Rifillojmë së shpejti

Rifillojmë së shpejti

Sokol Shameti

Sa herë një ngjarje tragjike me natyrë policore ndodh në Shqipëri - një atentat, një masakër, një krim makabër brenda familjes - vendi përshkohet nga valë të reja kërkesash për një rikthim në ashpërsinë e vjetër që ndëshkon me vdekje shkaktarët e vdekjes. Mediat organizojnë vox pop-s, shoqatat joqeveritare përpilojnë raporte, ekspertët japin intervista, deri politikanët- përgjegjësit e parë për avaritë në sistemin e drejtësisë së dizenjuar nga vetë ata, shfaqen me maska dëshpërimi para publikut duke kërkuar me populizëm oportunist: ndëshkim maksimal. Fryma e përgjithshme thuajse sa s’eksplodon në formën e saj më konvulsive: “Në djall proceset e integrimit europian. Të kthejmë dënimin me vdekje”.

Mjerisht, ky është konteksti i vetëm ku mund të konstatohet një farë revoltimi i angazhuar i trupës shoqërore shqiptare. Është po kjo trupë e cila në shumicën e rasteve i përcjell me një topitje të posaçme “atentatet” e tjera në lëmenj të tjerë, aty ku pësojnë karambol sot formatimi sheshues globalist (ndalim i dënimit me vdekje si në gjithë Europën. Rehabilitim), me autenticitetin kombëtar (të kthejmë dënimin me vdekje në kushtet e Shqipërisë. Ndëshkim). Përsëri mjerisht, sado e çuditshme të duket në krye, ky është gjithashtu një shembull që garanton se klasa politike në Shqipëri nuk do ta ketë kurrë guximin që të ndalë një proces shkatërrues që është paralajmëruar edhe më herët nga të tjerë njerëz të mendimit. Procesin vetëvrasës i cili mund të pikturohet edhe kështu: “ekziston rreziku që me vrullin mendjelehtë për t’u kredhur me kokë në thellësitë e detit të gjerë dhe mikpritës të kapitalizmit global, shqiptarët të hasin në taban të fortë”.

Arsyet mund të jenë të shumta. Për shkak të amatorizmit, mungesës së vizionit, grykësisë që mund të nginjet vetëm në një atmosferë kaotike etj etj, klasa politike shqiptare nuk do të mundë kurrë të ketë kurajon të ndalë vrapin tonë drejt greminës. Krizat thjesht sa do të menaxhohen rast pas rasti dhe me kriza kam parasysh “rebelimet” shoqërore, zgjimet e përkohshme, bërjen esëll për një moment. Vetë sistemi i krijuar në këtë vend, i cili për të mos e lënë të mendojë, e mban qytetarin e këtushëm të mbërthyer në një sugjestion të pandalshëm skandalistike, spektakli, informacioni dhe pop-kulture, do ta gjejë vetvetiu metodën për ta mpakur zjarrminë që doli për një çast jashtë kontrollit.

Kjo po ndodh edhe ditët e fundit. Teksa të shtënat në stacionin e Ilirisë në Durrës ndalën dhe katër policë vdiqën nga dora e një të akuzuari për vrasje, indinjata – të paktën ditët e para – shkumëzonte haptaz në sipërfaqe. Pak ditë më vonë, momentumi kur të gjithë ishin në një mendje kishte humbur, dhe ju mund të dalloni sesi tashmë jo gjetja dhe shkulja e rrënjëve të dukurisë së kriminalitetit si një i tërë, por shtjellimi i ideve të konspiracionit për rastin konkret të vrasjes së katër policëve, ka zënë me dhunë rrezen e shikimit të publikut. Revolta e momentit të parë (e shfaqur qoftë edhe thjesht në formën e një mendimi të sinkronizuar) është fashitur tashmë. Kjo e ka një arsye, pasi kjo pakënaqësi e parë kishte të bënte me fenomenin dhe kësisoj kishte të gjithë potencialin për ta vënë në lëvizje “shqiptarinë” si një kompleks social. Por tashmë vëmendja e njerëzve është zhvendosur me një mjeshtëri marketingu drejt diçkaje tjetër më pak të rrezikshme e cila garanton mungesë diskursi dhe paqe sociale. Ajo është orientuar drejt thashethemit, terminologjisë spektakolare, efekteve speciale, rikonstruksionit të skenave të krimit, e deri ideve të nëndheshme sesi gjithsesi “drejtësia do të funksionojë” dhe qoftë edhe në mënyrë subversive, haka do të shkojë tek i zoti. Sesi do të gjendet një dorë magjike (si ajo e Adam Smithit) që do të heqë këmbëzën e kobures a tubin e oksigjenit në spitalin ku dergjet fajtori i plagosur. Loja tashmë është shtyrë shumë larg dhe vëmendja e qytetarit është dërguar përtej cakut të nevojshëm për një njeri, që ky njeri të fillojë të mendojë si pjesëtar i ndonjë grupi shoqëror. Në rastin konkret përkufizimi për këtë grup do të ishte ky: “populli shqiptar i cili është i papërgatitur dhe aspak i gatshëm për të aplikuar një drejtësi rehabilituese në vend të drejtësisë ndëshkimore që i përshtatet më shumë konditave sociale ku ky popull ndodhet në gushtin e vitit 2009”.

