Rikthehet Uliksi

Rikthehet Uliksi


Krenar Zejno

Gjashtë vjet tanimë, prej të parit botim të Uliksit shqip. Një dyzinë, nga nisma dhe vitet e barrës së përkthimit, për t’ia sjellë e anasjellë gjuhës. Një ngjarje thjesht letrare kjo, por që avitet e vjen sërisht pothuaj si një ndodhi natyre, pse “natyra e urren zbrazëtinë”. Ndërkohë, nga krijesa Ulisses – që e thënë sipas të zotit, përshfaq veprën më të gjerë e humane të shkruar në Evropë që prej Rablesë - bota e kapërceu edhe një tjetër shekull. Qysh asokohe kur një librare e imët, Silvia Beach, duke i besuar egoizmit të Xhojsit e, mbase, parandjerë se arti do ta përmbushte shekullin nën pagëzimin e tij, i dha fund odisesë së botimit. Me shfaqjen në dritë, ndonëse mes censorëve, të asaj peripecie gjuhësore revolucionare: librit, mallkuar qoftë, më të mrekullueshëm, siç “anatemoi” Heminguey duke e vërvitur në qiell.

Në të njëjtën kohë e po aty pranë, Pikaso shpërthente fuqinë e pakrahasueshme të veprës për të cilën, gjatë jetës së gjatë që përshkoi poaq shekullin e tij, do t’i duhej të sqaronte: Nuk pikturoj dot në mënyrë tradicionale vetëm për kënaqësinë e të qenit i kuptuar... Jam përpjekur me vite të mbërrij këtë rezultat të mendimeve dhe, në bëj një hap prapa, kjo do të ishte fyerje për njerëzit.

Refuzimit të botimit, shkruesi Xhojs i qe përgjigjur me një siguri edhe më të parevokueshme: Si të doni, i nderuar Zotëri! Por ta dini, ama, mospranimi i këtij libri Ju bën përgjegjës për vonesën e qytetërimit në vendin tuaj.

Merr shkënditje, kështu, shpërthimi i manierizmit nga gjenitë gllabërues dhe shpërngulja prej jetës te kultura, duke zhvlerësuar inspirimin nga e tash-jetuara për tek e tashmë-thëna, ajo që Moravia i vë emrin: varrezë-muzé-spektakël-çarshi-ekspozé arti, dënuar me përjetësi bashkëkohore dhe avangardiste. (G. Stein, Picasso; Zenit 2008)

Do të farkëtoj në kudhrën time vetëdijen e papjekur të sojit njeri- pat lajmëruar Stiven Dedalusi, zejtar e rishtar shkrimtarie. E së këtejmi, nga Portreti i artistit në rini drejt Uliksit të një dite e një qyteti (Portreti nuk është kartë identiteti, por lakorja e një emocioni. Joyce), merr udhë tërë i shkuari shekull i shkruar arti. Formësimi, gjerësia e madhështia e të cilit mbet, fundekrye, i cytur e ndikuar nga ky libër, që nuk mungon në asnjë vend ku fjala ka themeluar dhe vijon e plazmon civilizim.

Loja e Mbrëmjes

Në krye të herës, Dedalusi i mitologjisë e pat pajisur birin Ikarus me krahë ngjitur dylli, për të flatruar kah dritës, drejt diellit e për në zenit të tij, në hapësirat ku njësh me dritën e zjarrtë, flatrat shkrijnë e mbesin pa voli dhe, kësisoj, pa kuptim.

Që të mbërrinte të folurën shqip, ishte Uliksi që do kërkonte tashmë haraç plot vite e rrugëtim përkthimi, përpara tyre të tjera netë me shkrime e studime paralele mbi të. Dhe një shtëpi, mes artesh, enkas në pritje të atij shfaqebotim që ish taksur të bëhej kumbar e bujtës honori edhe për të tjerë të ftuar nderi nga kumbi i letërsisë së madhe.

Vjen koha kur të ngjarat bëhen ngjarje, më tej kujtime. Jo për t’i dhënë ndonjë domethënie kushedi, por së paku për t’mos i tretur në pakuptim, gjej a shfrytëzoj rastin ta cek ndonjë prej tyre. Nuk është rasti për solemnitet, për më tepër këtu e në këtë libër, e kam parasysh. Por, më vjen mirë të kujtoj, tashmë, një ag dite të veçantë: atë mëngjes që po më çelej ndër një sy të skuqur të përkthyesit.

- Mbaroi! tha. Kaq! Nuk kam hasur më një çehre me njërin sy kaq melankolik, tjetrin hipokondrik, nën një pahje gjysëm dashnori e gjysmë gladiatori, a thua po humbte edhe Uliksin arketip homerik që bartim ndër vete, apo e kish sikterisur vetë me gjithë Joyce. Kaq e kishte! Sikur të bëhej fjalë për një kryeqenie imagjinare njëqindkokëshi. Me gjymtyrë, bishtra e zëra sirenash.

