Revolta që u bë shpërthim


Revolta që u bë shpërthim
Ardi Stefa
34 vjet pas rivendosjes së Demokracisë, duhej të vinte viti 2008 që Athina të njihte kaosin total, kaosin, të cilin nuk e njohu në epoka të tjera edhe më të egra, edhe më të vështira.
Plumbi nga pistoleta e policit, që rrëzoi të vdekur 15 vjeçarin në Eksarhia, në të njëjtën kohë hodhi në erë depon e barutit që ndrynte brenda saj histori të tëra të mosdënimit të së kaluarës, qysh nga vrasja e përpara 23 vjetëve, keqtrajtimi i nxënësve dhe i studentëve nëpër manifestime, keqtrajtimi dhe dhuna e ushtruar mbi emigrantët në rajonet e policisë, dënimet e buta, pothuajse aspak dënime që merrnin policët në këto raste, vrasjet e të rinjve apo emigrantëve nga pistoletat e policëve që qëllonin vetëm në “ajër”, apo që plumbat bënin “rikoshetë”, të gjitha këto hodhën në erë këtë depo baruti, duke lënë të lirënjë përbindësh që shkarërroi gjithçka në kalimin e tij. Revolta u bë zemërim, zemërimi shpërthim dhe brenda pak orësh u shndërruan në një vullkan që shkatërroi gjithçka dhe që kaloi në nivele që vetëm trishtim dhe dhembje të thellë mundet të nxisin.
Brenda kësaj situate kaosi, grabitjet dhe plaçkitjet e pasurisë së qytetarëve dhe të shtetit, bënë që të humbisnin pasuri të mëdha.
Pamjet e njerëzve që rrëmbenin koshfët e viçave nga dyqanet e mishit dhe të zhdukeshin me televizorët në kurriz, që shkatërronin dyqane dhe që grabisnin pajisje elektrike, deri edhe paketa cigaresh nga kioskat e dhunuara, kjo është vetëm një provë e vogël e gjendjes që u krijua, ndërkohë që policia ishte e pazonja të vinte situatën nën kontroll.
Reja e krijuar nga gazi lotsjellës nuk ishte e mundur që të ndalonte vandalizmin.
Funksionar i lartë i policisë, nga qendra e drejtimit të operacionit, theksonte se urdhëri ishte i prerë, të mbroheshin me çdo kusht godinat shtetërore dhe pasuritë e qytetarëve.
Por një gjë e tillë nuk u arrit.
Sipas tij, policia “administroi një plan të organizuar të dhunës totale dhe të shpartallimit të shtetit!”
Kryeministri bëri një deklaratë ku dënonte aktin e rëndë të policit, i cili ekzekutoi adoleshentin, dhe njëkohësisht edhe dhunën e anarshistëve. Por loja kishte dalë jashtë kontrollit.
Ai kërkoi nga partitë politike solidaritet dhe mbështetje, por reagimi i tyre ishte se përgjegjëse për gjendjen e krijuar dhe kaosin total ishte qeveria me pazotësinë e saj.
E vetme kundër të gjithëve qeveria në një përpjekje të dëshpëruar të përmbysë situatën, thirri komisionin e posaçëm të emergjencës për administrimin e krizave.
Asgjë e re nuk doli nga një gjë e tillë. E vetmja gjë që u kuptua ishte se qeveria jetonte e mbyllur në botën e vet të xhamtë, jashtë realitetit.
Për ministrin e brendshëm, Pavlopulos “Tjetër gjë është pamja dhe tjetër gjë është realiteti!”. Por jo! Ashtu siç është pamja dhe e njëjtë me pamjen është edhe realiteti!
Realiteti ishte i tillë, saqë rektori i universitetit juridik, dhe dorëheqjen në shenjë proteste për dhunën dhe shkatërrimin e Bibliotekës së universitetit, bibliotekë e cila nuk u mbrojt, duke u dhënë në këtë mënyrë një mesazh qeveritarëve...
Kryeministri pas takimit me presidentin Papulias, thirri në takim liderët e partive politike, në një përpjekje që t’i bëjë bashkëpunëtorë dhe bashkëpërgjegjës me qeverinë në këto momente të vështira. Të ndajë me to përgjegjësinë e veprimeve të qeverisë, e cila duket se “ka vendosur” të vërë rendin. Ai kërkoi që të gjitha partitë politike të dënonin unanimisht dhunën dhe vandalizmin.
Por edhe këtu dështoi. Partitë politike, megjithëse u shprehën pro manifestimeve paqësore dhe dënuan aktet e dhunës së verbër, u distancuan nga qeveria. PASOK kërkoi zgjedhje të menjëhershme për t’u larguar nga pushteti kjo qeveri e rrezikshme, e cila nuk është në gjendje të mbrojnë qytetarët. Pothuajse të njëjtin qëndrim mbajti edhe SYRIZA, e cila fajësoi qeverinë për gjendjen e rinisë dhe të popullit, për horizontet e mbyllura e të zymta të rinisë greke e të mbarë popullit grek.
Partia Komuniste Greke akuzoi SYRIZA se “përkëdhel veshët e anarshistëve për të fituar disa vota”, për të marrë përgjigjen se Partia Komuniste Greke lundron në të njëjtat ujëra me të djathtën konservarore në pushtet dhe bën si gjithmonë lojën e qeverisë.
Dhe mbi të gjitha, Sindikatat nuk pranuan kërkesën e kryeministrit për të mos zhvilluar manifestimet e paralajmëruara me grevën e përgjithshme.
Vrasja e Aleksit ishte pasoja, shkaku duhet parë e kërkuar më tej. Jo vetëm në arbitraritetin e pushtetit, por edhe në pasigurinë e jetës dhe mungesën e vizioneve të brezit të ri, në krizën ekonomike, sociale dhe në atë të besimit, në rrugët pa krye, të cilat rinia i përshkon në këtë fillim shekulli...

1 Komente

se ç'fare do ndryshoje nga kjo rremuje,koha do ta tregoje,vetem nje gje eshte e qarte,nje nene humbi djalin e saj smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).