Drejtësia është vetëm njëri aspekt, por gjëja më interesante është se të njëjtit popull shqiptar, shumica e elementëve të realitetit ku jeton sot në gushtin e vitit 2009, i janë imponuar më herët, pa qenë nevoja të tijat konkrete. Kësisoj, sa herë që ndodhin eksese ai zbulon se ato janë të huaja, të papërshtatshme me kushtet ku ai jeton dhe shërbejnë vetëm si një stof propagandistik a një makiazh maskues që do ta bënte atë në sipërfaqe të dukej “i konvertueshëm” me Europën fqinje dhe mjedisin e kapitalizmit global rrethues. Kështu ka ndodhur në politikën që aplikon ky popull, e cila formalisht funksionon në trajtën e një demokracie liberale vetëm sepse kështu është standardi i botës që na rrethon. Në formën e saj “të egër” dhe të pamonitoruar, ajo shfaq fytyrën e saj prej diktature autoritariste të lidershipit të fortë. Prej këtu lindin edhe anomalitë e sistemit tonë politik, lindin kode zgjedhore që kërkojnë ekzistencën e partive me substancë të fortë ideologjike ndërkohë që organizatat tona politike s’kanë kurrfarë brendie të tillë dhe tërë “doktrina” e tyre është e kufizuar në një luftë të pandalshme lidershipi, pasi “ora biologjike” e trupit tonë politik është ende në primitivitetin e adoleshencës pavarësisht se i kërkohet të veshë kostum burrash të pjekur. Kjo është arsyeja pse pikturimi me ngjyra demonike i liderit të partisë konkurrente shërben si oferta e vetme për qytetarët dhe pse politika jonë pothuajse kurrë s’ofron debat konstruktiv alternativash zhvillimi.

Për të mos u zgjatur, anomali të ngjashme janë lehtësisht të konstatueshme edhe në sistemin e marrdhënieve tona ekonomike, ku “mosha” reale e tyre nuk përputhet me sjelljen e saj. Ajo nuk përputhet as me standardin e nevojshëm që kjo ekonomi të jetë e aftë për të përballuar konkurrencën në kushtet e një tregu global. Pavarësisht kësaj diskordance, performanca që konstatohet nga kjo ekonomi është tërësisht autodestruktive dhe pasojat, tragjike (shih procesin agresiv të degradimit dhe më pas privatizimit të pronës publike, efektet dërrmuese të marrëveshjes së tregtisë së lirë, etj). E njëjta gjë edhe në skedën identitare kombëtare. Teksa në të vërtetë shqiptarët janë në fazën kur u nevojitet më parë krijimi i entitetit të shtetit-komb që më pas të ndjekin rrugën normale të shkrirjes në struktura më të mëdha transnacionale, ata i paraqesin gabimisht si të dizinteresuar për bashkimin e vet kombëtar a si dashnorë të bashkëjetesës multietnike.