Pashko Gjeçi, prej të cilit kumbojnë e luajnë shqip dilema Hamleti, Fausti, por dhe Andromaka Racine, Atalia Chatobriand e vargje Leopardi në pritje botimi, përkthyesi kimerik që e kemi gjallë dhe s’po ia dimë pahanë, një ditë na rrëfeu sesi ishte ndjerë, kur posa përfundoi Komedinë Hyjnore. Të parat vargje, nga Kënga e Tetë nëmos gaboj, i kishte nisur si lojë, një mbrëmje... kur qe veç dymbëdhjetë vjeç. ...Nuk i ka prekur më! Ashtu si i kemi edhe sot. Ndërsa, në fund të të fundmit varg, iu bë sikur at’çast, dikur ndaj të gdhirë, Poeti doli nga deriçka e strehës së përkthyesit, me tërë vitet që i rrinte mjeshtrit model, teksa ky e kthente dhe përkthente. Tha: M’u duk se Dante doli fill prej porte... dhe më la fillikat!

Kur iu lypsej ferri i këtij e kthyen përkthyesin në kryeqytet, dhe autoritetet i dhanë një autorizim strehimi, drejt së cilës ia grahu me të shpejtë, përgjëruar për një tavolinë pune dhe dritë. Mandej, një portë që kësaj radhe po hapej, por për çudi shtëpia brenda kishte njeri! Përballë iu shfaq idhulli, mësuesi i gjimnazit në Shkodër. Ai që i pat mëtuar letërsi, atij dhe përkthyesve të ardhshëm, tek u linte heshtas nga një libër poshtë bankës.

Mësuesi plak, gjendur gabimisht në shtëpinë e re, që në një copë letre me adresë i përkiste Pashko Gjeçit, quhej Pashko Geci... Dhe, ja, ngatërrimi prej një shkronje që i shtohej gjithë ngatërresës lesh e li, aneqark. Plaku i urtë bënte të merrte plaçkat, për t’u shkulur e shkuar aty ku i qe caktuar, ndërsa nxënësi e kish qafuar dhe s’e linte të bënte çap. Pastaj ndërruan fletushkat e paqarta e të ndotura të autorizimeve. Si trille xhojsiane keqkuptimi, të cilin ky na e quajti motor historie, apo si një lojë e thjeshtë fjalësh, të llojit Uncle Lear me unclear, si luante një lexues në letrën qëndisur Xhojsit dikur, duke e qesëndisur edhe me emrin Germ’s Choice.

Përkthyesi i Dantes, shkuar të nëntëdhjetat, vijon qysh asokohe jetën e qindit, mes mureve të dy dhomave të vogla fare, mu këtu pas dritares përballë, penxheres ndë ‘Shallvare’. Komedinë Hyjnore e kujton dhe reciton vetëm në origjinal. Së këndejmi, zgjedhim mbrëmjeve ndonjë varg shqip. Falë tij dhe për të, prej vargjeve me Parajsë.

Të mos e lëmë pa e thënë as këtë vogëlimë çasti prekës, të prekjes e shfletimit ndër duar të kopjes së parë të Uliksit prej përkthyesit të tij, muzgut në shtypshkronjë. Mërmërima, mbi kopertinën e pasme ku shpallej e plotë një fotogarfi e shkrimtarit shik e me bastun, tani vonë po më sillet si nën atë emfazë shpërthyese prej pavarësie e mëvetësie të madhe...! Ndoshta duket paksa patetike, por nuk ishte fjala për ta lidhur me gjëra patriotike. Tek e fundit, edhe kryevepra në fjalë s’është lënë pa e lidhur me politiken, ashtu si edhe të tilla përkthime s’ka pse ta kenë të huaj, as si përpjekje e as si rezultat, atdhetarinë. E kemi dhuratë nga Uliksi i irlandezit vizionin për ta kërkuar të madhen gjë, edhe ndër akte të vogla njerëzore.

Idlir Azizi e solli atë shqip përmes një udhe të gjatë, gati mbartur në kurriz si të ishte një kimerë. Prej njohjes e marrëdhënies sonë të hershme, shpresoj të shfaqem i besueshëm nëse them se: përkthimi i kumtit të Xhojsit është shkruar në kurmin e përkthyesit dhe lëkurën e tij. Empatia, ndoshta prej të qenit rast përkthyesi shkrimtar, pat rrëmbyer tërë qenien e njeriut që po përkthente shkrimtarin. Raporti i tij me të, mbet brenda një trikëndëshi të rrallë e kurioz për t’u këqyrur. I një studjuesi për shkrimtarin, përkthyesi kah tij, lexuesi mbi e ndënë të.

Ndaj, mes referencave të pafundme për Ulisses, qoftë si libri të cilit, e thënë si vulë T. S. Elliot, të gjithë i përkasim e askush nuk mund t’i shpëtojë, do e ndaja veçmas një përshtypje të gjallë, fare të thjeshtë por pa ekuivok, shpenguar e sjellë në bisedë të sotme prej përkthyesit shqip të veprës: “Librat si ai kanë rëndësinë e madhe, edhe vetëm prej faktit se ekzistojnë. Dhe kjo ekzistencë iu mjafton totalisht”.

