe Peruja) që të firmosë një "Marrëveshje të Asocimit", në të cilën përfshihet një Marrëveshje e Tregtisë së Lirë, i ngjashëm në natyrë e në përmbajtje me çka na u imponua nga Shtetet e Bashkuara. Ne gjendemi përballë një presioni të pamasë prej Komisionit Europian që të pranojmë kushte të një liberalizimi ekstrem të tregjeve tona, shërbimeve financiare, pronësisë intelektuale dhe shërbimeve publike. Për më tepër, nën maskën e mbrojtjes ligjore, Bolivisë po i ushtrohet presion sepse paskemi shtetëzuar ujësjellësat, gazsjellësat dhe telekomunikacionin në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Ngremë pyetjen, ku është kjo "mbrojtje ligjore" në rastin e grave, adoleshentëve, fëmijëve dhe punëtorëve tanë që kërkojnë horizonte më të bukura nëpër Europë?

Të kujdesesh për qarkullimin e lirë të të mirave dhe të financës në të njëjtën kohë që vëllezërit e motrat tona që përpiqen të qarkullojnë lirshëm po përballen me burg pa gjyq, do të qe një mohim i lirive themelore dhe i të drejtave demokratike. Nëse kjo "Direktivë e Kthimit" kalon, nuk do të qe e mundshme etikisht që të thellonim marrëdhëniet me Bashkimin Europian, dhe sipas parimit diplomatik të reciprocitetit, ne rezervojmë të drejtën që të parashtrojmë të njëjtat shtrëngime për vizat ndaj qytetarëve të BE si ato që iu imponohen bolivianëve që prej 1 prillit të 2007. Ne nuk e kemi ushtruar këtë të drejtë deri më tash, pikërisht pse po shpresonim për ndonjë shenjë pozitive nga Bashkimi Europian.

Planeti, kontinentet, oqeanet dhe polet janë duke kaluar një periudhë problemesh globale: ngrohja, ndotja, mbarimi i ngadaltë i burimeve energjitike, rreziqet e biodiversitetit, ndërkohë që në çdo vend uria dhe varfëria po shtohet, duke dobësuar shoqëritë tona. Që emigrantëve, qofshin me dokumenta ose jo, t'u faturohet fillimi i këtyre problemeve globale, nuk është zgjidhje. Nuk i korrespondon asnjë realiteti. Kohezioni social në Europë po vuan prej problemeve që nuk vijnë për faj të emigrantëve, por më së tepërmi si rezultat i modelit të zhvillimit të imponuar nga Veriu, i cili shkatërron planetin dhe gjymton shoqëritë njerëzore.

Në emër të popullit të Bolivisë, të të gjithë vëllezërve dhe motrave të mi nga ky kontinent si dhe nga krahina të tjera të botës, nga Magrebi, nga vendet afrikane, unë i bëj thirrje ndërgjegjjes të liderëve dhe parlamentarëve europianë, popujve, qytetarëve dhe aktivistëve në BE që të mos e aprovojnë tekstin e "Direktivës së Kthimit". Teksti që kemi përpara sot është një direktivë e turpit.

Unë gjithashtu i bëj një thirrje Bashkimit Europian që të përgatisë në muajt e ardhshëm një politikë imigracioni që respekton të drejtat e njeriut; që na lejon të ruajmë dinamikat prej të cilave përfitojnë të dy kontinentet; që do të shlyente një herë e përgjithmonë borxhin historik, ekonomik edhe ekologjik që vendet e BE kanë ndaj botës së tretë. Vetëm kështu do të mbylleshin venat e hapura të Amerikës Latine. Europa nuk duhet të gabojë sot me "politikat e integrimit" ashtu siç gaboi me të ashtuquajturin "mision civilizimi" gjatë kohëve të kolonializmit.

Përshëndetje vëllazërore nga Bolivia për të gjithë ju, autoritete, Euro parlamentarë, vëllezër dhe motra. Dhe solidaritet, sidomos me "popujt klandestinë".

Evo Morales Ayma

President i Republikës së Bolivisë

*Shënim

Përkthimi i kësaj pjese synon një përqasje në këndvështrimin e politikave krahasimore, duke patur parasysh faktin që Shqipëria është një vend i cili gjendet në kushte deri diku analoge e të ngjashme me vendet amerikolatine, sidomos për sa i përket dimensioneve social-ekonomike që rrjedhin prej emigracionit masiv drejt vendeve të Bashkimit Europian. Analogjia shtrihet edhe më tej, pasi Shqipëria gjithashtu është prekur nga politikat e kthimit të emigrantëve, ndalimi i lirisë së lëvizjes, imponimi i liberalizimit ekonomik dhe lirisë së qarkullimit tregtar prej BE-së, i shoqëruar nga një vartësi gjithnjë e më e jetike prej remitancave (që nga ana tjetër pritet të vijnë në rënie).

Natyrisht që duhen mbajtur parasysh gjatë leximit analitik ndryshimet gjeopolitike mes ambienteve amerikolatine dhe shqiptare, si dhe vija politike e ndjekur nga Morales. Pra krahasimi dhe analogjia funksionon për disa elementë dhe fenomene, por nuk është e pikëpërpikshme.

2 Komente

Flm per perkthimin Arber.

 Presidenti i Bolivise, parimisht nuk e ka keq, por ç'e do se situata ne bllokun perendimor paraqitet e zymte, biles viti 2009 dhe 2010 flitet se do te jene me te zymtat ne historine boterore. Neper pikat e ushqimeve falas, njerzit po shtohen, dhe priten te shtohen akoma me shume.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).