Është bërë zakon t’i shtrohen detyra klasës politike, por është ndoshta koha që vetë shoqëria shqiptare të nisë të vrasë mendjen për të gjetur rrugëzgjidhjet drejt shpëtimit. Janë një rresht masash që mund të sillnin dobi dhe drejt së cilave ia vlen ndoshta të mendohet për t’u gjetur zbatimin. Përtej agresivitetit, përbërësi më i nevojshëm për të cilin ato do të kishin nevojë do të ishte kurajoja. Mes tyre mund të ishte pse jo: një riformatim i sistemit politik që do të nxiste debatin ideologjik, nëpërmjet një moratoriumi a deri suspendimi të organizatave aktuale politike për t’i rikrijuar ato nga themelet në njëfarë lloj marrëveshjeje katharsisi të përgjithshëm reformator. Gjithashtu do të ishte tani momenti kur duhet të kërkohet një rivlerësim i sistemit ekonomik, për ta rindërtuar atë në mënyrë që të priret kah prodhimi dhe jo kah tregtia e shkëmbimi i asgjësë apo parasë iluzive të kreditimit, nga përpjekja për administrim publik dhe jo privatizimi galopant i pronës publike. Po ashtu, ky mund të ishte momenti i përshtatshëm edhe për një riformatim të sistemit të drejtësisë duke i shtuar atij dozën e ndëshkimit përkrah asaj të rehabilitimit. Në të njëjtin kontekst, shoqëria shqiptare duhet të gjejë rrugët drejt një rikonstruksioni të plotë të strategjisë diplomatike, kulturore dhe arsimore me prirje kah krijimi i shtetësisë kombëtare. Dhe në fund, ajo që duhet bërë është një rivlerësim dhe riformatim i gjithë procesit të integrimit shqiptar në strukturat më të gjera transnacionale (BE, NATO, etj), me prirjen për të eleminuar rrënjët që e bëjnë të perceptohet këtë integrim si kjo lypje e tejzgjatur mëshirëndjellëse që ofrojmë ne sot.

Ky do të ishte një proces rivlerësimi objektiv që duhet kryer me vendosmërinë, saktësinë dhe gjakftohtësinë e një lufte për ekzistencë, pasi në të vërtetë ajo është një luftë për ekzistencë. Si në restorantet që pezullojnë aktivitetin për shkak të rikonstruksionit, Shqipëria ka nevojë të varë tek dera tabelën: Rifillojmë së shpejti! Megjithatë është gabim që kjo të konsiderohet si lufta heroike e një vendi kundër efekteve gllabëruese të globalizmit që e merr një komb punëtorësh që prodhojnë mendim, mallra e vlera konkrete dhe e shndërron në një masë që thjesht konsumon mendimet, mallrat a vlerat e të tjerëve ndërkohë që vetë, prodhon tashmë thjesht publik televiziv. Siç Hardt dhe Negri vërejnë tek “Empire” i tyre, ky është tanzicioni i mirëpritur nga shteti-komb për tek perandoria globale, andaj si një proces i natyrshëm i pjekurisë së sistemit, s’ka kuptim t’i bësh rezistencë. Përkundrazi. Integrimi i vendeve si Shqipëria në sistemin e përbotshëm të kapitalizmit global ia vlen të inkurajohet, e madje edhe të mirëmbahet në mënyrë që fuzioni të jetë sa më i plotë, “dasma” sa më e arrirë dhe si rrjedhim, edhe finalja sa më e afërt. Kjo është arsyeja pse duhen gatitur më parë kushtet që ky bashkim të jetë i natyrshëm dhe produktiv dhe jo shtypës e traumatik. Diçka që do të ngjate më shumë me një fushatë eleminimi eksesesh dhe standardizimi përpara shkrirjes me “të ngjashmit” dhe përballjes me të keqen e domosdoshme të globalizmit.

Ky do të ishte një operacion korrigjues për një anomali të madhe në një shtet si yni që është shndërruar në karikaturën e një shteti ku asgjë s’është më në vendin e vet: ku as kryetari i së djathtës s’është i djathtë dhe as lideri i së majtës s’është i majtë, ku as kryetari i sindikatave s’është punëtor, as kryetari i pronarëve s’është pronar dhe as kryetari i të përndjekurve s’është i përndjekur. Ku vota s’është përfaqësuese, ku ekonomia s’është prodhuese, ku media s’është e lirë, ku tregu s’është i ndershëm, ku drejtësia s’është e drejtë, ku arsimi s’është edukues, ku pasaporta s’është e vlefshme, ku puna s’është shpërblyese, ku arti s’është frymëzues, ku sporti s’është konkurrues dhe ku mjedisi s’është i jetueshëm. Ku e kaluara s’është e hidhur, e tashmja s’është e denjë dhe e ardhmja s’është premtuese.

Mund t’i vlente diçka nga të gjithë të mëposhtmit, por ky yni NUK do të duhej të ishte një revolucion si ai i francezëve që dikur e quanin revolucion “borgjez”, apo si ai i anglezëve që e quajtën “industrial”. Ai nuk do të ngjante as me luftën e pavarësisë amerikane nga kolonializmi britanik dhe as me revolucionin e rusëve që u shpall “proletar”. Revolucioni ynë nuk do të ishte madje as si ai i polakëve që u quajt “i kadifenjtë”. Ky do të ishte një revolucion për konsum të brendshëm. Një revolucion STANDARDIZUES tërësisht shqiptar.

1 Komente

 Nje shkrim shume i mire Sokol, shkruar bukur dhe qe shtron pyetje konkrete dhe teper interesante. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).