Rinia si atëherë...


Rinia si atëherë...
Nga Ardi Stefa
Gjithë javën e kaluar lëvizja nëpër Athinë, ndoshta me nostalgjinë e 18 viteve më parë, kur në dhjetor 1990, rrëzonim regjimin e urryer komunist.
Kur filluan trazirat i shikoja me syrin e ftohtë të gazetarit, me revoltën e qytetarit që sheh të shkatërrohen pasuritë dhe qyteti, i cili tashmë është edhe i tiji, por edhe me bindjen se trazirat shumë shpejt do të degjeneronin në një grabitje e plaçkitje, të cilën Athina nuk e meritonte.
Brenda vetes kërkoja shkaqet që çuan në këto protesta. I kuptoja zhgënjimin, rrugët pa krye, jetën pa vizione të brezit të ri.
E kuptoja krizën ekonomike, politike e sociale, krizën e besimit, në të cilën është Greqia. Kuptoja revoltën e qytetarëve e të rinisë, por nuk kuptoja dhunën e vandalizmat, të cilat po mbysnin në pelena atë lëvizje e protestë aq të bukur, e cila dukej se po shfaqej.
Gjithashtu nuk isha i bindur nëse të gjitha shkaqet e përmendura më lart ishin të kuptueshme dhe ishin të tyret nga nxënësit 15- 16 vjeçarë e studentët 18-20 vjeçarë që protestonin e protestojnë përditë shesheve qendrore të Athinës apo përpara rajoneve të policive.
Brenda vetes kisha frikën se nxënësit 16 vjeçarë grumbulloheshin për havale, grumbulloheshin pas berihajit, apo thjesht për të protestuar e goditur me gurë, portokalle e lakra policët, të cilët u kundërpërgjigjeshin me gaz lotsjellës e arrestime.
Kisha frikën se shumë shpejt nxënësve do t’u ikte nga qejfi “protesta” dhe do t’i riktheheshin jetës së tyre të përditshme. Shkollës, kurseve, kafeterieve dhe flirtimeve me njëri- tjetrin, mesazheve me celularë, lijërave elektronike dhe internetit...
Do t’i riktheheshin monotonisë së jetës së përditshme e apatisë dhe e gjitha kjo atyre do t’u ngelej në mendje si disa ditë kur godisnin me portokalle policinë...
Por dua të them se u gabova.
U gabova kur i pashë dhe fola me disa prej tyre. Kur pashë se sa seriozisht e kishin marrë gjithë situatën. Jo vetëm të këtyre ditëve, por atë ç’ka po jetonin e atë ç’ka i priste në të ardhmen. U habita kur dëgjova pjekurinë e fjalëve dhe mendimeve të tyre. Kur i pashë se sa të pjekur ishin kur flisnin për të tashmen e zymtë që po jetonin, me prindërit të punonin ditë të tëra që t’u plotësonin ato që ata i konsideronin si të natyrshme, arsimimin korrekt, pa kurse private të paguara sa “frëngu pulën”, kur shikonin korrupsionin dhe skandalet të mos luftoheshin dhe të mbuloheshin nga qeveria e politika, kur shikonin “shplarjen e trurit” që u bënte televizioni me emisionet plehra dhe me shkëlqimin e rremë të luksit...
U befasova me rovoltën që ndienin kur flisnin për “ekzekutimin e dytë e gjakftohtë të Aleksit” nga vrasësi dhe avokati i tij mbrojtës, që deklaronin “Se nëse duhet të vdeste apo jo Aleksi, këtë do ta gjykonte Drejtësia”...
Kë? Vrasjen e një adoleshenti dhe nëse ai duhet të jetonte apo jo duhet ta gjykonte Drejtësia?! Atëherë me të drejtë kur dëgjonin fjalë të tilla që fyenin ndërgjegjen, dhembjen dhe intelektin e tyre, do të zinin me gurë shtetin armik, policinë armike, drejtësinë armike.
U hoqa kapelen kur pashë se ata e shikonin të ardhmen të zymtë e pa perspektivë, me prindërit e tyre që kishin vite që punonin dhe rrezikoheshin të ngeleshin pa përfituar pensionin, me ata vetë që pas studimeve do të ngeleshin pa punë dhe brez i 700 eurove dhe do të mund të bënin karrierë vetëm nëpërmjet rryshfeteve apo qenies së tyre në partitë që qeverisin...
Fola me ta dhe e kuptova se revolta e tyre “spontane” kishte kohë që përgatitej brenda tyre. Vrasja e Aleksit ishte pasoja, shkakun ata e shihnin dhe e kërkonin. Jo vetëm në arbitraritetin e pushtetit, por edhe në pasigurinë e jetës dhe mungesën e vizioneve të brezit të ri, në krizën ekonomike, sociale dhe në atë të besimit, në rrugët pa krye, të cilat rinia i përshkon në këtë fillim shekulli...
Nga java e kaluar të rinjtë hynë në një tjetër botë. Vrasja e Aleksit ishte katalizatori i asaj ç’ka do të pasonte. Të gjithë do të shfrytëzonin për të përforcuar pozicionin e tyre, për të shprehur fobitë dhe revoltën e tyre. Vrasja e Aleksit ishte katalizatori që për secilin justifikonte ato që besonte...
Nuk e kanë ata përgjegjësinë nëse marrëdhëniet e qytetarit me shtetin dhe qeverinë janë të tjera nga ato që duhet të ishin. Përgjegjësia u rëndon të tjerëve, por kryesisht atyre që qeverisin kaq vite apo bëjnë opozitë dhe i lanë problemet e demokracisë mënjanë për të përfituar.
Shoqëria greke është në krizë, jo për faktin se problemet e saj janë më të mëdha se ato të vendeve të tjera, por për faktin se në Greqi nuk bien dakort për asgjë ndërmjet tyre. Me liderë e politikanë të paguximshëm, të cilët nuk guxojnë të zgjidhin as edhe problemet m të thjeshta, duke i lënë me vite të tëra të grumbullohen dhe shtetin, drejtësinë, Kishën, të turpërohen, me një fjalë të humbasë besimi tek shteti, tek sistemi politik, tek toleranca dhe mirëkuptimi i vetë shoqërisë. Të rinjë të revoltuar, të rinj të zemëruar, të rinj të pasigurtë dhe të izoluar. Kokëulur dhe rebelë së bashku...
“Ditët e fundit pamë dhembjen masive dhe të sinqertë për humbjen e padrejtë të një fëmije, por edhe shqetësimin për një shoqëri, e cila ishte kaq e gatshme të shpërthente. Nuk pamë që të forcohet vullneti i askujt në reformat ekonomike e sociale, të cilat do të blindonin Greqinë për të ardhmen dhe do të siguronin qetësinë. Përkundrazi, pamë se frika dhe kriza e besimit do të thellojnë diferencimet në shoqëri dhe do të përgatisin truallin për katastrofat e ardhshme...”,- këto ishin fjalët e një studenti përpara kamerave...
Me këtë gjuhë më flisnin studentët e nxënësit 16 vjeçarë, me gjuhën e revoltës së drejtë e të bukur.
Dhe atëhere u binda se nxënësit e të rinjtë vështirë se do t’i rikthehen normalitetit si më parë. Apatisë së mëparshme.
Tek ata do të ngelet e pashlyer kjo epokë, epoka kur ata kërkuan drejtësi, kur protestonin paqësisht dhe me fytyrën zbuluar, me qirinj e lule në dorë që ua jepnnin policëve...
Tek ata do të ngelen të pashlyera këto ditë, kur ata dhe e gjithë Greqia u përballën me veten e tyre...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).