Një përcaktim ky mbi një vepër totale, sa përmbyllës e për në sirtar, aq edhe i çelur si sipar. Mund ta kërkoja me mendje kësoj qenësie, në lloj-lloj shtampa eterike që hyjnë në kokë: herë si ex-istentia, pra duke u nisur nga diç tjetër - ashtu si ‘arti i ngrehur mbi artin’ me të cilin e përmes Xhojsit nis era e modernitetit - , herë si barazi e ekzistencës me përsosmërinë, apo dhe rrjedhur prej idesë absolute të saj; ose-ose, nëpër filozofi antike Platoni a Plotini, madje i dyti mund t’i qaset me paraqitjen e tij të ekzistencës si procesi i ndryshimit të rrjedhës së gjërave, e që shpie në shprishje të hyjnores. Prej këtej, mbase dhe kah ç’mitizimit, edhe ky element bazik i veprës. Janë përqasje në ekzistencë e konstatime që i rrinë dhe Xhojsit, pse jo! Ndoshta, ngase s’ka gjë që nuk hyn në universin e tij të paanë.

Por, ama, besoj se ajo fjali e përkthyesit, si e hedhur tej për t’mos u zgjatur, do t’i shkonte vërtet për shtat një vepre grykësie makute, që kullufit gjithshka dhe gjithaq pranon tërë ç’mund të thuhet për të. Pra, shpallja nga ai këndvështrim i ekzistencës si fakti i thjeshtë i të qenit. Jo thelbi, jo përkufizimi e kufizimi i saj, dhe as analizimi.

Një tjetër natë loje filologjie e hareje fjalësh ndaj të gdhirë, edhe këtë po e tregoj, dëgjoj Idlirin të thotë: më vjen të zgjoj Fineganët! Ca ditë më parë, kur tha se donte të përkthente Finnegan’s Wake, simfoninë e ndërprerë e të pafund Xhojsiane, pata bërë sikur s’dëgjova nga veshët. Kishte folur përpara, me kohë dhe gjatë për të, sa atë ditë në të zbardhur të ikja i pataksur. Ndërsa, në mbrëmje, do kem thënë që mbase nuk duhej as ta mendonte këtë, të paktën n’atë kohë, dhe se na duheshin libra e jo gjëra që s’duan vetë të jenë të tillë. Joyce nuk na kallëzon gjëra, ai na shërben vetë gjënë. E pat thënë qartë miku i tij, i çuditshmi Samuel në pritje të Godosë. E dinte që për Joyce-in nuk kishte pikë ndryshimi mes rënies së një gjetheje dhe rënies së Satanait...

Është një libërth, ku shpallet intervista titulluar ‘The Game of Evening’ dhe ku Xhojsi, tek diskutojnë me përkthyesin e tij çek, poetin e botuesin Hoffmeister, mbi pjesën Anna Livia Plurabelle, i bën të qartë veten si dhe mundin e atyre që do merren me të: “Mendoj se do t’ju lypsej më shumë se një jetë për këtë. Mister Joyce i shpik fjalët që përdor, nëse mundet të quhen ende fjalë ...Nuk dua të jem i përkthyer, dua të mbetem siç jam, thjeshtë i shpjeguar në gjuhën tuaj. Ju lë çdo liri të mundshme në transformimin e fjalëve. Po besohem tek ju. Në vendin tuaj ka shumë lumenj...”

Kushedi! Gjëra që ndodhin janë edhe ato që ngjasin mjaft rrallë. E thënë së fundi e sërish me Xhojsin, domosdoshmëria është ajo gjë, sajë virtytit të së cilës është e pamundur që diçka të jetë ndryshe. Dhe, më tej: Është e mundshme t’i tretësh lumenjtë në fjalë të gjalla, siç ishin në krye të herës, kur Zoti qe Fjala.

2 Komente

hem.........cfare te thuash (gjithmone nese e ndjen veten i detyruar te thuash dicka)

Nuk eshte recension i keq, ka shume pasion brenda, madje me teper se nje recension rreth perkthimit, te duket sikur eshte nje ngazellim, qe doli perkthimi. Kam paksa problem me kete, sepse akoma nuk e mora vesh, nese eshte perkthim i mire apo jo, madje nuk e mora akoma vesh nese perkthimi ishte i Pashko Gjecit apo i Idlir Azizit. Mora vesh vetem qe u perkthye.

Me shqeteson paksa edhe qe autori nuk eshte konsekuent me perdorimin e emrave te pervecem. Ose te shkruhen ashtu sic shqiptohen ne shqip ose te shkruhen si ne origjinal. Ose Xhojs ose Joyce. Ose Uliks ose Ulisses. Ose Rable ose Rabelais. Edhe njera edhe tjetra nuk ben.

Edhe nja dy gjera te tjera, qe ma prishin paksa shijen e leximit.

Ne fakt eshte ribotim dhe autori i shkrimit eshte botuesi, keshtuqe ndoshta entuziazmi eshte i justifikuar! Shkrimi edhe mua m'u duk i mundimshem, frazat te ngarkuara, informacione qe duhen deshifruar. Por ndoshta ka dashur te imitoje stilin e Joyce-s. Tribut, si me thene! smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).